Legjislacion në fuqi
Ligji nr. 131/2015 “Për qendrën kombëtare të biznesit”
Teksti i përditësuar siç e mban Qendra e Botimeve Zyrtare. Për përdorim zyrtar verifikoni versionin në fuqi në QBZ.
Përmbajtja: 21 nene
LIGJ Nr. 131/2015 PËR QENDRËN KOMBËTARE TË BIZNESIT Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:
KREU I DISPOZITA TË PËRGJITHSHME Neni 1 Objekti dhe fusha e veprimit Ky ligj përcakton rregullat për organizimin e funksionimin e Qendrës Kombëtare të Biznesit.
Neni 2
Krijimi dhe statusi i QKB-së
1. Krijohet Qendra Kombëtare e Biznesit (në vijim “QKB”).
2. QKB-ja është institucion i administratës shtetërore me personalitet juridik në varësi të ministrit përgjegjës për tregtinë (në vijim “ministri”) dhe e ka selinë në Tiranë.
3. QKB-ja financohet nga Buxheti i Shtetit dhe nga të ardhurat e veta.
Neni 3
Funksionet
1. QKB-ja ka këto funksione:
a) mban regjistrin tregtar, në përputhje me ligjin që rregullon regjistrimin e biznesit;
b) kryen regjistrimet në regjistrin tregtar, në përputhje me dispozitat e ligjit që rregullon regjistrimin e biznesit;
c) kryen regjistrimin e subjekteve të përcaktuara në ligjin që rregullon regjistrimin e biznesit, për qëllim të regjistrimit fiskal, të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, si dhe të inspektimit të marrëdhënieve të punës;
ç) lëshon certifikata, ekstrakte të regjistrimeve dhe kopje të vërtetuara të akteve të depozituara, sipas përcaktimit të ligjit që rregullon regjistrimin e biznesit;
d) publikon të dhënat e regjistruara, sipas ligjit që rregullon regjistrimin e biznesit, si dhe siguron aksesin e lirë të publikut në to;
dh) trajton procedurat e licencimit, të autorizimit apo të lejeve, të ndryshimit dhe revokimit të tyre, sipas ligjit që rregullon licencat, autorizimet dhe lejet;
e) mban dhe administron Regjistrin Kombëtar të Licencave, Autorizimeve dhe Lejeve, në përputhje me ligjin që rregullon licencat, autorizimet dhe lejet;
ë) siguron aksesin e lirë të publikut në Regjistrin Kombëtar të Licencave, Autorizimeve dhe Lejeve, në përputhje me ligjin që rregullon licencat, autorizimet dhe lejet;
f) informon dhe këshillon personat e interesuar për procedurat e regjistrimit të biznesit, si dhe procedurat e licencimit, autorizimit e lejimit;
g) jep mendim për çdo nismë ligjore apo nënligjore në fushën e regjistrimit të biznesit dhe të licencave, autorizimeve e lejeve;
gj) kryen studime për cilësinë e mjedisit rregullator, mbështet me informacion, analiza e këshilla ministrin, Këshillin e Ministrave apo institucionet qendrore dhe të pavarura, në lidhje me nismat e tyre normative dhe organizative në fushën e regjistrimit të biznesit dhe të licencave, autorizimeve e lejeve, si dhe asiston në përgatitjen e politikave për përmirësimin e mjedisit rregullator në këto fusha.
2. Procedurat për ushtrimin funksioneve të QKB-së, të parashikuara në pikën 1, të këtij neni, përcaktohen në ligjin që rregullon regjistrimin e biznesit dhe në ligjin që rregullon licencat, autorizimet dhe lejet.
3. QKB-ja ka pavarësi të plotë në vendimmarrjen për çështje konkrete në realizimin e funksioneve të përcaktuara në pikën 1 të këtij neni.
Neni 4
Organizimi dhe sportelet e shërbimit të QKB-së
1. QKB-ja ka juridiksion në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe është institucioni i vetëm që ofron shërbim ndaj publikut, sipas parashikimeve të këtij ligji.
2. QKB-ja ushtron funksionet e saj drejtpërdrejt për publikun, nëpërmjet sportelit të saj qendror dhe nëpërmjet sporteleve të shërbimit në territor.
3. QKB-ja ofron shërbim në territor, nëpërmjet sporteleve të shërbimit pranë njësive të qeverisjes vendore, si funksion i deleguar, në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe të ligjit për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore. QKB-ja lidh marrëveshje bashkëpunimi me njësinë e qeverisjes vendore, ku përcaktohen kushtet e ofrimit të shërbimit dhe treguesit kryesorë të performancës, kualifikimet dhe kriteret e posaçme profesionale të nëpunësve të sportelit, si dhe trajnimet e detyrueshme për nëpunësit.
4. QKB-ja ofron shërbim në territor edhe nëpërmjet sporteleve të shërbimit, të hapura në bashkëpunim dhe pranë Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë dhe/ose dhomave të tregtisë rregulluar sipas legjislacionit përkatës. Hapja e këtyre sporteleve bëhet në marrëveshje me këto organizata, të cilave u delegohen funksionet e sportelit të QKR-së, në përputhje me kushtet e këtij ligji dhe të marrëveshjes së bashkëpunimit.
5. Numri dhe vendndodhja e sporteleve të shërbimit pranë njësive të qeverisjes vendore apo organizatave të tjera, të përcaktuara në pikën 4, të këtij neni, miratohen nga ministri, me propozimin e titullarit të QKB-së, në bazë të planifikimit të nevojës për hapjen e sporteleve të shërbimit në territor dhe ngarkesës së mjaftueshme të veprimeve në sportele.
6. Në rast se njësia përkatëse e qeverisjes vendore apo organizata, me të cilën QKB-ja ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi, sipas këtij neni, nuk ofron shërbimin e sportelit, në përputhje me parashikimet e këtij ligji apo me parashikimet e marrëveshjes së lidhur me QKB-në, titullari i QKB-së ka të drejtë t’i propozojë ministrit mbylljen e sportelit përkatës.
7. Në rastet e parashikuara në pikën 6, të këtij neni, QKB-ja, në bazë të vlerësimit paraprak të nevojës së hapjes së sporteleve në territor dhe të ngarkesës së mjaftueshme të veprimeve në sportelin përkatës, mund të zëvendësojë sportelin e mbyllur, duke hapur një sportel shërbimi, në kuadër të strukturës së saj, në përputhje me parashikimet e nenit 6 të këtij ligji.
8. Të gjitha sportelet e shërbimit në territor lidhen on-line me sistemin qendror të QKB-së.
9. QKB-ja mund të kryejë funksionet e saj sipas këtij ligji edhe nëpërmjet hapjes së një sporteli elektronik për kryerjen e procedurave përkatëse, në përputhje me parashikimet e ligjit që rregullon regjistrimin e biznesit dhe të ligjit që rregullon licencat, lejet dhe autorizimet.
Neni 5
Drejtimi i QKB-së
1. Veprimtaria e QKB-së drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm. Marrëdhëniet e punës së Drejtorit të Përgjithshëm rregullohen në bazë të legjislacionit për nëpunësin civil.
2. Drejtori i Përgjithshëm është përgjegjës për administrimin teknik, organizativ, financiar e të burimeve njerëzore të QKB-së, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
3. Drejtori i Përgjithshëm i QKB-së ushtron udhëheqjen metodologjike për zbatimin e procedurave që ndiqen sipas ligjit që rregullon regjistrimin e biznesit dhe ligjit që rregullon licencat, autorizimet e lejet dhe nxjerr, për këtë qëllim, urdhra e udhëzime të detyrueshme për nëpunësit e QKB-së dhe për të gjitha sportelet e shërbimit.
Neni 6
Organizimi i brendshëm Organizimi i brendshëm i QKB-së miratohet nga Kryeministri, me propozimin e ministrit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Neni 7
Nëpunësit dhe punonjësit administrativë të QKB-së
1. Marrëdhëniet e punës së nëpunësve të QKB-së, përfshirë nëpunësit e sportelit qendror të shërbimit dhe të sporteleve të shërbimit, të krijuara sipas pikës 7, të nenit 4, të këtij ligji, rregullohen në bazë të legjislacionit për nëpunësin civil.
2. Marrëdhëniet e punës së punonjësve administrativë të QKB-së rregullohen sipas Kodit të Punës.
Neni 8
Nëpunësit që ushtrojnë funksione të deleguara
1. Nëpunësit e sporteleve të shërbimit, të hapura nga QKB-ja, sipas pikës 3, të nenit 4, të këtij ligji, janë nëpunës civilë të njësisë përkatëse të qeverisjes vendore.
2. Nëpunësit e sporteleve të shërbimit, të hapura nga QKB-ja, sipas pikës 4, të nenit 4, të këtij ligji, janë punonjës të organizatës përkatëse, me të cilën QKB-ja ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi.
3. Me qëllim njësimin e shërbimit që i ofrohet publikut në të gjitha sportelet e shërbimit në territor, nëpunësit e sporteleve të shërbimit duhet të plotësojnë të njëjtat kritere të posaçme profesionale që zbatohen për nëpunësit e sportelit qendror të QKB-së. QKB-ja siguron për nëpunësit e sporteleve të shërbimit të njëjtin trajnim që zbatohet për nëpunësit e sportelit qendror të kësaj qendre.
Neni 9
Pagat
1. Struktura dhe nivelet e pagave dhe të shpërblimit të QKB-së miratohen nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. Niveli i pagave dhe i shpërblimit, si dhe numri i nëpunësve apo punonjësve të përcaktuar sipas pikave 1 dhe 2, të nenit 8, të këtij ligji, përcaktohen në përputhje me legjislacionin në fuqi, përkatësisht, nga njësitë e qeverisjes vendore apo subjektet e tjera, me të cilat QKB-ja ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi.
Neni 10
Buxheti i QKB-së
1. Buxheti i QKB-së është pjesë përbërëse e buxhetit të ministrisë përgjegjëse për tregtinë dhe përgatitet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. Buxheti i QKB-së përbëhet nga të ardhurat që realizohen, sipas këtij ligji, nga të gjitha sportelet e shërbimit dhe nga të gjitha shpenzimet e kësaj qendre, përfshirë fondet për shpenzime operative dhe kapitale për sportelet e shërbimit, që krijohen sipas pikave 3, 7 dhe 9, të nenit 4, të këtij ligji. Fondet për funksionimin e QKB-së janë fonde buxhetore.
3. Fondet për shpenzime korrente për çdo sportel shërbimi të krijuar sipas pikës 3, të nenit 4, të këtij ligji, janë fonde të kushtëzuara dhe përcaktohen në buxhetin e QKB-së, në bazë të rregullave të planifikimit e të zbatimit të Buxhetit të Shtetit.
4. Shpenzimet për hapjen, funksionimin dhe mirëmbajtjen e sporteleve të shërbimit, sipas pikës 4, të nenit 4, të këtij ligji, me përjashtim të fondeve për kryerjen e trajnimeve për punonjësit e sportelit, që përballohen nga QKB-ja, mbulohen nga subjektet përkatëse dhe nuk janë pjesë e buxhetit të QKB-së.
5. Njësia e qeverisjes vendore apo subjekti tjetër, me të cilin QKB-ja lidh marrëveshje bashkëpunimi, në përputhje me objektivat e vet, mund të parashikojë dhe të kryejë shpenzime operative ose kapitale shtesë për përmirësimin e shërbimeve në sportelin përkatës.
Neni 11
Shërbimet e tarifat
1. QKB-ja realizon të ardhura nga kryerja e funksioneve të përcaktuara në këtë ligj dhe nga ofrimi i shërbimeve të tjera shtesë, në mbështetje të këtyre funksioneve.
2. Ministri përcakton shërbimet e tjera shtesë, që ofrohen nga QKB -ja, tarifat e të cilave miratohen, me propozimin e tij, nga Ministri i Financave.
3. Tarifa dhe vlera përkatëse për shërbimet, që lidhen me kryerjen e funksioneve të përcaktuara në këtë ligj, miratohen nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit.
4. Të gjitha tarifat shpallen në çdo sportel shërbimi dhe në faqen e internetit të QKB-së.
Neni 12
Përdorimi i të ardhurave
1. Të ardhurat e mbledhura nga tarifat për kryerjen e funksioneve, sipas nenit 3, të këtij ligji, përfshirë edhe ato të krijuara në sportelet e shërbimit, derdhen në Buxhetin e Shtetit.
2. Të ardhurat nga tarifat për shërbimet e tjera shtesë, të krijuara nga QKB-ja nëpërmjet sportelit qendror apo nëpërmjet sporteleve të shërbimit, sipas pikave 4, 5, 7 apo 9, të nenit 4, të këtij ligji, derdhen vetëm në masën 10 për qind në Buxhetin e Shtetit dhe 90 për qind përdoret nga QKB-ja për përmirësimin e funksionimit të shërbimeve. Mënyra e përdorimit të këtyre të ardhurave bëhet me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për tregtinë dhe Ministrit të Financave.
Neni 13
Raportimi dhe mbikëqyrja
1. Ministri miraton objektivat specifikë të punës dhe treguesit e cilësisë së shërbimeve që kryen QKB-ja dhe mbikëqyr arritjen e tyre.
2. QKB-ja i raporton ministrit për menaxhimin administrativ, financiar dhe cilësinë e kryerjes së shërbimeve sa herë që i kërkohet, por jo më pak se një herë në vit.
3. Ushtrimi i mbikëqyrjes nga ministri, sipas pikës 1, të këtij neni, nuk shtrihet mbi vendimmarrjen për çështje konkrete në ushtrimin e funksioneve të QKB-së, të përcaktuara në nenin 3 të këtij ligji.
Neni 14
Statuti i QKB- së
1. Statuti i QKB-së miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit.
2. Statuti përmban rregulla të detajuara për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të QKB-së.
KREU II DISPOZITA KALIMTARE
Neni 15
Inventarizimi Brenda një afati prej 30 ditësh nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, sipas pikës 1, të nenit 21, të këtij ligji, titullari i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dhe titullari i Qendrës Kombëtare të Licencimit inventarizojnë gjendjen e aktiveve dhe pasiveve të institucioneve përkatëse, numrin dhe vendndodhjen e sporteleve të shërbimit, kontratat dhe marrëveshjet e bashkëpunimit, që këto institucione kanë me palë të treta, formularët e aplikimit, formatet e certifikatave dhe dokumentet e tjera që përdoren për kryerjen e procedurave të regjistrimit të biznesit e të licencimit, autorizimit e lejimit, sipas ligjeve përkatëse, dhe ia vënë këto në dispozicion ministrit.
Neni 16
Aktet nënligjore
1. Ministri, brenda një afati prej 30 ditësh nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, sipas pikës 1, të nenit 21, të këtij ligji, cakton titullarin e QKB-së, në përputhje me legjislacionin për shërbimin civil.
2. Brenda një afati prej 60 ditësh nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, sipas pikës 1, të nenit 21, të këtij ligji, me propozimin e ministrit:
a) Këshilli i Ministrave miraton statutin e QKB-së, sipas nenit 14, të këtij ligji;
b) Kryeministri miraton strukturën dhe organikën e QKB-së, sipas pikës 2, të nenit 6, të këtij ligji.
3. Ministri, me propozimin e titullarit të QKB-së dhe brenda një afati prej 60 ditësh nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji, miraton, sipas pikës 1, të nenit 21, të këtij ligji, numrin dhe vendndodhjen e sporteleve të QKB-së, në përputhje me parashikimet e pikave 4 dhe 5, të nenit 4, të këtij ligji.
4. Ministri, me propozimin e titullarit të QKB-së dhe brenda një afati prej 60 ditësh nga data e hyrjes në fuqi e këtij ligji, miraton, sipas pikës 1, të nenit 21, të këtij ligji, formatin e formularëve, certifikatave dhe të dokumenteve të tjera procedurale për kryerjen nga QKB-ja të funksioneve të regjistrimit të biznesit dhe të licencimit e të lejimit, në përputhje me parashikimet e ligjit që rregullon regjistrimin e biznesit dhe ligjit që rregullon licencat, autorizimet dhe lejet.
KREU III DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 17
Ndryshime në legjislacion
1. Në ligjin nr. 9723, datë 3.5.2007, “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Titulli i ligjit nga “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, ndryshohet në “Për regjistrimin e biznesit”;
b)
Neni 1
Objekti i ligjit Ky ligj rregullon mënyrën e administrimit të regjistrit tregtar, përcakton subjektet që regjistrohen dhe procedurat e regjistrimit.”.
c) Kreu II, “Krijimi, organizimi dhe funksionimi i Qendrës Kombëtare të Regjistrimit”, që përfshin nenet nga 3 deri në 17, shfuqizohet në tërësinë e tij;
ç) Kudo, në ligj, emërtimi “Qendra Kombëtare e Regjistrimit” dhe shkurtimi “QKR” ndryshohen dhe zëvendësohen përkatësisht me “Qendra Kombëtare e Biznesit” dhe “QKB”.
2. Në ligjin nr. 10 081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, bëhen këto ndryshime:
a) Në nenin 2, pika 1, shkronja “d” shfuqizohet.
b) Në nenin 3, pika 1, shkronja “a” ndryshohet si më poshtë:
“a) “Ministria” është ministria përgjegjëse për tregtinë.”.
c) Në nenin 3, pika 1, shkronja “b” ndryshohet si më poshtë:
“b) “Ministër” është ministri përgjegjës për tregtinë.”.
ç) Kreu VI, “Krijimi, organizimi dhe funksionimi i QKL-së”, i cili përfshin nenet nga 37 deri në 51, shfuqizohet në tërësinë e tij.
d) Kudo, në ligj, emërtimi “Qendra Kombë-tare e Licencimit” dhe shkurtimi “QKL” ndryshohen dhe zëvendësohen përkatësisht me “Qendra Kombëtare e Biznesit” dhe “QKB”.
3. Në çdo ligj tjetër apo akt nënligjor në fuqi, emërtimi “Qendra Kombëtare e Regjistrimit” apo shkurtimi “QKR”, si dhe emërtimi “Qendra Kombëtare e Licencimit” apo shkurtimi “QKL” ndryshohen dhe zëvendësohen përkatësisht me “Qendra Kombëtare e Biznesit” dhe “QKB”.
4. Në çdo ligj tjetër apo akt nënligjor në fuqi, referencat në një dispozitë të ligjit nr. 9723, “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, ndryshohen si referenca në dispozitën korresponduese të ligjit “Për regjistrimin e biznesit”.
Neni 18
Fillimi i funksionimit të QKB-së
1. Qendra Kombëtare e Biznesit fillon ushtrimin e funksioneve të saj në datën e hyrjes në fuqi të nenit 17, siç parashikohet në pikën 2, të nenit 21, të këtij ligji.
2. Në datën e hyrjes në fuqi të nenit 17, siç parashikohet në pikën 2, të nenit 21, të këtij ligji:
a) Qendra Kombëtare e Regjistrimit dhe Qendra Kombëtare e Licencimit shpërbëhen dhe të gjitha aktivet e pasivet e këtyre institucioneve, në atë datë, i transferohen automatikisht QKB-së;
b) QKB-ja trashëgon të gjitha të drejtat dhe detyrimet e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dhe të Qendrës Kombëtare të Licencimit;
c) të gjitha sportelet e shërbimit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dhe të Qendrës Kombëtare të Licencimit, që përfshihen në sportelet e miratuara sipas shkronjës “a”, të pikës 3, të nenit 16, të këtij ligji, i transferohen QKB-së, ndërsa sportelet e tjera mbyllen;
ç) të gjitha kontratat dhe marrëveshjet e bashkëpunimit në fuqi, të lidhura nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit dhe Qendra Kombëtare e Licencimit me palë të treta i transferohen QKB-së;
d) buxhetet e miratuara për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit dhe Qendrën Kombë-tare e Licencimit, sipas ligjit nr. 160/2014, “Për buxhetin e vitit 2015”, do të bashkohen, duke përbërë buxhetin e miratuar të QKB-së.
Neni 19
Procedurat në proces Procedurat, sipas ligjit nr. 9723, datë 3.5.2007, dhe ligjit nr. 10 081, datë 23.2.2009, të cilat, në datën e shpërbërjes së Qendrës Kombëtare të Regjistrimit dhe të Qendrës Kombëtare të Licencimit, sipas këtij ligji, nuk kanë përfunduar ende, do të vijojnë të kryhen nga QKB-ja, pa pasur asnjë detyrim shtesë në ngarkim të subjekteve përkatëse që kanë aplikuar për këto procedura.
Neni 20
Vlefshmëria e dokumenteve Dokumentet e lëshuara nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit dhe Qendra Kombëtare e Licencimit, sipas ligjit që rregullon regjistrimin e biznesit dhe përkatësisht ligjit që rregullon licencat, autorizimet dhe lejet, përpara datës së hyrjes në fuqi të nenit 17, siç parashikohet në pikën 2, të nenit 21, të këtij ligji, mbeten të vlefshme për çdo qëllim ligjor dhe subjektet që janë pajisur me to nuk detyrohen të kryejnë asnjë veprim shtesë.
Neni 21
Hyrja në fuqi
1. Ky ligj, me përjashtim të nenit 17, hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
2. Neni 17 i këtij ligji hyn në fuqi 90 ditë pas datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji, sipas pikës 1 të këtij neni.
Miratuar në datën 26.11.2015 Shpallur me dekretin nr. 9339, datë 4.12.2015 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani