Legjislacion në fuqi
Ligji nr. 35/2023 “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet”
Teksti i përditësuar siç e mban Qendra e Botimeve Zyrtare. Për përdorim zyrtar verifikoni versionin në fuqi në QBZ.
Përmbajtja: 13 nene
LIGJ Nr. 35/2023 PËR KOMPETENCAT PËR CAKTIMIN E PAGAVE, TRAJTIMEVE TË TJERA FINANCIARE DHE PËRFITIMEVE TË TË PUNËSUARVE NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS PUBLIKE, SI DHE TË PAGËS BAZË MINIMALE NË SHKALLË VENDI (ndryshuar me Ligjin nr. 93/2024, datë 26.7.2024) ( i përditësuar) Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:
KREU I DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Qëllimi i ligjit Ky ligj ka si qëllim krijimin e kuadrit rregullator për kompetencat për caktimin e pagave, të trajtimeve të tjera financiare dhe të përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe për përcaktimin e pagës bazë minimale në shkallë vendi.
Neni 2
Objekti i ligjit Ky ligj përcakton institucionet dhe organet që kanë të drejtë të propozojnë dhe të miratojnë:
a) paga, trajtime të tjera financiare dhe përfitime për të punësuarit e institucioneve të administratës publike;
b) pagën bazë minimale në shkallë vendi, të detyrueshme për t’u zbatuar nga çdo punëdhënës në Republikën e Shqipërisë.
Neni 3
Përkufizime Në kuptim të këtij ligji, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Institucione të administratës publike” janë institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura, njësitë e vetëqeverisjes vendore, njësitë e fondeve speciale dhe ndërmarrjet shtetërore me kapital mbi 50 për qind shtetëror.
2. “Institucione të administratës shtetërore” janë Kryeministria, ministritë, institucionet në varësi të Kryeministrit apo ministrave, Forcat e Armatosura, përfaqësitë diplomatike jashtë vendit, njësitë e drejtpërdrejta të ofrimit të shërbimeve, agjencitë autonome dhe administrata e prefektit.
3. “Institucion i pavarur” ka të njëjtin kuptim sipas ligjit nr. 152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar.
4. “Njësi e vetëqeverisjes vendore” ka të njëjtin kuptim sipas ligjit nr. 139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, të ndryshuar.
5. “Njësi e fondeve speciale” ka të njëjtin kuptim sipas ligjit nr. 9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
6. “Trajtime të tjera financiare” janë shpërblimi për rezultate në punë apo inovacion sipas sektorëve, mbështetja financiare e menjëhershme, shtesa e veçantë e kushtëzuar e pagës mbi pagën bruto mujore, çmimet apo shpërblimet për ide inovative dhe inovacion, çmimet apo shpërblimet për projekte të fituara nga të cilat janë përthithur fonde dhe/ose ka përfituar institucioni apo vendi.
7. “Përfitime” janë shërbimet e veçanta, trajtimet e veçanta për nëpunësin, punonjësin dhe/ose fëmijën/familjen e tij, trajnimet, aftësimi, riaftësimi dhe edukimi gjatë gjithë jetës.
8. “Sektor publik” përfshin institucionet e administratës publike dhe entet publike që janë krijuar si të tilla në legjislacionin e krijimit të tyre.
Neni 4
Fusha e veprimit
1. Ky ligj zbatohet për funksionarët e zgjedhur apo të emëruar, të përcaktuar në këtë ligj, nëpunësit civilë, nëpunësit dhe punonjësit e tjerë, në vijim të punësuarit në institucionet e administratës publike.
2. Në këtë ligj kompetenca për përcaktimin e pagës bazë minimale në shkallë vendi shtrihet në sektorin publik dhe privat.
3. Në këtë ligj parimet për përcaktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve janë të detyrueshme për zbatim nga të gjitha entet publike.
Neni 5
Parimet për përcaktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve Në përcaktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në sektorin publik, institucionet dhe organet duhet të garantojnë shpërblimin e drejtë dhe dinjitoz të tyre, duke siguruar që institucionet/entet publike:
a) të jenë në gjendje të marrin në punë persona të motivuar dhe që përmbushin me shpejtësi dhe cilësi funksionet e tyre;
b) të motivojnë të punësuarit nëpërmjet skemave të posaçme që të rrisin performancën në punë;
c) të sigurojnë një shpërblim të drejtë dhe të barabartë për punë të njëjta;
ç) të krijohet një sistem pagash, trajtimesh të tjera financiare dhe përfitimesh, që mund t’i përgjigjet nevojës për të përmbushur prioritetet;
d) të jenë në gjendje të konkurrojnë me sektorin privat për punësimin e punonjësve të talentuar.
KREU II KOMPETENCAT PËR CAKTIMIN E PAGAVE, TË TRAJTIMEVE TË TJERA FINANCIARE DHE PËRFITIMEVE
Neni 6
Organet kompetente Në Republikën e Shqipërisë kanë kompetencë për caktimin e pagës, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve, sipas përkatësisë:
a) Kuvendi;
b) Këshilli i Ministrave;
c) këshillat e njësive të vetëqeverisjes vendore;
ç) organet kolegjiale drejtuese të njësive të fondeve speciale;
d) organet kolegjiale drejtuese të ndërmarrjeve shtetërore me kapital mbi 50 për qind shtetëror;
dh) organet kolegjiale drejtuese të institucioneve të pavarura apo të institucioneve të administratës shtetërore, në rastet kur këto institucione financohen pjesërisht apo tërësisht nga fonde të tjera, të ndryshme nga ato të buxhetit të shtetit, dhe kur kjo kompetencë është përcaktuar shprehimisht në ligjin e krijimit, organizimit dhe funksionimit të tyre.
Neni 7
Kompetencat e Kuvendit Kuvendi miraton me ligj:
a) pagën bruto mujore të Presidentit, në kuadër të miratimit të ligjit vjetor të buxhetit;
b) raportet e pagave për Kryeministrin, deputetët, ministrat dhe titullarët e anëtarët e organeve kolegjiale drejtuese të institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj;
c) elementet përbërëse të pagës bruto mujore për të punësuarit, me përjashtim të të punësuarve në njësitë e fondeve speciale dhe në ndërmarrjet shtetërore me kapital mbi 50 për qind shtetëror;
ç) vlerën e çdo elementi të pagës bruto mujore për titullarët e institucioneve të pavarura kushtetuese, në kuadër të miratimit të ligjit të krijimit, organizimit dhe funksionimit të institucionit përkatës.
Neni 8
Kompetencat e Këshillit të Ministrave
1. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për çështjet e punësimit, miraton pagën bazë minimale mujore në shkallë vendi, e cila është e detyrueshme të zbatohet nga çdo punëdhënës në Republikën e Shqipërisë. Gjatë procesit të përgatitjes së projektvendimit ministri përgjegjës për çështjet e punësimit e bashkërendon atë me Departamentin e Administratës Publike dhe ministrinë përgjegjëse për financat.
2. Këshilli i Ministrave, me propozimin e zëvendëskryeministrit ose të ministrit nën përgjegjësinë e të cilit është Departamenti i Administratës Publike, në rastin kur DAP-i është nën përgjegjësinë e një ministri, miraton:
a) elementet përbërëse të pagës bruto mujore dhe vlerën për çdo element të pagës bruto mujore për të punësuarit në institucionet e administratës publik, për të cilët këto elemente nuk janë shprehur në ligjet e posaçme/të tjera, me përjashtim të të punësuarve për të cilët kjo kompetencë i është dhënë një institucioni/organi tjetër sipas përcaktimit në këtë ligj;
b) masën e indeksimit të pagave të të punësuarve në institucionet e administratës publike jo më vonë se dy vjet nga indeksimi i fundit, si dhe rregullat për zbatimin e tij. Niveli i indeksimit në çdo rast nuk kalon një pikë përqindjeje mbi nivelin e targetuar të inflacionit nga Banka e Shqipërisë;
c) rregullat, kriteret dhe masën për trajtime të tjera financiare dhe përfitime, si dhe rregullat për pagesën shtesë për punën e kryer mbi kohën normale të punës në ditët e festave zyrtare e të pushimit javor dhe për raste të tjera të parashikuara në Kodin e Punës dhe në ligje të tjera të veçanta, me përjashtim të të punësuarve për të cilët kjo kompetencë i është dhënë një institucioni/organi tjetër sipas përcaktimit në këtë ligj apo në ligje të tjera;
ç) klasifikimin e funksioneve, grupimin e njësive të vetëqeverisjes vendore për efekt page dhe kufijtë maksimalë e minimalë të pagave për funksionarët e zgjedhur, të emëruar dhe të punësuarit e tjerë në njësitë e vetëqeverisjes vendore;
d) shtesën e veçantë të kushtëzuar mbi pagën bruto mujore, sipas fushave dhe/ose nënfushave prioritare të zhvillimit të vendit, që nuk tejkalon vlerën e pagës mesatare mujore të sektorit respektiv në vendet e Bashkimit Europian, por në çdo rast nuk mund të tejkalojë pagën mesatare mujore më të lartë të një prej vendeve të Bashkimit Europian, referuar të dhënave të Eurostatit;
dh) listën e fushave dhe/ose nënfushave prioritare të zhvillimit të vendit, si dhe pozicionet apo funksionet që përfitojnë shtesën e veçantë të kushtëzuar, të përcaktuar në shkronjën “d” të pikës 2 të këtij neni;
e) kriteret, procedurat dhe institucionet kompetente për lidhjen e marrëveshjeve me entitete të treta, që u mundësojnë punonjësve të administratës publike shërbime dhe tarifa preferenciale.
3. Gjatë procesit të hartimit të projektvendimeve të parashikuara në pikën 2 të këtij neni, Departamenti i Administratës Publike i bashkërendon ato me ministrin përgjegjës për financat për sa u përket efekteve të tyre financiare.
4. Projektvendimet e Këshillit të Ministrave, sipas parashikimeve të pikës 2 të këtij neni, vlerësohen dhe përgatiten nga Departamenti i Administratës Publike:
a) kryesisht në rastin e rritjeve apo reformës së përgjithshme të pagave, bazuar në disponueshmërinë e fondeve përkatëse të vëna në dispozicion nga ana e ministrisë përgjegjëse për financat;
b) pas kërkesës së Kryeministrit;
c) pas kërkesës së Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, në rastin e ndryshimeve për Kryeministrinë apo ndryshimeve dhe krijimit të institucioneve në varësi të Kryeministrit;
ç) pas kërkesës së ministrave të linjës në rastin e ministrive të linjës apo ndryshimeve dhe krijimit të institucioneve në varësi të ministrave të linjës;
d) pas kërkesës së titullarëve të institucioneve të pavarura, organeve drejtuese të njësive të vetëqeverisjes vendore apo Këshillit Konsultativ të Qeverisjes Qendrore me Vetëqeverisjen Vendore.
5. Këshilli i Ministrave, sipas rastit, me propozimin e ministrit përgjegjës për financat, miraton:
a) shpërblimin e anëtarëve të këshillave, të bordeve ose të çdo organi tjetër kolegjial të institucioneve të administratës shtetërore, kur legjislacioni përkatës parashikon krijimin e një këshilli/bordi drejtues apo organi kolegjial me të drejtë pagese në këto institucione, me përjashtim të atyre të shoqërive aksionare/tregtare apo të institucioneve të tjera, rregullimi i të cilave bëhet me ligje të veçanta;
b) masën e mbështetjes financiare të menjëhershme në rastet e situatave të vështira ekonomiko-shoqërore apo situatave të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për të punësuarit në institucionet e administratës publike, me përjashtim të të punësuarve të njësive të vetëqeverisjes vendore.
6. Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për financat dhe ministrit përgjegjës për ekonominë, miraton kufirin maksimal të pagës dhe të shpërblimit të titullarit të njësive të fondeve speciale, të ndërmarrjeve shtetërore me kapital mbi 50 për qind shtetëror, si dhe kufirin e shpërblimit të anëtarëve të këshillave ose të bordeve drejtuese të tyre.
7. Gjatë procesit të përgatitjes së projektvendimeve të parashikuara në pikat 5 dhe 6 të këtij neni, ato bashkërendohen me Departamentin e Administratës Publike.
Neni 9
Kompetencat e këshillave të njësive të vetëqeverisjes vendore ( ndryshuar shkronja ‘’c’’ me Ligjin nr. 93/2024, datë 26.7.2024) Këshillat e njësive të vetëqeverisjes vendore miratojnë:
a) vlerën e pagës për çdo funksion të zgjedhur, të emëruar dhe për çdo të punësuar tjetër brenda kufijve të pagave për çdo grup të njësive të vetëqeverisjes vendore, të miratuara nga Këshilli i Ministrave;
b) njësimin në pagë në përputhje me klasifikimin e funksioneve të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave për çdo funksion të ri që vendosin të krijojnë;
c) shpërblimin mujor të kryetarëve të fshatrave në masën deri në 10 për qind të pagës mujore të kryetarit përkatës të njësisë së vetëqeverisjes vendore;
ç) shpërblime të personave nga burimet e veta financiare, të cilat caktohen në komitete, borde, këshilla, komisione e të tjera të kësaj natyre, që ngrihen me vendim të këshillit përkatës;
d) pagat e punonjësve të njësive ekonomike dhe të institucioneve të varësisë së tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi, me përjashtim të rasteve, kur me ligj të veçantë, është parashikuar ndryshe;
dh) masën e mbështetjes financiare të menjëhershme në rastet e situatave të vështira ekonomiko-shoqërore ose situatave të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për të punësuarit e tyre.
Neni 10
Kompetencat e organeve kolegjiale
1. Organet kolegjiale drejtuese, të përcaktuara në shkronjat “ç” dhe “d” të nenit 6 të këtij ligji, miratojnë:
a) elementet përbërëse të pagës bruto mujore të të punësuarve të tyre;
b) vlerën për çdo element të pagës bruto mujore të të punësuarve të tyre, duke respektuar kufirin maksimal të caktuar nga Këshilli i Ministrave, në varësi të mundësive të tyre financiare dhe pas miratimit nga Kryeministri apo ministri nën përgjegjësinë e të cilit janë;
c) masën e shpërblimit për rezultate në punë, por jo më shumë se një pagë mujore në vit, pas daljes së rezultatit financiar vjetor, si dhe pas miratimit nga Kryeministri apo ministri përkatës nën përgjegjësinë e të cilit janë.
2. Për ndërmarrjet shtetërore, veprimtaria e të cilave është me humbje ose që subvencionohen nga shteti, Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përkatës dhe të ministrit përgjegjës për financat, miraton me akte të veçanta nivelin e pagave dhe të shpërblimeve të të punësuarve të tyre.
3. Organet kolegjiale drejtuese, të përcaktuara në shkronjën “dh” të nenit 6 të këtij ligji, kur nuk ka përcaktime në ligjin e tyre specifik, miratojnë:
a) elementet përbërëse të pagës bruto mujore të të punësuarve të tyre;
b) vlerën për çdo element të pagës bruto mujore të të punësuarve të tyre;
c) rregullat, kriteret dhe masën e trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve.
KREU III DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 11
Shfuqizime Ligji nr. 10 405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, shfuqizohet.
Neni 12
Dispozitë kalimtare
1. Aktet nënligjore të miratuara në zbatim të ligjit nr. 10 405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, mbeten në fuqi dhe do të zbatohen deri në miratimin e akteve nënligjore në zbatim të këtij ligji.
2. Aktet nënligjore të miratuara në zbatim të ligjit nr. 10 405, datë 24.3.2011, “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe të shpërblimeve”, të cilat përcaktojnë paga dhe shpërblime për institucione të administratës publike dhe ente publike, që nuk janë në fushën e veprimit të këtij ligji, mbeten në fuqi dhe do të vazhdojnë të zbatohen deri në miratimin e akteve të reja nënligjore nga autoritetet përgjegjëse në zbatim të legjislacionit të posaçëm në fuqi.
Dispozitë kalimtare (e Ligjit nr. 93/2024, datë 26.7.2024) Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij ligji, fillojnë nga data e hyrjes në fuqi të ligjit nr. 35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”.
Neni 13
Hyrja në fuqi Ky ligj hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
Miratuar në datën 25.5.2023.
Shpallur me dekretin nr. 75, datë 29.5.2023, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.