Juristi.im

Legjislacion në fuqi

Ligji nr. 111/2017 “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti”

Teksti i përditësuar siç e mban Qendra e Botimeve Zyrtare. Për përdorim zyrtar verifikoni versionin në fuqi në QBZ.

Burimi zyrtar: Qendra e Botimeve Zyrtare (QBZ) ↗ · 38 nene

Përmbajtja: 38 nene
  1. Neni 1
  2. Neni 2
  3. Neni 3
  4. Neni 4
  5. Neni 5
  6. Neni 6
  7. Neni 7
  8. Neni 8
  9. Neni 9
  10. Neni 10
  11. Neni 11
  12. Neni 12
  13. Neni 13
  14. Neni 14
  15. Neni 15
  16. Neni 16
  17. Neni 17
  18. Neni 18
  19. Neni 19
  20. Neni 20
  21. Neni 21
  22. Neni 22
  23. Neni 23
  24. Neni 24
  25. Neni 25
  26. Neni 26
  27. Neni 27
  28. Neni 28
  29. Neni 29
  30. Neni 30
  31. Neni 31
  32. Neni 32
  33. Neni 33
  34. Neni 34
  35. Neni 35
  36. Neni 36
  37. Neni 37
  38. Neni 38

LIGJ Nr. 111/2017 PËR Ndihmën juridike të GARANTUAR NGA SHTETI Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e një deputeti, KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:

KREU I DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Objekti i ligjit Ky ligj përcakton format, kushtet, procedurën dhe rregullat për organizimin dhe administrimin e ndihmës juridike të garantuar nga shteti, me qëllim mbrojtjen e të drejtave themelore të individit dhe të interesave të ligjshëm të tij.

Neni 2

Qëllimi i ligjit Ky ligj ka si qëllim:

a) të krijojë një sistem për organizimin dhe ofrimin e ndihmës juridike falas për të siguruar akses të barabartë të të gjithë individëve në sistemin e drejtësisë;

b) të sigurojë mirorganizimin, miradministrimin dhe mirëfunksionimin e institucioneve shtetërore përgjegjëse për administrimin e ndihmës juridike;

c) të sigurojë ofrimin e shërbimeve të ndihmës juridike në mënyrë profesionale, cilësore, efiçente dhe efektive.

Neni 3

Përkufizime Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

a) “Ndihmë juridike” është shërbimi juridik falas dhe shërbimet e tjera të parashikuara në këtë ligj, për personat që përmbushin kriteret e këtij ligji, të cilat garantohen dhe financohen nga shteti.

b) “Ndihmë juridike parësore” është:

i) dhënia e informacioneve në lidhje me sistemin ligjor të Republikës së Shqipërisë, aktet normative në fuqi, të drejtat dhe detyrimet e subjekteve të ligjit dhe metodat për ushtrimin e këtyre të drejtave në procesin gjyqësor dhe në atë jashtëgjyqësor;

ii) dhënia e këshillimit;

iii) dhënia e këshillimit mbi procedurat e ndërmjetësimit dhe zgjidhjeve alternative të mosmarrëveshjeve;

iv) dhënia e ndihmës në hartimin dhe përpilimin e dokumenteve të nevojshme për të vënë në lëvizje administratën shtetërore ose për të kërkuar ndihmë juridike dytësore;

v) përfaqësimi përpara organeve administrative; dhe

vi) dhënia e të gjitha formave të tjera të mbështetjes së nevojshme juridike që nuk përbëjnë ndihmë juridike dytësore.

c) “Ndihmë juridike dytësore” është shërbimi juridik që ofrohet për përpilimin e akteve të nevojshme për të vënë në lëvizje gjykatën; ofrimi i këshillimit, përfaqësimit dhe mbrojtjes para gjykatës në çështjet administrative, civile dhe në çështjet penale, për të cilat nuk zbatohet mbrojtja e detyrueshme, sipas përcaktimeve të legjislacionit procedural penal.

ç) “Këshillim” është dhënia e informacionit mbi mënyrat dhe mundësitë e zgjidhjes së një çështjeje konkrete juridike.

d) “Qendër shërbimi e ndihmës juridike parësore” është një njësi e specializuar për dhënien e ndihmës juridike parësore, e organizuar si “njësi e drejtpërdrejtë e ofrimit të shërbimeve”, sipas legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore.

dh) “Punonjës me trajnim të posaçëm” është punonjësi, i diplomuar nga një program i ciklit të dytë të studimeve në drejtësi, sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë dhe që i është nënshtruar një trajnimi të posaçëm, i cili ofron ndihmë juridike parësore në qendrat e shërbimit të ndihmës juridike parësore.

e) “Trajnim i posaçëm” është programi i trajnimit fillestar dhe të vazhdueshëm, i miratuar nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas, për punonjësit që ofrojnë ndihmë juridike parësore në qendrat e shërbimit të ndihmës juridike parësore.

ë) “Klinikë ligjore” është njësi përbërëse e një institucioni të arsimit të lartë, e organizuar dhe që funksionon sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë dhe që ofron ndihmë juridike parësore pa qëllim fitimi, sipas përcakti-meve në statutin e institucionit të arsimit të lartë.

f) “Të ardhura”, në kuptim të këtij ligji, janë të ardhurat mujore që sigurohen nga pagat, veprimtaria ekonomike, interesat e depozitave bankare, të ardhurat nga pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme. Në këto të ardhura nuk përfshihet ndihma ekonomike, pensioni social, pagesat e papunësisë, përfitimet e invalidëve, sipas statusit të invalidit të punës ose të luftës, pagesat që marrin pjesëtarët e familjes që kujdesen për personin me aftësi të kufizuara, rimbursimi i shpenzimeve për energji, rimbursimet për ilaçe e mjekime për të sëmurët kronikë dhe paketa higjieno-shëndetësore për personat me aftësi të kufizuara.

g) “Familje”, në kuptim të këtij ligji, është një grup individësh, që lidhen në marrëdhënie bashkë-shortore ose bashkëjetese, si dhe marrëdhëniet prindër-fëmijë, marrëdhëniet ndërmjet anëtarëve të familjes dhe ato të kujdestarisë, që jetojnë në të njëjtën strehë dhe që kontribuojnë bashkërisht, financiarisht ose në mënyra të tjera për përballimin e kostos së jetesës.

gj) “Pasuri”, në kuptim të këtij ligji, është pasuria e çdo lloji, e luajtshme ose e paluajtshme, si dhe të drejtat reale pasurore. Pasuria e paluajtshme e përdorur nga pronari ose bashkëpronari si banesë e tij parësore për jetesën familjare dhe sendet e përjashtuara nga sekuestrimi, sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Civile, nuk konsiderohen pasuri, sipas kuptimit të këtij ligji.

h) “Përjashtim nga tarifat dhe shpenzimet gjyqësore” është një formë e ndihmës juridike falas për përjashtimin nga pagesa e tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore, me vendim të gjykatës kompetente, nëse plotësohen kriteret e vendosura nga ky ligj.

i) “Tarifa gjyqësore” është tarifa, sipas kuptimit të dhënë nga legjislacioni në fuqi për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë.

j) “Shpenzimet gjyqësore” janë shpenzimet e kryera në kuadër të procesit gjyqësor, të nevojshme për gjykimin, sipas kuptimit të dhënë në legjislacionin procedural, përveç tarifës gjyqësore.

k) “Tarifa për vënien në ekzekutim të urdhrit të ekzekutimit” është tarifa që i parapaguhet shërbimit përmbarimor gjyqësor shtetëror, për vënien në ekzekutim të një titulli ekzekutiv, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.

Neni 4

Parimet e ndihmës juridike Dhënia e ndihmës juridike bazohet në parimet e mëposhtme:

a) aksesit të barabartë të individëve në ndihmën juridike;

b) barazisë dhe mosdiskriminimit të individëve që gëzojnë të drejtën për ndihmë juridike;

c) profesionalizmit në dhënien e shërbimit të ndihmës juridike;

ç) cilësisë, efiçencës dhe efikasitetit në kosto për shërbimet e ofruara të ndihmës juridike;

d) ruajtjes së konfidencialitetit;

dh) shmangies dhe parandalimit të konfliktit të interesit;

e) mbrojtjes së të drejtave të personave vulnerabël.

Neni 5

Format e ndihmës juridike Ndihma juridike jepet në format e mëposhtme:

a) ndihmë juridike parësore;

b) ndihmë juridike dytësore;

c) përjashtim nga pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore, sipas ligjit, dhe përjashtim nga detyrimi për të parapaguar tarifën e vënies në ekzekutim të urdhrit të ekzekutimit.

KREU II ORGANIZIMI I NDIHMËS JURIDIKE TË GARANTUAR NGA SHTETI

Neni 6

Institucionet përgjegjëse për administrimin dhe funksionimin e sistemit të ndihmës juridike Institucionet përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji janë:

a) Ministri i Drejtësisë;

b) Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas;

c) Dhoma Kombëtare e Avokatisë;

ç) gjykatat kompetente, sipas parashikimeve të këtij ligji.

Neni 7

Detyrat e Ministrit të Drejtësisë Ministri i Drejtësisë ka përgjegjësitë dhe kryen detyrat e mëposhtme:

a) zhvillon politikën shtetërore në fushën e ndihmës juridike;

b) i propozon Ministrisë së Financave projektbuxhetin vjetor për ndihmën juridike, në përputhje me rregullat e parashikuara në legjislacionin për menaxhimin e sistemit buxhetor;

c) mbikëqyr mirëfunksionimin e sistemit të ndihmës juridike dhe zbatimin e buxhetit vjetor për ndihmën juridike;

ç) raporton çdo vit në Kuvend për gjendjen e sistemit të ndihmës juridike;

d) miraton aktet e mëposhtme:

i) formularin e kërkesës për ndihmë juridike parësore;

ii) formularin e kërkesës për ndihmë juridike dytësore;

iii) formularin e kërkesës për përjashtim nga pagimi i tarifave gjyqësore dhe i shpenzimeve gjyqësore;

iv) formularin e vetëdeklarimit për ndihmë juridike parësore;

v) formularin e vetëdeklarimit të të ardhurave dhe të pasurive, sipas këtij ligji;

vi) formularin e vetëdeklarimit për kategoritë e veçanta, sipas nenit 11 të këtij ligji;

vii) formatin e regjistrit për regjistrimin e kërkesave dhe vetëdeklarimeve të mësipërme;

viii) formatin e regjistrit të organizatave jofitimprurëse që ofrojnë ndihmë juridike parësore;

ix) formularin e ankimit ndaj vendimit të rrëzimit të kërkesës për ndihmë juridike dytësore.

Ministria e Drejtësisë merr masat e nevojshme për publikimin e formularëve të parashikuar në këtë paragraf në format të aksesueshëm nga personat me aftësi të kufizuar;

dh) miraton krijimin e qendrave të shërbimit të ndihmës juridike parësore, pasi të ketë marrë më parë mendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor;

e) miraton kontratën tip me organizatat jofitimprurëse për shërbimet e ndihmës juridike parësore, sipas parashikimeve të këtij ligji, pasi të ketë marrë më parë mendimin e ministrisë përgjegjëse për financat;

ë) miraton kontratën tip me avokatët për dhënien e shërbimeve të ndihmës juridike dytësore;

f) miraton, pasi të ketë marrë më parë mendimin e Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë, kriteret dhe metodologjinë për vlerësimin e cilësisë së ofrimit të shërbimeve të ndihmës juridike dhe procedurat e mbikëqyrjes nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas të shërbimeve të ndihmës juridike;

g) miraton me udhëzim të përbashkët me ministrin përgjegjës për financat, pasi të ketë marrë më parë mendimin e Dhomës Kombëtare të Avokatisë, kriteret e përfitimit të pagesave dhe tarifat përkatëse të shpërblimit të avokatëve, të cilët ofrojnë shërbimet e ndihmës juridike dytësore;

gj) miraton procedurat që ndiqen nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas në lidhje me pagesat për shpenzimet gjyqësore, sipas përcaktimeve të këtij ligji;

h) publikon listën e avokatëve që ofrojnë shërbimet e ndihmës juridike dytësore dhe listën e organizatave jofitimprurëse të autorizuara që ofrojnë shërbime të ndihmës juridike parësore në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë;

i) miraton rregullat dhe procedurat për mbledhjen, plotësimin dhe administrimin e të dhënave të regjistrit të kërkesave dhe vetëdeklarimeve të subjekteve të këtij ligji dhe të regjistrit të organizatave jofitimprurëse që ofrojnë ndihmë juridike parësore;

j) kryen të gjitha detyrat e tjera të përcaktuara me këtë ligj.

Neni 8

Detyrat e Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas

1. Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas është person juridik publik nën varësinë e Ministrit të Drejtësisë, në kuptimin e ligjit për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore. Organizimi i brendshëm i Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas miratohet nga Kryeministri, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Marrëdhëniet e punës së punonjësve të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas rregullohen në bazë të legjislacionit në fuqi për nëpunësit civilë. Marrëdhëniet e punës të punonjësve me trajnim të posaçëm pranë qendrave të shërbimit të ndihmës juridike parësore dhe të personelit ndihmës të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas rregullohen sipas Kodit të Punës.

2. Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas kryen këto detyra:

a) zbaton politikën shtetërore në fushën e ndihmës juridike;

b) i paraqet Ministrit të Drejtësisë raporte tremujore mbi zbatimin e këtij ligji dhe mbi përdorimin e mjeteve financiare buxhetore të alokuara për ofrimin e ndihmës juridike;

c) vlerëson kostot dhe planifikon shpenzimet e lidhura me dhënien e ndihmës juridike dhe ia paraqet Ministrit të Drejtësisë për t’u përfshirë në buxhetin e shtetit;

ç) menaxhon fondet buxhetore për dhënien e ndihmës juridike;

d) mbledh dhe analizon informacionin mbi dhënien e ndihmës juridike për të përmirësuar funksionimin e sistemit të ofrimit të ndihmës juridike dhe organizon fushata për rritjen e ndërgjegjësimit publik mbi ofrimin e ndihmës juridike dhe kushtet për përftimin e saj;

dh) harton raportet vjetore për veprimtarinë e saj në lidhje me zbatimin e këtij ligji dhe të politikës shtetërore në fushën e ndihmës juridike dhe ia paraqet Ministrit të Drejtësisë;

e) bashkëpunon me organizata ndërkombëtare, me klinika ligjore dhe me organizata jofitimprurëse vendase dhe të huaja në zhvillimin e sistemit të ndihmës juridike, nëpërmjet rritjes së ndërgjegjësimit dhe edukimit ligjor të publikut;

ë) harton kontratën tip me organizatat jofitimprurëse për shërbimet e ndihmës juridike parësore, sipas parashikimeve të këtij ligji;

f) lidh kontrata me organizatat jofitimprurëse për shërbimet e ndihmës juridike parësore, sipas parashikimeve të këtij ligji dhe kryen pagesat përkatëse;

g) bashkëpunon me Departamentin e Administratës Publike për miratimin e programeve të trajnimit fillestar dhe të vazhdueshëm për punonjësit me trajnim të posaçëm, mbikëqyr zbatimin e tyre dhe rishqyrton periodikisht standardet për trajnimin dhe performancën profesionale të punonjësve me trajnim të posaçëm;

gj) administron, bazuar në urdhrin përkatës të Ministrit të Drejtësisë, qendrat e shërbimit të ndihmës juridike parësore, në ambientet e gjykatave të rretheve gjyqësore ose në ambiente të tjera të përshtatshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi për administratën shtetërore;

h) publikon listën e avokatëve, të cilët ofrojnë shërbimet e ndihmës juridike dytësore në faqen zyrtare të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas;

i) publikon kontratën tip me avokatët për dhënien e shërbimeve të ndihmës juridike dytësore, pas miratimit nga Ministri i Drejtësisë;

j) kryen pagesat, bazuar në tarifat përkatëse të shpërblimit të avokatëve, të cilët ofrojnë shërbimet e ndihmës juridike dytësore, sipas përcaktimeve të këtij ligji;

k) lidh, deri më 1 mars të çdo viti kalendarik, kontratat e përvitshme të shërbimit me avokatët e përfshirë në listën e miratuar nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë për ofrimin e ndihmës juridike dytësore;

l) zbaton sistemin e vlerësimit të cilësisë së dhënies së ndihmës juridike;

ll) mbikëqyr çdo vit standardet e ofrimit të shërbimeve të ndihmës juridike parësore dhe dytësore nga organizatat jofitimprurëse dhe avokatët;

m) zbaton rregullat për rimbursimin e pagesave, sipas parashikimeve të këtij ligji dhe mbron interesat e buxhetit të shtetit;

n) harton dhe i propozon Ministrit të Drejtësisë aktet nënligjore, sipas parashikimeve të këtij ligji;

nj) mban, mbledh, plotëson dhe administron të dhënat e regjistrit të kërkesave dhe vetëdeklarimeve të subjekteve të këtij ligji dhe të dhënat e regjistrit të organizatave jofitimprurëse që ofrojnë ndihmë juridike parësore, sipas rregullave dhe procedurave të miratuara nga Ministri i Drejtësisë;

o) kryen të gjitha detyrat e tjera që i caktohen me këtë ligj.

Neni 9

Detyrat e Dhomës Kombëtare të Avokatisë Dhoma Kombëtare e Avokatisë kryen këto detyra:

a) miraton me udhëzim të përbashkët me Drejtorinë e Ndihmës Juridike Falas kriteret dhe procedurat për përzgjedhjen e avokatëve që ofrojnë shërbimet e ndihmës juridike dytësore;

b) miraton, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, rregullat për zbatimin e parimit të rotacionit në caktimin e avokatëve që ofrojnë shërbime të ndihmës juridike dytësore, sipas parashikimeve të nenit 24, të këtij ligji, dhe mbikëqyr zbatimin e tyre nga dhomat vendore të avokatisë;

c) brenda datës 1 shkurt të çdo viti kalendarik, Dhoma Kombëtare e Avokatisë miraton listën e avokatëve që ofrojnë shërbimet e ndihmës juridike dytësore dhe ia përcjell këtë listë Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas dhe dhomave vendore të avokatisë. Në hartimin e kësaj liste, Dhoma Kombëtare e Avokatisë mban parasysh, për aq sa është e mundur, përfshirjen e avokatëve të të gjitha specialiteteve dhe niveleve dhe respektimin e barazisë gjinore;

ç) publikon listën e avokatëve që ofrojnë shërbimet e ndihmës juridike dytësore në faqen zyrtare të Dhomës Kombëtare të Avokatisë;

d) përgatit dhe organizon programet e trajnimit të vazhdueshëm për avokatët e përfshirë në listën e avokatëve që ofrojnë shërbimet e ndihmës juridike dytësore, në bashkëpunim me Drejtorinë e Ndihmës Juridike Falas;

dh) kryen detyra të tjera që i caktohen nga ky ligj.

KREU III PËRFITUESIT E NDIHMËS JURIDIKE TË GARANTUAR NGA SHTETI

Neni 10

Përfituesit e ndihmës juridike

1. Subjekte përfituese të ndihmës juridike janë:

a) shtetasit shqiptarë me vendbanim ose vendqëndrim në territorin e Republikës së Shqipërisë;

b) shtetasit e huaj ose personat pa shtetësi, të cilët qëndrojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë për një periudhë të përkohshme ose të përhershme dhe janë të pajisur me leje qëndrimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi për të huajt;

c) shtetasit e huaj, ose personat pa shtetësi, që hyjnë në mënyrë të rregullt në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që përfitojnë mbi bazën e marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë ose bazuar në parimin e reciprocitetit;

ç) azilkërkuesit, personat që gëzojnë statusin e refugjatit dhe personat që janë në proces ankimi të vendimeve administrative dhe/ose gjyqësore për refuzimin e aplikimit për azil ose revokimin e vendimit të statusit të refugjatit, sipas legjislacionit në fuqi për azilin në Republikën e Shqipërisë.

2. Subjektet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, përfitojnë ndihmë juridike, nëse përmbushin kushtet e parashikuara nga ky ligj.

Neni 11

Kategoritë e veçanta të përfituesve të ndihmës juridike Ndihma juridike i ofrohet personave të mëposhtëm, pavarësisht të ardhurave dhe pasurisë së tyre:

a) viktimave të dhunës në familje;

b) viktimave të abuzuar seksualisht dhe viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore, në çdo fazë të procedimit penal;

c) viktimave të mitur dhe të miturve në konflikt me ligjin, në çdo fazë të procedimit penal;

ç) fëmijëve, të cilët jetojnë në institucionet e përkujdesjes shoqërore;

d) fëmijëve nën kujdestari, të cilët kërkojnë të nisin një proces pa miratimin e kujdestarit të tyre ligjor ose kundër kujdestarit të tyre ligjor;

dh) personave që përfitojnë nga pagesa për aftësinë e kufizuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi për ndihmën dhe shërbimet shoqërore, duke përfshirë edhe personat që përfitojnë nga statusi i të verbrit;

e) personave, të cilët i nënshtrohen trajtimit të pavullnetshëm në institucionet e shërbimit të shëndetit mendor, sipas dispozitave të legjislacionit në fuqi për shëndetin mendor;

ë) personave, të cilët i nënshtrohen trajtimit vullnetar në institucionet e shërbimit të shëndetit mendor për sëmundjet e rënda mendore;

f) personave, ndaj të cilëve kërkohet heqja ose kufizimi i zotësisë për të vepruar, në çdo fazë të këtij procesi;

g) personave, të cilëve u është hequr ose kufizuar zotësia për të vepruar, që kërkojnë të nisin një proces kundër kujdestarit të tyre ligjor, për rifitimin e zotësisë për të vepruar, pa miratimin e kujdestarit ligjor;

gj) personave, të cilët janë përfitues të skemave të mbrojtjes sociale;

h) personave, të cilëve u është cenuar e drejta nëpërmjet një veprimi ose mosveprimi që përbën diskriminim, bazuar në vendimin e organit kompetent, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen nga diskriminimi.

Neni 12

Përfituesit e ndihmës juridike me të ardhura dhe pasuri të pamjaftueshme

1. Të drejtën për të përfituar ndihmë juridike e ka çdokush që provon se ka të ardhura dhe pasuri të pamjaftueshme për të përballuar shpenzimet për këshillim, përfaqësim dhe/ose mbrojtje në çështjet penale, në çështjet administrative dhe në çështjet civile.

2. Të ardhurat e një personi, i cili jeton në një familje, konsiderohen të pamjaftueshme, sipas kuptimit të pikës 1, të këtij neni, nëse të ardhurat në total të të gjithë pjesëtarëve të familjes, të pjesëtuara për numrin e anëtarëve të familjes, janë më të ulëta se 50 për qind e pagës minimale mujore të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi.

3. Të ardhurat e një personi, i cili nuk jeton në një familje, konsiderohen të pamjaftueshme, sipas kuptimit të pikës 1, të këtij neni, nëse janë më të ulëta se niveli i pagës minimale mujore të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi.

4. Nëse një person, i cili jeton në një familje, kërkon ndihmë juridike dytësore për një çështje kundër një anëtari tjetër të së njëjtës familje, rregulli i parashikuar në pikën 2, të këtij neni, nuk do të zbatohet. Në këtë rast, të ardhurat e këtij personi konsiderohen të pamjaftueshme, sipas pikës 1, të këtij neni, nëse janë më të ulëta se niveli i pagës minimale të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi.

5. Pasuria e një personi konsiderohet e pamjaftueshme, sipas pikës 1, të këtij neni, nëse vlera e saj në total nuk tejkalon vlerën e 36 pagave minimale mujore sipas legjislacionit në fuqi.

KREU IV NDIHMA JURIDIKE PARËSORE

Neni 13

Dhënia e ndihmës juridike parësore Ndihma juridike parësore jepet nga:

a) punonjësit me trajnim të posaçëm;

b) nga organizatat jofitimprurëse të autorizuara;

c) nga klinikat ligjore pranë institucioneve të arsimit të lartë.

Neni 14

Dhënia e ndihmës juridike parësore nga punonjësit me trajnim të posaçëm Ndihma juridike parësore jepet pranë qendrave të shërbimit të ndihmës juridike parësore ose në ambiente të tjera të përshtatshme, sipas parashikimeve të këtij ligji, nga punonjësit me trajnim të posaçëm të punësuar pranë këtyre qendrave.

Neni 15

Dhënia e ndihmës juridike parësore nga organizatat jofitimprurëse

1. Organizatat jofitimprurëse japin shërbime të ndihmës juridike parësore në përputhje me autorizimin e miratuar nga Ministri i Drejtësisë. Procedurat dhe dokumentacioni për autorizimin e tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

2. Organizatat jofitimprurëse që autorizohen për dhënien e shërbimeve të ndihmës juridike parësore duhet të përmbushin këto kritere:

a) të jenë të regjistruara në përputhje me legjislacionin në fuqi për organizatat jofitimprurëse;

b) të kenë si objekt të veprimtarisë së tyre të parashikuar në statutin e organizatës ofrimin e shërbimeve të ndihmës juridike;

c) të kenë shlyer detyrimet tatimore në përputhje me legjislacionin në fuqi;

ç) të kenë përvojë në ofrimin e ndihmës juridike;

d) të mos jenë në proces falimentimi dhe/ose likuidimi;

dh) anëtarët e organit më të lartë vendimmarrës dhe të organit ekzekutiv të organizatës jofitimprurëse të mos jenë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale me dashje dhe që do të cenonte besimin e publikut dhe ofrimin e përshtatshëm të ndihmës juridike.

3. Organizatat jofitimprurëse të autorizuara për dhënien e ndihmës juridike parësore përfitojnë financime nga buxheti i shtetit, pas një procesi konkurrues dhe transparent përzgjedhjeje. Procedura, rregullat e përzgjedhjes së organizatave jofitimprurëse të autorizuara, që përfitojnë financime nga buxheti i shtetit dhe mënyra e financimit të tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 16

Dhënia e ndihmës juridike parësore nga klinikat ligjore

1. Ndihma juridike parësore jepet nga klinikat ligjore të ngritura pranë institucioneve të arsimit të lartë.

2. Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas bashkëpunon me klinikat ligjore, sipas kushteve dhe kritereve të parashikuara në marrëveshjet përkatëse të bashkëpunimit për trajnimin dhe përditësimin e njohurive të studentëve të përfshirë pranë këtyre klinikave, mbi çështjet e lidhura me ndihmën juridike parësore.

Neni 17

Kërkesa dhe procedura e dhënies së ndihmës juridike parësore

1. Kërkesa për dhënien e ndihmës juridike parësorë bëhet me gojë ose me shkrim nga personi i interesuar pranë një qendre shërbimi për ndihmë juridike parësore ose një organizate jofitimprurëse të autorizuar.

2. Personi, i cili kërkon të përfitojë ndihmën juridike parësore, sipas pikës 1, të këtij neni, duhet të nënshkruajë një vetëdeklarim se përmbush kriteret e përcaktuara në këtë ligj, sipas formularit të vetëdeklarimit të miratuar nga Ministri i Drejtësisë, të shoqëruar me dokumentacionin justifikues. Lista e dokumenteve që shërbejnë për vërtetimin e përmbushjes së kritereve përcaktohet me urdhër të Ministrit të Drejtësisë.

3. Ndihma juridike parësore ofrohet menjëherë me marrjen e kërkesës. Në rast se dhënia e menjëhershme e ndihmës juridike parësore është e pamundur, personi informohet menjëherë për datën dhe kohën e dhënies së shërbimit të kërkuar.

4. Një person ka të drejtën të marrë shërbimet e ndihmës juridike parësore për të njëjtën problematikë ose çështje vetëm një herë, me përjashtim të rasteve kur rrethana të reja të caktuara justifikojnë dhënien e shërbimeve të mëtejshme të ndihmës juridike parësore për të njëjtin person, rreth së njëjtës problematikë ose çështje.

5. Në rast se gjatë dhënies së shërbimeve të ndihmës juridike parësore konstatohet një konflikt interesi, ky shërbim ndërpritet menjëherë. Në rastin kur ndihma juridike parësore jepet nga një qendër shërbimi për ndihmë juridike parësore, çështja trajtohet në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative, për shmangien e konfliktit të interesit. Në rastin kur ndihma juridike parësore jepet nga një organizatë jofitimprurëse e autorizuar, kjo e fundit merr masa për shmangien e konfliktit të interesit, sipas dispozitave ligjore në fuqi, duke siguruar dhënien e shërbimeve të ndihmës juridike parësore për kërkuesin.

6. Në rast se gjatë dhënies së shërbimeve të ndihmës juridike parësore konstatohet se ekziston nevoja për dhënien e shërbimeve të ndihmës juridike dytësore, personi informohet menjëherë për kushtet e dhënies së ndihmës juridike dytësore dhe ndihmohet për plotësimin e kërkesës për dhënien e ndihmës juridike dytësore.

7. Gjatë ofrimit të shërbimeve të ndihmës juridike parësore mbahet një procesverbal, i cili përmban:

a) emrin, mbiemrin dhe numrin e identifikimit personal të kërkuesit;

b) adresën e vendbanimit, të dhënat e kontaktit, gjendjen familjare, statusin e punësimit të kërkuesit;

c) një përshkrim të shkurtër të problematikës ose çështjes për të cilën janë kërkuar shërbimet e ndihmës juridike parësore;

ç) nëse është e mundur, kohëzgjatjen e takimit ose takimeve;

d) një përshkrim të shkurtër të dhënies së shërbimit të ndihmës juridike parësore dhe rezultatin e këtij shërbimi;

dh) deklarimi se kërkuesi nuk ka përfituar më parë ndihmë juridike parësore për të njëjtën problematikë ose çështje;

e) të dhëna të tjera, sipas formularit të miratuar nga Ministri i Drejtësisë.

8. Ruajtja dhe përpunimi i të dhënave personale të kërkuesve të ndihmës juridike parësore bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

KREU V NDIHMA JURIDIKE DYTËSORE

Neni 18

Dhënia e ndihmës juridike dytësore Ndihma juridike dytësore jepet nga avokatët që përfshihen në listën e miratuar nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, në bazë të kërkesës së personit që gëzon të drejtën për përfitimin e ndihmës juridike dytësore, sipas neneve 11 ose 12, të këtij ligji. Kërkesa hartohet sipas formularit të kërkesës, të miratuar nga Ministri i Drejtësisë.

Neni 19

Kërkesa për ndihmë juridike dytësore

1. Kërkesa për dhënien e ndihmës juridike dytësore paraqitet nga personi i interesuar personalisht ose me anë të shërbimit postar pranë gjykatës ose organit procedues që fillon hetimet, përpara fillimit të një procesi gjyqësor, në fillim të një procesi gjyqësor dhe/ose në çdo fazë të procesit gjyqësor, derisa nuk është deklaruar i mbyllur hetimi gjyqësor, sipas rregullave të parashikuara në legjislacionin procedural.

2. Personi që gëzon të drejtën për ndihmë juridike dytësore, mund ta paraqesë kërkesën e parashikuar në pikën 1, të këtij neni, nëpërmjet një përfaqësuesi ligjor apo të pajisur me prokurë, ose nëpërmjet bashkëshortit/es, bashkëjetuesit/es ose një të afërmi të shkallës së parë.

3. Kërkesa për ndihmë juridike dytësore përjashtohet nga tarifat dhe shpenzimet gjyqësore.

4. Personi, i cili kërkon të përfitojë ndihmë juridike dytësore, nënshkruan një vetëdeklarim se përmbush kriteret e përfitimit, të përcaktuara në këtë ligj, sipas formularit të vetëdeklarimit të miratuar nga Ministri i Drejtësisë, të shoqëruar me dokumentacionin justifikues. Lista e dokumenteve që shërbejnë për vërtetimin e përmbushjes së kritereve përcaktohet me urdhër të Ministrit të Drejtësisë.

Neni 20

Paraqitja e kërkesës për ndihmë juridike dytësore dhe organi kompetent për shqyrtimin e saj

1. Kërkesa për ndihmë juridike dytësore paraqitet në gjykatën kompetente për shqyrtimin e çështjes në themel, përveçse kur parashikohet ndryshe në këtë ligj.

2. Kërkesa për ndihmë juridike dytësore e të pandehurit pa mjete të mjaftueshme financiare paraqitet pranë organit procedues që fillon hetimet, sipas nenit 21 të këtij ligji.

Neni 21

Procedura e dhënies së ndihmës juridike dytësore të pandehurit pa mjete të mjaftueshme financiare

1. Në rast se kërkesa për ndihmë juridike dytësore paraqitet nga i pandehuri pa mjete të mjaftueshme financiare, organi procedues që fillon hetimet shqyrton menjëherë nëse përmbushen kriteret e përcaktuara në nenin 12 të këtij ligji.

2. Nëse organi procedues që fillon hetimet vlerëson se kriteret janë përmbushur, cakton menjëherë një avokat mbrojtës nga lista e avokatëve që ofrojnë shërbimet e ndihmës juridike dytësore dhe njofton menjëherë personin, të cilit i ofrohet ndihmë juridike dytësore, si dhe avokatin e caktuar mbrojtës.

3. Vendimi për pranimin ose rrëzimin e kërkesës për ndihmë juridike dytësore jepet i arsyetuar dhe i njoftohet kërkuesit dhe Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas.

4. Kërkuesi mund ta kundërshtojë vendimin e organit procedues për rrëzimin e kërkesës për ndihmë juridike dytësore, me padi në gjykatën penale të shkallës së parë, kompetente për shqyrtimin e çështjes në themel, brenda 5 ditëve nga marrja dijeni për këtë vendim.

5. Gjykata shqyrton çështjen me një gjyqtar, sipas rregullave të parashikuara në legjislacionin procedural, brenda 15 ditëve nga regjistrimi i çështjes. Kundër këtij vendimi lejohet ankim i veçantë në gjykatën e apelit brenda 5 ditëve nga marrja dijeni. Gjykata e apelit e shqyrton ankimin në dhomë këshillimi brenda 10 ditëve nga data e marrjes së akteve.

6. Këshilli i Lartë i Prokurorisë miraton rregullat dhe procedurat që ndiqen nga organi procedues që fillon hetimet, për caktimin mbi bazë të parimit të rotacionit të avokatit mbrojtës dhe zëvendësimin e tij nga lista e avokatëve që ofrojnë shërbimet e ndihmës juridike dytësore në procesin penal.

7. Rregulla të hollësishme që lidhen me garantimin e mbrojtjes së detyrueshme nga institucionet e parashikuara në këtë ligj, sipas parashikimeve të Kodit të Procedurës Penale, miratohen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

Neni 22

Shqyrtimi i kërkesës për ndihmë juridike dytësore nga gjykata

1. Gjykata shqyrton kërkesën për ndihmën juridike dytësore në përputhje me parashikimet në legjislacionin procedural dhe, për aq sa është e mundur, me dispozitat e këtij ligji.

2. Vendimi në lidhje me kërkesën për ndihmë juridike dytësore merret nga gjykata kompetente:

a) brenda 5 ditëve nga data e regjistrimit të kërkesës, kur kërkesa paraqitet përpara fillimit të procesit gjyqësor;

b) gjatë veprimeve paraprake ose në seancën përgatitore përpara se të caktohet seanca gjyqësore, kur kërkesa për ndihmë juridike është paraqitur bashkë me kërkesë-padinë;

c) sipas parashikimeve të legjislacionit procedural dhe dispozitave të këtij ligji, kur kërkesa paraqitet gjatë shqyrtimit gjyqësor.

3. Në rastet kur kërkuesi deklaron pamundësinë për sigurimin e dokumentacionit, si dhe në çdo rast tjetër kur gjykata çmon se korrigjimi ose plotësimi i kërkesës mund të bëhet shkak për vonesa, të cilat cenojnë thelbin e të drejtave të kërkuesit, gjykata mund të urdhërojë dorëzimin e dokumentacionit të nevojshëm nga organet e administratës shtetërore që e disponojnë atë. Në këto raste kërkesa për ndihmë juridike dytësore quhet e paraqitur në përfundimin e afatit të vendosur nga gjykata për paraqitjen e dokumentacionit plotësues nga organet e administratës shtetërore.

4. Gjykata, në përputhje me parashikimet e këtij ligji dhe parashikimet në legjislacionin procedural, pas shqyrtimit të kërkesës vendos:

a) pranimin e kërkesës për dhënien e ndihmës juridike dytësore;

b) rrëzimin e kërkesës për dhënien e ndihmës juridike dytësore.

5.

Kërkesa për ndihmë juridike dytësore rrëzohet vetëm në rastet kur:

a) nuk përmbushen kushtet e parashikuara në nenet 11 ose 12 të këtij ligji;

b) është dukshëm abuzive ose haptazi e pabazuar.

6. Vendimi për pranimin ose rrëzimin e kërkesës për ndihmë juridike dytësore jepet i arsyetuar.

7. Kundër vendimit të gjykatës për rrëzimin e kërkesës për ndihmën juridike dytësore mund të bëhet ankim i veçantë. Ankimi i vendimit nuk pengon vazhdimin e shqyrtimit të çështjes. Ankimi bëhet sipas formularit tip të miratuar nga Ministri i Drejtësisë, i cili i jepet kërkuesit së bashku me vendimin për rrëzimin e kërkesës.

8. Gjykata e apelit shqyrton çështjen në dhomë këshillimi dhe merr vendim brenda 15 ditëve nga regjistrimi i çështjes. Kundër këtij vendimi nuk lejohet rekurs në Gjykatë të Lartë.

9. Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas mund të ankimojë vendimin e gjykatës për pranimin e kërkesës për ndihmë juridike dytësore, nëse pretendon se kjo kërkesë është dukshëm abuzive ose haptazi e pabazuar. Në këtë rast zbatohen afatet dhe rregullat për ankimin e vendimeve përfundimtare, sipas dispozitave të legjislacionit procedural. Kundër vendimit të gjykatës së apelit nuk lejohet rekurs në Gjykatë të Lartë.

Neni 23

Njoftimi i vendimit të gjykatës Vendimi i gjykatës mbi kërkesën për ndihmë juridike dytësore i njoftohet menjëherë:

a) kërkuesit;

b) personit që ka dorëzuar kërkesën për ndihmë juridike dytësore, në rast se është një person i ndryshëm nga kërkuesi;

c) organit procedues, nëse janë kushtet e nenit 21 të këtij ligji;

ç) Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas;

d) dhomës vendore të avokatisë, në rast se kërkesa për ndihmë juridike dytësore është miratuar.

Neni 24

Dhënia e ndihmës juridike dytësore nga avokatët

1. Avokatët që japin shërbimet e ndihmës juridike dytësore plotësojnë këto kushte:

a) kanë aplikuar në Dhomën Kombëtare të Avokatisë dhe janë përfshirë në listën e avokatëve që ofrojnë shërbimet e ndihmës juridike dytësore;

b) kanë lidhur një kontratë vjetore shërbimi me Drejtorinë e Ndihmës Juridike Falas;

c) janë caktuar për ofrimin e shërbimeve të ndihmës juridike dytësore nga organi procedues ose dhoma vendore e avokatisë;

ç) janë të specializuar në fusha të së drejtës, kur specializimi është i nevojshëm, si në rastin e përfaqësimit të të miturve, të viktimave dhe në raste të tjera të parashikuara me ligj.

2. Në rast të pranimit të kërkesës për ndihmë juridike dytësore veprohet sipas rregullave të mëposhtme:

a) dhoma vendore e avokatisë cakton një avokat nga lista e avokatëve që japin shërbimet e ndihmës juridike dytësore, sipas parimit të rotacionit;

b) dhoma vendore e avokatisë përcjell vendimin e gjykatës kompetente, së bashku me vendimin e saj mbi caktimin e avokatit, këtij të fundit dhe personit të cilit i është pranuar kërkesa për ndihmën juridike dytësore.

3. Parashikimet e pikës 2, të këtij neni, nuk zbatohen në rastin kur kërkesa për ndihmë juridike dytësore është paraqitur nga i pandehuri pa mjete të mjaftueshme financiare tek organi procedues që fillon hetimin.

4. Avokati i caktuar, menjëherë pasi njihet me vendimin e gjykatës kompetente dhe vendimin e dhomës vendore të avokatisë ose me vendimin e organit procedues mbi caktimin e tij si avokat për dhënien e ndihmës juridike dytësore, hyn në marrëdhënie me personin, të cilit i është pranuar kërkesa për ndihmë juridike dytësore dhe fillon dhënien e shërbimeve të kërkuara.

5. Avokati i caktuar zëvendësohet nga një avokat tjetër, nga lista e avokatëve që ofrojnë shërbimet e ndihmës juridike dytësore, vetëm në rast se konstatohet një konflikt interesi midis avokatit dhe personit, të cilit i është pranuar kërkesa për ndihmën juridike dytësore.

6. Vendimi për zëvendësimin e avokatit të caktuar nga një avokat tjetër nga lista e avokatëve që ofrojnë shërbimet e ndihmës juridike dytësore merret nga:

a) organi procedues, në rast se avokati që do të zëvendësohet është caktuar nga ky organ;

b) dhoma vendore e avokatisë, në rast se avokati që do të zëvendësohet është caktuar prej saj.

KREU VI PËRJASHTIMI NGA PAGIMI I TARIFAVE GJYQËSORE, SHPENZIMEVE GJYQËSORE DHE NGA DETYRIMI PËR PARAPAGIM TË TARIFAVE TË VËNIES NË EKZEKUTIM TË URDHRIT TË EKZEKUTIMIT

Neni 25

Përfituesit Personat, të cilët kanë të drejtën për të marrë ndihmë juridike dytësore, sipas neneve 11 ose 12, të këtij ligji, gëzojnë të drejtën për përjashtim nga:

a) pagimi i tarifave të përgjithshme dhe të veçanta, sipas përcaktimeve të ligjit për tarifat gjyqësore në Republikën e Shqipërisë;

b) pagimi i shpenzimeve gjyqësore (shpenzimet për dëshmitarët, ekspertët, përkthyesit dhe për këqyrjen e sendeve ose këqyrjen në vend), sipas përcaktimeve të legjislacionit procedural;

c) detyrimi për të parapaguar tarifën e vënies në ekzekutim të urdhrit të ekzekutimit pranë shërbimit përmbarimor gjyqësor shtetëror.

Neni 26

Kërkesa për përjashtim nga pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore

1. Përjashtimi nga pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore jepet në bazë të një kërkese që hartohet sipas formularit të kërkesës së miratuar nga Ministri i Drejtësisë.

2. Kërkesa për përjashtim nga pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore mund të paraqitet:

a) së bashku me kërkesën për ndihmë juridike dytësore;

b) bashkëlidhur kërkesëpadisë, në përputhje me parashikimet e legjislacionit procedural;

c) në çdo fazë të procesit, derisa nuk është deklaruar i mbyllur hetimi gjyqësor.

3. Në kërkesën për përjashtim nga pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore mund të kërkohet përjashtimi nga pagimi i një, disa ose të gjitha tarifave gjyqësore dhe/ose i shpenzimeve gjyqësore, sipas përcaktimeve të nenit 25 të këtij ligji.

4. Kërkesa për përjashtim nga pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore mund të paraqitet nga personi, i cili gëzon të drejtën për përjashtim nga pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore, nga një përfaqësues ligjor apo i pajisur me prokurë, ose nga bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja ose i afërm i shkallës së parë.

5. Kërkesa për përjashtim nga pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore mund të paraqitet personalisht ose nëpërmjet shërbimit postar.

Neni 27

Procedura e shqyrtimit të kërkesës

1. Kërkesa për përjashtim nga pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore paraqitet në gjykatën kompetente për shqyrtimin e çështjes në themel.

2. Gjykata shqyrton kërkesën në përputhje me parashikimet në legjislacionin procedural dhe, për aq sa është e mundur, me parashikimet e nenit 22 të këtij ligji.

3. Gjykata, në përputhje me parashikimet e këtij ligji dhe parashikimet në legjislacionin procedural, pas shqyrtimit të kërkesës vendos:

a) pranimin e kërkesës për përjashtimin nga pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore;

b) rrëzimin e kërkesës për përjashtimin nga pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore.

Kundër vendimit të gjykatës mund të bëhet ankim në gjykatën e apelit, sipas parashikimeve të nenit 22 të këtij ligji.

4. Vendimi i pranimit të kërkesës për përjashtim nga pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore i njoftohet menjëherë Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas.

Neni 28

Zbatimi i vendimit

1. Vendimi gjyqësor për përjashtimin nga pagimi i tarifave dhe shpenzimeve gjyqësore përbën titull ekzekutiv dhe ekzekutohet në përputhje me parashikimet e legjislacionit procedural.

2. Pagesa e shpenzimeve gjyqësore, për të cilat është vendosur përjashtimi, përballohet nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Drejtësisë dhe paguhet nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas.

3. Pagesat që kryhen nga Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas, sipas pikës 2, të këtij neni, nuk mund të tejkalojnë masën e shpërblimit për ekspertët dhe dëshmitarët në një proces gjyqësor, të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave.

4. Rregullat dhe procedurat e kryerjes së pagesave, sipas pikës 2, të këtij neni, përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Drejtësisë, pas marrjes së mendimit nga ministria përgjegjëse për financat.

Neni 29

E drejta për të mos parapaguar tarifën e vënies në ekzekutim të urdhrit të ekzekutimit Personat, të cilët kanë përfituar ndihmë juridike dytësore, sipas parashikimeve të këtij ligji, gëzojnë të drejtën për të mos parapaguar tarifën e vënies në ekzekutim të urdhrit të ekzekutimit pranë shërbimit përmbarimor gjyqësor shtetëror.

KREU VII RIMBURSIMI

Neni 30

Detyrimet e palës gjyqhumbëse në çështjet civile ose administrative

1. Kur pala që është përjashtuar nga pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore, sipas parashikimeve të këtij ligji, fiton me vendim gjyqësor të formës së prerë çështjen, për të cilën është dhënë ndihma juridike dytësore dhe/ose përjashtimi nga tarifat gjyqësore dhe shpenzimet gjyqësore, pala tjetër gjyqhumbëse, së cilës i ngarkohen pagimi i tarifave gjyqësore dhe shpenzimeve gjyqësore, sipas vendimit gjyqësor, detyrohet të kalojë këtë shumë menjëherë për llogari të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas.

2. Në rast se vendimi nuk ekzekutohet vullnetarisht, me kërkesë të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas, shërbimi përmbarimor gjyqësor fillon procedurat e ekzekutimit të detyrueshëm, sipas legjislacionit në fuqi.

Neni 31

Rastet e kthimit të përfitimeve

1. Në rast se një person, të cilit i është pranuar kërkesa për ndihmë juridike dytësore dhe/ose përjashtimin nga tarifat gjyqësore dhe shpenzimet gjyqësore, i kanë ndryshuar rrethanat në një mënyrë të tillë që nuk plotëson kriteret ligjore për të qenë subjekt përfitues i ndihmës juridike dytësore, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas i njofton përfituesit të ndihmës juridike detyrimin për kthimin vullnetar të shpenzimeve të kryera, shumën konkrete dhe afatin për përmbushjen e këtij detyrimi. Procedura, periodiciteti dhe rregullat e verifikimit të ndryshimit të rrethanave përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Drejtësisë.

2. Në rast të mosekzekutimit vullnetar të detyrimit për kthimin e shpenzimeve brenda afatit të caktuar, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas paraqet kërkesëpadi në gjykatë, duke kërkuar kthimin e shumës në përputhje me legjislacionin në fuqi.

3. Parashikimet e pikave 1 dhe 2, të këtij neni, do të zbatohen dhe në rastin kur personi, të cilit i është pranuar kërkesa për ndihmë juridike dytësore dhe/ose përjashtimi nga tarifat gjyqësore dhe shpenzimet gjyqësore ose avokati i caktuar:

a) nuk e ka paraqitur kërkesëpadinë në gjykatë, pas kalimit të një afati tremujor nga data kur vendimi i gjykatës për pranimin e kërkesës për ndihmë juridike dytësore ka marrë formë të prerë;

b) ka hequr dorë nga gjykimi i padisë, nga e drejta e padisë, nga ankimi dhe rekursi apo nga ekzekutimi i urdhrit të ekzekutimit.

Neni 32

Rimbursimi në rastin e dhënies së informacioneve të rreme ose të pavërteta

1. Kërkuesi që ka përfituar ndihmë juridike dytësore dhe/ose përjashtim nga tarifat gjyqësore dhe shpenzimet gjyqësore, duke paraqitur të dhëna të pavërteta ose të pasakta, është i detyruar të rimbursojë shpenzimet për avokatin që ka dhënë shërbimet e ndihmës juridike dytësore dhe/ose shpenzimet gjyqësore. Pavarësisht nga rimbursimi i këtyre shpenzimeve, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas bën kallëzim penal, kur konstaton se ka elemente të veprës penale.

2. Në rast se kërkesa për ndihmë juridike dytësore dhe/ose përjashtim nga tarifat gjyqësore dhe shpenzimet gjyqësore, që përmban informacione të rreme ose të pavërteta, është dorëzuar nga një person tjetër i ndryshëm nga personi të cilit i është pranuar kërkesa për ndihmë juridike dytësore dhe/ose përjashtimi nga tarifat gjyqësore dhe shpenzimet gjyqësore, dorëzuesi dhe përfituesi janë solidarisht përgjegjës për rimbursimin e shpenzimeve të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni.

3. Rimbursimi i shpenzimeve, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij neni, bëhet sipas kërkesës së Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas. Në rast të mosekzekutimit vullnetar, Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas paraqet kërkesëpadi në gjykatë, duke kërkuar kthimin e shumës në përputhje me legjislacionin në fuqi.

KREU VIII DISPOZITA TË FUNDIT DHE KALIMTARE

Neni 33

Buxheti

1. Shpenzimet për ndihmën juridike të garantuar nga shteti, në të gjitha format e saj, mbulohen nga buxheti i shtetit dhe nga burime të tjera të ligjshme.

2. Fondet për ndihmën juridike të garantuar nga shteti përbëjnë zë të veçantë në buxhetin e Ministrisë së Drejtësisë.

Neni 34

Akte nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore në zbatim të nenit 15, pikat 1 dhe 3, dhe nenit 28, pika 3, të këtij ligji.

2. Ngarkohet Ministri i Drejtësisë që, brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojë aktet nënligjore në zbatim të nenit 7, shkronjat “d”, “e”, “ë”, “f”, “gj” dhe “i”; nenit 17, pika 2; nenit 19, pika 4; nenit 28, pika 4, dhe nenit 31, pika 1, të këtij ligji.

3. Ngarkohet Ministri i Drejtësisë dhe Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë që, brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojnë aktin nënligjor në zbatim të nenit 9, shkronja “b”, të këtij ligji.

4. Ngarkohet titullari i Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas dhe Kryetari i Dhomës Kombëtare të Avokatisë që, brenda një muaji nga krijimi i Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas, të miratojnë aktin nënligjor në zbatim të nenit 9, shkronja “a”, të këtij ligji.

5. Ngarkohet Ministri i Drejtësisë dhe ministri përgjegjës për financat që, brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të miratojnë aktin nënligjor në zbatim të nenit 7, shkronja “g”, të këtij ligji.

6. Ngarkohet Këshilli i Lartë i Prokurorisë që, brenda 3 muajve nga krijimi, të miratojë aktet nënligjore në zbatim të nenit 21, pikat 6 dhe 7, të këtij ligji.

7.

Aktet nënligjore të miratuara në zbatimit të këtij ligji publikohen edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë, si dhe me anë të mjeteve të tjera të përshtatshme.

Neni 35

Publikime Formularët e paraqitjes së kërkesave dhe vetëdeklarimit, të parashikuara nga

Neni 36

Dispozitë kalimtare

1. Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike pushon së ekzistuari me ngritjen e Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas.

2. Drejtoria e Ndihmës Juridike Falas ngrihet brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

3. Qendrat e shërbimit të ndihmës juridike parësore ngrihen brenda tre muajve nga krijimi i Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas.

4. Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike përfundon shqyrtimin e të gjithë kërkesave të paraqitura për ndihmë juridike brenda datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji, sipas parashikimeve të ligjit nr. 10039, datë 22.12.2008 “Për ndihmën juridike”.

5. Kërkesat për ndihmë juridike dytësore, që janë paraqitur përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që nuk janë shqyrtuar nga Komisioni Shtetëror për Ndihmën Juridike, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, trajtohen sipas rregullave të parashikuara nga ky ligj.

6. Për nëpunësit civilë ekzistues të sekretariatit të Komisionit Shtetëror për Ndihmën Juridike zbatohen dispozitat e legjislacionit në fuqi për nëpunësin civil në rastin e mbylljes dhe ristrukturimit të institucionit.

7. Punonjësit administrativë të Komisionit Shtetëror për Ndihmën Juridike trajtohen sipas dispozitave të Kodit të Punës.

8. Të gjitha të drejtat, detyrimet, qendrat ekzistuese të shërbimit të ndihmës juridike, buxheti, si dhe dokumentacioni administrativ dhe financiar i Komisionit Shtetëror për Ndihmën Juridike, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, i kalojnë dhe administrohen nga aparati i Ministrisë së Drejtësisë.

9. Deri në krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë detyrat e parashikuara nga ky ligj për këtë organ kryhen nga Ministri i Drejtësisë.

10. Aktet nënligjore, të nxjerra në zbatim të ligjit nr. 10039, datë 22.12.2008, “Për ndihmën juridike”, të ndryshuar, mbeten në fuqi deri në miratimin e akteve të reja nënligjore, në zbatimi të këtij ligji, për sa kohë nuk bien në kundërshtim me parashikimet e këtij ligji.

Neni 37

Shfuqizime Ligji nr. 10039, datë 22.12.2008, “Për ndihmën juridike”, i ndryshuar, shfuqizohet.

Neni 38

Hyrja në fuqi Ky ligj hyn në fuqi më 1 qershor 2018.

KRYETARI Gramoz Ruçi Miratuar në datën 14.12.2017

Pyet Juristi.im për këtë ligj