Juristi.im

Legjislacion në fuqi

Ligji nr. 11/2026 “Për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna”

Teksti i përditësuar siç e mban Qendra e Botimeve Zyrtare. Për përdorim zyrtar verifikoni versionin në fuqi në QBZ.

Burimi zyrtar: Qendra e Botimeve Zyrtare (QBZ) ↗ · 60 nene

Përmbajtja: 60 nene
  1. Neni 1
  2. Neni 2
  3. Neni 3
  4. Neni 4
  5. Neni 5
  6. Neni 6
  7. Neni 7
  8. Neni 8
  9. Neni 9
  10. Neni 10
  11. Neni 11
  12. Neni 12
  13. Neni 13
  14. Neni 14
  15. Neni 15
  16. Neni 16
  17. Neni 17
  18. Neni 18
  19. Neni 19
  20. Neni 20
  21. Neni 21
  22. Neni 22
  23. Neni 23
  24. Neni 24
  25. Neni 25
  26. Neni 26
  27. Neni 27
  28. Neni 28
  29. Neni 29
  30. Neni 30
  31. Neni 31
  32. Neni 32
  33. Neni 33
  34. Neni 34
  35. Neni 35
  36. Neni 36
  37. Neni 37
  38. Neni 38
  39. Neni 39
  40. Neni 40
  41. Neni 41
  42. Neni 42
  43. Neni 43
  44. Neni 44
  45. Neni 45
  46. Neni 46
  47. Neni 47
  48. Neni 48
  49. Neni 49
  50. Neni 50
  51. Neni 51
  52. Neni 52
  53. Neni 53
  54. Neni 54
  55. Neni 55
  56. Neni 56
  57. Neni 57
  58. Neni 58
  59. Neni 59
  60. Neni 60

LIGJ Nr. 11/2026 PËR PARANDALIMIN DHE MBROJTJEN NGA DHUNA NDAJ GRAVE DHE DHUNA NË FAMILJE Në mbështetje të neneve 78, 81, pika 1, dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:

KREU I DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Qëllimi Ky ligj ka për qëllim:

1. Parandalimin, eliminimin dhe mbrojtjen nga të gjitha format e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje në veprimtarinë publike, private, përfshirë dhunën në mjedisin digjital;

2. Sigurimin e mbrojtjes së menjëhershme nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje nëpërmjet mjeteve ligjore, civile e administrative, masave të tjera të nevojshme dhe politikave të integruara e gjithëpërfshirëse, me në qendër viktimën, duke u kushtuar vëmendje të veçantë pjesëtarëve të familjes, që preken në mënyrë disproporcionale dhe që janë më të cenueshëm, si: gratë, vajzat, fëmijët, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara.

Neni 2

Objekti Objekti i këtij ligji është:

1. Parandalimi, mbrojtja, mbështetja dhe rehabilitimi i viktimave nëpërmjet krijimit të një rrjeti të koordinuar institucionesh përgjegjëse në nivel qendror dhe vendor, si dhe organizatave të shoqërisë civile, me qasje të integruar dhe me në qendër viktimën;

2. Forcimi i rolit të autoriteteve përgjegjëse administrative e të sistemit të drejtësisë për marrjen e masave të menjëhershme të mbrojtjes nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje;

3. Garantimi i të gjitha mjeteve juridike të mbrojtjes dhe mbështetjes, përfshirë aksesin e shpejtë, falas e të thjeshtuar pranë organeve përgjegjëse e të drejtësisë.

Neni 3

Fusha e zbatimit

1. Dispozitat e këtij ligji e shtrijnë efektin e tyre në të gjitha mjediset e veprimtarisë publike dhe private, të cenueshme nga dhuna, përfshirë mjediset e ndërmjetësuara nga teknologjia.

2. Dispozitat e këtij ligji zbatohen për të gjitha viktimat e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje në proceset administrative e civile përfshirë edhe:

a) viktimat e dhunës të veprave penale sipas Kodit Penal;

b) viktimat e dhunës në kohë paqeje, në situata konflikti të armatosur dhe në situata emergjente.

Neni 4

Parimet e përgjithshme

1. Parimi i qasjes me në qendër viktimën përfshin dhënien përparësi të respektimit të dinjitetit, të drejtave, sigurisë, mbrojtjes, mirëqenies, pjesëmarrjes aktive të viktimës në vendimmarrje, duke siguruar mbështetje me informacionin e duhur dhe pa paragjykime, duke shmangur viktimizimin dytësor e duke vendosur autorin përpara përgjegjësisë.

2. Parimi i respektimit të konfidencialitetit dhe i privatësisë së viktimës, duke garantuar që të dhënat sensitive të viktimave të dhunës, sipas këtij ligji, të familjarëve të tyre dhe fëmijëve, si dhe çdo përpunim i tyre për qëllime ligjore e statistikore gëzon mbrojtje sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

3. Parimi i mosjustifikimit të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje në të gjitha nivelet e ndërhyrjes e të komunikimit publik, me qëllim që asnjë traditë, zakon, fe, kulturë, normë shoqërore të mos përdoret për të justifikuar aktet e dhunës.

4. Parimi i aksesit në drejtësi dhe në shërbime përfshin të drejtën e përfitimit të shërbimeve falas, të shpejta e të aksesueshme lehtësisht, pavarësisht nga vendndodhja, dhe të ofruara në gjuhë të qartë e të kuptueshme dhe të përshtatura sipas nevojave të personave me aftësi të kufizuara, përfshirë strehimin emergjent 24/7 dhe ndihmën psikosociale.

5. Ndalimi i ndërmjetësimit ka si qëllim që zgjidhjet alternative të mosmarrëveshjeve nëpërmjet ndërmjetësimit ose pajtimit ndërmjet viktimës dhe dhunuesit të mos zbatohen, të ndërmerren ose të propozohen nga organet përgjegjëse, sipas këtij ligji, në rastet e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

KREU II PËRKUFIZIME DHE FORMAT E DHUNËS

Neni 5

Përkufizimet

1. Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

a) “Autoritet kryesor përgjegjës” është ministria përgjegjëse për çështjet e barazisë gjinore dhe çështjet sociale;

b) “Autoritet përgjegjës” është çdo autoritet publik dhe privat që kryen detyra sipas përcaktimeve në këtë ligj;

c) “Dhunë” është çdo veprim ose mosveprim i një personi ndaj një personi tjetër, përfshirë dhunën e lehtësuar nga teknologjia, që sjell si pasojë cenim të integritetit fizik, moral, psikologjik, seksual, social dhe ekonomik;

ç) “Dhunë ndaj grave” është çdo akt dhune i drejtuar kundër një gruaje ose vajze, përfshirë dhunën gjinore kundër grave dhe që prek gratë̈ e vajzat në mënyrë disproporcionale dhe është një formë diskriminimi që sjell ose ka gjasa të sjellë dëme ose vuajtje fizike, seksuale, psikologjike ose ekonomike, përfshirë kërcënimet për veprime të tilla, shtrëngimin apo privimin arbitrar të lirisë, pavarësisht nëse ndodhin në jetën publike, private, përfshirë dhunën e lehtësuar nga teknologjia;

d) “Dhunë në familje” është çdo akt dhune sipas shkronjës “c” të kësaj pike, ushtruar ndërmjet pjesëtarëve të familjes, të përcaktuar në pikën 2 të nenit 12 të këtij ligji, që ndodh brenda ose jashtë njësisë së banimit mes pjesëtarëve që janë ose kanë qenë në marrëdhënie familjare për shkaqe natyrore ose juridike, sipas përcaktimeve të këtij ligji, dhe pavarësisht nga fakti nëse dhunuesi ndan ose ka ndarë të njëjtën banesë me viktimën;

dh) “Dhunues” është personi ndaj të cilit është paraqitur përpara organeve përgjegjëse një ankesë, padi ose është person i dyshuar;

e) “Fëmijë” është çdo person nën moshën 18 vjeç;

ë) “Marrëdhënie intime” është marrëdhënia ndërpersonale që përfshin intimitet fizik, seksual ose emocional;

f) “Mekanizëm i Koordinuar i Referimit të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje” është rrjeti i organizuar i institucioneve përgjegjëse në nivel vendor për parandalimin, mbrojtjen, mbështetjen me shërbime e rehabilitimin e viktimave të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje;

g) “Mjedise të cenueshme” janë hapësira fizike, sociale, publike ose private, përfshirë mjedise digjitale, ku kombinimi i faktorëve të ndryshëm rrit mundësinë dhe përsëritjen e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje;

gj) “Njësi banimi” është banesa ose çdo mjedis i përdorur dhe i përshtatur si i tillë, pavarësisht nëse është në pronësi ose në përdorim të familjes;

h) “Person në varësi” është fëmija i viktimës, personi në kujdestari ose çdo person tjetër, përveç autorit ose të dyshuarit, që jeton në të njëjtën banesë me viktimën dhe për të cilin viktima siguron kujdes dhe mbështetje;

i) “Përndjekja” është kërcënimi ose ngacmimi i personit me anën e veprimeve të përsëritura, me qëllimin për t’i shkaktuar një gjendje të vazhdueshme dhe të rëndë ankthi apo frike për sigurinë vetjake, të një të afërmi ose të një personi me të cilin ka lidhje shpirtërore apo për ta detyruar të ndryshojë mënyrën e tij të jetesës;

j) “Provë elektronike ose digjitale” është çdo provë e nxjerrë nga të dhënat e mbajtura ose të prodhuara nga çdo pajisje, funksionimi i së cilës varet nga një program kompjuterik, si dhe të dhëna të ruajtura ose të transmetuara nëpërmjet një sistemi kompjuterik ose rrjeti e që plotëson kriteret e integritetit, autenticitetit, besueshmërisë dhe ndërlidhshmërisë, sipas akteve ligjore në fuqi;

k) “Urdhër mbrojtjeje” është urdhri i lëshuar me vendim gjykate, ku parashikohen masat mbrojtëse për viktimën, fëmijët dhe, sipas rastit, masa për rehabilitimin e dhunuesit;

l) “Urdhër i menjëhershëm mbrojtjeje” është urdhri i lëshuar përkohësisht me vendim gjykate, i vlefshëm deri në lëshimin e urdhrit të mbrojtjes me vendim gjykate;

ll) “Urdhri për masat paraprake të mbrojtjes së menjëhershme” është urdhri i arsyetuar dhe i lëshuar nga Policia e Shtetit e që përmban masat e menjëhershme për ndalimin e dhunës deri në marrjen e vendimit nga gjykata;

m) “Viktimë” është çdo person mbi të cilin është ushtruar një nga format e dhunës, sipas përcaktimit në shkronjën “c” të kësaj pike, përfshirë fëmijët dëshmitarë.

2. Termat e përdorur dhe të përkufizuar në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen nga diskriminimi, për barazinë gjinore, për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve e për mbrojtjen e të dhënave personale kanë të njëjtin kuptim edhe në këtë ligj.

Neni 6

Dhunë fizike

1. Dhunë fizike është çdo akt i qëllimshëm, që shkakton ose synon të shkaktojë dhimbje, plagosje, dëmtim trupor ose cenim të integritetit fizik të një personi, pavarësisht nëse ka lënë pasoja të dukshme ose të menjëhershme.

2. Dhunë fizike përfshin, por pa u kufizuar, çdo formë goditjeje fizike, përfshirë goditjen me sende, djegie, dëmtim me mjete apo metoda të tjera, që cenojnë shëndetin dhe integritetin fizik të viktimës.

Neni 7

Dhunë psikologjike

1. Dhunë psikologjike është çdo veprim ose mosveprim i qëllimshëm, që synon ose ka si pasojë dëmtimin e integritetit psikologjik, emocional ose të vetëvlerësimit të një personi, duke krijuar gjendje frike, pasigurie, cenim të dinjitetit, gjendje varësie ose ndjenjë inferioriteti nëpërmjet frikësimit, kërcënimit, fyerjes, denigrimit, poshtërimit, izolimit, kontrollit, manipulimit, mohimit të informacionit ose të së drejtës për të marrë vendime.

2. Dhuna psikologjike përfshin, por pa u kufizuar, përdorimin e dhunës dhe presionit psikologjik, ekonomik, kërcënimit, shantazhit, mashtrimit, përndjekjes e çdo forme tjetër detyrimi, që cenon lirinë e vendimmarrjes, përfshirë shtrëngimin ose pengimin për të filluar apo për të vazhduar bashkëjetesën ose martesën, si dhe martesën dhe bashkëjetesën në moshë të hershme, pa pëlqimin e lirë e të informuar.

Neni 8

Dhunë ekonomike Dhunë ekonomike është çdo akt i qëllimshëm, që synon ose ka si pasojë kufizimin, kontrollin ose mohimin e aksesit të një personi në burimet ekonomike, financiare, pasurore, duke përfshirë ndalimin e përdorimit të të ardhurave, pasurisë, pronës, kufizimin e së drejtës për të punuar, për të pasur të ardhura ose për të administruar pasurinë ose mjete për të siguruar jetesën e pavarur, me qëllim ushtrimin e kontrollit, varësisë ose dominimit mbi viktimën, si dhe mospërmbushjen e detyrimit ushqimor.

Neni 9

Dhunë dhe ngacmim seksual

1. Dhunë seksuale është çdo akt seksual i kryer pa pëlqimin e lirë, të vetëdijshëm e të informuar të viktimës, pavarësisht forcës, tolerimit të sjelljes ose rezistencës së viktimës.

2. Ngacmimi seksual është çdo sjellje e padëshiruar me natyrë seksuale, fizike, verbale ose joverbale, që synon ose ka efektin e cenimit të dinjitetit të një personi, krijimit të një mjedisi frikësues, armiqësor, poshtërues, degradues ose fyes, në çdo kontekst shoqëror, profesional apo institucional.

3. Ngacmim seksual në punë është çdo sjellje e padëshiruar verbale, joverbale, fizike ose digjitale nëpërmjet mesazheve, e-mail-eve, imazheve, videove ose komenteve në rrjetet sociale, që ndodh në mjedisin e punës ose në mjedise të lidhura me punën, përfshirë mjedisin digjital, dhe që ka për qëllim ose sjell si pasojë cenimin e dinjitetit të personit apo krijon një mjedis frikësues, armiqësor, përçmues, poshtërues ose fyes.

Neni 10

Dhunë e lehtësuar nga teknologjia

1. Dhunë e lehtësuar nga teknologjia është çdo veprim, mosveprim ose sjellje që kryhet, ndihmohet, rëndohet ose përforcohet nëpërmjet teknologjive të informacionit dhe komunikimit, të rrjeteve sociale, aplikacioneve, pajisjeve elektronike ose mjeteve të tjera digjitale, pa pëlqimin e personit dhe që shkakton ose ka mundësi të shkaktojë dëm fizik, seksual, psikologjik, social, si dhe ndjesinë e frikës, turpit, poshtërimit, pasigurisë, cenimit të dinjitet.

2. Dhuna e lehtësuar nga teknologjia përfshin, por pa u kufizuar në:

a) përdorimin e gjuhës së urrejtjes digjitale, që përfshin përmbajtje të shpërndara publikisht ose privatisht, që nxisin, promovojnë, justifikojnë ose legjitimojnë dhunën, urrejtjen apo diskriminimin dhe përfshin kërcënime për kryerjen e veprave penale; përshkrime degraduese të personit ose viktimës, si objekte seksuale; shpërndarjen e të dhënave personale, me synim nxitjen e dhunës ose dëmit psikologjik;

b) keqpërdorimin dhe/ose dërgimin e imazheve intime pa pëlqim nëpërmjet veprimeve ose mosveprimeve për mosheqjen e tyre, sjelljet që kryhen, ndihmohen, përforcohen ose përhapen nga teknologjia e që konsistojnë në prodhimin nëpërmjet teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, manipulimin, shpërndarjen ose kërcënimin për shpërndarje të imazheve, videove apo materialeve të tjera, që paraqesin ose simulojnë pjesë intime apo veprimtari seksuale të një personi pa pëlqim;

c) përndjekjen digjitale që ka të bëjë me sjellje të qëllimshme, të përsëritura, të vazhdueshme, nëpërmjet mbikëqyrjes, ndjekjes, monitorimit apo komunikimit të padëshiruar, pa pëlqimin e personit ose pa interes të ligjshëm, që shkakton frikë, ankth, ndjenjë pasigurie apo cenim serioz të jetës private, dinjitetit ose lirisë personale të viktimës, të kryera nëpërmjet teknologjisë së informacionit dhe komunikimit;

ç) ngacmimin digjital që përfshin çdo sjellje të përsëritur ose të vazhdueshme të dërgimit, publikimit apo shpërndarjes nëpërmjet teknologjisë së informacionit dhe komunikimit të mesazheve kërcënuese, fyese, poshtëruese, seksuale, duke përfshirë edhe të dhënat personale.

Neni 11

Dhuna ndaj grave në proceset zgjedhore dhe në politikë

1. Dhuna dhe ngacmimi ndaj grave në zgjedhje dhe në politikë është ajo formë diskriminimi që ndodh gjatë procesit zgjedhor ose gjatë veprimtarisë politike apo ushtrimit të funksioneve zyrtare nëpërmjet një sjelljeje të padëshiruar, verbale ose joverbale, e cila ka për qëllim ose efekt cenimin e dinjitetit të grave e vajzave dhe krijimin e një mjedisi frikësues, armiqësor, përçmues, poshtërues ose ofendues.

2. Dhuna dhe ngacmimi sipas pikës 1 të këtij neni përfshin veprime nga një person apo grup personash, drejtpërdrejt ose nëpërmjet palëve të treta, në proceset zgjedhore, veprimtaritë e partive politike, aktivitetet parlamentare ose të këshillave të qeverisjes vendore ose në çdo fushë të jetës politike dhe veprimtarisë publike ndaj grave kandidate, të zgjedhura, të caktuara ose që ushtrojnë funksion politik dhe publik; ose kundër pjesëtarëve të familjes së tyre, me qëllim për t’i përjashtuar, për t’i tërhequr ose për t’i penguar nga pjesëmarrja, si dhe për t’i pezulluar, për t’i ndaluar apo për t’i kufizuar në ushtrimin e detyrës ose për t’i nxitur ose detyruar për kryerjen ose moskryerjen e veprimeve kundër vullnetit.

3. Dhuna ndaj grave sipas këtij neni dhe shkronjës “c” të pikës 1 të nenit 5 të këtij ligji përfshin edhe praktika ose veprime që, megjithëse formalisht janë në përputhje me legjislacionin zgjedhor, kanë për qëllim ose sjellin si pasojë përjashtimin e grave nga pjesëmarrja efektive në politikë, përfshirjen në listat ose pozicione që cenojnë mundësinë e grave për t’u zgjedhur ose vendosjen e tyre në pozicione formale, pa kompetenca vendimmarrëse, krijimin e pengesave sistemike në komunikimin politik, në media, si dhe në ushtrimin e funksioneve drejtuese.

4. Masat mbrojtëse civile e administrative, sipas këtij ligji, të tilla si: urdhra ndalimi, gjoba, mbështetje urgjente dhe mjete të tjera juridike zbatohen për rastet e dhunës ndaj grave në politikë, si brenda, ashtu edhe jashtë proceseve zgjedhore.

KREU III SUBJEKTET DHE RAPORTIMI

Neni 12

Subjektet e mbrojtura

1. Viktimat që gëzojnë mbrojtje nga ky ligj janë:

a) shtetasit shqiptarë me vendbanim ose vendqëndrim në territorin e Republikës së Shqipërisë;

b) të huajt ose personat pa shtetësi, të cilët hyjnë në Republikën e Shqipërisë; të huajt ose personat pa shtetësi, që kanë kërkuar mbrojtje ndërkombëtare sipas legjislacionit në fuqi për azilin në Republikën e Shqipërisë.

2. Subjektet e mbrojtura nga dhuna në familje si pjesëtarë të familjes janë:

a) bashkëshorti/ja ose bashkëjetuesi/ja ose ish-bashkëshorti/ja apo ish-bashkëjetuesi/ja;

b) vëllezërit, motrat, përfshirë, sipas rastit, edhe bashkëshortin/en ose bashkëjetuesin/en e tyre;

c) ungji dhe emta dhe fëmijët e vëllezërve e të motrave, nëse janë anëtarë të njësisë së banimit;

ç) paraardhësit dhe pasardhësit në vijë të drejtë, pa kufizime, përfshirë edhe rastet kur kjo marrëdhënie krijohet nga birësimi;

d) paraardhësit dhe pasardhësit në vijë të drejtë të bashkëshortit/es ose të bashkëjetuesit/es, përfshirë edhe rastet kur kjo marrëdhënie krijohet nga birësimi;

dh)vëllezërit dhe motrat e bashkëshortit/es, bashkëjetuesit/es nëse janë anëtarë të njësisë së banimit;

e) personat të cilët janë ose kanë qenë në marrëdhënie intime, jo domosdoshmërisht të shoqëruar me bashkëjetesë, gëzojnë të njëjtën mbrojtje;

ë) kujdestari dhe personi që ndodhet në kujdesin e tij gjatë kohës që vazhdon kujdestaria, sipas përcaktimeve të kujdestarisë mbi fëmijët e të kujdestarisë për personat me aftësi të kufizuara dhe personin që i është hequr ose kufizuar zotësia për të vepruar sipas dispozitave të Kodit të Familjes.

Neni 13

Raportimi i dhunës

1. Viktima e dhunës në familje raporton nëpërmjet një kërkese, pavarësisht formës, pranë Mekanizmit të Koordinuar të Referimit, përfshirë, por pa u kufizuar pranë:

a) stacionit, komisariatit ose drejtorisë vendore të policisë më të afërt ku banon, ndodhet ose është ushtruar dhuna;

b) njësisë së vetëqeverisjes vendore ku banon apo ndodhet ose është ushtruar dhuna;

c) qendrës shëndetësore të zonës ku banon, ndodhet ose është ushtruar dhuna;

ç) shërbimeve të kujdesit shoqëror, sipas legjislacionit në fuqi;

d) qendrave të specializuara për viktimat e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje;

dh) institucioneve të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

2. Viktima e rasteve të tjera të dhunës ndaj grave raporton dhunën pranë mekanizmave të brendshëm, joformal dhe formal të subjektit publik ose privat, të përcaktuar për mbrojtjen ndaj dhunës, ngacmimit dhe ngacmimit seksual; mekanizmave të jashtëm, të përfshirë në pikën 1 të këtij neni, dhe, sipas rastit, inspektoratit përgjegjës për zbatimin e legjislacionit të punës, Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe/ose mekanizmave të të drejtave të njeriut.

3. Viktima, sipas pikave 1 dhe 2 të këtij neni, mund t’i drejtohet njëkohësisht me kërkesëpadi edhe gjykatës së shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm të vendbanimit ose vendndodhjes së tij/saj ose të dhunuesit për të kërkuar marrjen e masave të nevojshme për mbrojtje e siguri të viktimës dhe në rastin e dhunës në familje, sipas rastit, edhe marrjen e masave mbrojtëse ndaj pjesëtarëve të familjes.

4. Fëmijët mund të raportojnë dhunë në familje dhe gëzojnë mbrojtje të njëjtë si viktima të drejtpërdrejta. Nëse ushtruesi i përgjegjësisë prindërore ose kujdestari është i përfshirë në aktin e dhunës, raportimi nga një fëmijë nuk varet nga pëlqimi i prindit ose i kujdestarit. Në rastet e raportimeve të fëmijëve zbatohen rregullat e legjislacionit në fuqi për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës mbi parimet, autoritetet përgjegjëse dhe vlefshmërinë e deklaratës.

5. Punonjësi i cilitdo autoritet, që merr dijeni, ka informacion ose konstaton një rast të ushtrimit të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje i drejtohet me anë të një kërkese autoriteteve sipas pikave 1 dhe 2 të këtij neni.

6. Çdo person që konstaton një rast të ushtrimit të dhunës mund t’u drejtohet me anë të një kërkese autoriteteve, sipas pikave 1 dhe 2 të këtij neni, për të ndërmarrë masat e nevojshme.

7. Në rastin e dhunës së raportuar nga të huajt dhe personat pa shtetësi, autoritetet përgjegjëse njoftojnë strukturat e migracionit për të marrë masat për pezullimin e menjëhershëm të çdo procedure largimi, duke garantuar mbrojtjen e viktimës deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës për azil, si dhe për lejen e qëndrimit ose të rinovimit të saj, sipas legjislacionit në fuqi për të huajt dhe azilin.

8. Raportimi i dhunës nëpërmjet teknologjisë së informacionit dhe komunikimeve të tjera të aksesueshme e të sigurta garanton ruajtjen e anonimatit në përputhje me interesin më të lartë të viktimës, veçanërisht në rastet me fëmijë, gra, vajza, të moshuar, persona me aftësi të kufizuara.

9. Autoriteti kryesor përgjegjës në zbatim të këtij neni miraton:

a) udhëzim të përbashkët me autoritetin përgjegjës për çështjet e rendit dhe sigurisë publike për përcaktimin e rregullave dhe procedurave, me qëllim raportimin e dhunës nëpërmjet teknologjisë së informacionit dhe komunikimeve të tjera, në zbatim të pikës 8 të këtij neni;

b) udhëzim të përbashkët me autoritetin përgjegjës për çështjet e rendit dhe sigurisë publike për përcaktimin e rregullave për procedurat, afatet e lejes së qëndrimit dhe azilit, protokollet e bashkëpunimit e të bashkërendimit të veprimtarisë mes Mekanizmit të Koordinuar të Referimit dhe strukturave përgjegjëse të migracionit, në zbatim të pikës 7 të këtij neni.

Neni 14

Moskufizimi i raportimit nga profesionistët

1. Rregullat e konfidencialitetit të lidhura me veprimtarinë e autoriteteve përgjegjëse nuk zbatohen në rastet kur këto përbëjnë një pengesë për profesionistët, përfshirë ata të kujdesit shëndetësor, për të raportuar rastin ose kur kanë arsye për të besuar se ekziston një rrezik i menjëhershëm për dëmtimin e viktimës.

2. Transmetimi i të dhënave mund të bëhet edhe pa pëlqimin e viktimës nëse ka arsye të bazuara për të besuar se jemi në rastin e një prej formave të dhunës, ose ka arsye të bazuara për të besuar se ekziston rrezik i menjëhershëm i një prej formave të dhunës të parashikuara në këtë ligj.

3. Çdo profesionist ose autoritet përgjegjës tek i cili referohet rasti që në kontaktin e parë me viktimën ose sa më shpejt pas kontaktit të parë bën identifikimin e nevojave e të masave për mbrojtjen.

4. Autoritetet përgjegjëse, sipas këtij ligji, në rastet që referojnë fëmijët viktima të dhunës te shërbimet mbështetëse, zbatojnë legjislacionin në fuqi për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës lidhur me rregullat e dhënies së pëlqimit nga ana e ushtruesit të përgjegjësisë prindërore ose kujdestarit.

5. Autoriteti kryesor përgjegjës, sipas këtij ligji, harton udhëzime lidhur me konfidencialitetin dhe raportimin.

KREU IV MBROJTJA E VIKTIMAVE

Neni 15

Vlerësimi individual për mbrojtjen dhe mbështetjen e viktimave

1. Autoritetet përgjegjëse, sipas neneve 13 dhe 47 të këtij ligji, pranë të cilave drejtohet viktima ose çdo subjekt tjetër pranojnë raportimin, pavarësisht vendbanimit apo vendqëndrimit të viktimës, duke vlerësuar dhe duke garantuar:

a) mbrojtjen dhe sigurinë e viktimës nëpërmjet vlerësimit të riskut, përfshirë mbrojtjen nga akte të mëtejshme dhune;

b) referimin, sipas rastit, në mbështetje me shërbime të përgjithshme ose të specializuara.

2. Me qëllim mbrojtjen dhe mbështetjen e viktimave, autoritetet përgjegjëse bëjnë identifikimin e masave mbrojtëse dhe nevojave, mundësisht, që në kontaktin e parë ose sa më shpejt e mundur.

3. Vlerësimi individual me në qendër viktimën bëhet nga profesionistë të trajnuar, me qëllim shmangien e viktimizimit dytësor ose riviktimizimin, si dhe duke garantuar eliminimin e barrierave administrative apo financiare.

4. Vlerësimi individual me qëllim mbrojtjen e mbështetjen përfshin vlerësimin e viktimës dhe vlerësimin e dhunuesit ose personit të dyshuar.

5. Autoritetet përgjegjëse, në bashkëpunim me njësinë e mbrojtjes së fëmijëve, vlerësojnë nevojat e fëmijëve, viktima të dhunës, duke identifikuar nevojat e tyre edhe pa pëlqimin paraprak të ushtruesit të përgjegjësisë prindërore ose kujdestarit ligjor.

6. Procedurat, metodologjia për vlerësimin individual dhe roli specifik i Mekanizmit Kombëtar të Referimit përcaktohet me udhëzim të ministrit të çështjeve të barazisë gjinore dhe çështjeve sociale si autoriteti kryesor përgjegjës.

Neni 16

Shërbimet mbështetëse të përgjithshme dhe të specializuara

1. Viktimat kanë të drejtë për mbështetje me shërbime të përgjithshme dhe të specializuara.

2. Nëse viktima është fëmijë, shërbimet e përmendura në këtë nen ofrohen në mënyrë të përshtatshme dhe në interesin më të lartë të fëmijës në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi për të drejtat dhe mbrojtjen e viktimës.

3. Nëse shërbimet e mbështetjes së specializuar nuk ofrohen si pjesë e integruar e shërbimeve të përgjithshme të mbështetjes për viktimat, shërbimet e përgjithshme dhe ato të specializuara koordinohen.

4. Mbështetja e përgjithshme ofrohet nga autoritetet në nivel vendor, përfshirë Mekanizmin e Koordinuar të Referimit dhe organizatave të shoqërisë civile për të gjitha viktimat e dhunës dhe përfshin:

a) informim dhe mbështetje për çdo raportim, përfshirë atë për ndihmën ligjore falas;

b) këshillim ligjor, psikologjik dhe psikosocial falas;

c) shërbime mjekësore dhe ekzaminime mjekoligjore falas;

ç) shërbime të menjëhershme strehimi dhe ndihmë ekonomike për viktimat e dhunës në familje për një periudhë të paktën 30-ditore, si pjesë e detyrimeve për mbrojtje sociale;

d)integrim social-ekonomik, ndihmë dhe mbështetje financiare, ofrimin e kujdesit për fëmijët, asistencë për punësim, arsimim dhe trajnim.

5. Mbështetje e specializuar ofrohet për viktimat e dhunës seksuale dhe, sipas rastit, për personat që përjetojnë dhunë ose ngacmim në vendin e punës.

6. Mbështetja e përgjithshme dhe e specializuar ofrohet falas nga profesionistë të trajnuar, mundësisht në të njëjtin mjedis dhe në mënyrë të personalizuar e të përshtatur me nevojat e viktimave e në një gjuhë që viktimat e kuptojnë, duke adresuar në mënyrë gjithëpërfshirëse nevojat e shumta të viktimave.

7. Ministri për çështjet e barazisë gjinore dhe çështjet sociale, si autoriteti kryesor përgjegjës, përcakton me udhëzim llojet e shërbimeve mbështetëse të përgjithshme dhe të specializuara, standardet dhe procedurat e ofrimit të tyre, shtrirjen e tyre dhe rregullat e mbështetjes financiare për viktimat.

Neni 17

Programet e rehabilitimit

1. Ministri për çështjet e barazisë gjinore dhe çështjet sociale, si autoriteti kryesor përgjegjës, në bashkëpunim me autoritetet përgjegjëse, sipas këtij ligji, siguron hartimin e zbatimin e programeve, me qëllim rehabilitimin e viktimave dhe dhunuesve.

2. Këto programe synojnë:

a) ndërhyrjet e hershme parandaluese në komunitet;

b) mbështetjen psikosociale dhe rehabilitimin e viktimave;

c) trajtim psikosocial/mjekësor për dhunuesit për të ulur rrezikun e përsëritjes dhe ndryshimin e modeleve të dhunshme të sjelljes, me synim parandalimin e dhunës së mëtejshme.

3. Programet për viktimat zbatohen në koordinim me shërbimet mbështetëse dhe synojnë sigurinë e mirëqenien e viktimës.

4. Programet e ofruara për viktimën dhe dhunuesin zbatohen vullnetarisht ose të referuara nga koordinatori vendor dhe gjykatat.

5. Mospjesëmarrja në një program të urdhëruar nga gjykata për dhunuesin përbën shkelje të vendimit dhe sjell pasoja penale sipas Kodit Penal.

6. Kriteret minimale, kufijtë e pjesëmarrjes, monitorimi dhe financimi i programeve të rehabilitimit të viktimave e të dhunuesve, përfshirë ato të rehabilitimit të dhunuesve në institucionet penitenciare dhe në shërbimin e provës, programet e rehabilitimit të viktimave përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit për çështjet e barazisë gjinore dhe çështjet sociale, si autoriteti kryesor përgjegjës, dhe të ministrit përgjegjës për çështjet e drejtësisë.

KREU V QASJA NË DREJTËSI

Neni 18

Urdhrat e mbrojtjes

1. Urdhrat e mbrojtjes sipas këtij ligji janë:

a) urdhri për masat paraprake të mbrojtjes së menjëhershme (UMPMM), i lëshuar nga Policia e Shtetit;

b) urdhri i mbrojtjes së menjëhershme (UMM), i lëshuar nga gjykata;

c) urdhri i mbrojtjes (UM), i lëshuar nga gjykata.

2. Në varësi të subjekteve të mbrojtura sipas këtij ligji dhe formës së dhunës së ushtruar, urdhrat e mbrojtjes që lëshohen nga organet përgjegjëse janë si më poshtë:

a) UMPMM-ja ose UMM-ja apo UM-ja për masat e mbrojtjes nga dhuna në familje;

b) UMPMM-ja ose UMM-ja apo UM-ja për masat e mbrojtjes nga dhuna e lehtësuar nga teknologjia;

c) UMPMM-ja ose UMM-ja apo UM-ja për masat e mbrojtjes nga dhuna ndaj grave në proceset zgjedhore dhe në politikë;

ç) UM-ja dhe UMM-ja për masat e mbrojtjes nga dhuna dhe ngacmimi seksual.

3. Përveç urdhrave të mbrojtjes të parashikuara në këtë nen, në rastet e dhunës së lehtësuar nga teknologjia, autoriteti rregullator në fushën e medias ose autoriteti rregullator në fushën e komunikimeve elektronike e postare lëshojnë urdhër administrativ për heqjen e imazheve dhe materialeve të dëmshme sipas nenit 23 të këtij ligji.

Neni 19

Masat e mbrojtjes nga dhuna në familje

1. Gjykata, si masë mbrojtëse të dhunës në familje, në situata rreziku të menjëhershëm për shëndetin ose sigurinë e viktimës apo personave në varësi, kur dëmi është i pashmangshëm ose është shkaktuar dhe ka gjasa të përsëritet, urdhëron menjëherë largimin e dhunuesit nga banesa për një afat kohor të caktuar, kur viktima dhe dhunuesi banojnë në të njëjtën strehë. Gjykata, kur është rasti në vendosjen e kësaj mase, merr në konsideratë nevojat e veçanta të dhunuesit të mitur, të moshuarit ose personit me aftësi të kufizuara dhe në këto raste urdhri i largimit nga banesa vendoset vetëm kur asnjë masë tjetër nuk garanton mbrojtjen e viktimës nga dhuna. Përveç masës së largimit të dhunuesit nga banesa, mbrojtja nga dhuna në familje, në zbatim të këtij ligji, sigurohet edhe në këto mënyra:

a) urdhërimin menjëherë të të paditurit, dhunuesit, që të mos kryejë ose të mos kërcënojë se do të kryejë vepër të dhunës në familje ndaj paditësit, viktimës apo pjesëtarëve të tjerë të familjes së viktimës ose personave në varësi;

b) urdhërimin e menjëhershëm të të paditurit, dhunuesit, që të mos cenojë, të mos ngacmojë, të mos kontaktojë në mënyrë fizike ose nëpërmjet teknologjisë së informacionit apo të mos komunikojë drejtpërdrejt ose tërthorazi me viktimën apo me pjesëtarë të familjes së viktimës;

c) ndalimin e menjëhershëm të të paditurit, dhunuesit, që t’i afrohet përtej një distance të caktuar viktimës apo pjesëtarëve të familjes së viktimës;

ç) ndalimin e menjëhershëm të të paditurit, dhunuesit, që t’i afrohet shtëpisë, vendit të punës, banesës së familjes së origjinës apo banesës së çiftit të ardhshëm ose të personave të tjerë dhe, për më tepër, shkollës së fëmijëve ose vendeve të cilat frekuentohen më tepër nga viktima, me përjashtim të rasteve kur frekuentimi bëhet për arsye pune;

d) vendosjen menjëherë të viktimës ose viktimave dhe fëmijëve në strehime të përkohshme, duke mbajtur parasysh në çdo rast interesin më të lartë të fëmijës;

dh) kufizimin ose ndalimin e të paditurit, dhunuesit, që të takohet me fëmijën e viktimës, sipas kushteve, të cilat mund të jenë të përshtatshme;

e) ndalimin e të paditurit, dhunuesit për hyrjen ose qëndrimin në banesën e përkohshme apo të përhershme të viktimës apo në ndonjë pjesë të saj, pavarësisht nga të drejtat e pronësisë ose të posedimit të dhunuesit;

ë) urdhërimin e një personi të autorizuar nga gjykata (përmbarues gjyqësor i cili në rast nevoje të argumentuar mund të kërkojë ndihmë/mbështetje edhe nga strukturat e Policisë së Shtetit) që të shoqërojë viktimën ose të paditurin (dhunuesin) deri në banesën e viktimës dhe të mbikëqyrë largimin e pasurisë personale;

f) urdhërimin e strukturave të Policisë së Shtetit që të sekuestrojnë çdo armë me leje që i përket dhunuesit gjatë kontrollit të kryer apo urdhërimin e dhunuesit për të dorëzuar çdo armë me leje që i përket atij. Vendimi i gjykatës në këtë rast parashikon pezullimin e lejes së armës deri në plotësimin e afatit të urdhrit të mbrojtjes, si dhe njoftimin për masën e marrë të strukturave përgjegjëse të Policisë së Shtetit, të cilat administrojnë veprimtarinë e lejuar me armët;

g) urdhërimin e të paditurit, dhunuesit, që të lejojë viktimën të posedojë banesën të cilën e përdorin së bashku viktima dhe dhunuesi/ja ose ndonjë pjesë të saj;

gj) urdhërimin e të paditurit, dhunuesit që të paguajë qiranë e banesës së përhershme apo të përkohshme të viktimës, si dhe detyrimin ushqimor për viktimën, fëmijët apo pjesëtarë të tjerë të familjes, që ka në ngarkim ose urdhërimin e të paditurit (dhunuesit) që të mos përdorë burimet financiare të përbashkëta kur ato keqpërdoren për kontroll apo shtrëngim ekonomik. Për sa kohë urdhri mbrojtës është në fuqi, trajtimi i pasurisë kryhet në përputhje me dispozitat e Kodit të Familjes;

h) heqjen përkohësisht të përgjegjësisë prindërore të paditurit, dhunuesit, ose, nëse është rasti, të kujdestarisë mbi fëmijët, kujdestarisë për personin me aftësi të kufizuara ose për personin që i është hequr ose i është kufizuar zotësia për të vepruar. Kur gjykata vendos të heqë ushtrimin e përgjegjësisë prindërore nga të dy prindërit ose nga prindi i vetëm, ajo cakton kujdestarinë e përkohshme mbi fëmijët, duke zbatuar rregullat e parashikuara në Kodin e Familjes dhe në legjislacionin procedural në fuqi;

i) urdhërimin e organeve përgjegjëse, shërbimeve sociale të njësive përkatëse të vetëqeverisjes vendore ose organizatave që ofrojnë shërbime, që, sipas rastit, të mbështesin me ndihmë psikosociale, shëndetësore e financiare personat e dhunuar në familje, si dhe të monitorojnë respektimin e urdhrave të mbrojtjes nga palët, duke paraqitur raportet përkatëse përpara koordinatorit vendor për referimin e rasteve të dhunës në marrëdhëniet familjare;

j) urdhërimin e të paditurit, dhunuesit, që të bëjë një pagesë periodike në favor të personave bashkëjetues, të cilët, për efekt të masës së mësipërme, mbeten të privuar nga mjetet e jetesës. Për të siguruar pagesën, gjykata mund të vendosë që shuma të derdhet nga punëdhënësi në favor të përfituesit. Një vendim i tillë përbën titull ekzekutiv;

k) përfshirjen e viktimës së dhunës në familje në programe rehabilitimi;

l) urdhërimin e të paditurit, dhunuesit, që të ndjekë programe të detyrueshme rehabilitimi psikoedukuese, programe rehabilitimi psikosociale, menaxhim të sjelljes së dhunshme, programe parandaluese, programe trajtimi nga varësia për menaxhimin e sjelljes, për të marrë shërbim psikologjik të specializuar, sipas vlerësimit të autoriteteve përgjegjëse dhe, nëse është rasti, pranë qendrave spitalore, qendrave ambulatore ose qendrave komunitare, që japin shërbime të shëndetit mendor, shërbime të adiktologjisë ose shërbime të toksikologjisë, si dhe shërbime për trajtimin psikologjik nga varësitë. Pjesëmarrja dhe bashkëpunimi në program mbahet parasysh në vlerësimin e rrezikut të dhunuesit (në rastet e lirimit me kusht, lejeve shpërblyese ose të veçanta, të vizitave);

ll) urdhërimin e të paditurit, dhunuesit ose palëve të treta për një ose disa nga masat e përcaktuara në pikën 2 të nenit 20 kur dhuna në familje është lehtësuar nga teknologjia;

m) instalimin e pajisjeve GPS për dhunuesit që shkelin urdhrin e mbrojtjes;

n) referimin tek organet përgjegjëse për hetim penal, sipas Kodit të Procedurës Penale.

2. Masat e mbrojtjes nga dhuna në familje përfshijnë, por nuk kufizohen në ndonjë apo disa nga masat e mësipërme. Gjykata mund të vendosë çdo masë tjetër të arsyeshme që i shërben mbrojtjes së integritetit fizik, psikologjik, moral e ekonomik të viktimës, personave në varësi dhe fëmijës, përveç atyre të përmendura në këtë nen.

Neni 20

Masat e mbrojtjes nga dhuna e lehtësuar nga teknologjia

1. Masat e mbrojtjes nga dhuna e lehtësuar nga teknologjia përfshijnë masat që merren nga gjykata, në rast të:

a) keqpërdorimit të imazheve intime pa pëlqim;

b) dhunës së përndjekjes të lehtësuar nga teknologjia;

c) ngacmimit të lehtësuar nga teknologjia;

ç) gjuhës së urrejtjes të lehtësuar nga teknologjia.

2. Masat e mbrojtjes nga dhuna e lehtësuar nga teknologjia, që merren nga gjykata, përfshijnë por nuk kufizohen në ndonjë apo disa nga masat si më poshtë:

a) urdhërimin e ndalimit të menjëhershëm të komunikimit të lehtësuar nga teknologjia të dhunuesit me viktimën apo komunikimit të lehtësuar nga teknologjia, kërcënues, fyes, seksual ose publikimit të të dhënave personale të viktimës nga autori;

b) urdhërimin e dhunuesit për ndalim prodhimi, shpërndarjeje ose kërcënimi për keqpërdorimin e imazheve intime pa pëlqim;

c) urdhërimin e dhunuesit ose palëve të treta për heqjen e profilit, fjalëkalimeve të komprometuara, programeve të përgjimit ose pajisjeve që kufizojnë komunikimin;

ç) urdhërimin e dhunuesit, administratorëve të grupeve ose palëve të treta për heqjen e përmbajtjes brenda 24 orëve nga njoftimi;

d) urdhërimin ndaj ofruesve të shërbimeve online që të heqin ose të bllokojnë apo të fshijnë llogaritë/fjalëkalimet e përdorura për përndjekje brenda 24 orëve;

dh) urdhërimin e çdo ofruesi të shërbimit online që të heqë ose të bllokojë apo të fshijë përmbajtjen brenda 24 orëve nga njoftimi;

e) urdhërimin e ofruesve të shërbimeve online për të bllokuar llogaritë ose lidhjet elektronike të përdorura për ngacmim;

ë) urdhërimin e ndalimit të publikimit të çdo të dhëne personale të viktimës, si dhe ndalimit të dërgimit të pamjeve gjenitale të pakërkuara;

f) detyrimin e dhunuesit të mos angazhohet bashkë me persona të tjerë në veprime kërcënuese të drejtuara ndaj viktimës;

g) urdhërimin e ndalimit të përdorimit të pajisjeve të gjeolokalizimit ose të mjeteve të tjera për monitorim pa pëlqim;

gj) detyrimin e dhunuesit të dorëzojë çdo pajisje ose kopje digjitale që shërben për përndjekje;

h) detyrimin për t’i dorëzuar gjykatës çdo kopje fizike ose digjitale të materialit;

i) urdhërimin e ndalimit të dhunuesit për publikim/shpërndarje të mëtejshme të përmbajtjes nxitëse të gjuhës së urrejtjes;

j) urdhërimin e administruesve të faqeve, moderatorëve apo palëve të treta për heqjen e përmbajtjes brenda 12 orëve;

k) urdhërimin e ofruesve të shërbimeve online për të bllokuar llogaritë ose lidhjet e lehtësuara nga teknologjia, të përdorura për nxitje urrejtjeje;

l) urdhërimin e ndalimit të publikimit të çdo të dhëne personale që nxit dhunë;

ll) detyrimin e dhunuesit të publikojë përgënjeshtrim ose falje publike, kur kjo kërkohet nga viktima dhe miratohet nga gjykata;

m) referimin e çështjes tek organet përgjegjëse për hetim penal, sipas Kodit të Procedurës Penale.

3. Dispozitat e këtij neni nuk cenojnë ndjekjen penale, sipas Kodit të Procedurës Penale, kur plotësohen elementet e veprës penale të gjuhës së urrejtjes në internet sipas Kodit Penal.

4. Gjykata mund të vendosë çdo masë tjetër të arsyeshme që i shërben mbrojtjes së integritetit fizik, psikologjik, moral dhe ekonomik të viktimës, personave në varësi dhe fëmijës, përveç atyre të përmendura në këtë nen.

Neni 21

Masat e mbrojtjes nga dhuna ndaj grave në proceset zgjedhore dhe në politikë

1. Masat e mbrojtjes nga dhuna ndaj grave në proceset zgjedhore dhe në politikë, që merren nga gjykata, përfshirë formën e lehtësuar nga teknologjia të kësaj dhune, përfshijnë, por nuk kufizohen në:

a) urdhërimin e ndalimit të çdo kontakti fizik apo komunikimi të lehtësuar nga teknologjia të autorit të dhunës me viktimën;

b) urdhërimin e heqjes ose bllokimit të materialeve ofenduese ose seksiste në platformat online brenda 12 orëve;

c) urdhërimin e ndalimit të autorit të dhunës për të marrë pjesë në fushatë për një afat deri në 30 ditë;

ç) urdhërimin e mbrojtjes policore të përkohshme;

d) urdhërimin e ruajtjes së provave elektronike ose digjitale.

2. Dispozitat e këtij neni nuk cenojnë ndjekjen penale, sipas Kodit të Procedurës Penale, kur plotësohen elementet e kundërvajtjes penale të fyerjes, sipas Kodit Penal.

3. Gjykata mund të vendosë çdo masë tjetër të arsyeshme që i shërben mbrojtjes së integritetit fizik, psikologjik, moral dhe ekonomik të viktimës, personave në varësi dhe fëmijës, përveç atyre të përmendura në këtë nen.

Neni 22

Masat e mbrojtjes nga dhuna dhe ngacmimi seksual

1. Masat e mbrojtjes nga dhuna dhe ngacmimi seksual që merren nga gjykata, përfshirë në mjedisin e punës dhe dhunën e lehtësuar nga teknologjia të kësaj dhune, përfshijnë, por nuk kufizohen në:

a) urdhërimin e ndalimit të çdo kontakti fizik ose komunikimi të lehtësuar nga teknologjia të padëshiruar të autorit të dhunës apo ngacmimit me viktimën;

b) urdhërimin e kalimit të autorit në një detyrë ose mjedis tjetër pune;

c) urdhërimin e heqjes ose bllokimit apo fshirjes së përmbajtjes digjitale abuzive brenda 24 orëve;

ç) urdhërimin e autorit të dhunës ose ngacmimit për të ndjekur program trajtimi psikosocial;

d) shpenzimet ligjore dhe psikologjike të viktimës të mbulohen nga punëdhënësi në rast mosveprimi paraprak.

2. Për dhunën dhe ngacmimin e lehtësuar nga teknologjia, provat elektronike e digjitale mblidhen dhe ruhen sipas nenit 33 të këtij ligji.

3. Dispozitat e këtij neni plotësojnë nenin 32 të Kodit të Punës dhe ligjin “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”, si dhe zbatohen edhe për punë të paformalizuara ose punë në distancë.

4. Gjykata mund të vendosë çdo masë tjetër të arsyeshme që i shërben mbrojtjes së integritetit fizik, psikologjik, moral dhe ekonomik të viktimës, personave në varësi dhe fëmijës, përveç atyre të përmendura në këtë nen.

Neni 23

Urdhri administrativ për heqjen e imazheve dhe materialeve të dëmshme

1. Ndalohet publikimi, postimi ose shpërndarja e çdo materiali, qoftë ai shkrim, audio-video, simbol, mesazh elektronik, që fyen, poshtëron ose provokon dhunë ndaj gruas, për shkak të racës, etnisë, bindjeve politike, fetare ose filozofike, gjendjes ekonomike, arsimore apo shoqërore, shtatzënisë, moshës, gjendjes familjare ose martesore, pamjes së jashtme, aftësisë së kufizuar ose për çdo shkak tjetër, gjatë veprimtarive politike.

2. Entet zgjedhore, subjektet politike, mediat dhe platformat online detyrohen të heqin menjëherë përmbajtjen e tillë, me iniciativë ose sipas vendimit të gjykatës, si dhe të bashkëpunojnë me autoritetin përgjegjës për zbatimin e këtij ligji.

3. Kur viktima u drejtohet me ankim administruesve të faqeve në internet apo palëve të treta për heqjen e përmbajtjes e të imazheve të dëmshme dhe ankimi nuk merret parasysh për t’u zbatuar brenda 12 orëve nga paraqitja e tij nga viktima, Mekanizmi i Koordinuar i Referimit, me kërkesë të viktimës dhe pasi vlerëson përmbajtjen dhe imazhet e dëmshme, i drejtohet me ankim administrativ autoritetit rregullator në fushën e komunikimeve elektronike e postare për ofruesit e shërbimeve online ose autoritetit rregullator për mediat audiovizive. Me marrjen e ankimit, autoriteti rregullator përkatës i drejtohet menjëherë subjektit që ofron median, rrjetin dhe/ose shërbimet e komunikimit elektronik, me urdhër administrativ për heqjen e imazheve apo materialeve të dëmshme. Me marrjen e urdhrit administrativ, subjektet në fushën e medias audiovizive apo subjektet në fushën e komunikimeve elektronike, që mundësojnë ofrimin e shërbimit internet (ISP) kryejnë menjëherë heqjen ose bllokimin e imazheve apo materialeve të dëmshme, objekt ankimi. Rasti evidentohet në Regjistrin Kombëtar të Dhunës Digjitale.

4. Urdhri administrativ për heqjen e imazheve dhe materialeve të dëmshme është i ekzekutueshëm menjëherë. Viktima, ofruesi i shërbimit ose autori i dhunës mund të bëjnë ankim kundër urdhrave administrativë, të përcaktuar në pikën 3 të këtij neni, në gjykatën administrative kompetente brenda 45 ditëve nga marrja dijeni për veprimin ose mosveprimin e autoritetit rregullator. Ankimi në gjykatë nuk pezullon zbatimin e aktit administrativ, përveç rasteve kur gjykata jep urdhër të ndërmjetëm.

5. Me vendim të Këshillit të Ministrave përcaktohen kushtet, kriteret dhe mënyrat e lëshimit të urdhrit administrativ për heqjen e imazheve e të materialeve të dëmshme nga autoriteti rregullator në fushën e medias audiovizive dhe nga autoriteti rregullator në fushën e komunikimeve elektronike e postare.

Neni 24

Sanksionet, masat civile dhe administrative në mjedisin digjital dhe në mjedisin e punës, juridiksioni

1. Nëse gjykata ka vendosur masa të mbrojtjes nga dhuna e lehtësuar nga teknologjia ndaj ofruesit të shërbimeve online, sipas shkronjave “d”, “dh”, “j” dhe “k” të pikës 2 të nenit 20, dhe kjo masë nuk është zbatuar, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) vendos gjobë administrative nga 50 000 deri në 500 000 lekë për çdo 24 orë vonesë.

2. Nëse gjykata ka vendosur masa të mbrojtjes nga dhuna e lehtësuar nga teknologjia ndaj ofruesit të shërbimeve online, sipas shkronjave “ç” dhe “e” të pikës 2 të nenit 20, dhe kjo masë nuk është zbatuar, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) vendos gjobë administrative nga 30 000 deri në 300 000 lekë për çdo 24 orë vonesë.

3. Procedura e vendosjes së gjobës administrative, formatet e kërkesës dhe mënyra e njoftimit elektronik miratohen me udhëzim të përbashkët të autoritetit përgjegjës për drejtësinë, KLGJ-së dhe autoritetit përgjegjës për komunikimet elektronike dhe postare (AKEP).

4. Masat administrative që merr punëdhënësi përfshijnë, por nuk kufizohen në:

a) miratimin e procedurës së brendshme të ankimimit, në përputhje me Konventën ILO nr. 190 dhe me Konventën e Stambollit;

b) shqyrtimin e ankesës brenda 5 ditëve pune;

c) sigurimin e mbrojtjes së viktimës nga hakmarrja;

ç) raportimin e rastit tek inspektorati përgjegjës për çështjet e punësimit.

5. Masat administrative që merr inspektorati përgjegjës për çështjet e punësimit përfshijnë, por nuk kufizohen në vendosje gjobe nga 10 deri në 50-fishin e pagës minimale, sipas ligjit për inspektimin e punës, kur punëdhënësi shkel detyrimet ligjore që lidhen me mbrojtjen e shëndetit dhe sigurisë në punë në rastet kur:

a) nuk ka miratuar procedurë ankimimi;

b) nuk vepron brenda afatit 5-ditor pas ankimit;

c) injoron urdhrat e gjykatës për masat që merren sipas pikës 1 të nenit 22 të këtij ligji.

6. Masat mbrojtëse administrative të parashikuara në këtë ligj (masat për dhunën e lehtësuar nga teknologjia dhe urdhri administrativ) zbatohen kur:

a) veprimi ose përmbajtja e dhunshme është e aksesueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë; ose

b) viktima është shtetas/e shqiptar/e ose ka vendqëndrim të zakonshëm në Republikën e Shqipërisë; ose

c) dhunuesi ka vendqëndrim të zakonshëm në Republikën e Shqipërisë.

7. Autoriteti përgjegjës për komunikimet elektronike dhe postare me kërkesë të Mekanizmit të Koordinuar të Referimit dhe nëpërmjet lëshimit të urdhrit administrativ mund të urdhërojë heqjen, bllokimin ose kufizimin e imazhit apo përmbajtjes së dëmshme digjitale, pavarësisht vendndodhjes së serverit apo ofruesit.

8. Gjykata e shkallës së parë e juridiksionit të përgjithshëm nëpërmjet lëshimit të urdhrave të mbrojtjes mund të urdhërojë:

a) heqjen, bllokimin ose kufizimin e imazhit apo përmbajtjes së dëmshme digjitale, pavarësisht vendndodhjes së serverit apo ofruesit;

b) ndalimin e kontaktit online dhe offline;

c) sekuestrimin e çdo mjeti digjital që përdoret për dhunë, ndodhur brenda territorit.

9. Vendimet e gjykatave të juridiksionit të përgjithshëm ekzekutohen sipas Kodit të Procedurës Civile, rregullave të juridiksionit ndërkombëtar civil dhe, kur është e nevojshme, përmes instrumenteve të bashkëpunimit të ndërsjellë, ndihmës juridike të ndërsjellë ndërmjet shteteve, procedurave dhe marrëveshjeve formale.

10. Gjobat e vendosura sipas pikave 1 dhe 2 këtij neni përbëjnë titull ekzekutiv dhe derdhen në buxhetin e shtetit. Në rast se gjoba e vendosur paguhet nga subjekti përgjegjës brenda 30 ditëve nga njoftimi i vendimit përkatës të AKEP-it, masa e gjobës ulet automatikisht me 15% të shumës së vendosur. Kundër gjobës së vendosur nga AKEP-i mund të bëhet ankim brenda 45 ditëve në gjykatën administrative kompetente.

11. Masat administrative për përpunimin e paligjshëm të të dhënave personale vendosen nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

Neni 25

Efektet e urdhrit të mbrojtjes

1. Urdhrat e mbrojtjes që përmbajnë masat e parashikuara në nenet 19 deri në 22 të këtij ligji kanë efekt të menjëhershëm dhe nuk varen nga raportimi i veprës penale nga viktima ose nga nisja e një vlerësimi individual.

2. Pavarësisht prej ndonjë urdhri apo vendimi tjetër të nxjerrë nga gjykata apo ndonjë institucion tjetër, urdhri i mbrojtjes që përmban masat e parashikuara në nenet 19 deri në 22 të këtij ligji do të nxirret me vendim gjykate për rastet e parashikuara nga ky ligj.

3. Urdhri i mbrojtjes ose urdhri i menjëhershëm i mbrojtjes, i nxjerrë me vendim gjykate, apo përfundimi i efekteve të tij nuk cenon në mënyrë të përhershme të drejtat e pronësisë ose të kujdestarisë.

4. Vendimi për zgjidhjen e martesës, i shpallur nga gjykata gjatë kohës së zbatimit të UMM/UM-së për pasojat e njëkohshme fillon të zbatohet nga dita e përfundimit të UMM/UM-së. Në rast se gjykata ka vendosur detyrime të ndryshme ushqimore për fëmijët në këto vendime, zbatohet vendimi më i favorshëm për fëmijët.

5. Vendimi i gjykatës për lëshimin e UMM-së dhe UM-së, në rastet kur subjekte të përfshira janë fëmijët, duhet t’i njoftohet edhe zyrës vendore të arsimit parauniversitar përkatëse.

6. Gjykata, kryesisht në urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes ose/dhe në urdhrin e mbrojtjes, mund të parashikojë masa mbrojtëse për fëmijët që kanë pësuar dhunë ose kanë qenë të pranishëm kur është ushtruar dhunë në familje. Gjykata mund të referojë viktimat fëmijë te shërbimet mbështetëse edhe pa pëlqimin paraprak të mbajtësit të përgjegjësisë prindërore. Gjykata, sipas vlerësimit të saj, mund të zbatojë edhe masa mbrojtëse e procedura të parashikuara nga legjislacioni në fuqi për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës derisa nuk cenohen afatet e procesit gjyqësor të parashikuara nga ky ligj.

KREU VI PROCEDURA PËR LËSHIMIN E URDHRIT TË MBROJTJES

Neni 26

Subjektet që kanë të drejtën për të kërkuar urdhrin e mbrojtjes

1. Kërkesën për urdhër mbrojtjeje sipas pikës 1 të nenit 19 dhe neneve 20, 21, 22 të këtij ligji mund ta paraqesë:

a) vetë viktima;

b) përfaqësuesi ligjor ose avokati i viktimës;

c) Policia e Shtetit ose prokuroria.

2. Kërkesën për urdhër mbrojtjeje të një fëmije mund ta paraqesin:

a) prindi ose kujdestari i fëmijës;

b) përfaqësuesi ligjor ose avokati i viktimës;

c) të afërmit;

ç) përfaqësuesit e strukturës së mbrojtjes së fëmijës, në nivel vendor, të zyrës së shërbimeve sociale pranë bashkisë ose njësisë administrative ku ka banimin e përhershëm apo të përkohshëm viktima, që kanë dijeni për ushtrimin e dhunës;

d) shërbimet për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, të njohura nga autoriteti kryesor përgjegjës;

dh) Policia e Shtetit ose prokuroria;

e) personat ligjërisht përgjegjës për fëmijët.

3. Kërkesën për urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje mund ta paraqesin:

a) vetë viktima;

b) përfaqësuesi ligjor ose avokati i viktimës;

c) Policia e Shtetit ose prokuroria;

ç) personi me të cilin viktima ka marrëdhënie familjare;

d) përfaqësuesit e zyrës së shërbimeve sociale pranë bashkisë ose njësisë administrative ku ka banimin e përhershëm apo të përkohshëm viktima, që kanë dijeni për ushtrimin e dhunës;

dh) qendrat dhe shërbimet për mbrojtjen dhe rehabilitimin e viktimave të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, të njohura nga autoriteti kryesor përgjegjës.

4. Në rastin kur kërkesa është paraqitur nga Policia e Shtetit ose nga prokuroria, tërheqja e viktimës nga procesi nuk sjell si pasojë mosgjykimin e çështjes së filluar.

5. Kërkesa paraqitet nëpërmjet kanaleve të aksesueshme, të lehta për t’u përdorur, të sigurta e të disponueshme, në mënyrë të menjëhershme. Për dhunën e lehtësuar nga teknologjia, të përmendur në nenet 19 deri në 22 të këtij ligji, garantohet mundësia e raportimit dhe dorëzimit të dëshmive online ose nëpërmjet teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, të tjera të aksesueshme dhe të sigurta, pa cenuar rregullat procedurale lidhur me formalizimin e dorëzimit të dëshmive apo raportimit online.

Neni 27

Të drejtat dhe interesat e viktimave

1. Të drejtat dhe interesat e viktimave, duke përfshirë nevojat e tyre të veçanta, si dëshmitarë, garantohen në të gjitha fazat procedurale të lëshimit të urdhrave të mbrojtjes, duke siguruar në veçanti:

a) mbrojtjen e viktimave, të familjeve të tyre e të dëshmitarëve nga hakmarrja, kërcënimi dhe viktimizimi i përsëritur;

b) informimin e viktimave të paktën në rastet kur viktima e familja mund të jenë në rrezik, kur autori i dhunës shkel urdhrin e mbrojtjes, si dhe informimin e viktimës në lidhje me lirimin e autorit të veprës penale dhe kthimin e tij në banesë;

c) informimin e viktimave për të drejtat e tyre për shqyrtimin e kërkesës së tyre për urdhër mbrojtjeje, ecurinë e përgjithshme të procesit dhe rolin e tyre në to, si dhe rezultatin e çështjes së tyre;

ç) të drejtat e viktimave për t’u dëgjuar, për të siguruar prova, për të paraqitur pikëpamjet, nevojat dhe shqetësimet e tyre, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose nëpërmjet një përfaqësuesi, si dhe marrjen e tyre në shqyrtim;

d) miratimin e masave për të mbrojtur jetën private dhe imazhin e viktimës;

dh) marrjen e masave që kontakti ndërmjet viktimave dhe autorëve të dhunës brenda gjykatës, strukturave të Policisë së Shtetit e prokurorisë apo çdo institucioni tjetër të shmanget kur është e mundur;

e) garantimin e përkthyesit të pavarur kur viktima palë në proces është shtetas i huaj ose kur sigurojnë prova, si dhe garantimi i një interpretuesi të gjuhës së shenjave ose lehtësues i komunikimit për personat me aftësi të kufizuara në të folur dhe në të dëgjuar;

ë) dhënien e dëshmive në sallën e gjyqit pa qenë të pranishëm ose të paktën pa praninë e autorit të dhunës, veçanërisht nëpërmjet përdorimit të teknologjive të përshtatshme të komunikimit, kur janë në dispozicion dhe në varësi të vlerësimit të rrezikut të viktimës, viktima të pyetet nëpërmjet sistemit audioviziv;

f) garantimin e masave të përshtatshme dhe të posaçme mbrojtjeje për fëmijët viktima dhe dëshmitarë të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, kur është e nevojshme, duke marrë parasysh interesin më të mirë të fëmijës;

g) garantimin për personat në varësi që konsiderohen si të rrezikuar në të njëjtën mënyrë, të njëjtat masa mbrojtjeje si ato që u ofrohen viktimave, përveç rasteve kur ka tregues që nuk kanë nevoja të veçanta për mbrojtje. Çdo masë që bazohet në supozimin e gabuar të ekzistencës së nevojave të veçanta për mbrojtje, konsiderohet joproporcionale;

gj) pyetjen e viktimës në prani të një psikologu, punonjësi social ose koordinatorit të dhunës;

h) shqyrtimin e çështjes së dhunës në familje edhe në mungesë të viktimës, duke garantuar përfaqësimin e saj me mbrojtës të zgjedhur ose mbrojtës të caktuar kryesisht nga gjykata.

2. Kur është e rëndësishme për sigurinë e viktimave, autoritetet përgjegjëse kompetente informojnë viktimat për mundësinë e kërkimit të urdhrave mbrojtës dhe për mundësinë e njohjes së tyre në shtete të huaja.

3. Autoritetet përgjegjëse në fushën e drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm të shkallës së parë dhe gjykata e juridiksionit të përgjithshëm e apelit për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes, të parashikuara në nenet 19 deri në 22 të këtij ligji, mund të nxjerrin udhëzime të brendshme ose manuale procedurale për trajtimin e rasteve që kërkojnë lëshimin ose zbatimin e urdhrave përkatës të mbrojtjes, me natyrë këshilluese dhe bazuar në praktikat më të mira dhe rrethanat specifike të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

Neni 28

Rrethana që merren parasysh në lëshimin e urdhrave të mbrojtjes

1. Organet përgjegjëse gjatë lëshimit të urdhrave të mbrojtjes, sipas pikës 2 të nenit 18 të këtij ligji, duhet të marrin në konsideratë disa rrethana të kryerjes së dhunës ndaj grave ose dhunës në familje, pa përjashtuar mundësinë që ato të jenë rrethana rënduese të veprave penale.

2. Rrethanat që merren parasysh në lëshimin e urdhrave të mbrojtjes, përfshijnë, por nuk kufizohen në rastet kur dhuna ndaj grave ose dhuna në familje:

a) është kryer në mënyrë të përsëritur e njëjta formë dhune ose forma të ngjashme;

b) është kryer ndaj një personi të pambrojtur për shkak të rrethanave të veçanta, si p.sh. varësia, aftësia e kufizuar fizike, mendore, intelektuale ose shqisore;

c) është kryer ndaj një fëmije;

ç) është kryer në prani të një fëmije;

d) është kryer nga dy ose më shumë persona së bashku;

dh) është paraprirë ose është shoqëruar me nivele të larta ose nivele ekstreme dhune;

e) është kryer me përdorimin e një arme ose kërcënimin për përdorimin e saj;

ë) është kryer me forcë ose me kërcënim për përdorimin e forcës apo me detyrim;

f) ka shkaktuar dëm të rëndë fizik ose psikologjik;

g) është kryer nga autori, i cili është dënuar më parë për vepra të së njëjtës natyrë ose të ngjashme;

gj) është kryer ndaj bashkëshortit ose ish-bashkëshortit apo partnerit aktual ose të mëparshëm;

h) është kryer nga një anëtar i familjes ose nga një person që bashkëjeton me viktimën;

i) është kryer nga një person që ka abuzuar me autoritetin, me një pozitë të njohur besimi ose ndikimi;

j) është kryer ndaj një personi për shkak se ishte përfaqësues publik, gazetar ose mbrojtës i të drejtave të njeriut;

k) është kryer me qëllim ndëshkimin e viktimës për gjininë, ngjyrën, fenë, origjinën shoqërore ose bindjet politike të saj.

3. Kur vlerësohen nevojat për mbrojtje të viktimës, shqetësimi parësor duhet të jetë garantimi i sigurisë së viktimës, duke marrë parasysh, ndër të tjera, rrethanat individuale të viktimës, si dhe rrethana të tjera, si:

a) faktin që viktima është shtatzënë/fëmijë shtatzënë;

b) varësinë e viktimës nga dhunuesi ose marrëdhënien e saj me dhunuesin;

c) rrezikun që viktima të kthehet te dhunuesi;

ç) ndarjen e fundit nga një dhunues;

d) rrezikun e mundshëm që fëmijët të përdoren për të ushtruar kontroll mbi viktimën;

dh) rreziqet për viktimat me aftësi të kufizuara apo me probleme të shëndetit mendor;

e) shkallën e kontrollit të ushtruar nga dhunuesi mbi viktimën, qoftë psikologjikisht apo ekonomikisht.

4. Për identifikimin e nevojave për mbrojtje të viktimave, sidomos për viktimat e dhunës seksuale dhe viktimat e dhunës në familje, sa më herët të jetë e mundur ose në momentin e kontaktit të parë me autoritetet përgjegjëse ose sa më shpejt pas kontaktit të parë me to, nevojat specifike për mbrojtje të viktimës duhet të identifikohen përmes një vlerësimi individual kur është e përshtatshme në bashkëpunim me të gjitha autoritetet përgjegjëse përkatëse. Vlerësimi individual duhet të përqendrohet në rrezikun që vjen nga dhunuesi, si:

a) rrezikun e dhunës së përsëritur;

b) rrezikun e dëmtimeve trupore ose psikologjike;

c) përdorimin dhe aksesin e mundshëm në armë;

ç) faktin që dhunuesi jeton me viktimën;

d) përdorimin e keq të drogës ose alkoolit nga dhunuesi;

dh) keqtrajtimin e fëmijëve;

e) problemet e shëndetit mendor;

ë) sjelljen e përndjekjes (stalking).

Vlerësimi kryhet në të gjitha fazat e zbatimit të masave mbrojtëse, në interesin më të mirë të viktimës, duke i kushtuar vëmendje të veçantë nevojës për të shmangur viktimizimin dytësor ose të përsëritur.

5. Autoritetet përgjegjëse duhet të rishikojnë vlerësimin individual në intervale të rregullta dhe, kur është e nevojshme, marrin masa të reja ose përditësojnë masat mbrojtëse në vazhdim në përputhje me parashikimet e këtij ligji për t’u siguruar që ato adresojnë situatën aktuale të viktimës. Personat në varësi supozohen të kenë nevoja specifike mbrojtëse, pa kaluar vlerësimin individual, përveç nëse ka tregues që ata nuk kanë nevoja të tilla specifike.

Neni 29

Organi kompetent për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes

1. Organi kompetent për lëshimin e urdhrave mbrojtës në rastet e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, të parashikuara nga ky ligj, është gjykata e juridiksionit të përgjithshëm e shkallës së parë, e vendbanimit ose vendndodhjes së viktimës apo dhunuesit.

2. Gjykata lëshon urdhra mbrojtjeje sipas pikës 2 të nenit 18 të këtij ligji për marrjen e masave të nevojshme për mbrojtjen dhe sigurinë e viktimës e të personave në varësi, duke garantuar për secilin rast vendosjen e një ose disa prej masave mbrojtëse, të përmendura në nenet 19 deri në 22 të këtij ligji.

3. Pala e interesuar mund t’i kërkojë gjykatës, sipas rastit, konform dispozitave të këtij ligji, lëshimin e urdhrit të mbrojtjes kundër dhunës ndaj grave ose dhunës në familje, pa kërkuar paraprakisht nxjerrjen e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.

4. Pasi gjykata të ketë lëshuar një urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje, pala e interesuar mund të kërkojë lëshimin e një urdhri mbrojtjeje, siç parashikohet në këtë ligj. Urdhri i mbrojtjes përkatës shërben për të rikonfirmuar vazhdimësinë e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, si dhe siguron zbatimin e masave mbrojtëse të përcaktuara sipas këtij ligji.

Neni 30

Urdhri për masat paraprake të mbrojtjes së menjëhershme

1. Kur nga kryerja e vlerësimit të riskut rezulton se dhuna e ushtruar paraqet rrezik për jetën, shëndetin dhe lirinë e gruas ose anëtarëve të familjes, strukturat përgjegjëse për trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje pranë Policisë së Shtetit marrin menjëherë masa paraprake të mbrojtjes së viktimës ose viktimave dhe për ndalimin e dhunës.

2. Në urdhrin për masat paraprake të mbrojtjes së menjëhershme, sipas pikës 1 të këtij neni, derisa gjykata të nxjerrë urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes ose urdhrin e mbrojtjes, përcaktohen një ose disa nga masat e nevojshme për mbrojtjen dhe sigurinë e viktimës dhe të personave në varësi, duke garantuar për secilin rast vendosjen e një ose disa prej masave mbrojtëse, të përmendura në pikën 3 të këtij neni.

3. Urdhri për masat paraprake të mbrojtjes së menjëhershme, në varësi të subjekteve të mbrojtura, sipas këtij ligji dhe formës së dhunës së ushtruar, përfshin një ose disa nga masat e mëposhtme:

3.1. UMPMM-ja, për masat e mbrojtjes nga dhuna në familje, përfshin:

a) urdhërimin për largimin e menjëhershëm të dhunuesit nga banesa kur viktima dhe dhunuesi banojnë në të njëjtën strehë, përveç rastit kur dhunues është fëmija, i moshuari ose personi me aftësi të kufizuara;

b) urdhërimin e dhunuesit që të mos kryejë ose të mos kërcënojë se do të kryejë veprime të mëtejshme të dhunës ndaj grave ose dhunës në familje, ndaj viktimës ose pjesëtarëve të tjerë të familjes së viktimës;

c) urdhërimin e dhunuesit që të mos cenojë, të mos ngacmojë, të mos kontaktojë në mënyrë fizike ose të lehtësuar nga teknologjia ose të komunikojë drejtpërdrejt apo tërthorazi me viktimën ose pjesëtarë të familjes së viktimës;

ç) ndalimin menjëherë të dhunuesit që t’i afrohet strehës, vendit të punës, banesës së familjes së origjinës ose banesës së personave të tjerë dhe institucioneve arsimore apo vendeve, të cilat frekuentohen më tepër nga viktima, me përjashtim të rasteve kur frekuentimi bëhet për arsye pune;

d) urdhërimin e një punonjësi të Policisë së Shtetit që të shoqërojë viktimën në qendrën rezidenciale ose të emergjencës, sipas shkronjës “ç” të kësaj pike;

dh) vendosjen menjëherë të viktimës në një qendër rezidenciale ose emergjence për viktimat e dhunës ndaj grave ose dhunës në familje deri në marrjen e vendimit nga gjykata;

e) urdhërimin e një punonjësi të Policisë së Shtetit që të shoqërojë viktimën deri në vendbanimin e tij/të saj dhe të mbikëqyrë marrjen e sendeve personale;

ë) bllokimin e çdo arme me leje që i përket dhunuesit gjatë kontrollit të kryer apo sekuestrimin e çdo arme pa leje që i përket atij deri në marrjen e vendimit nga gjykata;

f) referimin e menjëhershëm tek organet përgjegjëse për hetim penal, sipas Kodit të Procedurës Penale.

3.2. UMPMM-ja, për masat e mbrojtjes nga dhuna e lehtësuar nga teknologjia përfshin:

a) urdhërimin e dhunuesit për ndalimin e prodhimit dhe/ose shpërndarjes apo kërcënimit për të prodhuar dhe/ose për të shpërndarë imazhe intime pa pëlqimin e viktimës;

b) ndalimin e dhunuesit për publikimin e çdo të dhëne personale të viktimës të pakërkuara;

c) detyrimin për dhunuesin të mos angazhohet bashkë me persona të tjerë në veprime kërcënuese të drejtuara ndaj viktimës;

ç) mbrojtjen policore të përkohshme të viktimës deri në nxjerrjen nga gjykata të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes ose urdhrit të mbrojtjes;

d) kërkimin për të dorëzuar në Policinë e Shtetit çdo kopje fizike ose digjitale të materialit me imazhe intime të viktimës apo të çdo pajisjeje ose kopjeje digjitale që shërben për përndjekje;

dh) ngrirjen e përmbajtjes dhe ruajtjen e provës digjitale deri në konfirmimin e këtij urdhri nga gjykata;

e) referimin e menjëhershëm tek organet përgjegjëse për hetim penal sipas Kodit të Procedurës Penale.

3.3. UMPMM-ja, për masat mbrojtëse ndaj dhunës ndaj grave në politikë, përfshirë formën e lehtësuar nga teknologjia të dhunës, përfshin:

a) urdhërimin e ndalimit të çdo kontakti fizik dhe/ose të lehtësuar nga teknologjia të autorit të dhunës me viktimën;

b) mbrojtjen policore të përkohshme të viktimës deri në nxjerrjen nga gjykata të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes ose urdhrit të mbrojtjes;

c) ngrirjen e përmbajtjes dhe ruajtjen e provës digjitale deri në konfirmimin e këtij urdhri nga gjykata;

ç) referimin e menjëhershëm tek organet përgjegjëse për hetim penal sipas Kodit të Procedurës Penale.

4. Në rastet kur dhuna ushtrohet ndaj ose në prani të fëmijëve, Policia e Shtetit merr menjëherë në mbrojtje fëmijën dhe njëkohësisht e referon rastin pranë Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijëve në njësinë e vetëqeverisjes vendore sipas rregullave të parashikuara në legjislacionin në fuqi për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës.

5. Ministri përgjegjës për çështjet e rendit dhe sigurisë publike dhe ministri që mbulon çështjet e barazisë gjinore dhe çështjet sociale, si autoriteti kryesor përgjegjës, miratojnë me udhëzim të përbashkët procedurat dhe modelin e vlerësimit të riskut, si dhe formatin tip të urdhrit të Policisë së Shtetit për masat paraprake të mbrojtjes së menjëhershme ndaj dhunës në familje, dhunës së lehtësuar nga teknologjia dhe dhunës ndaj grave në proceset zgjedhore dhe në politikë.

Neni 31

Organi kompetent dhe procedura e lëshimit të urdhrit për masat paraprake të mbrojtjes së menjëhershme

1. Urdhri për masat paraprake të mbrojtjes së menjëhershme nxirret nga titullari i strukturës përgjegjëse të Policisë së Shtetit, në juridiksionin e së cilës është raportuar dhuna, sipas procedurës dhe modelit përkatës, të përcaktuar në pikën 5 të nenit 30 të këtij ligji.

2. Një kopje e urdhrit për masat paraprake të mbrojtjes së menjëhershme i njoftohet menjëherë, kur nuk është i pranishëm, koordinatorit vendor për referimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, si dhe një kopje i jepet viktimës.

3. Kur në të gjithë vendin ose në një pjesë të territorit të tij janë vendosur masat e jashtëzakonshme, përkatësisht, titullari i strukturës përgjegjëse të Policisë së Shtetit detyrohet të lëshojë urdhrin për masat paraprake për mbrojtjen e menjëhershme sipas nenit 30 në çdo rast kur konstaton se është ushtruar dhunë në familje. Gjatë gjithë periudhës së zgjatjes së masave të jashtëzakonshme, në kërkesën drejtuar gjykatës për vlerësimin e masave paraprake të mbrojtjes, të marra përmes urdhrit për masat paraprake për mbrojtjen e menjëhershme të lëshuar, Policia e Shtetit duhet t’i kërkojë gjykatës lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, pa kërkuar paraprakisht nxjerrjen e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.

4. Brenda 48 orëve nga marrja e masave, sipas përcaktimit të nenit 30 të këtij ligji, organet përgjegjëse për trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje pranë Policisë së Shtetit paraqesin përpara gjykatës kërkesë për vlerësimin e masave paraprake të mbrojtjes së menjëhershme dhe kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes.

5. Të drejtën për të kërkuar vlerësimin e urdhrit për masat paraprake të mbrojtjes së menjëhershme përpara gjykatës e ka edhe viktima dhe subjektet e parashikuara nga pika 3 e nenit 26 të këtij ligji brenda 48 orëve nga dita e lëshimit të tij.

6. Gjykata brenda 48 orëve nga dita e paraqitjes së kërkesës në seancë gjyqësore vendos:

a) vlerësimin e masave mbrojtëse të vendosura në urdhrin për masat paraprake të mbrojtjes së menjëhershme dhe lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes;

b) anulimin e urdhrit për masat paraprake të mbrojtjes së menjëhershme dhe ndërprerjen e pasojave të tij nëse nuk provohen faktet e rrethanat për të cilat është lëshuar.

7. Gjykata, për nevoja të gjykimit, mund të thërrasë përfaqësuesin e Policisë së Shtetit dhe/ose koordinatorin vendor për referimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje që të paraqiten në seancë gjyqësore për të dhënë shpjegime.

8. Ndalohet çdo procedurë e detyrueshme alternative e zgjidhjes së konflikteve ndërmjet viktimës dhe autorit të dhunës, duke përfshirë ndërmjetësimin e pajtimin, në lidhje me të gjitha format e dhunës të mbuluara nga ky ligj.

9. Viktimat e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje kanë të drejtën për ndihmë juridike falas, sipas kushteve të parashikuara nga legjislacioni për ndihmën juridike të garantuar nga shteti, në bazë të vendimit të gjykatës kompetente për pranimin e kërkesës për ndihmë juridike dytësore dhe/ose përjashtimin nga pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore.

10. Masat mbrojtëse të menjëhershme përfshijnë edhe ndalimin e komunikimit nëpërmjet teknologjisë së informacionit të dhunuesit me viktimën.

Neni 32

Forma e kërkesëpadisë

1. Kërkesëpadia për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes e të urdhrave të menjëhershëm të mbrojtjes duhet të përmbajë edhe:

a) të dhëna personale rreth familjes ose marrëdhënieve farefisnore ndërmjet viktimës dhe dhunuesit ose të dhëna rreth çdo marrëdhënie tjetër mes viktimës dhe dhunuesit;

b) përshkrimin e qartë të fakteve dhe rrethanave në të cilat ka ndodhur akti i dhunës ndaj grave ose dhunës në familje, duke përfshirë arsyet që sqarojnë cenimin e sigurisë, të shëndetit, të dinjitetit apo të mirëqenies së viktimës nga i padituri dhunues, të parashikuara në shkronjat “c”, “ç” dhe “d” të nenit 5 të këtij ligji;

c) masat mbrojtëse të posaçme që kërkohen;

ç) nënshkrimin e kërkuesit.

2. Kërkesëpadia për urdhër mbrojtjeje mund të paraqitet në çdo kohë para gjykatës nga ana e personave që legjitimohen për ta kërkuar atë. Në rastet kur kërkohet ndihmë e menjëhershme, kërkesa mund të plotësohet dhe të paraqitet pranë komisariatit më të afërt të Policisë së Shtetit dhe punonjësi i Policisë së Shtetit vepron në përputhje me ligjin “Për Policinë e Shtetit” dhe me aktet e tjera ligjore e nënligjore në fuqi.

3. Për hartimin e kërkesëpadisë, përgatitjen e akteve dhe përfaqësimin në procesin gjyqësor, kërkuesi asistohet nga një avokat që ofron ndihmën juridike dytësore në përputhje me kushtet dhe rregullat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për ndihmën juridike të garantuar nga shteti, në bazë të vendimit të gjykatës kompetente për pranimin e kërkesës për ndihmë juridike dytësore dhe/ose përjashtimin nga pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore.

4. Kërkuesi i UMM/UM-së dhe mbajtësi i UMPMM-së përjashtohen nga:

a) pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore në përputhje me legjislacionin në fuqi për ndihmën juridike të garantuar nga shteti;

b) detyrimi për të parapaguar tarifën e vënies në ekzekutim të urdhrit pranë shërbimit përmbarimor gjyqësor shtetëror në përputhje me legjislacionin në fuqi për ndihmën juridike të garantuar nga shteti;

c) pagimi i akteve të ekspertimit psikosocial, të interpretit të gjuhës së shenjave, të ekspertit përkthyes, të ekspertimit mjekoligjor, të ekspertimit për vlerësimin e rrezikut të dhunës ndaj grave ose dhunës në familje apo të ndonjë akti ekspertimi tjetër.

Pas lëshimit të UMM/UM-së, shpenzimet gjyqësore i ngarkohen palës që ka ushtruar dhunë ndaj grave ose dhunë në familje në bazë të vendimit të gjykatës kompetente për pranimin e kërkesës për ndihmë juridike dytësore dhe/ose përjashtimin nga pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore.

5. Kërkesëpadia regjistrohet menjëherë me paraqitjen e saj në gjykatë në sistemin elektronik të menaxhimit të çështjeve gjyqësore sipas kategorive të sistemit. Ndarja në short realizohet çdo ditë pune në rrugë elektronike me anë të sistemit të menaxhimit të çështjeve gjyqësore ose, në rast pamundësie të realizimit të shortit, brenda ditës së punës çështjet e regjistruara shortohen jo më vonë se dita e nesërme e punës. Gjykata kryen gjykimin në afatet e parashikuara nga ky ligj dhe zbaton format e njoftimit të parashikuara në dispozitat e Kodit të Procedurës Civile për palët ose subjektet e tjera. Për nevoja të zhvillimit të gjykimit, kur rrethanat e çështjes e diktojnë, gjykata, sipas nevojës, mund të zhvillojë seancën gjyqësore në mungesë të palëve, pavarësisht nga konfirmimi i marrjes dijeni.

6. Gjykata në vendimin e lëshimit të urdhrit të mbrojtjes vendos edhe për rastet e parashikuara në pikën 4 të këtij neni.

Neni 33

Provat në procesin gjyqësor

1. Provat që duhet t’i paraqiten gjykatës mund të përfshijnë, por nuk kufizohen vetëm në:

a) dëshmi ose raportime të dhunës ndaj grave ose dhunës në familje;

b) raporte të Policisë së Shtetit;

c) dëshmi të profesionistëve të kujdesit shëndetësor ose të shërbimeve mbështetëse në rastet e dhunës seksuale;

ç) raport mjekësor ose raport mjekoligjor të lëshuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore;

d) aktekspertim;

dh) ekzaminime dhe shpjegime/pohime të palëve;

e) prova elektronike ose digjitale në rastet e dhunës së lehtësuar nga teknologjia;

ë) vlerësim individual për identifikimin e nevojave mbrojtëse të viktimave nga shërbimet sociale pranë njësive të vetëqeverisjes vendore;

f) dokumente të tjera të lëshuara nga punonjësit e zyrës së shërbimeve sociale pranë njësive vendore;

g) dokumente të lëshuara nga persona juridikë (OJF), të regjistruar sipas dispozitave në fuqi;

gj) rastet e dhunës së lehtësuar nga teknologjia, ku provë e pranueshme konsiderohen edhe përmbajtjet e manipuluara, të dhënat e ruajtura në serverë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, si dhe çdo formë e përmbajtjes së shpërndarë online që lidhet me rastin, të mbledhura sipas procedurave të bashkëpunimit ndërkombëtar.

2. Kur nga të dhënat e kërkesës bëhet e qartë se komisariatet e Policisë së Shtetit, organet e pushtetit vendor, qendrat shëndetësore, Instituti i Mjekësisë Ligjore, çdo institucion publik ose privat kanë prova shkresore lidhur me ushtrimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, ato lëshojnë menjëherë një kopje të certifikuar (kopje me vulë) për këtë në bazë të kërkesës së paraqitur nga viktima, përfaqësuesi i saj ligjor ose të vetë gjykatës. Në rastet kur kërkuesi deklaron pamundësinë për sigurimin e dokumentacionit, të parashikuar në këtë pikë, si dhe në çdo rast tjetër kur gjykata çmon se plotësimi i kërkesës mund të bëhet shkak për vonesa, të cilat cenojnë thelbin e të drejtave të viktimës, gjykata mund të urdhërojë dorëzimin e dokumentacionit të nevojshëm nga organet e administratës publike që e disponojnë atë. Moslëshimi i dokumentacionit të përcaktuar në këtë pikë përbën shkak për fillimin e ecurisë disiplinore ndaj personit përgjegjës, bazuar në dispozitat e legjislacionit të posaçëm.

3. Kur nuk disponon të gjitha provat e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, gjykata lëshon me vendim urdhrin e mbrojtjes bazuar vetëm në përshkrimin e rrethanave dhe fakteve, si dhe në çdo element tjetër mbështetës të administruar në proces, në të cilat është kryer dhuna ndaj grave ose dhuna në familje, duke u bazuar në bindjen e vet. Bindja e gjykatës mbështetet edhe në parimin e mbrojtjes së viktimës dhe vlerësimin e ekspertëve të fushës.

4. Gjykata pranon prova elektronike ose digjitale nëse:

a) integriteti dhe origjina verifikohen me kodin verifikues kriptografik (hash) ose regjistra sistemi;

b) provohet lidhja ndërmjet provës dhe personit/ngjarjes;

c) palës tjetër i jepet mundësia t’i kundërshtojë ato.

5. Policia e Shtetit ose gjykata siguron kopje të pandryshueshme të imazhit brenda 24 orëve nga paraqitja e provës dhe e mban të dokumentuar.

6. Kur nevojitet vlerësim teknik, gjykata emëron ekspert mjekoligjor, të licencuar nga Ministria e Drejtësisë.

7. Brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Ministria e Drejtësisë miraton rregullore që:

a) përcakton formatet standarde të ruajtjes (hash-algoritme, imazhe forensike);

b) përcakton rregulla për përpunimin e të dhënave personale në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale;

c) përshkruan procedurën për “live capture” dhe “screen recording”.

8. Dëshmitë që lidhen me sjelljen seksuale të kaluar të viktimës ose aspekte të tjera të jetës private të viktimës lidhur me këtë, lejohet të përdoren vetëm kur janë të rëndësishme e të nevojshme për të vlerësuar një çështje të veçantë në rastin në fjalë ose për ushtrimin e të drejtave të mbrojtjes. Paraqitja e dëshmive për sjelljen seksuale të mëparshme dhe veshjen e viktimës për të vënë në dyshim besueshmërinë dhe mungesën e pëlqimit të viktimave në rastet e dhunës seksuale duhet të shmangen për të evituar vazhdimësinë e stereotipave dëmtues ndaj viktimave dhe viktimizimin dytësor ose të përsëritur.

9. Për të ndihmuar në sigurimin vullnetar të dëshmive, veçanërisht në rastet e dhunës seksuale, autoritetet përgjegjëse duhet të orientojnë viktimat, pa vonesë të panevojshme, te profesionistët përkatës të kujdesit shëndetësor dhe të kujdesit psikologjik apo te shërbimet mbështetëse të specializuara, në ndihmën për sigurimin e dëshmive. Viktimat duhet të informohen për rëndësinë e mbledhjes së këtyre dëshmive sa më shpejt të jetë e mundur.

Neni 34

Gjykimi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes

1. Gjykata vendos për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes brenda 15 ditëve nga dita e regjistrimit të kërkesës.

2. Gjatë shqyrtimit të kërkesës për urdhër mbrojtjeje, gjykata dëgjon me radhë personat e mëposhtëm:

a) viktimën, përfaqësuesin ligjor apo avokatin e saj;

b) të paditurin (dhunuesin), përfaqësuesin ligjor apo avokatin e tij/saj;

c) prokurorin, nëse ky ka paraqitur kërkesën;

ç) përfaqësuesit e Policisë së Shtetit;

d) përfaqësuesit e zyrës së shërbimeve sociale pranë njësisë vendore në të cilën jeton përherë ose përkohësisht personi i përmendur, kur kërkuesi është nën 18 vjeç, nuk ka zotësi për të vepruar apo dhuna e ushtruar në familje ka ndikim mbi personat e lartpërmendur;

dh) punonjësit e qendrave shëndetësore apo të qendrave të shërbimit dhe rehabilitimit, të cilët kanë asistuar viktimën pas ushtrimit të dhunës mbi të;

e) dëshmitarët, të cilët gjykata i konsideron të domosdoshëm;

ë) koordinatori/ët vendor/ë të referimit të dhunës në familje.

3. Në rastin kur kërkesa është paraqitur nga Policia e Shtetit, prokuroria, institucionet shkollore, shëndetësore ose nga koordinatori/ët vendor/ë të referimit të dhunës në familje, tërheqja e viktimës nga procesi nuk sjell si pasojë mosgjykimin e çështjes së filluar.

4. Ndalohet çdo procedurë e detyrueshme alternative e zgjidhjes së konflikteve ndërmjet viktimës dhe autorit të dhunës, duke përfshirë ndërmjetësimin dhe pajtimin në lidhje me të gjitha format e dhunës të mbuluara nga ky ligj.

5. Viktimat e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje kanë të drejtën për ndihmë juridike falas sipas kushteve të parashikuara nga legjislacioni për ndihmën juridike të garantuar nga shteti, në bazë të vendimit të gjykatës kompetente për pranimin e kërkesës për ndihmë juridike dytësore dhe/ose përjashtimin nga pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore.

Neni 35

Vendimi i gjykatës për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes

1. Gjykata mund të lëshojë me vendim një urdhër mbrojtjeje vetëm ndaj dhunuesit të përmendur në kërkesëpadi. Gjykata lëshon me vendim urdhrin e mbrojtjes duke caktuar një ose më shumë prej masave të përcaktuara në këtë ligj, nëse vërteton se:

a) ekzistojnë dyshime të arsyeshme për të besuar se dhunuesi përbën rrezik për kryerjen ose kërcënon kryerjen e ndonjë akti të dhunës ndaj grave ose dhunës në familje;

b) lëshimi i urdhrit të mbrojtjes me vendim gjykate është i nevojshëm për të mbrojtur sigurinë, shëndetin, dinjitetin, mirëqenien e viktimës ose viktimave, urdhër në të cilin, përveç kërkuesit, gjykata çmon se mund të përfshihen edhe persona të tjerë me të cilët kërkuesi ka lidhje familjare ose intime, që mund të bëhen shkak për ushtrimin e dhunës ndaj këtyre të fundit.

2. Në urdhrin e mbrojtjes ndaj dhunës në familje, të lëshuar me vendim gjykate, përveç masës që parashikohet në pikën 1 të nenit 19 të këtij ligji, në varësi të rrethanave të çështjes, mund të vendoset edhe një ose disa nga masat mbrojtëse të parashikuara në shkronjat “a” deri në “n” të pikës 1 të nenit 19 të këtij ligji.

3. Kur janë të pranishme një ose më shumë nga rrethanat, sipas parashikimeve të nenit 28, gjykata:

a) mund të zgjasë kohën e urdhrit deri në 3 (tre) vjet;

b) urdhëron ndalim absolut të kontaktit në çdo formë të lehtësuar nga teknologjia e informacionit;

c) urdhëron bllokim të menjëhershëm të llogarive online të autorit që shërbejnë për dhunë;

ç) mund të vendosë pajisje mbrojtëse elektronike (GPS) për autorin sipas ligjit;

d) urdhëron strehim urgjent dhe mbështetje psikologjike të vazhduar për viktimën dhe fëmijët.

4. Gjykata nuk mund të refuzojë lëshimin e urdhrit të mbrojtjes për shkak të një procesi tjetër gjyqësor, ku përfshihet njëra prej palëve.

5. Vendimi përfundimtar i gjykatës për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, i cili, përveçse përmbush kërkesat e nenit 310 të Kodit të Procedurës Civile, përmban:

a) masën e caktuar nga gjykata;

b) kohëzgjatjen e masës, e cila nuk mund të jetë më e gjatë se 12 muaj, por me të drejtë shtyrjeje deri në 3 vjet;

c) njoftimin se shkelja e urdhrit të mbrojtjes, të lëshuar me vendim gjykate, përbën vepër penale, në kuptim të paragrafit të dytë të nenit 321 ose të nenit 320 të Kodit Penal;

ç) njoftimin për të drejtën e ankimit ndaj urdhrit të mbrojtjes.

6. Urdhri i mbrojtjes, i lëshuar me vendim gjykate, i njoftohet menjëherë dhunuesit, i cili nuk ka qenë i pranishëm gjatë seancës gjyqësore, sipas nenit 316 të Kodit të Procedurës Civile. Viktima duhet të pajiset nga gjykata me dy kopje të vendimit origjinal, në mënyrë që njërën prej tyre ta mbajë për vete dhe tjetrën ta vërë në dispozicion të Policisë së Shtetit në momentin që paraqitet nevoja.

7. Gjykata brenda 24 orëve pas lëshimit të urdhrit të mbrojtjes, me vendim gjykate, u dërgon nga një kopje të tij personave të mëposhtëm:

a) viktimës dhe personave të tjerë të shënuar në vendim;

b) prokurorit nëse ka bërë kërkesë;

c) zyrës së shërbimeve sociale të njësisë vendore, ku janë me banim të përhershëm apo të përkohshëm viktima dhe personat e tjerë, të përmendur në vendim;

ç) komisariatit të Policisë së Shtetit në rajonin ku janë me banim të përhershëm apo të përkohshëm viktima dhe personat e tjerë të përmendur në vendim;

d) punëdhënësit të dhunuesit dhe punëdhënësit të viktimës vetëm në rastet kur viktima e kërkon shprehimisht ose kur rreziku lidhet me ambientin e punës;

dh) zyrës përmbarimore gjyqësore.

8. Vendimi për urdhrin e mbrojtjes dhe urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes regjistrohet në një regjistër të veçantë, i cili administrohet pranë çdo gjykate sipas modelit, rregullave dhe procedurave që miratohen me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Neni 36

Gjykimi për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes

1. Gjykata merr vendim të arsyetuar në lidhje me kërkesën për mbrojtje të menjëhershme:

a) të një fëmije brenda 24 orëve pas parashtrimit të kërkesës;

b) të subjekteve të tjera të dhunës ndaj grave ose dhunës në familje brenda 48 orëve pas parashtrimit të kërkesës.

2. Në rastin e shqyrtimit të kërkesës për urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje, gjykata mban një seancë ku dëgjohen personat e mëposhtëm:

a) viktima, përfaqësuesi ligjor apo avokati i saj;

b) dhunuesi, përfaqësuesi apo avokati i tij;

c) prokurori nëse merr pjesë;

ç) kërkuesit e tjerë të parashikuar në nenin 26 të këtij ligji;

d) dëshmitarët të cilët gjykata i konsideron të domosdoshëm.

3. Ndalohet çdo procedurë e detyrueshme alternative e zgjidhjes së konflikteve ndërmjet viktimës dhe autorit të dhunës, duke përfshirë ndërmjetësimin dhe pajtimin në lidhje me të gjitha format e dhunës të mbuluara nga ky ligj.

4. Viktimat e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje kanë të drejtën për ndihmë ligjore falas sipas kushteve të parashikuara nga legjislacioni për ndihmën juridike të garantuar nga shteti, në bazë të vendimit të gjykatës kompetente për pranimin e kërkesës për ndihmë juridike dytësore dhe/ose përjashtimin nga pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore.

Neni 37

Vendimi i gjykatës për lëshimin e urdhrave të menjëhershëm të mbrojtjes

1. Gjykata lëshon me vendim urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes duke caktuar një ose më shumë prej masave të përcaktuara në këtë ligj, nëse konstaton se:

a) ekzistojnë bazat për të besuar se i padituri (dhunuesi) ka kryer apo ka kërcënuar se do të kryejë ndonjë vepër të dhunës ndaj grave ose dhunës në familje; ose

b) i padituri (dhunuesi) paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm për sigurinë, shëndetin, dinjitetin ose mirëqenien e viktimës apo të anëtarëve të tjerë të familjes së viktimës; ose

c) lëshimi i urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes me vendim gjykate është i nevojshëm për të mbrojtur sigurinë, shëndetin, dinjitetin, mirëqenien e viktimës apo të anëtarëve të tjerë të familjes së viktimës, që mbrohen me anë të urdhrit të mbrojtjes.

2. Në urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes, të lëshuar me vendim gjykate, përveç masës që parashikohet në pikën 1 të nenit 19 të këtij ligji, në varësi të rrethanave të çështjes, mund të vendoset edhe një ose disa nga masat e parashikuara në shkronjën “ll” të pikës 1 të nenit 19 të këtij ligji, për rastet e dhunës në familje të lehtësuar nga teknologjia, për të mbrojtur jetën private dhe imazhin e viktimës. Masat mbrojtëse të menjëhershme përfshijnë edhe ndalimin e komunikimit nëpërmjet teknologjisë së informacionit të dhunuesit me viktimën. Në rastet e dhunës seksuale, urdhri i mbrojtjes përfshin detyrimin e autoriteteve shëndetësore për të garantuar ndihmë mjekësore emergjente dhe mbështetje psikosociale afatgjatë.

3. Gjykata nuk mund të refuzojë lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes për shkak të një procesi tjetër gjyqësor, ku përfshihet njëra prej palëve.

4. Gjykata lëshon urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes edhe në rastet kur palët pretendojnë se konflikti është zgjidhur ose do të zgjidhet me pajtim ose ndërmjetësim.

5. Vendimi përfundimtar i gjykatës për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, i cili duhet të plotësojë kërkesat e nenit 310 të Kodit të Procedurës Civile, përmban:

a) masën e caktuar nga gjykata;

b) kohëzgjatjen e masës, e cila mbaron në momentin që fillon të zbatohet urdhri i mbrojtjes i vendosur nga gjykata;

c) njoftimin se shkelja e vendimit të gjykatës për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes përbën vepër penale në kuptim të paragrafit të dytë të nenit 321 ose të nenit 320 të Kodit Penal;

ç) datën e dëgjimit për vërtetimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, e cila është brenda 20 ditëve nga lëshimi të tij me vendim gjykate.

6. Urdhri i menjëhershëm i mbrojtjes, i lëshuar me vendim gjykate, i njoftohet menjëherë dhunuesit, i cili nuk ka qenë i pranishëm gjatë seancës gjyqësore, sipas nenit 316 të Kodit të Procedurës Civile.

Viktima duhet të pajiset nga gjykata me dy kopje të vendimit origjinal, në mënyrë që njërën prej tyre ta mbajë për vete dhe tjetrën ta vërë në dispozicion të Policisë së Shtetit në momentin që paraqitet nevoja.

7. Gjykata brenda 24 orëve pas lëshimit të vendimit u dërgon nga një kopje të tij personave të mëposhtëm:

a) viktimës dhe personave të tjerë të shënuar në vendim;

b) kërkuesve në kuptim të nenit 26 të këtij ligji;

c) zyrës së shërbimeve sociale të njësisë vendore, ku janë me banim të përhershëm apo të përkohshëm viktima dhe personat e tjerë të përmendur në vendim;

ç) komisariatit të Policisë së Shtetit në rajonin ku janë me banim të përhershëm apo të përkohshëm viktima dhe personat e tjerë të përmendur në vendim;

d) punëdhënësit të dhunuesit dhe punëdhënësit të viktimës vetëm në rastet kur viktima e kërkon shprehimisht ose kur rreziku lidhet me ambientin e punës;

dh) zyrave përmbarimore të vendit të ekzekutimit.

8. Vendimi i gjykatës për nxjerrjen e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes përbën titull ekzekutiv dhe nuk mund të ankimohet. Vendimi ekzekutohet menjëherë nga shërbimi përmbarimor gjyqësor në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit, koordinatorin vendor ose zyrën e shërbimeve sociale të njësisë vendore, ku janë me banim të përhershëm ose të përkohshëm viktima dhe personat e tjerë të përmendur në vendim, punëdhënësi, si dhe çdo institucion tjetër i ngarkuar me zbatimin e tij.

Neni 38

Gjykimi për vërtetimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes

1. Gjykata kryen seancën sipas nenit 35 të këtij ligji jo më vonë se 20 ditë nga dita e lëshimit të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes. Në përfundim të procesit gjyqësor gjykata:

a) vendos anulimin, si dhe ndërprerjen e efekteve të urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, të lëshuar më parë me vendim gjykate, kur ky i fundit nuk arrin të provohet;

b) refuzon lëshimin e urdhrit të mbrojtjes me vendim gjykate kur nuk arrin të provohet urdhri i menjëhershëm i mbrojtjes, i lëshuar më parë me vendim gjykate;

c) lëshon urdhrin e mbrojtjes me vendim gjykate në bazë të nenit 35 të këtij ligji. Sipas nevojës, ky vendim mund t’i ndryshojë kushtet e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, të lëshuar më parë me vendim gjykate.

2. Ndalohet çdo procedurë e detyrueshme alternative e zgjidhjes së konflikteve ndërmjet viktimës dhe autorit të dhunës, duke përfshirë ndërmjetësimin dhe pajtimin në lidhje me të gjitha format e dhunës, të mbuluara nga ky ligj.

3. Viktimat e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje kanë të drejtën për ndihmë ligjore falas, sipas kushteve të parashikuara nga legjislacioni për ndihmën juridike të garantuar nga shteti, në bazë të vendimit të gjykatës kompetente për pranimin e kërkesës për ndihmë juridike dytësore dhe/ose përjashtimin nga pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore.

Neni 39

Ankimi

1. Kundër vendimit të gjykatës së shkallës së parë të juridiksionit të përgjithshëm për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, vërtetimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, si dhe moslëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, mund të bëhet ankim brenda 5 ditëve nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar.

Gjykata e apelit e juridiksionit të përgjithshëm shprehet me vendim brenda 15 ditëve nga dita e regjistrimit të ankimit. Kundër vendimit të gjykatës së apelit të juridiksionit të përgjithshëm nuk lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë.

2. Paraqitja e ankimit nuk e pezullon ekzekutimin e vendimit të gjykatës për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes ose të urdhrit të mbrojtjes.

Neni 40

Rrethanat për ndryshimin, ndërprerjen dhe vazhdimin e urdhrit të mbrojtjes

1. Nëse rrethanat kanë ndryshuar rrënjësisht, viktima (përfaqësuesi i saj), dhunuesi, koordinatori vendor ose prokurori, nëse ka marrë pjesë në proces, mund të paraqesë kërkesë për ndryshimin ose ndërprerjen e urdhrit të mbrojtjes.

2. Pas marrjes së kërkesës për ndryshimin ose ndërprerjen e urdhrit të mbrojtjes, gjykata vazhdon shqyrtimin e kërkesës në bazë të nenit 36 të këtij ligji. Në fund të shqyrtimit gjykata vendos:

a) lënien në fuqi të urdhrit të mbrojtjes;

b) ndryshimin e urdhrit të mbrojtjes nëse kjo kërkohet nga rrethanat që kanë ndryshuar rrënjësisht; ose

c) ndërprerjen e tij nëse masat e përcaktuara në nenet 19 deri në 22 të këtij ligji nuk vlejnë më për shkak të ndryshimit rrënjësor të rrethanave.

3. Parashtrimi i kërkesës për ndryshimin ose ndërprerjen e urdhrit të mbrojtjes nuk e pezullon ekzekutimin e vendimit për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes.

4. Viktima ose përfaqësuesi i autorizuar prej saj, 15 ditë para përfundimit të efekteve të vendimit për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, mund të parashtrojë kërkesën për vazhdimin e tij. Nëse nuk parashtrohet kërkesa, urdhri i mbrojtjes ndërpritet automatikisht në ditën e përfundimit të efekteve të tij.

5. Pas marrjes së kërkesës për vazhdimin e urdhrit të mbrojtjes, gjykata vazhdon me shqyrtimin e kërkesës në bazë të nenit 35 të këtij ligji. Në fund të shqyrtimit gjykata vendos:

a) vërtetimin e ndërprerjes së urdhrit të mbrojtjes në datën e përfundimit të efekteve të tij; ose

b) vazhdimin e efekteve të vendimit për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes, nëse vlejnë kriteret e përcaktuara në pikën 1 të nenit 36 të këtij ligji.

Neni 41

Ekzekutimi i vendimit gjyqësor

1. Vendimi gjyqësor për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes është përfundimtar dhe përbën titull ekzekutiv nga dita e shpalljes së tij. Së bashku me urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes, gjykata lëshon edhe urdhrin e ekzekutimit të tij. Vendimi ekzekutohet menjëherë nga shërbimi përmbarimor gjyqësor, i cili në rast nevoje të argumentuar mund të kërkojë ndihmë/mbështetje edhe nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe nga koordinatori vendor ose zyra e shërbimeve sociale të njësisë vendore, ku janë me banim të përhershëm ose të përkohshëm viktima dhe personat e tjerë të përmendur në vendim, punëdhënësi, si dhe çdo institucion tjetër i ngarkuar me zbatimin e tij.

2. Punonjësit socialë, institucionet e tjera përgjegjëse dhe, kur është e nevojshme, strukturat përgjegjëse të Policisë së Shtetit, marrin të gjitha masat për ekzekutimin e menjëhershëm dhe të vazhdueshëm të masave mbrojtëse të vendosura nga nenet 19 deri në 22 të këtij ligji.

3. Gjatë kohëzgjatjes së vendimit gjyqësor për UMM/UM-në, zyra e shërbimeve sociale të njësisë së vetëqeverisjes vendore monitoron respektimin e urdhrit të mbrojtjes nga palët dhe çdo 60 ditë përgatit një raport për të cilin, në çdo rast, vë në dijeni me shkrim Policinë e Shtetit dhe/ ose institucionet e tjera përgjegjëse. Palët përkatëse në vendimin gjyqësor bashkëpunojnë për të siguruar vizitat në banesë dhe/ose në vendin e punës, të përfaqësuesve të zyrës së shërbimeve sociale të njësisë së vetëqeverisjes vendore dhe institucioneve përgjegjëse, sipas vendimit të gjykatës për urdhrin e menjëhershëm të mbrojtjes dhe/ose urdhrin e mbrojtjes, duke dhënë edhe informacionin e nevojshëm.

4. Qendrat e shërbimeve sociale, publike dhe jopublike, përfshirë ato rezidenciale, zbatojnë masat e parashikuara në vendimin gjyqësor dhe koordinojnë punën e tyre me njësitë e qeverisjes vendore dhe drejtoritë vendore të Policisë së Shtetit, si ekzekutuese direkt të këtyre vendimeve.

5. Monitorimi elektronik duhet të konsiderohet kur është i disponueshëm, i përshtatshëm dhe i nevojshëm, sipas rastit, me qëllim sigurimin e respektimit dhe zbatimit të urdhrave të mbrojtjes, regjistrimin e shkeljes së këtyre urdhrave dhe përmirësimin e mbikëqyrjes së autorëve. Kur përdoret monitorimi elektronik, viktimat duhet të informohen për kapacitetet dhe kufizimet e tij.

Neni 42

Shkelja e urdhrit të mbrojtjes

1. Në rast të mosekzekutimit vullnetar nga palët ose të pengimit të ekzekutimit të urdhrave të mbrojtjes nga organet zbatuese, siç parashikohet në dispozitat e këtij ligji dhe/ose në vendimin e gjykatës, ndaj personave përgjegjës zbatohen dispozitat e Kodit Penal për veprime të kryera në kundërshtim me vendimin e gjykatës në lidhje me detyrat e lindura nga urdhrat e mbrojtjes.

2. Autoritetet përgjegjëse duhet të marrin masat, kur është e nevojshme, të kryejnë një rishikim të vlerësimit individual pas raportimit të një shkeljeje, si dhe të kërkojnë marrjen e masave shtesë mbrojtëse për shkak të shtimit të rrezikut për viktimën.

3. Viktima ka të drejtë të informohet pa vonesë për çdo shkelje të urdhrit të mbrojtjes, kur kjo shkelje mund të ketë ndikim në sigurinë e saj.

Neni 43

Procedimi penal Lëshimi i urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes apo urdhrit të mbrojtjes me vendim gjykate nuk i ndalon palët e interesuara të nisin procesin penal për sa u përket veprimeve apo mosveprimeve që përbëjnë figura të veprave penale. Punonjësi i Policisë së Shtetit, ku paraqitet për mbrojtje viktima, e referon rastin në organin e prokurorisë për ndjekjen penale të dhunuesit, sipas rregullave të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale.

KREU VII PARANDALIMI

Neni 44

Ndërgjegjësimi dhe edukimi publik

1. Nën drejtimin e autoriteteve kryesore përgjegjëse, autoritetet përgjegjëse në nivel qendror dhe vendor, në bashkëpunim me Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Avokatin e Popullit, median, shoqërinë civile, komunitetet e prekura dhe institucione të tjera të përfshira në të drejtat dhe mbrojtjen ligjore e psikologjike të viktimave, sipas këtij ligji, realizojnë mbi baza të planifikimeve vjetore fushata ose programe të rritjes së ndërgjegjësimit dhe edukimit të publikut.

2. Format e këtyre aktiviteteve përfshijnë, por pa u kufizuar në:

a) aktivitete me natyrë ndërgjegjësuese për format, raportimin dhe pasojat e dhunës, identifikimin e hershëm dhe mekanizmat mbrojtës;

b) angazhimin e burrave dhe djemve si aleatë dhe agjentë ndryshimi në parandalimin, çrrënjosjen e paragjykimeve, zakoneve, traditave dhe të gjitha praktikave të tjera diskriminuese ndaj grave ose në rolet e steriotipizuara për burrat dhe gratë, duke promovuar modele pozitive;

c) aktivitete edukative për fëmijët dhe të rinjtë, përfshirë ato mbi rreziqet e dhunës online dhe cenimin e privatësisë nga përmbajtjet e dëmshme në platformat digjitale;

ç) publikime, broshura, video për edukimin publik, në gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme, si dhe në formate të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara;

d) fushata ndërgjegjësimi për punëdhënësit, punëmarrësit dhe personat me funksione mbikëqyrëse në sektorin publik e privat për parandalimin e trajtimin e ngacmimit seksual në vendin e punës;

dh) përgatitjen e emisioneve televizive.

Neni 45

Trajnimi i profesionistëve

1. Viktimat e dhunës, sipas këtij ligji, trajtohen vetëm nga profesionistë të trajnuar dhe të specializuar në këtë fushë.

2. Autoriteti kryesor përgjegjës bashkëpunon, por pa u kufizuar, me Shkollën Shqiptare të Administratës Publike, Shkollën e Magjistraturës, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Akademinë e Sigurisë, Policinë Ushtarake, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Shkollën e Avokatisë, Urdhrin e Psikologut dhe Urdhrin e Punonjësit Social, Shërbimin e Provës, Shërbimin Përmbarimor Gjyqësor, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Avokatin e Popullit, Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror, Autoritetin e Mediave Audiovizive, organizatat jofitimprurëse dhe organizata e agjenci të akredituara për të ofruar trajnime për tematika që lidhen me çështje të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

3. Institucionet me detyra trajnuese, në nivel qendror dhe vendor, hartojnë programe tematike, kalendarë të trajnimeve për punonjësit, sipas fushës së përgjegjësisë së përcaktuar në këtë ligj, dhe përcaktojnë buxhetin e nevojshëm për realizimin e trajnimeve vazhduese të detyrueshme, të përshtatura sipas nevojave dhe rolit, duke inkurajuar trajtime gjithëpërfshirëse.

4. Punonjësi i caktuar nga organi kompetent në strukturat e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje trajnohet, por pa u kufizuar, lidhur me përgjegjësitë institucionale, adresimin e rastit, rregullat e komunikimit dhe të trajtimit me në qendër viktimën, ndërveprimin institucional për masat mbrojtëse, ato të sigurisë dhe mbështetjes së viktimave.

5. Autoritetet sipas pikës 2 të këtij neni informojnë mbi baza vjetore, brenda muajit janar të çdo viti, autoritetin kryesor përgjegjës në lidhje me numrin e aktiviteteve trajnuese, temat përkatëse dhe numrin e punonjësve të trajnuar, të ndarë sipas profesionit dhe gjinisë.

6. Autoriteti kryesor përgjegjës udhëzon mbi baza vjetore institucionet me detyra trajnuese për temat e domosdoshme të trajnimit, nisur nga problemet e evidentuara dhe format e reja të dhunës.

Neni 46

Pjesëmarrja e sektorit privat, medias dhe partive politike

1. Autoritetet përgjegjëse, sipas këtij ligji, nxisin sektorin privat, sektorin e teknologjisë së komunikimit dhe informacionit, medias dhe partive politike në lidhje me lirinë e shprehjes dhe pavarësinë e tyre për të marrë pjesë në zbatimin e politikave dhe për të caktuar udhëzime e standarde vetërregullatore për parandalimin e dhunës ndaj grave.

2. Autoritetet përgjegjëse, sipas këtij ligji, zhvillojnë dhe promovojnë, në bashkëpunim me aktorët e sektorit privat, institucionet për mbrojtjen e fëmijëve, prindërit dhe edukatorët për mënyrën si të trajtojnë mjedisin e informacionit dhe komunikimit, që ofron akses ndaj përmbajtjes së dëmshme e degraduese lidhur me dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje.

KREU VIII AUTORITETET, KOORDINIMI DHE BASHKËPUNIMI

Neni 47

Autoritetet përgjegjëse

1. Autoriteti kryesor përgjegjës për zbatimin e këtij ligji është ministria që mbulon çështjet e barazisë gjinore dhe çështjet sociale.

2. Autoritetet përgjegjëse të linjës janë:

a) të gjitha ministritë dhe institucionet e tjera të administratës publike në nivel qendror sipas kompetencave dhe fushës së përgjegjësisë dhe institucionet e tyre të varësisë;

b) njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe strukturat e tjera të përfshira në Mekanizmin e Koordinuar të Referimit.

3. Autoriteti kryesor përgjegjës ushtron rol drejtues, koordinues e monitorues, në bashkërendim me autoritetet dhe subjektet e tjera sipas këtij neni.

4. Pa u kufizuar në sa vijon në këtë pikë, subjekte me rëndësi në zbatimin e këtij ligji janë Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Avokati i Popullit, organizatat jofitimprurëse, të cilat ushtrojnë veprimtari në fushën e luftës kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, profesionet e lira dhe urdhrat e psikologut e të punonjësit social, media dhe autoritetet publike në fushën e medias dhe të informacionit, subjektet private, sipas detyrave të përcaktuara për zbatimin e këtij ligji.

Neni 48

Përgjegjësitë e autoriteteve

1. Autoritetet në nivel qendror bashkëpunojnë me autoritetet vendore dhe me subjektet e tjera, sipas nenit 47 të këtij ligji, dhe kanë përgjegjësi dhe detyra të përgjithshme, që garantojnë zbatimin në tërësi të ligjit, si dhe përgjegjësi e detyra që lidhen ngushtësisht me fushën e veprimtarisë të tyre.

2. Autoritetet përgjegjëse të linjës, sipas pikës 2 të nenit 47, përdorin të gjitha mjetet e arsyeshme për të mbrojtur viktimën dhe për të parandaluar vazhdimin e dhunës, pavarësisht nëse viktima tërhiqet nga procesi, si dhe pa cenuar sigurimin e shërbimeve.

3. Përgjegjësitë e përgjithshme përfshijnë:

a) hartimin dhe zbatimin e politikave të integruara e të monitorimit të përmbushjes së detyrimeve, të parashikuara nga ky ligj, përfshirë edhe nga institucionet e tyre të varësisë;

b) hartimin e akteve, si: udhëzime, protokolle dhe procedura në nivel vendor, të lidhura me zbatimin e këtij ligji, dhe koordinimin e bashkërendimin ndërinstitucional lidhur me:

i. raportimin, informimin e viktimës, hartimin e planit individual të ndërhyrjes, sipas këtij ligji ose ligjit për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës, përgatitjen e raportit të rastit dhe vënien e tyre në dispozicion të viktimës ose shoqëruesit të tij/saj;

ii. referimin te shërbimet mbështetëse dhe mbrojtëse të përgjithshme e të specializuara dhe sigurimin e standardeve të domosdoshme lidhur me mjediset e posaçme;

iii. shoqërimin dhe sigurimin e transportit për viktimën;

iv. veprimet në rastet e shkeljeve të urdhrave të mbrojtjes;

v. materialet e nevojshme informative dhe të përshtatshme;

vi. komunikimin me publikun, planifikimet vjetore për fushata, programe për edukimin ligjor, ndërgjegjësimin, trajnimin dhe çdo masë tjetër të nevojshme.

4. Autoritetet përgjegjëse në nivel qendror dhe vendor dhe personat që për shkak të detyrës në këto autoritete marrin dijeni dhe nuk veprojnë në zbatim të këtij ligji, ngarkohen me përgjegjësi administrative, civile dhe/ose penale, sipas përcaktimeve në legjislacionin në fuqi.

5. Autoritetet marrin masat e nevojshme për të nxitur çdo person ose për të inkurajuar çdo dëshmitar që ka dijeni ose dyshon se ka ndodhur ose që ka arsye të mjaftueshme për të besuar se dhuna mund të kryhet, ta raportojë atë tek autoritetet përgjegjëse, duke siguruar anonimatin e tyre gjatë raportimit të dhunës dhe në vazhdimësi.

6. Autoritetet përgjegjëse, si dhe subjektet publike, private, të medias, partitë politike, profesionet e lira e të vetërregulluara hartojnë dhe miratojnë udhëzues, rregullore të brendshme për politika e procedura kundër dhunës dhe ngacmimit e çdo formë tjetër sjelljeje që cenon dinjitetin në mjedisin e punës, duke përfshirë raportimin, mekanizmat dhe procedurat e shqyrtimit të çdo kërkese apo ankimi.

7. Inspektorati i Punës është autoriteti mbikëqyrës për zbatimin e pikës 6 të këtij neni.

Neni 49

Detyrat e autoritetit kryesor përgjegjës

1. Autoriteti kryesor përgjegjës, përveç sa parashikohet në nenin 48 të këtij ligji, ushtron funksionin e autoritetit kombëtar për koordinimin e bashkërendimin ndërinstitucional dhe ka këto detyra:

a) ushtron rol drejtues në hartimin, koordinimin dhe zbatimin e politikave të integruara, të programeve kombëtare e vlerëson burimet financiare e njerëzore, të nevojshme për parandalimin, mbrojtjen e viktimave, llojshmërinë dhe cilësinë e shërbimeve mbështetëse të përgjithshme e të specializuara;

b) mbikëqyr përmbushjen e detyrimeve nga autoritetet përgjegjëse, në nivel qendror dhe vendor, për krijimin e strukturave të posaçme, duke konsideruar parimin e përshtatjes së arsyeshme, si dhe zbatimin e programeve trajnuese të detyrueshme, bazuar në politikat e miratuara, nevojat sipas sektorëve dhe të dhënave statistikore;

c) planifikon dhe menaxhon produktin e fondit social, si pjesë e programit buxhetor të përkujdesjes sociale, për të mbështetur njësitë e vetëqeverisjes vendore në financimin e shërbimeve sociale, përfshirë shërbimet e specializuara për viktimat e dhunës;

ç) harton udhëzime për institucionet për mbrojtjen e fëmijëve dhe sektorin privat për hartimin e programeve edukative për fëmijët, të rinjtë dhe të rejat, që janë viktima dhe autorë të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, me qëllim rehabilitimin, riintegrimin, rishoqërizimin e tyre, si dhe për të shmangur dhe për të përballur ekspozimin ndaj përmbajtjeve seksuale ose atyre të dhunshme online;

d) harton programe për rehabilitimin e viktimës e të dhunuesve në përpjesëtim me nivelin e riskut dhe pasojat e dhunës, duke siguruar një zbatim efektiv.

2. Autoriteti kryesor përgjegjës bashkërendon punën për mbledhjen e mbajtjen e të dhënave statistikore nga autoritetet përgjegjëse dhe subjektet publike e private sipas përcaktimeve në këtë ligj dhe në legjislacionin në fuqi për statistikat dhe e paraqet raportin vjetor pranë komisionit përgjegjës parlamentar, nënkomisionit për çështjet e barazisë gjinore e të parandalimit të dhunës ndaj grave.

3. Me vendim të Këshillit të Ministrave përcaktohen llojet e dëmeve dhe provat që mund të paraqiten nga viktima dhe që mbështesin të drejtën për kompensim, sipas këtij ligji, përfshirë kostot dhe shpenzimet e pranueshme, subjektet përgjegjëse, mjetet dhe mënyrat e kompensimit të dëmeve të shkaktuara nga format e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje.

Neni 50

Detyrat e ministrisë për çështjet e rendit dhe sigurisë, si autoritet përgjegjës i linjës Autoriteti përgjegjës i linjës për çështjet e rendit e të sigurisë publike dhe institucionet e varësisë, përveç detyrimeve të përgjithshme, sipas nenit 48 të këtij ligji, garanton zbatimin e tij edhe nëpërmjet:

a) krijimit të seksioneve përgjegjëse pranë strukturave vendore të Policisë së Shtetit përmes masave të riorganizimit të brendshëm, me oficerë të policisë gjyqësore, në nivel komisariati, të trajnuar dhe të specializuar për dhunën në familje dhe dhunën ndaj grave, me qëllim parandalimin, mbrojtjen dhe luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje;

b) miratimit me udhëzim të përbashkët të autoritetit përgjegjës të linjës për çështjet e rendit e të sigurisë publike dhe të autoritetit kryesor përgjegjës, sipas këtij ligji, të modelit dhe të procedurave për vlerësimin e riskut për rastet e dhunës në familje, si dhe të formave të tjera të dhunës ndaj grave, të përcaktuara në këtë ligj, dhe detyrat hetimore të Policisë së Shtetit;

c) miratimit me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të përmbajtjes së të dhënave, formularëve me të dhëna të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, sipas këtij ligji, dhe mënyrës së numërimit të rasteve të raportuara.

Neni 51

Detyrat e ministrisë për çështjet e shëndetit, si autoritet përgjegjës i linjës

1. Autoriteti përgjegjës i linjës për shëndetësinë dhe institucionet shëndetësore, përveç detyrimeve të përgjithshme sipas nenit 48 të këtij ligji, garantojnë organizimin dhe ofrimin e ndihmës mjekësore, psikosociale, si dhe shërbime të specializuara për viktimat e dhunës, pa u kufizuar, nëpërmjet:

a) shërbimeve të urgjencës, mjekut të familjes dhe qendrave shëndetësore apo spitaleve pranë njësive të vetëqeverisjes vendore;

b) kryerjes së ekzaminimeve mjekësore, dokumentimit të rastit, në përputhje me standardet e miratuara dhe vendosjen në dispozicion të viktimës e të autoriteteve ligjzbatuese në çdo rast të raportit mjekësor;

c) referimit të viktimave drejt shërbimeve të tjera më të specializuara sa herë vlerësohet e nevojshme, bazuar mbi protokolle me shkrim nga mjeku;

ç) krijimit të qendrave të reja të integruara për viktimat e dhunës seksuale ose funksionimin e tyre pranë spitaleve, fuqizimit me kapacitete të mjaftueshme të qendrave ekzistuese dhe mbikëqyrjes së tyre;

d) shërbimeve të specializuara për trajtimin dhe rehabilitimin e viktimave që paraqesin probleme të shëndetit mendor, si dhe shërbime të specializuara për trajtimin e dhunuesve me çrregullime të shëndetit mendor, duke garantuar qasje pa diskriminim në këto shërbime në të gjithë vendin.

2. Ministri për çështjet e shëndetit miraton me udhëzim standarde dhe protokolle për identifikimin, parandalimin dhe trajtimin mjekësor të rasteve të viktimave, përfshirë ata me çrregullim të shëndetit mendor, viktimave të dhunës seksuale, të ngacmimit seksual, përndjekjes, si dhe çdo formë tjetër të dhunës ndaj grave dhe të dhunuesve me çrregullime të shëndetit mendor.

Neni 52

Detyrat e ministrisë për çështjet e drejtësisë, si autoritet përgjegjës i linjës

1. Autoriteti përgjegjës i linjës për çështjet e drejtësisë dhe institucionet e varësisë, përveç detyrimeve të përgjithshme sipas nenit 48 të këtij ligji, garantojnë zbatimin e tij përmes mbikëqyrjes së strukturave përgjegjëse të varësisë lidhur me zbatimin e detyrave, si:

a) ndihmën juridike të garantuar nga shteti;

b) krijimin e strukturave të posaçme në zyrat përmbarimore, mbështetur në marrjen e masave të riorganizimit të brendshëm lidhur me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore për të gjitha format e dhunës;

c) përgatitjen e raportit mjekoligjor dhe psikiatrikoligjor dhe vendosjen në dispozicion menjëherë të viktimës dhe institucioneve përgjegjëse;

ç) hartimin dhe zbatimin e programeve të rehabilitimit të dhunuesve në institucionet penitenciare dhe në shërbimin e provës;

d) krijimin në bashkëpunim me organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë të një regjistri elektronik unik, që përpunon të dhëna personale, në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

2. Autoriteti përgjegjës i linjës për çështjet e drejtësisë harton një udhëzim të përbashkët me autoritetin kryesor përgjegjës dhe profesionistët e sistemit të drejtësisë në përcaktimin e rregullave të përbashkëta lidhur me përmbajtjen, metodologjinë e përpunimit e të përditësimit të formularëve të të dhënave për të gjitha format e dhunës, sipas këtij ligji, me qëllim hedhjen e të dhënave për dhunuesit dhe viktimat në regjistrin elektronik unik dhe në publikimin e tyre, sipas rastit, në vjetarin statistikor.

Neni 53

Detyrat e ministrisë për çështjet e arsimit, si autoritet përgjegjës i linjës Autoriteti përgjegjëse i linjës për çështjet e arsimit dhe institucionet e varësisë, përveç detyrimeve të përgjithshme sipas nenit 48 të këtij ligji, garantojnë zbatimin e tij përmes:

a) hartimit të politikave arsimore gjithëpërfshirëse të dedikuara për çdo grup-moshë për parandalimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje me pjesëmarrjen aktive të prindërve, edukatorëve dhe mediave;

b) udhëzimit për hartimin e programeve, materialeve mësimore e didaktike, aktiviteteve ekstrakurrikulare për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna ndaj grave dhe dhuna në familje në aktivitete shkollore e jashtëshkollore;

c) nxitjes për planifikimin e aktiviteteve sportive, kulturore, argëtuese në mjediset formale dhe joformale arsimore për parandalimin e dhunës, përmes bashkëpunimit me institucionet kulturore, sportive, njësive vendore, sektorin privat, shoqërinë civile, institucionet për mbrojtjen e fëmijëve dhe median;

ç) nxitjes në arsimin parauniversitar dhe arsimin e lartë të moduleve për parandalimin dhe mbrojtjen e të gjitha formave të dhunës sipas këtij ligji.

Neni 54

Detyrat e ministrisë për çështjet e punësimit, si autoritet përgjegjës i linjës Autoriteti përgjegjës i linjës për çështjet e punësimit dhe institucionet e varësisë, përveç detyrimeve të përgjithshme sipas nenit 48 të këtij ligji, garanton zbatimin e tij përmes:

a) mbikëqyrjes së hartimit të rregulloreve për procedurat formale e joformale në sektorin publik dhe privat, përfshirë edhe punonjësit e ekonomisë joformale, për mbrojtjen nga dhuna, ngacmimi, përfshirë ngacmimin seksual dhe diskriminimin në marrëdhëniet e punës, sipas neneve 48, pikat 6, dhe 7, të këtij ligji;

b) miratimit të udhëzimit të propozuar nga inspektorati përgjegjës për punën, në konsultim me organizatat e punëdhënësve dhe punëtorëve për forcimin e rolit të mekanizmave të sigurisë dhe shëndetit në punë, mekanizmave inspektues, me qëllim mbrojtjen nga dhuna dhe ngacmimit në marrëdhëniet e punës.

Neni 55

Detyrat e autoriteteve të informimit publik dhe medias Autoritetet e mediave dhe të teknologjisë së informacionit, si dhe subjektet publike e private në fushën e informimit publik dhe medias, sipas kompetencave të tyre ligjore, garantojnë zbatimin e këtij ligji përmes:

a) nxitjes së hartimit të politikave, udhëzimeve, kodeve vetërregulluese, mekanizmave monitorues e të procedurave të trajtimit të ankesave, të harmonizuara me standardet ndërkombëtare për një mjedis të sigurt, të besueshëm, që garanton mbrojtjen e të drejtave të viktimave;

b) parandalimit të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, si dhe krijimin e mjediseve të sigurta në hapësirat mediatike e digjitale;

c) përcaktimit të masave për heqjen e menjëhershme dhe ndalimin e transmetimit, botimit dhe/ose publikimit të materialeve e të informacioneve, përfshirë reklamat e përmbajtjet e platformave të shpërndarjes së komunikimeve dhe videove, raportimin mediatik, si dhe çdo formë komunikimi digjitale me publikun, që krijojnë ose nxisin dhunë ndaj grave dhe dhunë në familje;

ç) monitorimit dhe ndalimit të gjuhës seksiste, gjuhës së urrejtjes, eliminimit të stereotipave gjinorë, paragjykimeve, zakoneve ose modeleve të sjelljeve shoqërore diskriminuese;

dh) kultivimit të gjuhës së ndjeshme gjinore përmes hartimit, trajnimit dhe shpërndarjes së fjalorthëve të përshtatshëm në informimin publik e mediatik të mediave të shkruara, audiovizuale e elektronike;

e) zbatimit të programit kombëtar të dijeve, njohurive dhe aftësive për të aksesuar, menaxhuar, kuptuar, integruar, komunikuar, vlerësuar dhe krijuar informacion në mënyrë të sigurt e të përshtatshëm (letrimit digjital) kundër dhunës së lehtësuar nga teknologjia, duke ofruar udhëzime për identifikimin e përmbajtjes së dëmshme, raportimin online dhe për mbështetjen e viktimave.

Neni 56

Detyrat e njësive të vetëqeverisjes vendore si autoritete përgjegjëse të linjës

1. Mekanizmi i Koordinuar i Referimit në nivel vendor siguron që informacioni për masat parandaluese dhe mbrojtëse, si dhe qasja në shërbime të publikohet në formate lehtësisht të aksesueshme, miqësore për fëmijët dhe në gjuhë të thjeshtë për publikun e gjerë e të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara.

2. Njësitë e vetëqeverisjes vendore, përveç detyrimeve të përgjithshme sipas nenit 48 të këtij ligji, si dhe bazuar në parashikimet e legjislacionit në fuqi për vetëqeverisjen vendore, marrin masa për:

a) fuqizimin përmes trajnimeve të strukturave të shërbimit social lidhur me mënyrën e trajtimit, referimit, zbatimit të vendimeve gjyqësore të urdhrave të mbrojtjes kundër dhunës në familje dhe monitorimit të zbatimit të këtyre urdhrave, si dhe koordinimit ndërinstitucional;

b) krijimin, administrimin dhe/ose përmirësimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror, përfshirë qendrat e rehabilitimit të viktimave të dhunës dhe dhunuesve sipas këtij ligji.

3. Njësitë e vetëqeverisjes vendore planifikojnë dhe menaxhojnë produktin e fondit social vendor, si pjesë e programit buxhetor vendor të përkujdesjes sociale për sigurimin e ngritjes dhe ofrimit të shërbimeve mbështetëse të përgjithshme dhe të specializuara përmes ofrimit direkt dhe/ose kontraktimit të organizatave jofitimprurëse.

4. Përbërja, funksionimi, detyrat dhe përgjegjësitë e anëtarëve të Mekanizmit të Koordinuar të Referimit të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 57

Mbajtja, analizimi dhe publikimi i raporteve dhe statistikave zyrtare

1. Autoriteti kryesor përgjegjës sipas këtij ligji:

a) mbledh dhe ruan të dhënat administrative për dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje dhe i jep INSTAT-it të drejtën e hyrjes në këto të dhëna për prodhimin e statistikave zyrtare të kësaj fushe;

b) merr masa për përmirësimin e burimeve të të dhënave, përditësimin e sistemit për mbledhjen, zhvillimin, prodhimin, shpërndarjen e statistikave dhe përshtatjen e tyre për prodhim statistikor në bashkëpunim me INSTAT-in, autoritetet sipas këtij ligji, Avokatin e Popullit, institucionet e të drejtave të njeriut, të barazisë gjinore dhe mbrojtjes nga diskriminimi;

c) bashkëpunon me INSTAT-in dhe publikon çdo vit të dhënat për dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje, përfshirë femicidin, në përputhje me ligjin për statistikat zyrtare, legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe metodologjitë e INSTAT-it;

ç) përgatit informacione mbështetur në të dhënat administrative që disponon dhe në konsultim me statistikat zyrtare të fushës dhe harton studime të thelluara për të gjitha format e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, me qëllim monitorimin dhe hartimin më efektiv të politikave mbrojtëse dhe parandaluese;

d) përgatit në bashkëpunim me INSTAT-in të dhëna të disagreguara për të gjitha format e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, duke përfshirë në mënyrë të veçantë rastet e femicidit, me qëllim monitorimin dhe hartimin më efektiv të politikave mbrojtëse e parandaluese dhe përgatisin statistikat vjetore brenda tremujorit të fundit të vitit pasardhës;

dh) përgatit në bashkëpunim me INSTAT-in studimin kombëtar të prevalencës së të gjitha formave të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje dhe çdo 5 vjet realizojnë botimin e tyre sipas legjislacionit në fuqi për statistikat zyrtare.

2. Me qëllim zbatimin e këtij ligji, INSTAT-i merr masa që plani vjetor për zbatimin e programit të statistikave zyrtare të parashikojë detyrimin për furnizimin me të dhënat administrative nga autoritetet përgjegjëse për përpunimin dhe publikimin çdo vit të statistikave zyrtare për dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje, të cilat prodhohen dhe publikohen në përputhje dhe në bazë të Programit të Statistikave Zyrtare.

3. Organet e të drejtave të njeriut e të barazisë gjinore publikojnë raporte dhe adresojnë rekomandime lidhur me çështjet që lidhet me dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje, duke përfshirë edhe grumbullimin e praktikave më të mira vendase e ndërkombëtare.

4. Ministri që mbulon çështjet e barazisë gjinore dhe çështjet sociale, si autoriteti kryesor përgjegjës, dhe INSTAT-i, në konsultim me autoritetet, sipas këtij neni, miratojnë udhëzim të përbashkët lidhur me standardet për mbledhjen, ruajtjen, përpunimin dhe publikimin e të dhënave për dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje, përfshirë femicidin, në përputhje me ligjin për statistikat zyrtare, legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe metodologjitë e INSTAT-it.

KREU IX DISPOZITA TË FUNDIT

Neni 58

Aktet nënligjore Brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji:

a) Këshilli i Ministrave miraton aktet nënligjore në zbatim të neneve 23, pika 5; 49, pika 3, dhe 56, pika 4, të këtij ligji;

b) ministri që mbulon çështjet e barazisë gjinore dhe çështjet sociale, si autoriteti kryesor përgjegjës, dhe ministri përgjegjës për çështjet e drejtësisë miratojnë udhëzim të përbashkët në zbatim të nenit 17, pika 6, të këtij ligji;

c) ministri përgjegjës për çështjet e rendit dhe sigurisë publike dhe ministri që mbulon çështjet e barazisë gjinore dhe çështjet sociale, si autoriteti kryesor përgjegjës, miratojnë udhëzime të përbashkëta në zbatim të neneve 13, pika 9, shkronjat “a” dhe “b”, dhe 50, shkronja “b”, të këtij ligji;

ç) ministri përgjegjës për çështjet e rendit dhe sigurisë publike dhe ministri që mbulon çështjet e barazisë gjinore dhe çështjet sociale, si autoriteti kryesor përgjegjës, miratojnë udhëzim të përbashkët në zbatim të të nenit 30, pika 5, të këtij ligji;

d) ministri që mbulon çështjet e barazisë gjinore dhe çështjet sociale, si autoriteti kryesor përgjegjës, në bashkëpunim me INSTAT-in miratojnë udhëzim të përbashkët në zbatim të nenit 57, pika 4, të këtij ligji;

dh) ministri që mbulon çështjet e barazisë gjinore dhe çështjet sociale, si autoriteti kryesor përgjegjës, miraton udhëzime në zbatim të neneve 14, pika 5; 15, pika 6; 16, pika 7, dhe 49, pika 1, shkronja “ç”, të këtij ligji;

e) ministri për çështjet e shëndetit miraton udhëzim në zbatim të të nenit 51, pika 2, të këtij ligji;

ë) ministri përgjegjës për çështjet e punësimit miraton udhëzim në zbatim të nenit 54, shkronja “b”, të këtij ligji;

f) ministri përgjegjës për çështjet e drejtësisë miraton rregullore në zbatim të të nenit 33, pika 7, të këtij ligji;

g) drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit miraton urdhër në zbatim të nenit 50, shkronja “c”, të këtij ligji;

gj) autoritetet përgjegjëse të linjës në nivel vendor miratojnë aktet nënligjore në zbatim të nenit 48, pika 3, shkronja “b”, të këtij ligji;

h) autoriteti përgjegjës për drejtësinë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe autoriteti përgjegjës për komunikimet elektronike dhe postare miratojnë udhëzim të përbashkët në zbatim të të nenit 24, pika 3, të këtij ligji;

i) Këshilli i Lartë Gjyqësor miraton vendim në zbatim të nenit 35, pika 8, të këtij ligji.

Neni 59

Shfuqizime

1. Ligji nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, i ndryshuar, shfuqizohet.

2. Aktet nënligjore në zbatim të ligjit nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, i ndryshuar, vazhdojnë të mbeten në fuqi deri në shfuqizimin e tyre nga aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji.

Neni 60

Hyrja në fuqi

1. Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

2. Përcaktimet e shkronjës “b” të pikës 2 të nenit 18 dhe të nënpikës 3.2 të nenit 30 hyjnë në fuqi pas një viti nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Miratuar në datën 28.1.2026.

Shpallur me dekretin nr. 53, datë 10.2.2026, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

Pyet Juristi.im për këtë ligj