Juristi.im

Legjislacion në fuqi

Ligji nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”

Teksti i përditësuar siç e mban Qendra e Botimeve Zyrtare. Për përdorim zyrtar verifikoni versionin në fuqi në QBZ.

Burimi zyrtar: Qendra e Botimeve Zyrtare (QBZ) ↗ · Ndryshimi i fundit i përfshirë: 21.9.2023 · 28 nene

Përmbajtja: 28 nene
  1. Neni 1
  2. Neni 2
  3. Neni 3
  4. Neni 4
  5. Neni 5
  6. Neni 6
  7. Neni 7
  8. Neni 8
  9. Neni 9
  10. Neni 10
  11. Neni 11
  12. Neni 12
  13. Neni 13
  14. Neni 14
  15. Neni 15
  16. Neni 16
  17. Neni 17
  18. Neni 18
  19. Neni 19
  20. Neni 20
  21. Neni 21
  22. Neni 22
  23. Neni 23
  24. Neni 24
  25. Neni 25
  26. Neni 26
  27. Neni 27
  28. Neni 28

LIGJ1 Nr. 119/2014 PËR TË DREJTËN E INFORMIMIT (Ndryshuar me ligjin nr. 78/ 2023, datë 21.9.2023) ( i përditësuar) Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:

KREU I DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Objekti dhe qëllimi

1. Ky ligj rregullon të drejtën e njohjes me informacionin që prodhohet ose mbahet nga autoritetet publike.

2. Rregullat e parashikuara në këtë ligj kanë për qëllim garantimin e njohjes së publikut me informacion, në kuadër të ushtrimit të të drejtave dhe lirive të individit në praktikë, si dhe të formimit të pikëpamjeve për gjendjen e shtetit e të shoqërisë.

3. Ky ligj ka për qëllim edhe nxitjen e integritetit, të transparencës e të përgjegjshmërisë së autoriteteve publike.

Neni 2

Përkufizime (ndryshuar togfjalëshi në shkronjën a) të pikës 1; shtuar pikat 1/1 dhe 1/2; shtuar pika 3/1 ;

ndryshuar togfjalëshi i pikës 4; ndryshuar pika 6 me Ligjin nr.78/2023, datë 21.9.2023) Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. “Autoritet publik”:

a) është çdo organ publik, sipas përkufizimit të dhënë në ligjin nr. 44/2015, ‘Kodi i Procedurave Administrative’, organet ligjvënëse, gjyqësore dhe ato të prokurorisë së çdo niveli, organet e njësive të qeverisjes vendore të çdo niveli, organet shtetërore dhe entet publike, të krijuara me Kushtetutë ose me ligj;

b) janë shoqëritë tregtare ku:

i) shteti zotëron shumicën e aksioneve;

ii) ushtrohen funksione publike, sipas parashikimit të shkronjës “c” të kësaj pike;

c) çdo person fizik ose juridik, të cilit i është dhënë me ligj, akt nënligjor ose çdo lloj forme Ligji 78/2023, datë 21.9.2023 është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 152, datë 20.10.2023 tjetër, të parashikuar nga legjislacioni në fuqi, e drejta e ushtrimit të funksioneve publike.

1/1. “E drejta e autorit” ka të njëjtin kuptim me atë të dhënë në ligjin nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, të ndryshuar.

1/2. “Patentë” ka të njëjtin kuptim me atë të dhënë në ligjin nr. 9947, datë 7.7.2008, “Për pronësinë industriale”, të ndryshuar.

2. “Informacion publik” është çdo e dhënë e regjistruar në çfarëdo lloj forme dhe formati, gjatë ushtrimit të funksionit publik, pavarësisht nëse është përpiluar ose jo nga autoriteti publik.

3. “Person” është çdo person fizik ose juridik, vendas ose i huaj, si dhe personat pa shtetësi.

3/1 “Sekret tregtar” ka të njëjtin kuptim me atë të dhënë në ligjin nr. 9947, datë 7.7.2008, “Për pronësinë industriale”, të ndryshuar.

4. “Të dhëna personale” ka të njëjtin kuptim me atë të dhënë në ligjin nr. 9887, datë 10.3.2008, ‘’Për mbrojtjen e të dhënave personale”, të ndryshuar.

5. “Programe transparence” është tërësia e informacionit dhe mënyrat e bërjes publike të tij nga autoriteti publik, sipas përcaktimeve të neneve 4 dhe 7 të këtij ligji.

6. “Koordinator për të drejtën e informimit” është nëpunësi i autoritetit publik që ushtron kompetencat sipas përcaktimeve të këtij ligji, me qëllim bashkërendimin e punës për garantimin e së drejtës së informimit.

KREU II E DREJTA E INFORMIMIT DHE TRANSPARENCA

Neni 3

E drejta e informimit

1. Çdo person gëzon të drejtën e njohjes me informacionin publik, pa u detyruar të shpjegojë motivet.

2. Autoriteti publik është i detyruar të informojë kërkuesin nëse ka ose jo në zotërim informacionin e kërkuar.

3. Çdo person ka të drejtë të njihet me informacionin publik, nëpërmjet dokumentit origjinal ose duke marrë një kopje të tij në formën ose formatin që mundëson akses të plotë në përmbajtjen e dokumentit.

4. Informacioni publik që i është dhënë një personi, nuk mund t’i refuzohet asnjë personi tjetër që e kërkon atë, me përjashtim të rastit kur informacioni përmban të dhëna personale të subjektit, në përputhje me nenin 17 të këtij ligji.

Neni 4

Përgatitja dhe miratimi i programeve të transparencës (shtuar pika 3 me ligjin nr. 78/2023, datë 21.9.2023)

1. Autoriteti publik, jo më vonë se 6 muaj nga hyrja në fuqi e këtij ligji ose nga krijimi i tij, vë në zbatim një program institucional të transparencës, ku përcaktohen kategoritë e informacionit që bëhet publik pa kërkesë dhe mënyra e bërjes publike të këtij informacioni.

2. Në përgatitjen e projektprogramit të transparencës, autoriteti publik mban parasysh interesin më të mirë të publikut dhe sidomos:

a) garantimin e njohjes maksimale me informacionin publik;

b) vënien në dispozicion pa kërkesë të sa më shumë informacioneve, në mënyrë që të pakësohet nevoja për kërkesa individuale për informacion;

c) modelet e miratuara për kategorinë e autoritetit publik nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, sipas nenit 6 të këtij ligji.

3. Programi i transparencës bëhet publik në faqen zyrtare në internet të autoritetit publik.

Neni 5

Rishikimi i programit të transparencës

1. Rishikimi i programit të transparencës bëhet sipas së njëjtës procedurë, përmes së cilës është bërë miratimi i tij.

2. Afatet për rishikimin e programit të transparencës mund të ndryshojnë në varësi të natyrës së çdo autoriteti publik, por, në asnjë rast, nuk mund të jenë më të gjata se 5 vjet.

Neni 6

Programet model të transparencës (ndryshuar togfjalësh me ligjin nr. 78/2023, datë 21.9.2023) Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale miraton dhe shpërndan modele të programeve të transparencës për kategori të ndryshme të autoriteteve publike, në përputhje me ligjin nr. 9887, datë 10.3.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, të ndryshuar, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Neni 7

Kategoritë e informacionit që bëhet publik pa kërkesë (ndryshuar togfjalësh në shkronjën c) të pikës 1; ndryshohen togfjalësha në shkronjën ë) të pikës 1; shtuar pika 4 me ligjin nr. 78/2023, datë 21.9.2023)

1. Në përputhje me programin e transpa-rencës së miratuar për çdo autoritet publik, këto të fundit përgatitin paraprakisht, në formate lehtësisht të kuptueshme dhe të aksesueshme, si dhe vënë në dispozicion të publikut në faqen e tyre në internet kategoritë e mëposhtme të informacionit:

a) një përshkrim të strukturës organizative, funksioneve dhe detyrave të autoritetit publik;

b) tekstet e plota:

i) të konventave që janë ratifikuar nga Republika e Shqipërisë;

ii) të ligjeve;

iii) të akteve nënligjore;

iv) të kodeve të sjelljes;

v) të çdo dokumenti politikash;

vi) të manualit ose ndonjë dokument tjetër që ka lidhje me ushtrimin e funksioneve të autoritetit publik dhe që prek publikun e gjerë;

c) informacion për procedurat që duhen ndjekur për të bërë një kërkesë për informim, adresën postare dhe elektronike për depozitimin e kërkesave për informim, si dhe procedurat e ushtrimit të mjeteve ligjore administrative;

ç) të dhëna për vendndodhjen e zyrave të autoritetit publik, orarin e punës, emrin dhe kontaktet e koordinatorit për të drejtën e informimit;

d) të dhëna për arsimin, kualifikimet dhe pagat e funksionarëve, të cilët kanë detyrimin për deklarimin e pasurisë, sipas ligjit, strukturat e pagave për nëpunësit e tjerë, si dhe një përshkrim të procedurave të zgjedhjes, kompetencave dhe detyrave të funksionarëve të lartë të autoritetit publik dhe procedurën që ata ndjekin për të marrë vendime;

dh) mekanizmat monitorues dhe të kontrollit që veprojnë mbi autoritetin publik, përfshirë planet strategjike të punës, raportet e auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ose subjekte të tjera, si dhe dokumentet që përmbajnë tregues të performancës së autoritetit;

e) të dhëna për buxhetin dhe planin e shpenzimeve për vitin financiar në vijim dhe vitet e kaluara, si dhe çdo raport vjetor për zbatimin e buxhetit. Në ato raste kur autoriteti publik vetëfinancohet nga tarifat e licencave ose çdo formë tjetër e financimit të drejtpërdrejtë nga subjektet e rregulluara prej tij, bëhen publike edhe dokumentet që tregojnë gjendjen e shlyerjes së detyrimeve nga subjektet e licencuara;

ë) informacion për procedurat e prokurimit apo procedurat konkurruese të koncesionit /partneritetit publik privat, përkatësisht, sipas parashikimeve të ligjit nr. 162, datë 23.12.2020, “Për prokurimin publik”, dhe të ligjit nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat” të ndryshuar, që kryhen për llogari të autoritetit publik, duke përfshirë:

i) listën e kontratave të lidhura;

ii) shumën e kontraktuar;

iii) palët kontraktuese dhe përshkrimin e shërbimeve apo mallrave të kontraktuara;

iv) informacionin për zbatimin dhe monitorimin e kontratave, si dhe udhëzues e politika të ndryshme;

f) informacion për shërbimet që autoriteti publik i jep publikut, përfshirë standardet për cilësinë e shërbimit;

g) çdo mekanizëm dhe procedurë për bërjen e kërkesave dhe ankesave, në lidhje me veprimet ose mosveprimet e autoritetit publik;

gj) çdo mekanizëm apo procedurë, përmes së cilës personat e interesuar mund të paraqesin mendimet e tyre apo të ndikojnë në çfarëdo mënyre tjetër në hartimin e ligjeve, të politikave publike apo ushtrimin e funksioneve të autoritetit publik;

h) një përshkrim të thjeshtë të sistemit që përdor autoriteti publik për mbajtjen e dokumentacionit, të llojeve, formave të dokumenteve, si dhe të kategorive të informacionit që bëhet publik pa kërkesë;

i) regjistri i kërkesave dhe përgjigjeve, sipas nenit 8 të këtij ligji;

j) një përshkrim të kategorive dhe formave të ndihmës shoqërore, subvencioneve të dhëna nga autoriteti publik dhe të procedurave për t’i përfituar ato;

k) informacione dhe dokumente që kërkohen shpesh;

l) çdo informacion tjetër që gjykohet i dobishëm nga autoriteti publik.

2. Autoriteti publik, gjithashtu, krijon dhe arkivon një kopje digjitale të faqes zyrtare të tij në internet, të plotësuar me informacionin që kërkohet në programin e miratuar të transparencës, si dhe për metodat, mekanizmat dhe periodicitetin e publikimit të informacioneve publike, të cilat vihen në dispozicion të publikut pa kërkesë.

3. Aktet që përmbajnë rregulla, norma apo kufizime të të drejtave dhe lirive themelore të individit, si dhe me efekt të drejtpërdrejtë për ta bëhen publike me anë të afishimit apo postimit në faqen zyrtare të internetit, brenda 48 orëve prej miratimit të aktit nga autoritetet publike.

4. Informacioni sipas pikës 1 të këtij neni publikohet i përditësuar në çdo rast që pëson ndryshime, duke shënuar edhe datën e përditësimit të fundit, sipas mënyrës së përcaktuar nga Komisioneri.

Neni 8

Regjistri i kërkesave dhe përgjigjeve (ndryshuar togfjalësh me ligjin nr. 78/2023, datë 21.9.2023)

1. Autoriteti publik krijon, mban dhe bën publik një regjistër të posaçëm, ku pasqyrohen të gjitha kërkesat për informim dhe informacionet e dhëna në përgjigje të tyre. Ky regjistër përditësohet jo më pak se 1 (një) herë në muaj dhe publikohet në faqen e internetit të autoritetit publik, si dhe në mjediset e pritjes së publikut në zyrat e autoritetit publik. Identiteti i kërkuesve të informacionit nuk pasqyrohet në regjistër.

2. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale vendos standarde për formatin dhe përmbajtjen e regjistrit.

Neni 9

Informacioni i dhënë më parë

1. Autoriteti publik bën të mundur që informacioni, i cili i është dhënë të paktën një herë një kërkuesi, të bëhet i disponueshëm në mënyrën më praktike të mundshme për të gjithë personat e tjerë që mund ta kërkojnë në të ardhmen.

2. Kërkesat për informim për informacione të regjistruara në Regjistrin e Kërkesave dhe Përgjigjeve plotësohen jo më vonë se 3 ditë pune nga momenti i paraqitjes së kërkesës.

Neni 9/1 Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (shtuar me ligjin nr. 78/2023, datë 21.9.2023)

1. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (“Komisioneri”) është autoriteti i pavarur përgjegjës për shqyrtimin e ankesave, monitorimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji.

2. Komisioneri ushtron kompetencat e mëposhtme:

a) shqyrton ankesat e personave të cilët pretendojnë se u janë shkelur të drejtat e tyre të parashikuara në këtë ligj;

b) shqyrton ankesat e personave në lidhje me funksionimin e programeve të transparencës në autoritetet publike;

c) kryen hetim administrativ kryesisht ose me ankesë gjatë ushtrimit të kompetencave të tij;

ç) njihet dhe ka akses në informacionin dhe dokumentet, objekt ankimi, sipas këtij ligji apo që lidhen me çështjen në shqyrtim, duke përfshirë edhe informacionet e klasifikuara. Në këto raste, ai është i detyruar të zbatojë masat për ruajtjen e informacionit të klasifikuar sipas ligjit nr.

10/2023, “Për informacionin e klasifikuar”;

d) ka të drejtën t’i kërkojë autoritetit të klasifikimit deklasifikimin e një informacioni të klasifikuar kur çmon që publikimi i tij diktohet nga interesa më të rëndësishme shtetërore sesa nevoja për ta mbajtur atë të klasifikuar, në përputhje me ligjin nr. 10/2023, “Për informacionin e klasifikuar”. Për njohjen me informacionin e klasifikuar të NATO-s ose BE-së zbatohen rregullat për deklasifikimin e informacionit të klasifikuar të NATO-s dhe BE-së;

dh) vendos sanksione administrative sipas parashikimeve të këtij ligji;

e) nxit transparencën e autoriteteve publike, veçanërisht duke sensibilizuar dhe informuar për çështje të së drejtës së informimit;

ë) kryen sondazhe mbi baza vjetore në lidhje me çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me të drejtën e informimit;

f) bën rekomandime për autoritetet publike lidhur me konceptimin dhe zbatimin e programeve institucionale të transparencës;

g) me kërkesë të gjykatës që shqyrton çështjen, parashtron mendim me shkrim për çfarëdolloj çështjeje që lidhet me të drejtën e informimit;

gj) kryen trajnime të nevojshme dhe të vazhdueshme të koordinatorëve për të drejtën e informimit, të punonjësve të autoriteteve publike, si dhe grupeve të interesit;

h) kur arrin në përfundimin se janë shkelur dispozitat e këtij ligji, njofton autoritetin publik për rezultatet e hetimit administrativ dhe, sipas rastit, propozon marrjen e masave disiplinore ndaj nëpunësit përgjegjës.

3. Vendimet e Komisionerit publikohen në faqen zyrtare të internetit të zyrës së Komisionerit.

Neni 10

Kompetencat e koordinatorit për të drejtën e informimit (ndryshuar pika 1; shtuar pikat 3, 4, 5 dhe 6 me ligjin nr. 78/2023, datë 21.9.2023)

1. Titullari i autoritetit publik cakton një prej nëpunësve si koordinator për të drejtën e informimit. Menjëherë pas caktimit ose ndryshimit të koordinatorit për të drejtën e informimit, titullari i autoritetit publik i njofton Komisionerit emrin dhe kontaktet e nëpunësit.

2. Koordinatori për të drejtën e informimit ushtron kompetencat e mëposhtme:

a) i mundëson çdo kërkuesi të drejtën për t’u njohur me informacionin publik, sipas këtij ligji, duke u konsultuar me dokumentin origjinal ose duke marrë një kopje të tij;

b) krijon, mban, publikon dhe përditëson regjistrin e kërkesave dhe përgjigjeve brenda afatit të parashikuar në pikën 1, të nenit 8, të këtij ligji;

c) bashkërendon punën për plotësimin e kërkesave për informacione brenda afateve dhe sipas mënyrës së parashikuar në këtë ligj;

ç) regjistron kërkesat për informacion dhe cakton një numër rendor për secilën prej tyre;

d) dërgon kërkesën për informim te një autoritet tjetër publik, brenda afateve të parashikuara në këtë ligj, kur rezulton se autoriteti publik ku është depozituar kërkesa nuk e zotëron informacionin e kërkuar;

dh) verifikon rastet për dhënien falas të informacionit qytetarëve, sipas parashikimit të pikës 5, të nenit 13, të këtij ligji;

e) kryen njoftimet paraprake, sipas neneve 14 dhe 15, të këtij ligji, si dhe komunikon me kërkuesin, sipas nevojës për trajtimin e kërkesës për informacion publik.

3. Gjatë zhvillimit të procedurës disiplinore ndaj nëpunësit të caktuar si koordinator për të drejtën e informimit për shkelje të dispozitave të këtij ligji, autoriteti publik kërkon mendimin e Komisionerit për çështjen. Në vendimin përfundimtar autoriteti publik arsyeton edhe për pranimin ose refuzimin e mendimit të Komisionerit.

4. Nëpunësi i caktuar sipas pikës 1 të këtij neni, përveç pagës mujore të pozicionit në të cilin është emëruar, përfiton edhe një shtesë për natyrë të veçantë pune për punën e tij si koordinator për të drejtën e informimit. Shtesa për natyrë të veçantë pune përfitohet vetëm gjatë kohës që nëpunësi kryen edhe detyrat shtesë si koordinator për të drejtën e informimit.

5. Këshilli i Ministrave përcakton me vendim masën e shtesës për natyrë të veçantë pune dhe kriteret për përcaktimin e saj për koordinatorët e autoriteteve publike, struktura dhe niveli i pagave të nëpunësve të të cilëve përcaktohen nga Këshilli i Ministrave, sipas legjislacionit në fuqi.

6. Shtesa sipas pikës 4 të këtij neni për koordinatorët e autoriteteve publike, struktura dhe niveli i pagave të nëpunësve të të cilëve nuk përcaktohet nga Këshilli i Ministrave, përcaktohet nga organi që sipas legjislacionit në fuqi përcakton strukturën dhe nivelin e pagave për nëpunësit e atyre autoriteteve.

KREU III NJOHJA ME INFORMACIONIN PUBLIK

Neni 11

Kërkesa për informim (shtuar pika 6 me ligjin nr. 78/2023, datë 21.9.2023)

1. Kërkesa për informim bëhet me shkrim dhe dërgohet dorazi, me postë ose me postë elektronike, duke paraqitur saktë identitetin e kërkuesit dhe nënshkrimin e tij. Në çdo rast, kërkesa regjistrohet në Regjistrin e Kërkesave dhe Përgjigjeve, të parashikuar në nenin 8 të këtij ligji.

2. Në çdo rast, kërkesa për informim regjistrohet dhe për të caktohet një numër rendor.

Numri rendor, së bashku me të dhënat e kontaktit të koordinatorit për të drejtën e informimit, i jepen kërkuesit që ka bërë kërkesën për informim.

3. Kërkesat për informim regjistrohen sipas radhës së paraqitjes dhe trajtohen pa dallime mes tyre.

4. Kërkesa për informim duhet të përmbajë:

a) emrin dhe mbiemrin e kërkuesit;

b) adresën postare ose elektronike ku kërkohet të dërgohet informacioni;

c) përshkrimin e informacionit që kërkohet;

ç) formatin në të cilin preferohet informa-cioni;

d) çdo të dhënë që kërkuesi gjykon se mund të ndihmojë në identifikimin e informacionit të kërkuar.

5. Në qoftë se kërkesa për informim nuk e përcakton formatin në të cilin kërkohet informacioni, ai jepet në mënyrën më të efektshme dhe me koston më të ulët për autoritetin publik.

6. Përjashtimisht, kërkesat për njohjen me informacionin arkivor të ruajtur në arkivat e përhershëm trajtohen në përputhje me ligjin nr. 9154, datë 6.11.2003, “Për arkivat”.

Neni 12

Saktësimi dhe trajtimi i kërkesës për informim

1. Në rastet kur autoriteti publik, të cilit i drejtohet kërkesa për informim, është i paqartë në lidhje me përmbajtjen dhe natyrën e kërkesës, ai kontakton menjëherë, por gjithnjë jo më vonë se 48 orë nga data e paraqitjes së kërkesës, me kërkuesin për të bërë sqarimet e nevojshme. Në çdo rast, autoriteti publik ndihmon kërkuesin në saktësimin e kërkesës.

2. Në qoftë se pas shqyrtimit të kërkesës autoriteti publik konstaton se nuk e zotëron informacionin e kërkuar, ai, jo më vonë se 10 ditë kalendarike nga data e dorëzimit të kërkesës, ia dërgon atë autoritetit kompetent, duke e vënë në dijeni edhe kërkuesin. Arsyeja e vetme që justifikon dërgimin e kërkesës një autoriteti tjetër është mungesa e informacionit të kërkuar.

3. Autoriteti publik, të cilit i është drejtuar kërkesa për informim, njofton kërkuesin se kërkesa e tij i është dërguar një autoriteti tjetër, si dhe e informon atë për kontaktet e autoritetit ku është dërguar kërkesa.

Neni 13

Kostoja e shërbimit (ndryshuar togfjalësh në pikën 4 me ligjin nr. 78/2023, datë 21.9.2023)

1. Shërbimet e administratës publike janë pa pagesë. Dhënia e informacionit mund të bëhet kundrejt një tarife, të përcaktuar më parë dhe të bërë publike nga autoriteti publik në faqen e tij të internetit dhe në mjediset e pritjes së publikut. Tarifa është kostoja e riprodhimit të informacionit të kërkuar dhe, kur është rasti, e dërgimit të tij. Informacioni i kërkuar në rrugë elektronike jepet falas.

2. Kostoja e riprodhimit nuk mund të jetë më e lartë se kostoja reale e materialit, mbi të cilin riprodhohet informacioni. Kostoja e dërgimit nuk mund të jetë më e lartë se kostoja mesatare e të njëjtit shërbim në treg.

3. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale shqyrton periodikisht, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, tarifat e bëra publike nga autoritetet publike dhe, sipas rastit, urdhëron ndryshimin e tyre.

4. Qytetarët e regjistruar rregullisht në skemat e ndihmës shoqërore, si dhe subjektet përfituese, sipas ligjit nr. 111/2017, “Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti” e përfitojnë informacionin falas deri në një numër të caktuar faqesh për çdo kërkesë ose në vlerën ekuivalente kur informacioni jepet në një format tjetër.

5. Ministri i Drejtësisë dhe Ministri i Financave me udhëzim të përbashkët përcaktojnë numrin e faqeve, për të cilat informacioni përfitohet falas, sipas pikës 4, të këtij neni, si dhe rastet e përjashtimit nga pagesa e tarifës.

Neni 14

Mënyrat e dhënies së informacionit

1. Të gjitha kërkesat për informacion trajtohen, si rregull, nëpërmjet konsultimit pa pagesë të informacionit në mjediset e autoritetit publik, nëpërmjet portalit unik qeveritar e-albania.al apo, kur është rasti, nëpërmjet faqes zyrtare të autoritetit publik në internet.

2. Kërkesat, që lidhen me dokumente të shkruara, trajtohen duke vënë në dispozicion të kërkuesit:

a) një kopje të plotë, në format të njëjtë me atë të përdorur nga autoriteti publik, përveç rasteve të veçanta;

b) një kopje të plotë të informacionit nëpërmjet postës elektronike, kur informacioni gjendet në një formë të tillë ose mund të konvertohet.

3. Lidhur me kërkesat që lidhen me forma të tjera, informacioni jepet në mënyrën më të efektshme dhe me koston më të ulët për autoritetin publik.

4. Në çdo rast, vendimi i refuzimit për formën e kërkuar jepet me shkrim dhe i arsyetuar.

Neni 15

Afati për marrjen e informacionit (ndryshuar togfjalësh në pikën 5 me ligjin nr. 78/2023, datë 21.9.2023)

1. Autoriteti publik trajton kërkesën për informim, duke parashtruar informacionin e kërkuar sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo më vonë se 10 ditë pune nga dita e dorëzimit të saj, përveç rasteve kur ligji i posaçëm parashikon ndryshe.

2. Kur autoriteti publik që merr kërkesën për informim ia dërgon atë një autoriteti tjetër, ai kthen përgjigje jo më vonë se 15 ditë pune nga dita e mbërritjes së kërkesës në autoritetin e parë.

3. Afati i parashikuar në pikat 1 dhe 2, të këtij neni, mund të zgjatet me jo më shumë se 5 ditë pune për një nga shkaqet e mëposhtme:

a) nevoja për të kërkuar dhe shqyrtuar dokumente të shumta e voluminoze;

b) nevoja për t’i shtrirë kërkimet në zyra dhe mjedise që janë fizikisht të ndara nga zyra qendrore e autoritetit;

c) nevoja për t’u konsultuar me autoritete të tjera publike përpara marrjes së një vendimi për plotësimin ose jo të kërkesës.

Vendimi për zgjatjen e afatit i njoftohet menjëherë kërkuesit.

4. Në çdo rast, mostrajtimi i kërkesës për informim brenda afateve të sipërpërmendura do të konsiderohet refuzim.

5. Dispozitat e këtij neni zbatohen edhe për njohjen me informacionin arkivor të ruajtur në arkivat në veprim.

Neni 16

Njoftime paraprake për kërkuesin

1. Në qoftë se autoriteti konstaton se trajtimi i një kërkese për informim ka kosto të lartë ose se trajtimi i saj kërkon më shumë kohë se afati i parashikuar në pikën 1, të nenit 15, të këtij ligji, autoriteti publik njofton menjëherë për këtë kërkuesin dhe i propozon mundësinë e ndryshimit të kërkesës së tij.

2. Kur informacioni kërkohet në format elektronik dhe ai gjendet në internet, autoriteti publik i tregon menjëherë kërkuesit adresën e saktë të faqes se ku mund të gjendet informacioni.

Kur informacioni nuk kërkohet në format elektronik, autoriteti publik nuk mund t’i përgjigjet kërkesës, duke i treguar kërkuesit adresën e saktë të faqes ku informacioni gjendet në formë elektronike.

3. Pas marrjes së kërkesës për informim, autoriteti publik llogarit shumën që duhet paguar për riprodhimin dhe, sipas rastit, për dërgimin e informacionit dhe njofton menjëherë kërkuesin.

Rregullat për mënyrën e kryerjes së pagesës përcaktohen me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe Ministrit të Financave.

KREU IV KUFIZIMI I SË DREJTËS PËR INFORMIM

Neni 17

Kufizime (ndryshuar fjalë në fjalinë e parë të pikës 5 ; ndryshuar togfjalësh në fjalinë e dytë të pikës 5 me ligjin nr. 78/2023, datë 21.9.2023)

1. E drejta e informimit mund të kufizohet në rast se është e domosdoshme, proporcionale dhe nëse dhënia e informacionit dëmton interesat e mëposhtëm:

a) të drejtën për një jetë private;

b) sekretin tregtar;

c) të drejtën e autorit;

ç) patentat.

Kufizimi i së drejtës së informimit, për shkak të interesave të parashikuar në shkronjat “a”, “b”, “c” dhe “ç”, të kësaj pike, nuk zbatohet kur titullari i këtyre të drejtave ka dhënë vetë pëlqimin për dhënien e informacionit përkatës ose kur në momentin e dhënies së informacionit ai është konsideruar autoritet publik në bazë të parashikimeve të këtij ligji. Pavarësisht nga sa parashikohet në këtë pikë, informacioni i kërkuar nuk refuzohet në rast se ekziston një interes publik më i lartë për dhënien e tij.

2. E drejta e informimit kufizohet në rast se është e domosdoshme, proporcionale dhe nëse dhënia e informacionit shkakton një dëm të qartë dhe të rëndë ndaj interesave të mëposhtëm:

a) sigurinë kombëtare, sipas përkufizimit të bërë nga legjislacioni për informacionin e klasifikuar;

b) parandalimin, hetimin dhe ndjekjen e veprave penale;

c) mbarëvajtjen e hetimit administrativ në kuadër të një procedimi disiplinor;

ç) mbarëvajtjen e procedurave të inspektimit dhe auditimit të autoriteteve publike;

d) formulimin e politikave monetare dhe fiskale të shtetit;

dh) barazinë e palëve në një proces gjyqësor dhe mbarëvajtjen e procesit gjyqësor;

e) këshillimin dhe diskutimin paraprak brenda ose midis autoriteteve publike për zhvillimin e politikave publike;

ë) mbarëvajtjen e marrëdhënieve ndërko-mbëtare ose ndërqeveritare.

Pavarësisht nga sa parashikohet në paragrafin e parë, të pikës 2, të këtij neni, informacioni i kërkuar nuk refuzohet në rast se ekziston një interes publik më i lartë për dhënien e tij.

Kufizimi mbi të drejtën e informimit, për shkak të interesit të parashikuar në pikën 2, shkronjat “c” dhe “ç”, të këtij neni, nuk zbatohet kur hetimi administrativ, në kuadër të një procedimi disiplinor, dhe procedurat e inspektimit e të auditimit të autoriteteve publike kanë përfunduar.

Kufizimi mbi të drejtën e informimit, për shkak të interesit të parashikuar në pikën 2, shkronjat “d” dhe “dh”, të këtij neni, nuk zbatohet kur të dhënat përkatëse janë fakte, analiza të fakteve, të dhëna teknike ose të dhëna statistikore.

Kufizimi mbi të drejtën e informimit, për shkak të interesit të parashikuar në pikën 2, shkronja “e”, të këtij neni, nuk zbatohet pasi politikat janë bërë publike.

3. E drejta e informimit kufizohet, nëse është e domosdoshme, proporcionale dhe në qoftë se përhapja e informacionit do të shkelte sekretin profesional të garantuar nga ligji.

4. E drejta e informimit kufizohet edhe kur, pavarësisht nga ndihma e dhënë nga autoriteti publik, kërkesa mbetet e paqartë dhe bëhet i pamundur identifikimi i informacionit të kërkuar.

5. E drejta e informimit nuk kufizohet automatikisht kur informacioni i kërkuar gjendet në dokumente të klasifikuara “sekret shtetëror”. Në këtë rast, autoriteti publik, të cilit i është dërguar kërkesa për informim, fillon menjëherë procedurën e rishikimit të klasifikimit pranë autoritetit publik që ka urdhëruar klasifikimin, sipas ligjit nr. 10/2023, “Për informacionin e klasifikuar”.

. Autoriteti publik njofton menjëherë kërkuesin për fillimin e procedurës për rishikimin e klasifikimit, sipas ligjit, dhe vendos shtyrjen e afatit për dhënien e informacionit brenda 30 ditëve pune. Në çdo rast, vendimi për trajtimin ose jo të kërkesës për informim merret dhe arsyetohet në bazë të kritereve të këtij neni.

6. Nëse kufizimi prek vetëm një pjesë të informacionit të kërkuar, pjesa tjetër nuk i refuzohet kërkuesit. Autoriteti publik tregon qartë pjesët e dokumentacionit përkatës që janë refuzuar, si dhe në bazë të cilës pikë të këtij neni është bërë ky refuzim.

7. Dispozitat e këtij neni zbatohen edhe për njohjen me informacionin arkivor të çdo lloji, pavarësisht nga parashikimet e ligjit për arkivat.

KREU V SHKELJET DHE SANKSIONET ADMINISTRATIVE

Neni 18

Kundërvajtjet administrative dhe sanksionet (ndryshuar fjalë në pikën a) dhe pikën c) ; shtuar pika ç/1 ; ndryshuar fjalë në pikat d, dh, e, ë, f dhe j ; ndryshuar paragraf në shkronjën ll) ; shtuar shkronjat m, n, nj dhe o me ligjin nr.

78/2023, datë 21.9.2023)

1. Mosrespektimi i dispozitave të këtij ligji passjell përgjegjësi administrative, sipas rasteve të parashikuara në pikën 2 të këtij neni.

2. Veprimet dhe mosveprimet, në përputhje me këtë ligj dhe për aq sa nuk përbëjnë vepër penale, konsiderohen kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë si më poshtë:

a) refuzimi i dhënies së informacionit, në kundërshtim me parashikimet e këtij ligji, dënohet me 50 000 deri në 300 000 lekë;

b) mosvënia në zbatim e programit institucional të transparencës, brenda afatit të parashikuar në pikën 1, të nenit 4, të këtij ligji, dënohet me 50 000 deri në 100 000 lekë;

c) mosrishikimi i programit institucional të transparencës, brenda afatit të parashikuar në nenin 5, të këtij ligji, dënohet me 50 000 deri në 100 000 lekë;

ç) mosndjekja e procedurave për rishikimin e programit institucional të transparencës, sipas parashikimit të pikës 2, të nenit 5, të këtij ligji, dënohet me 50 000 deri në 100 000 lekë;

ç/1. mospublikimi i akteve brenda afatit të përcaktuar në pikën 3 të nenit 7 dhe mospërditësimi i kategorive të informacionit të programit institucional të transparencës sipas pikës 4 të nenit 7 të këtij ligji dënohet me 25 000 deri në 50 000 lekë;

d) moskrijimi, mosmbajtja, mospublikimi apo mospërditësimi i Regjistrit të Kërkesave dhe Përgjigjeve, brenda afatit të parashikuar në pikën 1, të nenit 8, të këtij ligji, dënohet me 25 000 deri në 100 000 lekë;

dh) mosplotësimi i kërkesave për informa-cione, të regjistruara në Regjistrin e Kërkesave dhe Përgjigjeve, brenda afatit dhe sipas mënyrës së parashikuar në nenin 9, të këtij ligji, dënohet me 50 000 deri në 300 000 lekë;

e) mosregjistrimi i kërkesës për informim, moscaktimi i një numri rendor për të dhe mosdhënia e të dhënave të kontaktit të koordinatorit për të drejtën e informimit, sipas parashikimeve të pikës 2, të nenit 11, të këtij ligji, dënohet me 50 000 deri në 300 000 lekë;

ë) mosdërgimi i kërkesës për informim te një autoritet tjetër publik, brenda afatit të parashikuar në pikën 2, të nenit 12, të këtij ligji, dënohet me 50 000 deri në 300 000 lekë;

f) dërgimi i kërkesës për informim tek një autoritet tjetër publik kur autoriteti që ka marrë kërkesën e ka informacionin e kërkuar, në kundërshtim me kërkesën e pikës 2, të nenit 12, të këtij ligji, dënohet me 50 000 deri në 300 000 lekë;

g) mosnjoftimi i kërkuesit se kërkesa e tij i është dërguar një autoriteti tjetër dhe kontaktet e nevojshme i janë dërguar autoritetit tjetër, në kundërshtim me parashikimet e pikës 3, të nenit 12, të këtij ligji, dënohet me 50 000 deri në 100 000 lekë;

gj) mospërcaktimi paraprakisht i një tarife, mospublikimi, ose caktimi i tarifave abuzive për riprodhimin dhe dërgimin e informacionit, në kundërshtim me kërkesat e nenit 13, pikat 1 dhe 2, të këtij ligji, dënohet me 150 000 deri në 300 000 lekë;

h) mosrespektimi i kërkesave të pikës 4, të nenit 13, të këtij ligji, për dhënien falas të informacionit, dënohet me 50 000 deri në 100 000 lekë;

i) refuzimi i paarsyetuar i preferencës së kërkuesit për mënyrën e dhënies së informacionit, në kundërshtim me parashikimet e pikës 4, të nenit 14, të këtij ligji, dënohet me 25 000 deri në 50 000 lekë;

j) mosnjoftimi i kërkuesit për vendimin për zgjatjen e afatit për plotësimin e kërkesës për informim, sipas parashikimeve të pikës 3, të nenit 15, të këtij ligji, dënohet me 25 000 deri në 300 000 lekë;

k) moskryerja e njoftimeve paraprake, sipas parashikimeve të nenit 16, të këtij ligji, dënohet me 25 000 deri në 50 000 lekë;

l) dëmtimi ose shkatërrimi i dokumenteve zyrtare, me qëllim shmangien e së drejtës për informim, dënohet me 150 000 deri në 300 000 lekë;

ll) moszbardhja e dokumenteve zyrtare, fshehja ose çdo veprim apo mosveprim tjetër në kundërshtim me rregullat në fuqi, me qëllim pengimin e ushtrimit të së drejtës për informim, dënohet me 150 000 deri në 300 000 lekë.

m) mosnjoftimi i kërkuesit për procedurën e rishikimit, mosarsyetimi i vendimit ose mosnjoftimi i vendimit përfundimtar të autoritetit publik, sipas pikës 5 të nenit 17 të këtij ligji, dënohet me 50 000 deri në 150 000 lekë.

n) moscaktimi i koordinatorit nga titullari i autoritetit publik ose mosnjoftimi pranë Komisionerit mbi këtë caktim, sipas dispozitave të pikës 1 të nenit 10, dënohet me 50 000 deri në 100 000 lekë;

nj) kryerja e veprimeve ose mosveprimeve, që mund të dëmtojnë rezultatin e procedurës administrative për shqyrtimin e ankesave apo të procedurës së konstatimit, shqyrtimit, ankimit dhe ekzekutimit të kundërvajtjeve administrative ose që mund të pengojnë konkluzionin e drejtë ose të rregullt të tyre dënohet me 50 000 deri në 300 000 lekë;

o) moszbatimi i vendimit të Komisionerit kur ka urdhëruar dhënien e informacionit të kërkuar, në mënyrë të plotë ose të pjesshme, sipas përcaktimeve të pikës 6/1 të nenit 24 këtij ligji, dënohet me 150 000 deri në 300 000 lekë.

3. Procedurat e konstatimit, shqyrtimit, ankimit dhe ekzekutimit të kundërvajtjeve administrative janë ato të parashikuara në ligjin për kundërvajtjet administrative.

Neni 19

Përgjegjësia administrative (ndryshuar me ligjin nr. 78/2023, datë 21.9.2023)

1. Titullari i autoritetit publik mban përgjegjësi ligjore-administrative për shkeljet administrative të parashikuara në shkronjat “b”, “c”, “ç” “ç/1”, “h”, “gj”, “m”, “n”, “nj” dhe “o” të pikës 2 të nenit 18 të këtij ligji.

2. Në përputhje me parashikimet e ligjit nr. 44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative”, titullari i autoritetit publik mund të delegojë kompetencën e tij për ushtrimin e funksioneve të parashikuara në pikën 1 të nenit 4, pikat 1 dhe 2 të nenit 5, pikën 4 të nenit 7, pikat 1 dhe 2 të nenit 13 të këtij ligji, te nëpunësi më i lartë i autoritetit publik. Në këtë rast nëpunësi, të cilit i është deleguar kompetenca, mban përgjegjësi për shkeljet administrative të parashikuara në pikën 1 të këtij neni.

3. Koordinatori për të drejtën e informimit ka përgjegjësi administrative për shkeljet administrative të parashikuara në shkronjat “d” dhe “e” të pikës 2 të nenit 18 të këtij ligji.

4. Çdo person përgjegjës, i cili me veprimet ose mosveprimet e tij shkel dispozitat e këtij ligji, ka përgjegjësi administrative për kundërvajtjet administrative të parashikuara në shkronjat “a”, “dh”, “ë”, “f”, “g”, “i”, “j”, “k”, “l”, “ll” dhe “nj” të pikës 2 të nenit 18 të këtij ligji.

Neni 20

Marrëdhëniet me Kuvendin

1. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale raporton në Kuvend ose në komisionet parlamentare të paktën një herë në vit ose sa herë që kërkohet prej tyre. Gjithashtu, ai mund t'i kërkojë Kuvendit të dëgjohet për çështje që i çmon të rëndësishme. Raporti përmban të dhëna dhe shpjegime për zbatimin e së drejtës për informim në Republikën e Shqipërisë, si dhe programet e transparencës.

2. Nuk lejohet njoftimi për çështje konkrete, me përjashtim të çështjeve të kërkuara me vendim të Kuvendit.

3. Gjatë përpilimit të raportit, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mbledh të dhëna nga autoritetet publike dhe nga organizatat jofitimprurëse që kanë për mision mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, duke evidentuar komunikimet përkatëse.

Neni 21

Mënyra e shlyerjes së masës së dënimit me gjobë (ndryshuar togfjalëshi në pikën 3 me ligjin nr. 78/2023, datë 21.9.2023)

1. Masa e dënimit, e përcaktuar me gjobë, shlyhet me këste mujore.

2. Këstet mujore caktohen në një masë të tillë që nëpunësit dhe familjes së tij t’i garantohet jetesa, të paktën në nivelin e pagës minimale, të caktuar me vendimin e Këshillit të Ministrave.

3. Për shkelje të parashikuara në pikën 2, të nenit 18, të këtij ligji, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mund të propozojë marrjen e masave disiplinore ndaj personave përgjegjës.

Neni 22

Ankimi i sanksioneve administrative Personi ndaj të cilit është vendosur sanksioni administrativ, brenda 30 ditëve kalendarike nga data e marrjes së njoftimit, mund të bëjë ankim në gjykatë, në përputhje me ligjin nr. 10 279, datë 20.5.2010, “Për kundërvajtjet administrative”.

Neni 23

Arkëtimi i shumave të detyrimeve

1. Vendimi i Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vendosjen e gjobës i komunikohet titullarit të autoritetit publik dhe zyrës së financës.

2. Gjobat ekzekutohen nga zyra e financës së autoritetit publik, për të cilin punon kundërvajtësi, brenda 6 muajve nga data e njoftimit të tyre. Me kalimin e këtij afati, vendimi i dhënë shndërrohet në titull ekzekutiv dhe ekzekutohet në mënyrë të detyrueshme nga zyra e përmbarimit me kërkesë të komisionerit.

3. Gjobat arkëtohen në Buxhetin e Shtetit.

KREU VI KOMPETENCAT DHE PROCEDURAT PËR SHQYRTIMIN E ANKESAVE

Neni 24

Procedurat për shqyrtimin e ankesave (shtuar togfjalëshi në shkronjën b të pikës 5 ; ndryshuar togfjalëshi në pikën 6 dhe shtuar pika 6/1 me ligjin nr. 78/2023, datë 21.9.2028)

1. Çdo person, kur çmon se i janë shkelur të drejtat e parashikuara nga ky ligj, ka të drejtë të ankohet në rrugë administrative pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, në përputhje me këtë ligj dhe Kodin e Procedurave Administrative.

2. Ankimi administrativ pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale bëhet brenda 30 ditëve pune nga dita kur:

a) ankuesi ka marrë njoftim për refuzimin e informacionit;

b) ka kaluar afati i parashikuar në këtë ligj për dhënien e informacionit.

3. Me marrjen e ankesës, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale ia kalon atë strukturës që merret me të drejtën e informimit, e cila verifikon faktet dhe bazën ligjore të ankesës. Për këtë qëllim, ai mund t’u kërkojë ankuesit dhe autoritetit publik, kundër të cilit është bërë ankesa, të paraqesin parashtrime me shkrim, si dhe të informohet nga çdo person dhe burim tjetër. Kur e sheh të nevojshme, komisioneri zhvillon një seancë dëgjimore publike me pjesëmarrjen e palëve.

4. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale merr vendim për ankesën brenda 15 ditëve pune nga dita kur është dorëzuar ankimi.

5. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale vendos:

a) mospranimin e ankesës kur:

i) ka kaluar afati i parashikuar në pikën 2 të këtij neni;

ii) ankimi nuk paraqitet në formë shkresore;

iii) nuk tregohet emri dhe adresa e ankuesit;

b) pranimin e ankesës dhe urdhërimin e autoritetit publik për të dhënë informacionin e kërkuar, në mënyrë të plotë ose të pjesshme dhe sipas rastit, propozimin për të deklasifikuar informacion;

c) rrëzimin e ankesës, pjesërisht ose tërësisht;

ç) afatin, brenda të cilit autoriteti publik duhet të zbatojë urdhrin.

6. Në qoftë se Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk merr vendim brenda afatit të parashikuar në pikën 4, të këtij neni, ankuesit i lind e drejta për t’iu drejtuar gjykatës.

6/1. Autoriteti publik është i detyruar të zbatojë vendimin e Komisionerit kur ka urdhëruar dhënien e informacionit të kërkuar, në mënyrë të plotë ose të pjesshme, me përjashtim të rastit kur gjykata vendos pezullimin e zbatimit të tij.

7. Procedura administrative e parashikuar në këtë nen nuk cenon kompetencat e Avokatit të Popullit, lidhur me mbikëqyrjen dhe zbatimin e të drejtave civile, sipas ligjit nr. 8454, datë 4.2.1999, “Për Avokatin e Popullit”.

Neni 24/1 Detyrimi për bashkëpunim (shtuar me ligjin nr. 78/2023, datë 21.9.2023)

1. Autoritetet publike bashkëpunojnë me Komisionerin duke i siguruar të gjithë informacionin që ai kërkon për përmbushjen e detyrave.

2. Autoritetet publike raportojnë çdo vit, jo më vonë se data 31 e muajit janar të vitit pasardhës, pranë Komisionerit lidhur me veprimtarinë për zbatimin e kërkesave të këtij ligji, sipas formatit të miratuar nga Komisioneri.

Neni 25

Ankimi në gjykatë Kërkuesi ose autoriteti publik ka të drejtë ta ankimojë vendimin e komisionerit në gjykatën administrative kompetente.

Neni 26

Shpërblimi i dëmit Çdo person, që ka pësuar një dëm, për shkak të shkeljes së dispozitave të këtij ligji, ka të drejtë të kërkojë shpërblimin e dëmit të shkaktuar, në përputhje me ligjin nr. 7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”.

Neni 27

Shfuqizime Ligji nr. 8503, datë 30.6.1999, “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare”, shfuqizohet.

Neni 28

Hyrja në fuqi Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Miratuar në datën 18.9.2014 KRYETARI Ilir Meta

Pyet Juristi.im për këtë ligj