Juristi.im

Legjislacion në fuqi

Ligji nr. 15/2019 “Për nxitjen e punësimit”

Teksti i përditësuar siç e mban Qendra e Botimeve Zyrtare. Për përdorim zyrtar verifikoni versionin në fuqi në QBZ.

Burimi zyrtar: Qendra e Botimeve Zyrtare (QBZ) ↗ · 26 nene

Përmbajtja: 26 nene
  1. Neni 1
  2. Neni 2
  3. Neni 3
  4. Neni 4
  5. Neni 5
  6. Neni 6
  7. Neni 7
  8. Neni 8
  9. Neni 9
  10. Neni 10
  11. Neni 11
  12. Neni 12
  13. Neni 13
  14. Neni 14
  15. Neni 15
  16. Neni 16
  17. Neni 17
  18. Neni 18
  19. Neni 19
  20. Neni 20
  21. Neni 21
  22. Neni 22
  23. Neni 23
  24. Neni 24
  25. Neni 25
  26. Neni 26

LIGJ Nr. 15/2019 PËR NXITJEN E PUNËSIMIT Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:

KREU I DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 1

Objekti Ky ligj përcakton rregullat dhe mënyrën e funksionimit të sistemit publik të shërbimeve të punësimit, të programeve aktive e pasive të tregut të punës, si dhe organet përgjegjëse për menaxhimin e tyre, me përjashtim të rasteve kur rregullohen nga legjislacioni i posaçëm.

Neni 2

Qëllimi Ky ligj ka për qëllim rritjen e punësueshmërisë së forcave të punës, nëpërmjet ofrimit të shërbimeve dhe programeve publike të punësimit, të vetëpunësimit dhe të kualifikimit profesional.

Neni 3

Përkufizime Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:

1. “Aftësim dhe rehabilitim për punë për personat me aftësi të kufizuara” janë shërbimet mbështetëse dhe asistenca për vlerësimin e aftësisë për punë të personit me aftësi të kufizuara, të cilat ofrohen nëpërmjet:

a) informimit, këshillimit profesional, vlerësimit të aftësive profesionale dhe gjetjes së punës;

b) vlerësimit të mundësisë për aftësim, dhe hartimit të programeve përkatëse;

c) aftësimit profesional, kualifikimit plotësues, rikualifikimit me programet e mbajtjes dhe përmirësimit të aftësive të punës deri në momentin e punësimit.

2. “Fondi” është Fondi Social i Punësimit, i krijuar sipas këtij ligji.

3. “Forca e punës” përfshin personat e punësuar dhe të papunët.

4. “Grupe të veçanta” janë punëkërkues të disavantazhuar në tregun e punës, si:

a) individët me statusin e jetimit që ndodhen në kushte të vështira ekonomike;

b) kryefamiljarë të vetëm, me fëmijë në ngarkim;

c) persona me aftësi të kufizuara, përfshirë personat që nuk dëgjojnë dhe invalidët e punës të vlerësuar pjesërisht të aftë për punë nga komisionet përkatëse;

ç) prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuar;

d) persona me moshë mbi 55 vjeç;

dh) persona nga komuniteti rom dhe egjiptian;

e) persona që kanë vuajtur dënimin me burgim, apo ndaj të cilëve është vendosur pezullimi i vendimit me burgim dhe zëvendësimi i tij me një dënim alternativ;

ë) persona nga familje që përfitojnë nga programet e mbështetjes me të ardhura;

f) punëkërkues të papunë afatgjatë (të regjistruar si punëkërkues të papunë prej më shumë se një viti);

g) punëkërkues të papunë, të kthyer prej jo më shumë se dy vjetësh nga emigracioni;

gj) të mitur dhe të rinj në konflikt me ligjin, sipas parashikimeve të Kodit të Drejtësisë Penale për të Mitur;

h) të rinjtë me moshë nën 29 vjeç;

i) viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit;

j) viktimat e dhunës me bazë gjinore dhe viktimat e dhunës në familje;

k) nënat nën moshën 18 vjeç.

5. “Ministri” është ministri përgjegjës për çështjet e punësimit dhe zhvillimit të aftësive.

6. “Ministria” është ministria përgjegjëse për çështjet e punësimit dhe zhvillimit të aftësive.

7. “Person i vetëpunësuar” është personi që kryen një veprimtari të ligjshme, në përputhje me legjislacionin shqiptar, për llogari të tij, kundrejt një pagese ose forme tjetër fitimi.

8. “Përshtatje e arsyeshme” ka të njëjtin kuptim me atë që parashikohet në legjislacionin në fuqi për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara.

9. “Politikat publike të punësimit” përfshijnë shërbimet e punësimit dhe programet aktive e pasive të tregut të punës, të cilat synojnë nxitjen e punësimit të punëkërkuesve të papunë, integrimin dhe përfshirjen sociale të grupeve të veçanta.

10. “Programe aktive të tregut të punës” janë programe që synojnë të mbajnë të punësuarit në tregun e punës, të mbështesin punëkërkuesit e papunë të hyjnë në tregun e punës, të rrisin produktivitetin dhe të ardhurat nga puna dhe të përmirësojnë funksionimin e tregut të punës.

11. “Programe pasive të tregut të punës” janë programet e të ardhurave nga papunësia, e cila jepet në zbatim të legjislacionit për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë.

12. “Punëdhënës” janë të gjithë personat, fizikë ose juridikë, që punësojnë punëkërkuesit dhe u paguajnë atyre shpërblimin për punën e kryer, sipas Kodit të Punës dhe legjislacionit në fuqi.

13. “Punëkërkues” është çdo person me vendbanim në Republikën e Shqipërisë, në moshë pune, që regjistrohet si kërkues pune në strukturën rajonale/vendore dhe është i gatshëm për punë.

14. “Punëkërkues i papunë, i regjistruar” është punëkërkuesi, i cili deklaron në strukturën përkatëse, që nuk është në marrëdhënie pune ose i vetëpunësuar dhe është i gatshëm menjëherë për punësim.

15. “Punëkërkues i punësuar, i regjistruar” është punëkërkuesi, i cili është i punësuar apo i vetëpunësuar, por që në momentin e regjistrimit deklaron në strukturën përkatëse se kërkon një punë të re.

16. “Punësueshmëri” është kombinimi i aftësive, i njohurive dhe i kompetencave që rritin mundësitë e personit për t’u punësuar, për të qëndruar i punësuar dhe për të përparuar në karrierë.

17. “Punësim i përshtatshëm” është punësimi i paguar i një personi, në përputhje me moshën, gjininë, kushtet shëndetësore, arsimimin, formimin profesional, vendbanimin, kohëzgjatjen e punësimit të mëparshëm, përvojën e fituar, ndikimin e punës në fjalë në gjendjen personale e familjare dhe në gjendjen e tregut të punës.

18. “Shërbime punësimi” janë shërbimet, të cilat synojnë të informojnë, të këshillojnë, të orientojnë dhe të ndërmjetësojnë punësimin sa më të shpejtë të punëkërkuesve dhe punëkërkuesve të papunë të regjistruar, nëpërmjet ndihmës së shënjestruar dhe të zhvillojnë konkurrueshmërinë në tregun e punës.

19. “Struktura përkatëse rajonale/vendore e punësimit”, është struktura që ka kompetencën territoriale në zonën e vendbanimit të personit apo selisë/degës së punëdhënësit, i cili pretendon të përfitojë nga një ose disa shërbime apo programe të ofruara nga kjo strukturë.

20. “Struktura rajonale/vendore e punësimit” është struktura, pjesë e rrjetit të shërbimeve publike të punësimit, në varësi të institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë.

Neni 4

Përfituesit

1. Çdo punëkërkues dhe punëdhënës i regjistruar në strukturën rajonale/vendore përfiton nga shërbimet që ofrohen nga kjo strukturë.

2. Të drejtën e përfitimit të shërbimeve që ofrohen në strukturën rajonale/vendore e kanë të gjithë shtetasit e huaj dhe ata pa shtetësi, të cilët hyjnë e qëndrojnë në mënyrë të ligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë, për qëllime punësimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi për të huajt.

3. Të drejtën e përfitimit të këtyre shërbimeve e kanë edhe të huajt, të cilët kanë përfituar statusin e refugjatit, si dhe azilkërkuesit në Republikën e Shqipërisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi për azilin.

4. Shërbimet e punësimit i ofrojnë mundësinë të huajve të pajisen me leje pune, në zbatim të legjislacionit në fuqi për të huajt.

KREU II POLITIKAT PUBLIKE TË PUNËSIMIT

Neni 5

Kompetencat e ministrisë në lidhje me politikat e punësimit

1. Ministria, në lidhje me politikat e punësimit, ushtron këto kompetenca:

a) analizon periodikisht tendencat e tregut të punës dhe parashikon zhvillimet e tij;

b) harton politika të reja për rritjen e punësimit dhe uljen e papunësisë;

c) harton programe dhe merr masa për nxitjen e punësimit e të vetëpunësimit;

ç) harton programe për mbështetjen e ofruesve të arsimit e të formimit profesional, duke përfshirë ofrimin e kualifikimit fillestar dhe të vazhduar;

d) rregullon dhe ndërhyn në punësimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë, sipas legjislacionit në fuqi për të huajt dhe mbështet punësimin e shtetasve shqiptarë jashtë vendit;

dh) zbaton marrëveshjet ndërkombëtare për punësimin.

2. Zbatimi i politikave publike të punësimit kryhet nëpërmjet institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë, që ngrihet sipas parashikimeve të këtij ligji, dhe strukturave rajonale/vendore në varësi të saj.

KREU III PROGRAMET AKTIVE TË TREGUT TË PUNËS

Neni 6

Programet aktive të tregut të punës

1. Programet aktive të tregut të punës përfshijnë mekanizma që synojnë të mbajnë të punësuarit në tregun e punës, të mbështesin punëkërkuesit e papunë të hyjnë në tregun e punës, të rrisin produktivitetin dhe të ardhurat nga puna dhe të përmirësojnë funksionimin e tregut të punës.

2. Programet aktive të tregut të punës përfshijnë:

a) shërbimet e punësimit;

b) programet e nxitjes së punësimit;

c) programet e formimit profesional.

Neni 7

Shërbimet e punësimit

1. Shërbimet e punësimit, të ofruara nga struktura rajonale/vendore, përfshijnë modelin e shërbimeve në tri nivele:

a) shërbimet e informimit për punëkërkuesit, punëdhënësit dhe për çdo person të interesuar;

b) ndërmjetësimin për punësim;

c) këshillimin dhe orientimin për karrierë, punësim e profesion.

2. Shërbimet e punësimit, sipas pikës 1 të këtij neni, ofrohen pa pagesë, si për punëkërkuesit, ashtu dhe për punëdhënësit.

3. Ministria merr të gjitha masat për të krijuar infrastrukturën e nevojshme, burimet njerëzore e materiale për të siguruar ofrimin, në strukturën rajonale/vendore, të shërbimeve të specializuara për grupet e veçanta, të cilat kërkojnë ndihmë për përfshirjen e tyre në tregun e punës.

4. Ministria, në bashkëpunim me aktorë të tjerë publikë, privatë, ose organizata të shoqërisë civile, mbështet pajisjen dhe përgatitjen e posaçme të stafit të strukturës rajonale/vendore për të ofruar nivele cilësore të ndërmjetësimit për punësim.

5. Procedurat, kriteret dhe rregullat për ofrimin e shërbimeve të punësimit, sipas pikës 1 të këtij neni, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

6. Veprimtaritë e ndërmjetësimit për punësim dhe këshillim profesional nga subjektet private, të përcaktuara në këtë ligj, përfshihen në kategorinë X.2 të shtojcës së ligjit për licencat. Licencimi i këtyre veprimtarive bëhet sipas legjislacionit në fuqi për licencat, autorizimet dhe lejet.

Neni 8

Informimi i punëkërkuesve dhe punëdhënësve

1. Struktura rajonale/vendore e punësimit siguron dhe ofron informacion për kërkesën e ofertën në tregun e punës, si për punëkërkuesit, ashtu dhe për punëdhënësit. Shërbimi përfshin informacion për:

a) tregun kombëtar, lokal dhe rajonal të punës;

b) shërbimet e punësimit dhe programet për punëdhënësit e punëkërkuesit;

c) mundësitë e punësimit;

ç) ofertat arsimore e kualifikuese të institucioneve të arsimit dhe formimit profesional;

d) orientimin për profesion dhe karrierë;

dh) të drejtën për të përfituar nga programet e mbështetjes, të ardhurat dhe procedurat e aplikimit;

e) legjislacionin e punës.

2. Informacioni ofrohet në forma dhe formate që janë të arritshme e të kuptueshme për punëkërkuesit e parashikuar në nenin 3, pika 4, shkronja “c”, të këtij ligji.

Neni 9

Ndërmjetësimi për punësim dhe përputhja me vendin e punës

1. Ndërmjetësimi për punësim dhe përputhja me vendin e punës synon gjetjen e një vendi të përshtatshëm pune për punëkërkuesin, formimi, aftësitë e cilësitë e të cilit përputhen me kërkesat e deklaruara nga punëdhënësi për këtë vend pune, si dhe ndërmjetësime për programet aktive të tregut të punës.

2. Ndërmjetësimi për punësim dhe përputhja me vendin e punës përfshin edhe shërbime këshilluese për punëdhënësit, me qëllim që të punësojnë kandidatët më të përshtatshëm, sipas kërkesave e tyre dhe në kohën e duhur, si dhe ndërmjetësime për programet aktive të tregut të punës. Në rastin e një punëkërkuesi, të parashikuar në nenin 3, pika 4, shkronja “c”, të këtij ligji, procesi i ndërmjetësimit shoqërohet me vlerësim të detajuar të punëkërkuesit, këshillim për punëdhënësit dhe të vendit e të proceseve të punës të vlefshme në tregun e hapur të punës.

3. Ndërmjetësim për punësim vlerësohet edhe rasti kur, në zbatim të marrëveshjeve ose lejeve të posaçme për punë, mundësohet punësimi i punëkërkuesve shqiptarë jashtë vendit dhe i të huajve brenda vendit.

Neni 10

Këshillimi dhe orientimi për karrierë, punësim dhe profesion

1. Këshillimi dhe orientimi për karrierë, punësim e profesion ofrohet nga struktura rajonale/vendore e punësimit nëpërmjet shërbimeve këshilluese të posaçme për punëkërkuesit, nxënësit dhe studentët, në lidhje me zgjedhjen dhe formimin e tyre në një profesion të përshtatshëm, me cilësitë individuale dhe orientimin në tregun e punës.

2. Këshillimi i specializuar ofron shërbime më të thelluara, të arritshme, të kuptueshme për grupet e veçanta, të cilat kanë pengesa për t’u përfshirë në punësim dhe profili i të cilave kërkon mbështetje intensive.

3. Këshillimi dhe orientimi për karrierë, punësim dhe profesion realizohet nëpërmjet këshillimit për:

a) karrierë, që ndihmon punëkërkuesit dhe orienton nxënësit dhe studentët në zgjedhjen e një profesioni të përshtatshëm me cilësitë individuale dhe për të kërkuar në tregun e punës;

b) profesion, që ndihmon punëkërkuesit, nxënësit dhe studentët për identifikimin e aftësive të munguara dhe ofrimin e mjeteve të përshtatshme për plotësimin e tyre;

c) punësim, që ndihmon punëkërkuesit, nxënësit dhe studentët për të identifikuar qëllimin e punësimit, qasjen në punësim dhe mundësitë e kualifikimeve, si dhe të kuptojnë aftësitë e nevojshme për të kërkuar e mbajtur një vend pune.

Neni 11

Programet e nxitjes së punësimit

1. Politikat publike të punësimit mbështesin punëkërkuesit, si dhe punëdhënësit, për të krijuar vende të reja pune të qëndrueshme, nëpërmjet programeve të posaçme të nxitjes së punësimit.

2. Programet e nxitjes së punësimit përfshijnë angazhimin e punëkërkuesve të papunë në programe të ndryshme punësimi, punësh publike, vetëpunësimi, praktikash profesionale apo trajnimi, për të cilat parashikohet subvencionim, në përqindje të caktuar, i kostove për:

a) sigurimet e detyrueshme shëndetësore dhe shoqërore;

b) pagat;

c) formimin profesional;

ç) formimin nëpërmjet punës;

d) vetëpunësimin;

dh) mbështetjen për bizneset e reja dhe inkubatorët e biznesit;

e) pajisjen e vendit të punës dhe përshtatjen e arsyeshme;

ë) zbatimin e programeve për mbështetjen e kualifikimit profesional në formën e dyfishtë të arsimit dhe formimit profesional;

f) punësimin e të diplomuarve/certifikuarve në arsimin e formimin profesional;

g) praktikat profesionale;

gj) programin e garancisë rinore;

h) programet e riintegrimit social;

i) transport për në vendin e punës;

j) ndjekjen e kopshteve dhe çerdheve për fëmijët në ngarkim;

k) të tjera.

3. Programet e nxitjes së punësimit zbatohen dhe administrohen nga institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë, në bashkëpunim me institucione të tjera publike, përgjegjëse për zhvillimin ekonomik e kualifikimin, si dhe në bashkëpunim me sektorin privat dhe organizata të shoqërisë civile.

Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë mund të kontraktojë subjekte të tjera publike, private apo organizata të shoqërisë civile, veprimtaria e të cilëve është e lidhur me fushën e punësimit, për të bërë të mundur zbatimin me cilësi dhe në kohë të programeve të nxitjes së punësimit.

4. Procedurat, kriteret dhe rregullat për zbatimin e programeve të nxitjes së punësimit, sipas pikave 2 dhe 3, të këtij neni, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 12

Programet e formimit profesional

1. Formimi profesional u shërben si punëkërkuesve, ashtu dhe punëdhënësve dhe realizohet nëpërmjet kurseve të unifikuara të formimit profesional publik.

2. Strukturat rajonale/vendore të punësimit mbështesin financiarisht, në bazë procedurash konkurrimi, kurse të formimit profesional, të organizuara nga institucionet e formimit profesional, publike apo private.

3. Punëkërkuesit e papunë përfitojnë kurse pa pagesë të formimit profesional, të ofruara nga institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë. Punëkërkuesit e papunë, në raste të veçanta, mund të përfitojnë një pagesë për pjesëmarrje në kurs, si dhe subvencionimin e shpenzimeve të udhëtimit, sipas tarifave në fuqi. Këshilli i Ministrave përcakton me vendim rregullat e subvencionimit të shpenzimeve të udhëtimit, rastet e përfitimit dhe masën e pagesës për pjesëmarrje në kurs.

4. Parimet, mënyrat e veprimit dhe metodat e përgatitjes profesionale, të zbatuara, përgjithësisht, në programet e formimit profesional të personave jo me aftësi të kufizuara, zbatohen në rastin e personave të parashikuar në nenin 3, pika 4, shkronja “c”, të këtij ligji. Për këtë grup zbatohen elementet e përshtatjes së arsyeshme, për sa u përket programeve të veçanta të trajnimit, kurrikulës së përshtatur në përputhje me shkallën dhe llojin e aftësisë së kufizuar, trajnerëve/mësuesve të përgatitur për të ofruar trajnim të posaçëm për këtë kategori.

5. Procedurat, kriteret dhe rregullat për zbatimin e programeve të formimit profesional, sipas pikave 2 dhe 4, të këtij neni, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

KREU IV PROGRAMET PASIVE TË TREGUT TË PUNËS

Neni 13

Pagesa e të ardhurave nga papunësia Punëkërkuesit e papunë, të cilët plotësojnë kushtet për përfitimin e të ardhurave nga papunësia dhe regjistrohen në strukturën rajonale/vendore si punëkërkues të papunë në zbatim të legjislacionit për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, përfitojnë nga pagesa e të ardhurave nga papunësia.

KREU V INSTITUCIONI PËRGJEGJËS PËR PUNËSIMIN DHE AFTËSITË

Neni 14

Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë

1. Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë është person juridik publik në varësi të ministrisë përgjegjëse për çështjet e punësimit dhe zhvillimit të aftësive, i organizuar në nivel qendror dhe rajonal/vendor.

2. Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë ushtron kompetencat e mëposhtme:

a) administron strukturat rajonale/vendore të punësimit dhe garanton nivelin e cilësisë së shërbimeve të ofruara;

b) në bashkëpunim me punëdhënësit, administron dhe zbaton programet e nxitjes së punësimit;

c) administron ofruesit publikë të arsimit dhe formimit profesional (AFP), sipas legjislacionit në fuqi për arsimin dhe formimin profesional në Republikën e Shqipërisë;

ç) zbaton programet e formimit profesional;

d) i propozon ministrisë përgjegjëse për çështjet e punësimit dhe zhvillimit të aftësive aktet ligjore dhe nënligjore në fushën e nxitjes së punësimit;

dh) ushtron kompetenca të parashikuara nga ky ligj dhe nga ligje të tjera.

3. Rregullat e organizimit dhe funksionimit të institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 15

Këshilli Konsultativ për Punësimin

1. Këshilli Konsultativ për Punësimin është organ këshillimor që ngrihet pranë institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë, me përfaqësimin e organizatave të punëdhënësve, organizatave sindikale, si dhe institucioneve shtetërore.

2. Këshilli kryesohet nga ministri dhe përbëhet nga 11 anëtarë, si më poshtë:

a) 1 përfaqësues nga ministria përgjegjëse për financat;

b) 1 përfaqësues nga ministria përgjegjëse për çështjet sociale;

c) 1 përfaqësues nga ministria përgjegjëse për arsimin;

ç) 1 përfaqësues nga inspektorati shtetëror që mbulon fushën e punës;

d) 1 përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve;

dh) 1 përfaqësues nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore;

e) 2 përfaqësues nga organizatat më të përfaqësuara sindikale;

ë) 2 përfaqësues nga organizatat më të përfaqësuara të punëdhënësve.

3. Anëtarët e Këshillit emërohen me urdhër të ministrit, pas propozimit nga institucionet/ organizatat e parashikuara në pikën 2, të këtij neni, për një mandat 3-vjeçar.

4. Përzgjedhja e organizatave më të përfaqësuara sindikale dhe të punëdhënësve bëhet nga ministri, sipas vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave për caktimin e organizatave më të përfaqësuara sindikale dhe të punëdhënësve.

5. Këshilli Konsultativ për Punësimin ushtron kompetencat e mëposhtme:

a) diskuton çështjet që lidhen me shërbimet e punësimit dhe programet e nxitjes së punësimit;

b) nxit bashkëpunimin efektiv ndërmjet organizatave të punëdhënësve dhe organizatave sindikale për çështjet e nxitjes së punësimit;

c) këshillon lidhur me mënyrën e përdorimit të Fondit Social të Punësimit, sipas parashikimeve të këtij ligji.

6. Rregulla më të detajuara për organizimin, funksionimin dhe kompetencat e Këshillit Konsultativ për Punësimin përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

KREU VI SISTEMI I INFORMACIONIT PËR TREGUN E PUNËS

Neni 16

Të drejtat dhe detyrimet e institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë për informacionin e tregut të punës

1. Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë mbledh, përpunon dhe analizon informacion nëpërmjet sistemit të informacionit të institucioneve të varësisë ose nëpërmjet studimeve specifike apo anketimeve, që kanë të bëjnë me dinamikat dhe tendencat e tregut të punës apo të segmenteve të tij. Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë raporton në ministri dhe në institucione të tjera publike e private, që e kërkojnë një informacion të tillë.

2. Për sigurimin e këtij informacioni, institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë ka si detyrim:

a) mbledhjen, përpunimin dhe raportimin e informacionit për punëkërkuesit e papunë, si dhe për vendet e lira të punës të shpallura në strukturën rajonale/vendore;

b) kryerjen e studimeve periodike mbi tregun e punës apo të një pjese të tij, në nivel rajonal dhe kombëtar;

c) kryerjen e monitorimit dhe vlerësimit të efikasitetit të programeve aktive të tregut të punës, si dhe ndjekjen në vazhdimësi të tyre.

3. Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë kryen hulumtime periodike në tregun e punës për mbledhjen e të dhënave për numrin e të punësuarve, për kushtet e punës, procesin e rekrutimit, mungesën e aftësive apo të nevojave për trajnim, sipas metodologjive kombëtare dhe ndërkombëtare, të testuara e të miratuara.

Neni 17

Mbledhja, shpërndarja e të dhënave dhe bashkëpunimi me institucione të tjera

1. Ministria i siguron institucionit përgjegjës për statistikat zyrtare, statistikat e papunësisë së regjistruar, përveç atyre që rrjedhin nga regjistrimi i popullsisë dhe vëzhgimet statistikore të autorizuara nga institucioni përgjegjës për statistikat zyrtare, si anketa e forcave të punës.

2. Ministria administron informacionin e mbledhur, në koordinim me institucionin përgjegjës për statistikat zyrtare, në mënyrë që të ketë një sistem të harmonizuar të mbledhjes së të dhënave dhe analizave.

3. Çdo institucion i administratës publike ka detyrimin e dhënies së informacionit, të kërkuar nga institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë, për qëllimet e zbatimit të këtij ligji, në përputhje me rregullat dhe afatet e parashikuara nga legjislacioni në fuqi, si dhe ka të drejtën që të kërkojë e të marrë informacion prej saj.

4. Ruajtja dhe përpunimi i informacionit, që shkëmbehet sipas parashikimeve të pikës 3 të këtij neni, bëhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.

KREU VII BASHKËPUNIMI ME PUNËDHËNËSIT

Neni 18

Të drejtat e punëdhënësve

1. Çdo punëdhënës ka të drejtë të informohet për politikat e tregut të punës, legjislacionin e punës, programet e nxitjes së punësimit dhe programet e arsimit dhe formimit profesional, nëpërmjet strukturave rajonale/vendore të institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë.

2. Punëdhënësi ka të drejtë të publikojë në këtë strukturë vendet e lira të punës, nëpërmjet sistemit të informacionit të strukturave rajonale/ vendore, për të përfituar nga shërbimet e ndërmjetësimit dhe të përputhjes me vendin e punës që ato ofrojnë.

3. Punëdhënësi ka të drejtë të aplikojë në strukturën përkatëse rajonale/vendore për të përfituar nga programet e nxitjes së punësimit dhe të kualifikimeve që zbaton institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë.

Neni 19

Detyrimet e punëdhënësve

1. Në rastet e fillimit të procedurave të falimentit me kërkesë të punëdhënësit, sipas legjislacionit në fuqi për falimentin, ky i fundit njofton strukturën përkatëse rajonale/vendore, jo më vonë se 20 ditë kalendarike, për vendimin e gjykatës për fillimin e procedurave të falimentit.

2. Çdo punëdhënës, përfitues i fondeve publike, është i detyruar të punësojë një numër të caktuar punëkërkuesish të papunë, të regjistruar në strukturat rajonale/vendore, duke i dhënë përparësi punësimit të punëkërkuesve të papunë afatgjatë.

3. Rregullat dhe procedurat për zbatimin e pikës 2, të këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Neni 20

Punësimi i personave nga grupet e veçanta

1. Çdo punëdhënës duhet të punësojë:

a) një person që i përket grupeve të përcaktuara në nenin 3, pika 4, shkronja “c”, të këtij ligji, për 25 punonjësit e parë të ndërmarrjes; dhe

b) nga një person shtesë, sipas grupeve të përcaktuara në nenin 3, pika 4, shkronja “c”, të këtij ligji, për çdo 50 punonjës të tjerë të ndërmarrjes mbi parashikimet e bëra në shkronja “a” të kësaj pike.

2. Punëdhënësi, i cili nuk punëson numrin e përcaktuar të personave, sipas pikës 1, të këtij neni, derdh një kontribut për llogari të Fondit Social të Punësimit, në masën e 100 për qind të pagës minimale në shkallë vendi, për çdo muaj, për çdo person që i përket grupeve të përcaktuara në nenin 3, pika 4, shkronja “c”, të këtij ligji, që ai duhet të kishte punësuar, sipas këtij neni. Procedura dhe mënyra e derdhjes së kontributit përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për çështjet e punësimit dhe zhvillimit të aftësive.

3. Punëdhënësit marrin masat e nevojshme për plotësimin e vendeve të lira të punës me personat që i përkasin grupeve të përcaktuara në nenin 3, pika 4, shkronja “c”, të këtij ligji. Në rastin kur punëdhënësi nuk mund të identifikojë kandidatët për punësim, për zbatimin e pikës 1, të këtij neni, paraqet kërkesë pranë strukturës përkatëse rajonale/vendore, e cila vë në dispozicion listën e punëkërkuesve të papunë të regjistruar për këtë kategori. Për qëllime të zbatimit të kësaj pike, struktura rajonale/vendore ndërmjetëson lidhur me përputhjen e vendit të punës me mundësitë e këtyre personave.

4. Punëdhënësit, publikë dhe privatë, mund të punësojnë në një njësi prodhimi, një numër më të madh punonjësish, që përkasin grupeve të përcaktuara në nenin 3, pika 4, shkronja “c”, të këtij ligji, se ajo e parashikuar sipas pikës 1, të këtij neni. Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësinë mund të lejojë kompensimin e tepricave të numrit më të vogël të punonjësve të punësuar në njësi tjetër të këtij subjekti, në të njëjtin rajon apo në rajone të tjera.

5. Punëdhënësit, publikë apo privatë, janë të detyruar të sigurojnë ruajtjen e vendit të punës për ata individë, të cilët, në kohën e punësimit nuk kanë qenë me aftësi të kufizuara, por e kanë fituar aftësinë e kufizuar nga aksidentet në punë ose nga sëmundjet profesionale.

Neni 21

Fondi Social i Punësimit

1. Për të siguruar nxitjen e punësimit, integrimin dhe përfshirjen sociale të personave të parashikuar në nenin 3, pika 4, shkronja “c”, të këtij ligji, krijohet Fondi i Social i Punësimit, në formën e një fondi financiar publik.

2. Fondi krijohet nga:

a) kontributet e derdhura në llogari të Fondit, sipas pikës 2, të nenit 20, të këtij ligji;

b) të ardhura të tjera të krijuara nga burime të tjera të ligjshme, përfshirë:

i. financime dhe grante;

ii. fondet e përfituara nga marrëveshjet ndërmjet Republikës së Shqipërisë, Këshillit të Ministrave dhe donatorëve të ndryshëm;

c) buxheti i shtetit.

3. Të ardhurat dhe kontributet për llogari të Fondit derdhen tek institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë dhe janë zë më vete në buxhetin e saj. Fondi Social i Punësimit i papërdorur në vitin korrent mbartet në vitin buxhetor pasardhës.

4. Fondi Social i Punësimit përdoret për programe që synojnë punësimin, vetëpunësimin, rehabilitim për punë, aftësimin dhe riaftësimin profesional, orientimin dhe këshillimin për punësim, shërbime mbështetëse, rikonstruksion dhe përshtatje të vendit të punës të personave të parashikuar në nenin 3, pika 4, shkronja “c”, të këtij ligji, programe riintegrimi social, mbështetje për nxitjen e punësimit të familjarëve të personave me aftësi të kufizuara. Të ardhurat e Fondit Social të Punësimit, sipas pikës 2, të këtij neni, nuk mund të përdoren për qëllime të tjera, përveç atyre të parashikuara në këtë pikë.

5. Punëdhënësit kanë të drejtë të kërkojnë subvencion nga struktura përkatëse rajonale/ vendore për rikonstruksion dhe përshtatjen e vendit të punës, për çdo person të punësuar, sipas parashikimeve të nenit 20 të këtij ligji.

6. Fondi Social i Punësimit administrohet nga Bordi i Administrimit të Fondit, sipas legjislacionit në fuqi. Përbërja, kriteret dhe detyrat e Bordit të Administrimit të Fondit, si dhe mënyra e përdorimit të Fondit, sipas pikave 4 dhe 5, të këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

KREU VIII SANKSIONET

Neni 22

Sanksionet

1. Shkelja e parashikimeve të pikës 2, të nenit 20, të këtij ligji, konsiderohet kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga inspektoratit shtetëror që mbulon fushën e punës, sipas përcaktimeve të bëra nga legjislacioni në fuqi për inspektimin e punës.

2. Procedurat e shqyrtimit dhe ankimit të vendimeve për kundërvajtjet administrative bëhen në përputhje me parashikimet e legjislacionit në fuqi për inspektimin e punës.

KREU IX DISPOZITA PËRFUNDIMTARE

Neni 23

Dispozita kalimtare

1. Institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë ngrihet brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi të këtij ligji.

2. Deri në momentin e krijimit të institucioni përgjegjës për punësimin dhe aftësitë, funksionet e saj kryen nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit.

3. Të gjitha të drejtat, detyrimet, buxheti, si dhe dokumentacioni administrativ dhe financiar i Shërbimit Kombëtar të Punësimit i transferohen institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë, pas ngritjes së tij.

4. Aktet nënligjore, në zbatim të ligjit nr. 7995, datë 20.9.1995, “Për nxitjen e punësimit”, të ndryshuar, mbeten në fuqi deri në miratimin e akteve të reja nënligjore, në zbatim të këtij ligji, për sa kohë nuk bien në kundërshtim me parashikimet e këtij ligji.

Neni 24

Aktet nënligjore

1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktin nënligjor në zbatim të nenit 14, pika 3, të këtij ligji.

2. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të nenit 7, pika 5; nenit 11, pika 4; nenit 12, pikat 3 dhe 5; nenit 15, pika 6; nenit 19, pika 3; dhe nenit 21, pika 6, të këtij ligji.

3. Ngarkohet ministri përgjegjës për çështjet e punësimit dhe zhvillimit të aftësive që, brenda dymbëdhjetë muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktin nënligjor në zbatim të pikës 2, të nenit 20, të këtij ligji.

Neni 25

Shfuqizime Ligji nr. 7995, datë 20.9.1995, “Për nxitjen e punësimit”, i ndryshuar, shfuqizohet.

Neni 26

Hyrja në fuqi Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Miratuar më 13.3.2019.

Shpallur me dekretin nr. 11152, datë 28.3.2019 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta

Pyet Juristi.im për këtë ligj