Legjislacion në fuqi
Ligji nr. 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”
Teksti i përditësuar siç e mban Qendra e Botimeve Zyrtare. Për përdorim zyrtar verifikoni versionin në fuqi në QBZ.
Përmbajtja: 74 nene
- Neni 1
- Neni 2
- Neni 3
- Neni 4
- Neni 5
- Neni 6
- Neni 7
- Neni 8
- Neni 9
- Neni 10
- Neni 11
- Neni 12
- Neni 13
- Neni 14
- Neni 15
- Neni 16
- Neni 17
- Neni 18
- Neni 19
- Neni 20
- Neni 21
- Neni 22
- Neni 23
- Neni 24
- Neni 25
- Neni 26
- Neni 27
- Neni 28
- Neni 29
- Neni 30
- Neni 31
- Neni 32
- Neni 33
- Neni 34
- Neni 35
- Neni 36
- Neni 37
- Neni 38
- Neni 39
- Neni 40
- Neni 41
- Neni 42
- Neni 43
- Neni 44
- Neni 45
- Neni 46
- Neni 47
- Neni 48
- Neni 49
- Neni 50
- Neni 51
- Neni 52
- Neni 53
- Neni 54
- Neni 55
- Neni 56
- Neni 57
- Neni 58
- Neni 59
- Neni 60
- Neni 61
- Neni 62
- Neni 63
- Neni 64
- Neni 65
- Neni 66
- Neni 67
- Neni 68
- Neni 69
- Neni 70
- Neni 71
- Neni 72
- Neni 73
- Neni 74
LIGJ Nr. 69/2012 PËR SISTEMIN ARSIMOR PARAUNIVERSITAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË (ndryshuar me ligjin nr.56/2015,datë 28.5.2015, nr. 48/2018, datë 23.7.2018, 44/2023, datë 15.6.2023; nr. 99/2012, datë 12.9.2024) (i përditësuar) Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:
KREU I DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti, qëllimi dhe fusha e zbatimit të ligjit
1. Objekti i këtij ligji është përcaktimi i parimeve bazë për strukturën, veprimtarinë dhe qeverisjen e sistemit arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë.
2. Qëllimi i këtij ligji është garantimi i së drejtës kushtetuese për arsimim, sipas kuadrit ligjor përkatës për funksionimin e sistemit arsimor parauniversitar.
3. Fusha e zbatimit të këtij ligji është sistemi arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë, përveç aspekteve të strukturës, veprimtarisë dhe qeverisjes së arsimit profesional, që rregullohen me ligj të veçantë.
Neni 2
Përkufizime (ndryshuar pikat 8, 10, 12 dhe 19, shtuar pika 23 me ligjin nr.56/2015,datë 28.5.2015, shtuar pikat 24 dhe 25 me ligjin nr. 48/2018, datë 23.7.2018, shtuar pikat 5/1, 5/2, 5/3 me ligjin 44/2023, datë 15.6.2023) Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Arsimi parauniversitar” përfshin nivelet arsimore me kodet 0, 1, 2 dhe 3, sipas “Klasifikimit Ndërkombëtar Standard të Arsimit”, të miratuar nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s, në sesionin e 29-të të saj, në nëntor 1997, përkatësisht:
a) “Niveli me kodin 0”, arsimi parashkollor;
b) “Niveli me kodin 1”, arsimi fillor;
c) “Niveli me kodin 2”, arsimi i mesëm i ulët;
ç) “Niveli me kodin 3”, arsimi i mesëm i lartë.
2. “Arsim në distancë” është mënyrë arsimimi, ku pjesa më e madhe e procesit mësimor kryhet kur mësuesi dhe nxënësi nuk janë zakonisht në të njëjtin vend e në të njëjtën kohë dhe realizohet kryesisht me ndihmën e teknologjisë së komunikimit dhe informacionit.
3. “Fushë e të nxënit” është një lëndë ose bashkësi lëndësh që shqyrtojnë realitetin nga këndvështrime të caktuara.
4. “Gjimnaz” është shkolla e mesme e përgjithshme.
5. “Institucion arsimor” është kopshti ose shkolla.
5/1. “Shkollë e bashkuar” është institucioni arsimor parauniversitar publik, që përfshin nxënës të disa niveleve arsimore, sipas përcaktimeve të këtij ligji;
5/2. “Qendër Burimore” është institucioni arsimor parauniversitar, që ofron arsim special dhe shërbime të veçanta për fëmijët me aftësi të kufizuara;
5/3. “Shkollë me status të veçantë” është institucioni arsimor parauniversitar publik, i arsimit të orientuar me drejtim artistik dhe sportiv.
6. “Institucion arsimor plotësues” është institucioni që pasuron përvojat mësimore dhe jetësore të nxënësve.
7. “Këshilli i prindërve” është organ i përbërë nga përfaqësues të prindërve të nxënësve të institucionit arsimor.
8. “Kurrikula” është sistem i përbërë nga disa elemente, si: korniza kurrikulare, kurrikula bërthamë, programet mësimore, vlerësimi, që, të lidhura mes tyre, lejojnë të orientohet dhe të funksionojë sistemi arsimor, nëpërmjet planeve arsimore dhe administrative. Kurrikula siguron arsimim cilësor dhe të barabartë për çdo pjesëtar të shoqërisë, pavarësisht nga përkatësia etnike, seksi, pozita shoqërore.
9. “Kornizë kurrikulare” është dokumenti themelor i kurrikulës, ku përshkruhen synimet e përgjithshme të saj, kompetencat themelore, rezultatet e pritshme për nxënësit, për sa i përket dijeve, aftësive dhe qëndrimeve në fund të arsimit bazë dhe atij të mesëm të lartë, synimet e fushave të të nxënit dhe parimet e përgjithshme të procesit të mësimdhënies e nxënies e të vlerësimit të nxënësve.
10. “Kompetenca themelore” është kompetenca, për të cilat kanë nevojë të gjithë individët për plotësim dhe zhvillim vetjak, për qytetari aktive, për përfshirje shoqërore dhe për punësim.
11. “Kopsht” është institucioni arsimor që ofron shërbim arsimor të nivelit me kodin 0.
12. “Kurrikula bërthamë” është kurrikul e përbashkët për të gjithë nxënësit e një niveli në sistemin arsimor.
13. “Ministri” është ministri që mbulon çështjet e arsimit parauniversitar.
14. “Ministria” është ministria që mbulon çështjet e arsimit parauniversitar.
15. “Mësues” është personi që ka fituar të drejtën për të ushtruar profesionin e mësuesisë në arsimin parauniversitar.
16. “Nxënës” është personi që arsimohet në arsimin parauniversitar.
17. “Nxënës me aftësi të kufizuara” është personi, i cili ka dëmtime afatgjata fizike, mendore, shqisore, të sjelljes ose të kombinuara, që, në ndërveprim, mund ta pengojnë të marrë pjesë në mënyrë të plotë dhe të barabartë në arsimimin e tij dhe në jetën shoqërore.
18. “Partner social” janë sindikatat, me të cilat ministri nënshkruan kontratën kolektive të punës.
19. “Program mësimor” është dokumenti që përmban synimet, objektivat dhe rezultatet e të nxënit, metodologjitë e të nxënit dhe të vlerësimit për një lëndë ose fushë të caktuar.
20. “Shkollë” është institucioni që ofron shërbim arsimor për nivelet me kodet 1, 2, 3.
21. “Shkollë private” është shkolla jopublike, e cila nuk themelohet, financohet dhe administrohet nga qeveria qendrore ose vendore.
22. “Veprimtari plotësuese” janë veprimtaritë që planifikohen nga institucioni arsimor dhe kanë për qëllim pasurimin e përvojave mësimore e jetësore të nxënësve.
23. “Tekst shkollor” është teksti që përdoret në procesin e të nxënit si një nga burimet e dijes dhe të informacionit, në format të printuar dhe/ose digjital, i hartuar sipas kërkesave të programit mësimor të një fushe të nxëni, nga botues privatë dhe institucione publike me të drejtë botimi, i certifikuar nga ministria.
24. “Certifikimi i drejtuesve të institucioneve arsimore parauniversitare” është procesi i pajisjes së tyre me certifikatë për drejtimin dhe administrimin e institucionit arsimor parauniversitar, pas trajnimit të kryer në institucionin përkatës, të ngarkuar për këtë qëllim.
25. “Portali “Mësues për Shqipërinë”” është platformë online, ku kandidatët për mësues në sistemin e arsimit parauniversitar regjistrohen për të marrë pjesë në konkurrim për një pozicion të lirë pune. Kjo platformë realizon renditjen e kandidatëve, bën shpalljen e vendeve të lira dhe procesin e pranimit të kandidatëve për mësues në pozicionin e lirë të punës në institucionet e arsimit parauniversitar.
Neni 3
Qëllimi i sistemit arsimor parauniversitar (ndryshuar me ligjin nr.56/2015, datë 28.5.2015)
1. Sistemi arsimor parauniversitar ka për qëllim krijimin e kushteve dhe mundësive që nxënësit:
a) të ndërtojnë dhe të zhvillojnë njohuri, shkathtësi, qëndrime dhe vlera që kërkon shoqëria demokratike;
b) të zhvillohen në mënyrë të pavarur e të gjithanshme;
c) të kontribuojnë në ndërtimin dhe mirëqenien vetjake dhe të shoqërisë shqiptare dhe të përballen në mënyrë konstruktive me sfidat e jetës.
2. Në arsimin parauniversitar nxënësit:
a) kultivojnë identitetin vetjak, kombëtar dhe përkatësinë kulturore;
b) përvetësojnë vlera të përgjithshme kulturore dhe qytetare;
c) zhvillohen në aspektet intelektuale, etike, fizike, sociale dhe estetike;
ç) zhvillojnë përgjegjësi ndaj vetes, ndaj të tjerëve, ndaj shoqërisë dhe ndaj mjedisit;
d) aftësohen për jetë dhe për punë, në kontekste të ndryshme shoqërore e kulturore;
dh) aftësohen për të nxënë gjatë gjithë jetës;
e) zhvillojnë shpirtin e sipërmarrjes;
ë) përdorin teknologjitë e reja.
Neni 4
Kuadri rregullator dhe mbështetës i sistemit arsimor Sistemi arsimor parauniversitar mbështetet në traditën e arsimit shqiptar, funksionon në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, legjislacionin shqiptar në fuqi dhe zhvillohet sipas vlerave të përbashkëta të sistemeve arsimore bashkëkohore.
Neni 5
E drejta për arsimim
1. Në Republikën e Shqipërisë garantohet e drejta për arsimimin e shtetasve shqiptarë, të huaj dhe personave pa shtetësi, pa u diskriminuar nga gjinia, raca, ngjyra, etnia, gjuha, orientimi seksual, bindjet politike ose fetare, gjendja, ekonomike apo sociale, mosha, vendbanimi, aftësia e kufizuar ose për arsye të tjera që përcaktohen në legjislacionin shqiptar.
2. Në shkollat publike arsimi i detyrueshëm dhe arsimi i mesëm i lartë janë falas.
Neni 6
Parime të përgjithshme
1. Në veprimtaritë e institucioneve të sistemit arsimor parauniversitar, interesi i nxënësit është parësor.
2. Në sistemin arsimor parauniversitar respektohen, mbrohen dhe promovohen të drejtat e liritë e njeriut në përgjithësi dhe të drejtat e fëmijëve në veçanti.
3. Në sistemin arsimor parauniversitar, nxënësve dhe punonjësve u ofrohet mbrojtje nga çdo formë veprimi ose mosveprimi që mund t’u shkaktojë diskriminim, dhunë, keqtrajtim ose dëm moral.
4. Në institucionet arsimore zbatohet parimi i gjithëpërfshirjes së nxënësve.
5. Çdo nxënësi i sigurohet e drejta për arsimim cilësor, si dhe shanse të barabarta për arsimim.
6. Nxënësve të familjeve në nevojë, nxënësve me aftësi të kufizuara dhe atyre me vështirësi në të nxënë u ofrohet përkujdesje e posaçme, sipas përcaktimeve në këtë ligj.
7. Veprimtaria e institucioneve në sistemin arsimor parauniversitar dhe e punonjësve të tyre është transparente dhe e bazuar në llogaridhënie ndaj përfituesve të shërbimit arsimor.
8. Në sistemin arsimor parauniversitar garantohet e drejta e nxënësve, e punonjësve arsimorë, e prindërve dhe përfaqësuesve të tyre ligjorë, më poshtë “prindër”, për të shprehur pikëpamjet e tyre për cilësinë e shërbimit arsimor dhe për t’u dëgjuar për këto pikëpamje.
9. Sistemi arsimor parauniversitar funksionon mbi bazën e decentralizimit dhe autonomisë së institucioneve arsimore.
10. Në sistemin arsimor parauniversitar garantohet e drejta e organizimit të nxënësve, mësuesve dhe prindërve për të mbrojtur të drejtat e tyre, si dhe për të dhënë ndihmesë në mbarëvajtjen e institucionit.
11. Shërbimi arsimor mbështetet dhe vlerësohet mbi bazën e standardeve. Vlerësimi është i brendshëm dhe i jashtëm.
Neni 7
Laiciteti
1. Arsimi parauniversitar është laik.
2. Përjashtim bëjnë ato institucione arsimore që themelohen nga bashkësi fetare të njohura me ligj, sipas përcaktimeve të nenit 42 pika 4 të këtij ligji.
Neni 8
Depolitizimi Arsimi parauniversitar është i depolitizuar.
Neni 9
Gjuha e arsimimit Në institucionet arsimore, gjuha e arsimimit është gjuha shqipe, përveç rasteve të përcaktuara ndryshe në këtë ligj.
Neni 10
Arsimimi për pakicat kombëtare
1. Personave, që u përkasin pakicave kombëtare, u krijohen mundësi të mësojnë dhe të mësohen në gjuhën amtare, të mësojnë historinë dhe kulturën e tyre, sipas planeve dhe programeve mësimore.
2. Për të mundësuar pjesëmarrje aktive dhe të barabartë në jetën ekonomike, shoqërore, politike e kulturore të Republikës së Shqipërisë, nxënësve të pakicave kombëtare u krijohen kushte për mësimin e gjuhës shqipe dhe njohjen e historisë e të kulturës shqiptare.
3. Planet e programet mësimore, si dhe raportet e përdorimit të gjuhës amtare dhe asaj zyrtare në procesin mësimor përcaktohen me akte të veçanta të ministrit.
Neni 11
Arsimimi për fëmijët shqiptarë jashtë vendit Ministria, në bashkëpunim me përfaqësitë diplomatike të Republikës së Shqipërisë dhe institucione të tjera shtetërore, mbështet zbatimin e programeve të posaçme për mësimin e gjuhës shqipe dhe njohjen e trashëgimisë kulturore shqiptare për fëmijët e diasporës, në përputhje me legjislacionin shqiptar.
Neni 12
Arsimimi në dy gjuhë Arsimimi në dy gjuhë në arsimin e mesëm të lartë realizohet sipas marrëveshjeve dypalëshe ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe vendeve të tjera.
Neni 13
Kompetencat themelore (ndryshuar me ligjin nr.56/2015,datë 28.5.2015) Kompetencat themelore për të gjithë nxënësit janë:
a) kompetenca e komunikimit dhe e të shprehurit;
b) kompetenca e të menduarit;
c) kompetenca e të mësuarit për të nxënë;
ç) kompetenca për jetën, sipërmarrjen dhe mjedisin;
d) kompetenca personale;
dh) kompetenca qytetare;
e) kompetenca digjitale.
KREU II INSTITUCIONET ARSIMORE DHE FORMAT E ARSIMIMIT
Neni 14
Institucionet në sistemin arsimor parauniversitar Në sistemin arsimor parauniversitar funksionojnë kopshtet, shkollat dhe institucionet plotësuese, të cilat janë publike ose private.
Neni 15
Qendrat kulturore të fëmijëve Qendrat kulturore të fëmijëve janë institucione plotësuese, të cilat janë në varësi të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe hapen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 16
Format e arsimimit Format e arsimimit në shkolla janë:
a) arsimim me kohë të plotë;
b) arsimim me kohë të pjesshme;
c) arsimim në distancë.
Neni 17
Arsimimi në kushtet e shtëpisë Arsimimi në kushtet e shtëpisë ofrohet në raste të veçanta, për të gjitha klasat e arsimit bazë ose vetëm për disa prej tyre. Ministri përcakton rastet e veçanta, kriteret dhe procedurat për arsimimin në kushtet e shtëpisë.
Neni 18
Arsimimi në institucionet joshkollore Ministria, në bashkëpunim me organet përkatëse, siguron arsimimin për individët e moshës shkollore në institucionet e paraburgimit, të vuajtjes së dënimit dhe në institucione të përkujdesjes shoqërore.
Neni 19
Përkujdesje për kategori të veçanta të nxënësve Kategorive të veçanta të nxënësve u sigurohet kujdes i posaçëm nga shteti. Format dhe kriteret e përkujdesjes përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 20
Shërbimi psiko-social në institucionet arsimore
1. Institucionet arsimore vendore, pëgjegjëse për arsimin parauniversitar, u sigurojnë shërbim psiko-social nxënësve dhe punonjësve të institucioneve arsimore.
2. Shërbimi psiko-social ofron mbështetje nëpërmjet psikologëve ose punonjësve socialë për trajtimin e problematikave të rasteve të ndryshme, vlerësimin e rasteve të fëmijëve me nevoja të veçanta psiko-sociale, hartimin e programeve parandaluese, sipas nevojave të komunitetit shkollor.
KREU III NIVELET E ARSIMIT PARAUNIVERSITAR
Neni 21
Arsimi parashkollor
1. Arsimi parashkollor synon zhvillimin shoqëror, intelektual e fizik, të çdo fëmije, ushtrimin e rregullave themelore të sjelljes e të higjienës, kultivimin e vlerave, si dhe përgatitjen për arsimin fillor.
2. Arsimi parashkollor ndiqet nga fëmijët e moshës nga tre deri në gjashtë vjeç. Fëmijëve të moshës pesë vjeç u mundësohet ndjekja e klasës përgatitore edhe pranë shkollave të arsimit bazë, me synim integrimin në arsimin e detyruar.
Neni 22
Arsimi bazë (Ndryshuar pika 2 me ligjin nr.56/2015, datë 28.5.2015, ndryshuar pika 3 dhe fjalia e parë dhe e dytë e pikës 4 me ligjin 44/2023, datë 15.6.2023)
1. Arsimi bazë synon zhvillimin shoqëror, intelektual e fizik, të çdo nxënësi, zotërimin e rregullave të sjelljes dhe kultivimin e vlerave, përkujdesjen për shëndetin, si dhe përgatitjen e mjaftueshme për vazhdimin e arsimit të mesëm të lartë ose për tregun e punës.
2. Arsimi bazë përfshin arsimin fillor dhe arsimin e mesëm të ulët. Arsimi fillor përbëhet nga pesë klasa, nga klasa e parë deri në klasën e pestë. Arsimi i mesëm i ulët përbëhet nga katër klasa, nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë.
3. Shkollat e arsimit të orientuar nisin në klasa të arsimit bazë, duke siguruar formimin e nevojshëm të nxënësve në lëndët e kulturës së përgjithshme. Në shkollat e arsimit bazë mund të krijohen klasa të arsimit të orientuar, sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit përgjegjës për arsimin.
4. Arsimi bazë me kohë të plotë është i detyrueshëm për të gjithë fëmijët me banim në Republikën e Shqipërisë nga mosha gjashtë deri në moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç, me përjashtim të rasteve të parashikuara në këtë ligj. Nxënësi ka të drejtë ta ndjekë arsimin bazë me kohë të plotë kur mbush moshën gjashtë vjeç edhe pas fillimit të vitit shkollor deri më 31 dhjetor të po atij viti kalendarik, deri në moshën shtatëmbëdhjetë vjeç. Nxënësi, që ka mbushur moshën shtatëmbëdhjetë vjeç dhe nuk ka përfunduar arsimin bazë, lejohet të përfundojë klasën që po ndjek. Nxënësit, që kanë mbushur moshën gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe nuk e kanë përfunduar arsimin bazë me kohë të plotë, kanë të drejtë të regjistrohen në shkollat e arsimit bazë me kohë të pjesshme.
5. Nxënësi, që nuk ka ndjekur të paktën dy klasa të arsimit bazë me kohë të plotë, ka të drejtë ta ndjekë arsimin bazë me program mësimor individual, sipas procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit.
Neni 23
Arsimi i mesëm i lartë
1. Arsimi i mesëm i lartë synon zhvillimin e mëtejshëm të kompetencave të fituara nga arsimi bazë, konsolidimin e individualitetit të çdo nxënësi dhe tërësinë e vlerave e të qëndrimeve, zgjerimin dhe thellimin në fusha të caktuara të dijes, përgatitjen për arsimin tretësor ose për tregun e punës. Këshilli i Ministrave zhvillon politika që synojnë krijimin e mundësisë për çdo nxënës që përfundon arsimin bazë të regjistrohet në arsimin e mesëm të lartë.
2. Në klasën e dhjetë të arsimit të mesëm të lartë me kohë të plotë pranohen nxënës të moshës jo më të madhe se tetëmbëdhjetë vjeç. Nxënësi deri në moshën njëzet e një vjeç lejohet të ndjekë arsimin e mesëm të lartë trevjeçar, kurse deri në moshën njëzet e dy vjeç arsimin e mesëm të lartë katërvjeçar. Nxënësi, që ka mbushur përkatësisht moshën njëzet e një vjeç në arsimin e mesëm të lartë trevjeçar apo njëzet e dy vjeç në atë katërvjeçar dhe nuk ka përfunduar arsimin e mesëm të lartë, lejohet të vazhdojë klasën që ndjek deri në fund të atij viti shkollor.
Neni 24
Llojet e arsimit të mesëm të lartë (shtuar pika 5 me ligjin 44/2023, datë 15.6.2023)
1. Llojet e arsimit të mesëm të lartë janë gjimnazi, arsimi i mesëm profesional dhe arsimi i mesëm i orientuar.
2. Gjimnazi përbëhet nga tri klasa. Nxënësve, që kanë mbushur moshën njëzet e një vjeç dhe nuk e kanë përfunduar gjimnazin, u mundësohet ndjekja e gjimnazit me kohë të pjesshme ose në distancë.
3. Arsimi i mesëm profesional është me kohëzgjatje dy deri katërvjeçare dhe është i strukturuar në tri nivele kualifikimi, në përputhje me nivelet e Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve.
4. Shkolla të arsimit të orientuar janë shkollat artistike, shkollat sportive, shkollat për gjuhët e huaja dhe shkolla për fusha të tjera të të nxënit. Pranimi në shkollat e arsimit të orientuar bëhet sipas kritereve dhe procedurave që përcaktohen me udhëzim të ministrit.
5. Shkollë me status të veçantë është institucioni arsimor publik parauniversitar, me strukturë organizimi, kurrikul dhe mënyrë financimi të ndryshme nga institucionet arsimore publike parauniversitare. Kriteret e posaçme dhe procedurat për përfitimin e këtij statusi përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 24/1 Shkolla e bashkuar (shtuar me ligjin 44/2023, datë 15.6.2023) Shkolla e bashkuar është institucioni arsimor parauniversitar publik në të cilën përfshihen nxënës nga nivelet arsimore me kodet 1, 2, 3 ose vetëm disa prej tyre. Në këto shkolla mund të përfshihen edhe grupe të arsimit parashkollor. Mësimi në këto shkolla realizohet në një ose disa godina mësimore me vendndodhje të ndryshme.
KREU IV DREJTIMI I SISTEMIT ARSIMOR PARAUNIVERSITAR
Neni 25
Funksionet kryesore të ministrisë dhe institucioneve të saj të varësisë (Ndryshuar me ligjin nr. 48/2018, datë 23.7.2018; shtuar shkronja “b/1” në pikën 2 dhe togfjalësh në pikën 3 me ligjin nr. 99/2024, datë 12.9.2024)
1. Funksionet kryesore të ministrisë janë:
a) zhvillimi i sistemit arsimor parauniversitar, nëpërmjet hartimit të politikave, programeve dhe projekteve të zhvillimit;
b) hartimi, zbatimi dhe vlerësimi i ndikimit të kuadrit rregullator të sistemit arsimor parauniversitar;
b/1 monitorimi, vlerësimi dhe inspektimi i sistemit arsimor parauniversitar.
c) bashkëpunimi i ndërsjellë me institucionet, nëpërmjet marrëveshjeve dhe kontratave;
ç) përcaktimi i standardeve për politikat licencuese dhe kontrolluese të arsimit;
d) financimi i sistemit arsimor parauniversitar, duke hartuar e zbatuar politikat e financimit, duke përcaktuar prioritete dhe kërkuar burime e forma të ndryshme financimi, që do të bënin të mundur realizimin e zhvillimit të arsimit, në përputhje me rregullat e përcaktuara.
2. Funksionet kryesore të institucioneve të varësisë janë:
a) sigurimi i zbatimit të politikave dhe programeve të hartuara nga ministria në arsimin parauniversitar;
b) sigurimi dhe mbikëqyrja e cilësisë së sistemit të arsimit parauniversitar;
c) menaxhimi i projekteve dhe lëvrimi i produkteve e shërbimeve në arsimin parauniversitar.
3. Institucionet e varësisë të ministrisë përgjegjëse për arsimin, të cilat do të kryejnë funksionet e përcaktuara në pikën 2, të këtij neni, krijohen me vendim të Këshillit të Ministrave, në bazë të këtij ligji dhe legjislacionit në fuqi në fushën e organizimit e të funksionimit të institucioneve të administratës shtetërore dhe legjislacionit në fuqi për inspektimin në Republikën e Shqipërisë.
Neni 26
Ministri
1. Ministri është përgjegjës për realizimin e programit politik qeverisës në fushën e arsimit parauniversitar.
2. Përveç detyrave të tjera të përcaktuara në këtë ligj, ministri:
a) nxjerr urdhra dhe udhëzime për zbatimin e këtij ligji;
b) propozon buxhetin e arsimit parauniversitar, sipas përcaktimeve në aktet e tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi;
c) miraton dokumentacionin kurrikular, sipas përcaktimeve në këtë ligj;
ç) miraton strukturën e vitit shkollor;
d) miraton ngarkesën mësimore, javore e vjetore, të punonjësve arsimorë dhe numrin e nxënësve për klasë për institucionet arsimore publike;
dh) miraton kriteret, dokumentacionin dhe procedurat e regjistrimit të nxënësve në institucionet arsimore;
e) miraton rregulloren tip të institucioneve arsimore;
ë) miraton kriteret për dhënien e certifikatave e të çmimeve dhe i lëshon ato për nxënësit dhe punonjësit e sistemit arsimor.
f) nënshkruan me partnerët socialë kontratën kolektive të punës të nivelit të parë.
Neni 27
Institucioni përgjegjës për sigurimin e cilësisë në arsimin parauniversitar (shfuqizuar me ligjin nr. 48/2018, datë 23.7.2018) Neni 27/1 Shkolla e Drejtorëve (shtuar me ligjin nr. 48/2018, datë 23.7.2018)
1. “Shkolla e Drejtorëve” është person juridik, që ka për qëllim zhvillimin profesional të drejtuesve dhe kandidatit për drejtues të institucionit arsimor parauniversitar, publik ose privat, administrimin e procesit të trajnimit të detyrueshëm përgatitor për pajisjen me certifikatë për drejtimin e institucioneve arsimore parauniversitare dhe të trajnimit të vazhdueshëm të drejtuesve. Shkolla e Drejtorëve gëzon pavarësi drejtuese, administrative, financiare dhe teknike.
2. Organizimi dhe funksionimi i Shkollës së Drejtorëve, si dhe mënyra e trajnimit dhe certifikimit të drejtuesve të institucioneve arsimore parauniversitare përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për arsimin.
Neni 28
Njësia bazë e vetëqeverisjes vendore (shtuar shkronja “d” në pikën 4 me ligjin nr. 48/2018, datë 23.7.2018, shtuar shkronja “d” e pikës 2 me ligjin 44/2023, datë 15.6.2023)
1. Njësia bazë e vetëqeverisjes vendore ka për detyrë përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimit arsimor për të gjithë nxënësit në institucionet arsimore parauniversitare publike, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
2. Kompetencat kryesore të njësisë bazë të vetëqeverisjes vendore janë:
a) ndërtimi dhe rikonstruksioni i godinave të institucioneve arsimore publike, sipas standardeve të miratuara nga Këshilli i Ministrave, me fonde të Buxhetit të Shtetit ose me fonde nga transferta e pakushtëzuar ose të ardhurat e veta;
b) garantimi i paprekshmërisë së institucioneve arsimore në juridiksionin e saj, si dhe i mjediseve të tyre;
c) ruajtja dhe mirëmbajtja e institucionit arsimor publik;
ç) garantimi i kushteve higjieno-sanitare e atyre të ngrohjes në godinat e institucioneve arsimore publike.
d) planifikimin e nevojave për ndërtimin dhe rikonstruksionin e godinave të institucioneve arsimore parauniversitare pas marrjes së mendimit të ministrisë përgjegjëse për arsimin për planifikimin dhe shpërndarjen e nxënësve në territorin e njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse.
3. Njësia bazë e vetëqeverisjes vendore, në bashkëpunim me institucionin arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar dhe institucionet arsimore publike, është përgjegjëse për regjistrimin e nxënësve në shkollat publike të arsimit të detyrueshëm me kohë të plotë.
4. Njësia bazë e vetëqeverisjes vendore, mbështetur në propozimet e institucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar dhe këshillat e mësuesve të institucioneve, sipas kritereve të miratuara në këshillat e njësive vendore, mbështet:
a) nxënësit e familjeve në nevojë;
b) nxënësit me arritje të shkëlqyera;
c) punonjësit e institucioneve arsimore për zhvillimin e tyre profesional dhe për zhvillimin e kurrikulës;
ç) pajisjen e institucioneve arsimore me mjete mësimore;
d) nxënësit me aftësi të kufizuara.
Neni 29
Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar (ndryshuar pika 4 me ligjin nr. 48/2018, datë 23.7.2018)
1. Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar është organ këshillimor i ministrit për politikat e zhvillimit të arsimit parauniversitar.
2. Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar jep mendime për:
a) hartimin e strategjive, programeve kombëtare dhe akteve ligjore;
b) projektbuxhetin për arsimin parauniversitar;
c) çështje të tjera të politikave arsimore, me kërkesën e ministrit.
3. Veprimtaria e Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar ushtrohet në përputhje me rregulloren, që miratohet nga Këshilli i Ministrave.
4. Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar kryesohet nga ministri dhe përbëhet nga gjashtëmbëdhjetë anëtarë, me këtë përbërje:
a) përfaqësuesi i ministrisë përgjegjëse për financat;
b) përfaqësuesi i ministrisë përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike;
c) përfaqësuesi i ministrisë përgjegjëse për çështjet e mbrojtjes sociale;
ç) përfaqësuesi i ministrisë përgjegjëse për diasporën;
d) përfaqësuesi i shoqatës së bashkive me numrin më të madh të bashkive;
dh) dy përfaqësues nga partnerët socialë;
e) përfaqësuesi i Këshillit Kombëtar të Prindërve;
ë) gjashtë personalitete të njohura për kontribute në fushën e arsimit e të shkencës dhe në jetën publike;
f) një përfaqësues nga shoqëria civile;
g) një përfaqësues nga institucionet e arsimit të lartë.
Përfaqësuesit në Këshillin Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, sipas shkronjave “ë”, “f” dhe “g”, të këtij neni, zgjidhen me konkurrim publik.
5. Anëtarët e Këshilli Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, të cilët i nënshtrohen konkurrimit publik, përzgjidhen nga një komision, i ngritur pranë ministrisë, i përbërë nga një përfaqësues i kabinetit të Kryeministrit, një përfaqësues i ministrit dhe një përfaqësues i Këshillit të Arsimit të Lartë dhe Shkencës. Kriteret dhe procedurat për përzgjedhjen e kandidatëve përcaktohen me udhëzim të ministrit dhe bëhen publike.
6. Këshilli i Ministrave cakton në detyrën e anëtarit të Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar gjashtë nga kandidatët e përzgjedhur me konkurrim publik.
7. Anëtarët, personalitete të njohura për kontribute në fushën e arsimit, zgjidhen me mandat 4-vjeçar.
8. Anëtarët e përmendur në shkronjën “ë” të pikës 4 të këtij neni përfitojnë pagesë, në masën dhe mënyrën e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 29/1 Këshilli Kombëtar i Prindërve (shtuar me ligjin nr. 48/2018, datë 23.7.2018)
1. Këshilli Kombëtar i Prindërve është organ këshillimor dhe i pavarur, i cili përfaqëson interesat e prindërve në nivel kombëtar.
2. Këshilli Kombëtar i Prindërve përbëhet nga përfaqësues të këshillave rajonale të prindërve. Organizimi dhe funksionimi i Këshillit Kombëtar të Prindërve përcaktohet me udhëzim të ministrit përgjegjës për arsimin.
Neni 30
Institucioni arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar (shfuqizuar me ligjin nr. 48/2018, datë 23.7.2018)
Neni 31
Këshilli vendor i arsimit parauniversitar
1. Këshilli vendor i arsimit parauniversitar është organ këshillimor, në nivel qarku, për politikat e zhvillimit të arsimit parauniversitar, brenda juridiksionit territorial të qarkut. Këshilli vendor i arsimit parauniversitar krijohet me vendim të kryetarit të këshillit të qarkut dhe funksionon sipas rregullores së miratuar prej tij.
2. Këshilli vendor i arsimit parauniversitar kryesohet nga kryetari i këshillit të qarkut dhe përbëhet nga përfaqësues të qeverisjes vendore dhe personalitete të njohura për kontribute në jetën publike. Kriteret dhe procedurat për përzgjedhjen e anëtarëve të këshillit vendor të arsimit parauniversitar përcaktohen me udhëzim të ministrit.
Neni 32
Institucioni arsimor
1. Institucioni arsimor ka për detyrë krijimin e mjedisit miqësor për nxënësit dhe të mundësive që secili nxënës të shfaqë, të zhvillojë individualitetin dhe të realizojë potencialin e tij në përputhje me këtë ligj.
2. Institucioni arsimor funksionon sipas rregullores së tij të brendshme, e cila është në përputhje më këtë ligj e aktet e tjera ligjore në fuqi dhe miratohet nga titullari i institucionit përkatës arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar.
3. Institucioni arsimor u ofron nxënësve mjediset dhe pajisjet për veprimtari sportive, kulturore e zbavitëse edhe pas orëve mësimore, si dhe në ditët e pushimit.
4. Ndalohet organizimi i veprimtarive partiake në institucionet e sistemit arsimor parauniversitar.
Neni 33
Komisioni i etikës dhe sjelljes në institucionin arsimor Në institucionin arsimor funksionon komisioni i etikës dhe sjelljes, i përbërë nga mësues, prindër dhe nxënës. Komisioni ka për detyrë të shqyrtojë ankesat e nxënësve, të prindërve e të punonjësve të institucionit ndaj shkeljeve të normave të etikës dhe të sjelljes dhe t’i propozojë drejtorit të institucionit masat përkatëse.
Neni 34
Bordi i institucionit arsimor
1. Çdo institucion arsimor ka bordin e tij të përbërë nga prindër, nxënës, mësues, përfaqësues të qeverisë vendore dhe të komunitetit. Bordi kontribuon për mbarëvajtjen e institucionit arsimor dhe i raporton për veprimtarinë e tij këshillit të prindërve të institucionit.
2. Detyrat kryesore të bordit janë:
a) miraton planin afatmesëm dhe atë vjetor të institucionit;
b) miraton planin e shpenzimeve të institucionit arsimor për fondet, të cilat sigurohen nga institucioni;
c) miraton kurrikulën e hartuar nga institucioni arsimor;
ç) merr pjesë në procedurat e emërimit e të largimit të drejtorit të institucionit arsimor dhe të mësuesit.
3. Përbërja e bordit, të drejtat, detyrat e tjera dhe mënyra e zgjedhjes së anëtarëve përcaktohen në udhëzimin e ministrit.
Neni 35
Këshilli i mësuesve
1. Këshilli i mësuesve të institucionit arsimor, i cili ka në përbërje të gjithë mësuesit dhe kryesohet nga drejtori, është organ kolegjial këshillimor për drejtimin e veprimtarisë së institucionit.
2. Detyrat dhe funksionet e këshillit të mësuesve përcaktohen me udhëzim të ministrit.
Neni 36
Qeveria e nxënësve
1. Qeveria e nxënësve është organizëm që mbron dhe promovon të drejtat e nxënësve dhe ndihmon në mbarëvajtjen e shkollës. Ajo ngrihet dhe funksionon sipas udhëzimit të ministrit.
2. Kryetari i qeverisë së nxënësve në arsimin e mesëm të lartë zgjidhet nga nxënësit me votë të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë.
3. Qeveria e nxënësve përzgjedh mësuesin ndihmës.
4. Në shkollë funksionojnë edhe organizime të tjera të nxënësve, të ngritura për interesat e tyre shkencore, kulturore dhe sportive.
KREU V FINANCIMI I ARSIMIT PARAUNIVERSITAR
Neni 37
Planifikimi i financimit në arsimin parauniversitar publik
1. Burimet për financimin e arsimit parauniversitar janë:
a) Buxheti i Shtetit;
b) të ardhurat e njësive të vetëqeverisjes vendore;
c) dhurimet e sponsorizimet;
ç) të ardhurat e përftuara nga institucionet arsimore;
d) të ardhura të tjera të ligjshme.
2. Financimi nga Buxheti i Shtetit planifikohet me formulën “për nxënës”, sipas treguesve të veçantë të niveleve arsimore dhe kushteve të institucioneve arsimore publike.
3. Në Buxhetin e Shtetit, për njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore, caktohet një fond “për nxënës”, i cili përdoret për mirëmbajtjen e institucioneve arsimore publike, në përputhje me standardet e mirëmbajtjes për institucionet arsimore, të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
4. Mallra dhe shërbime të caktuara për institucionet arsimore publike njehsohen me formulën “për nxënës”, sipas udhëzimit të përbashkët të ministrit dhe Ministrit të Financave.
5. Shtesa mbi pagë ose përfitime të tjera për punonjësit arsimorë dhe/ose për mësuesit që punojnë në zonat larg vendbanimit të tyre, jepen sipas kritereve të vendosura nga Këshilli i Ministrave.
Neni 38
Financimi i institucioneve arsimore publike (ndryshuar pika 3 me ligjin nr. 48/2018, datë 23.7.2018, shfuqizuar pika 1 me ligjin 44/2023, datë 15.6.2023)
1. Shfuqizuar.
2. Nga buxheti i ministrisë veçohet një fond, fondi i cilësisë, për të cilin konkurrojnë institucionet arsimore publike me projekte për të përmirësuar cilësinë e shërbimit arsimor, sipas kritereve të përcaktuara me udhëzim të ministrit dhe Ministrit të Financave.
3. Ministria dhe ministria përgjegjëse për financat miratojnë hapjen dhe mbylljen e llogarisë buxhetore apo llogarive në bankat e nivelit të dytë të një institucioni arsimor publik. Institucionet arsimore publike, të miratuara, mbajnë llogari buxhetore në degën e thesarit të institucionit arsimor vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar apo llogari në bankat e nivelit të dytë, për të ardhurat e krijuara nga vetë institucioni arsimor publik. Rregullat e administrimit financiar, për llogaritë buxhetore apo llogaritë në bankat e nivelit të dytë, përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për arsimin dhe ministrit përgjegjës për financat.
Neni 39
Mbështetja financiare për arsimin parauniversitar privat
1. Ministria mbështet financiarisht, sipas mundësive dhe programeve të miratuara, institucionet arsimore private vendase, të cilat janë jofitimprurëse dhe kanë të paktën pesë vjet që funksionojnë si institucione private. Sipas kritereve të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, mbështetja financiare për shkollat private diferencohet sipas renditjes së tyre në provimet kombëtare të arsimit bazë ose të maturës shtetërore, si dhe në testimet ose konkurset ndërkombëtare.
2. Shkollat private e përdorin mbështetjen financiare vetëm për nxënësit e shkëlqyer në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare.
Neni 40
Mbledhja dhe përdorimi i fondeve financiare në institucionet arsimore publike
1. Institucionet arsimore publike, në pajtueshmëri me politikat e tyre, përfitojnë fonde financiare ose mbështetje materiale nga dhurues ose sponsorizues, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara nga ministri, në bashkëpunim me Ministrin e Financave. Dhurimet dhe sponsorizimet shërbejnë për të përmirësuar cilësinë e shërbimit arsimor.
2. Institucionet arsimore publike lejohen të sigurojnë të ardhura nga shërbime për të tretët, në përputhje me fushën e veprimtarisë së institucioneve. Fondet e siguruara nga shërbimet për të tretë përdoren sipas akteve ligjore e nënligjore në fuqi.
KREU VI HAPJA DHE MBYLLJA E INSTITUCIONEVE ARSIMORE
Neni 41
Hapja dhe mbyllja e institucioneve arsimore publike
1. Hapja dhe mbyllja e një institucioni arsimor publik bëhen me urdhër të ministrit, me propozim të përbashkët të njësisë bazë të vetëqeverisjes vendore dhe të institucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar. Kriteret dhe procedurat e hapjes dhe të mbylljes së tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Hapja dhe mbyllja e institucioneve arsimore të pakicave kombëtare bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit.
Neni 42
Hapja dhe mbyllja e institucioneve arsimore private dhe institucioneve arsimore plotësuese private (ndryshuar pikat 3 dhe 7 me ligjin nr. 48/2018, datë 23.7.2018, shtuar fjalë në titull dhe në pikat 1, 2, 3 e 7 me ligjin 44/2023, datë 15.6.2023)
1. Institucionet arsimore private dhe institucionet plotësuese private,krijohen dhe funksionojnë sipas këtij ligji, përveç rasteve kur ligji ka formulim të veçantë për institucionet arsimore publike si edhe akteve nënligjore të nxjerra në mënyrë specifike për to.
2. Licencimi i institucioneve private dhe institucioneve plotësuese private bëhet nëpërmjet institucionit përkatës të licencimit, sipas vendimit të ministrit. Institucioni arsimor privat fillon veprimtarinë e tij vetëm pas marrjes së licencës. Licencimi i tij bëhet sipas përcaktimeve të ligjit nr. 10081, datë 23.2.2009 “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”.
3. Pezullimi dhe revokimi i licencave të institucioneve arsimore private dhe institucioneve arsimore plotësuese private, që përmenden në pikën 2, të këtij neni, kryhen nga institucioni përgjegjës për licencimin, me vendim të ministrit. Në rast se institucioni arsimor privat ndërpret veprimtarinë me iniciativën e vet, atëherë paraqet kërkesë në institucionin përgjegjës për licencimin për revokimin vullnetar të licencës.
4. Institucionet arsimore private, në të cilat zhvillohen edhe lëndë fetare, ose që themelohen apo administrohen nga bashkësitë fetare, hapen dhe mbyllen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit, mbështetur në kërkesën e përfaqësuesve të bashkësive fetare. Kriteret dhe procedurat e hapjes së tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
5. Shkollat private, në të cilat mësimi zhvillohet edhe në gjuhë të huaj, ose që lëshojnë diplomë të huaj apo të ngjashme me të, hapen dhe mbyllen me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e ministrit. Kriteret dhe procedurat e hapjes së tyre përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
6. Në shkollat private të përcaktuara në pikat 4 dhe 5 të këtij neni, lëndët gjuhë shqipe dhe letërsi, histori e kombit shqiptar dhe gjeografi e Shqipërisë zhvillohen detyrimisht në gjuhën shqipe.
7. Institucioni arsimor privat dhe institucioni arsimor plotësues privat e ndërpret veprimtarinë me iniciativën e vet vetëm në fund të vitit shkollor. Në rast se konstatohen shkelje të kritereve të licencimit, të përcaktuara në këtë ligj, ministria revokon licencën e institucionit arsimor privat dhe institucionit arsimor plotësues privat në çdo kohë dhe publikon vendimin për revokimin e licencës në Regjistrin Kombëtar të Licencave, Autorizimeve dhe Lejeve.
Neni 43
Vlefshmëria e licencës
1. Licenca vlen vetëm për subjektin përgjegjës dhe vetëm për atë nivel arsimor, vendndodhje dhe mjedise, për të cilat është dhënë fillimisht.
2. Çdo ndryshim i bërë nga ana e subjektit të licencuar duhet të miratohet nga ministri dhe institucioni përkatës i licencimit. Në rast se ndryshimet e bëra kanë të bëjnë me kriteret e licencimit, licenca revokohet dhe kërkesa trajtohet si aplikim i ri.
KREU VII KURRIKULA
Neni 44
Parime të përgjithshme
1. Kurrikula zhvillohet si një e tërë për të gjitha nivelet arsimore, për sa i përket formimit të vlerave, aftësive e koncepteve kryesore, si dhe parimeve të mësimdhënies, të të nxënit dhe të vlerësimit të nxënësve.
2. Kurrikula është në përputhje me ecurinë e zhvillimit fizik, mendor, shoqëror, etik të nxënësve dhe veçoritë e tyre individuale të të nxënit.
3. Kurrikula hartohet dhe zbatohet në bazë të kompetencave themelore të nxënësve.
4. Kurrikula, sipas niveleve arsimore dhe klasave, hartohet dhe zhvillohet në bazë të kornizës kurrikulare të arsimit parauniversitar.
5. Kurrikula mishëron parimin e integrimit nëpërmjet fushave të të nxënit dhe lëndore.
6. Kurrikula u mundëson nxënësve zgjedhje individuale, sipas nevojave dhe interesave të tyre.
Neni 45
Dokumentacioni kurrikular (ndryshuar shkronja “c” e pikës 2 me ligjin nr.56/2015,datë 28.5.2015)
1. Kurrikula përbëhet nga kurrikula bërthamë, kurrikula me zgjedhje, si dhe kurrikula për veprimtaritë plotësuese.
2. Ministri, pas konsultimit me Këshillin Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, miraton:
a) kornizën kurrikulare;
b) planin mësimor për çdo nivel arsimor;
c) kurrikul bërthamë;
ç) programet lëndore, përveç atyre që hartohen nga institucioni arsimor.
3. Kurrikula, që hartohet në nivel institucioni arsimor, miratohet nga drejtori i tij pas marrjes së pëlqimit nga institucioni arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar.
Neni 46
Kurrikula në institucionet arsimore private Institucioni arsimor privat zbaton planin dhe programin mësimor të miratuar në momentin e licencimit. Për çdo ndryshim kërkohet miratimi i ministrit.
Neni 47
Tekstet shkollore (ndryshuar pika 1, shfuqizuar pikat 2,3 me ligjin nr.56/2015,datë 28.5.2015)
1. Tekstet shkollore përzgjidhen nga mësuesit në bazë shkolle, pas certifikimit nga ministria. Procedurat e përzgjedhjes përcaktohen me udhëzim të ministrit. Përjashtimet nga ky rregull përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Tekstet për nxënësit janë alternative. Numri i alternativave të teksteve shkollore kufizohet në jo më shumë se tre alternativa për çdo lëndë ose fushë të të nxënit.
Tekstet shkollore sigurohen nga botuesit, vendas ose të huaj, mbi bazën e standardeve të teksteve, nëpërmjet një konkurrimi të hapur, të barabartë dhe transparent, sipas procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit.
2. Shfuqizuar.
3. Shfuqizuar.
4. Shpërndarja dhe shitja e teksteve shkollore bëhet nëpërmjet njësive tregtare të shitjes së librave ose në pika të tjera shitjeje pranë shkollave nga subjekte të licencuara, me çmime të vendosura nga botuesit e të vlerësuara nga ministria në procesin e certifikimit të tekstit.
KREU VIII VLERËSIMI I NXËNËSVE
Neni 48
Qëllimi, kriteret dhe mënyrat e vlerësimit (ndryshuar pikat 2 dhe 4 me ligjin nr. 48/2018, datë 23.7.2018)
1. Vlerësimi i nxënësve ka për qëllim të evidentojë arritjet e të nxënit.
2. Nxënësit e klasave të para, të dyta e të treta vlerësohen me fjalë dhe shprehje. Nxënësit e klasave të tjera vlerësohen me nota, numra të plotë nga katër deri në dhjetë, ku nota më e ulët kaluese është nota pesë, dhe vlerësimi përfundimtar shoqërohet me përshkrim.
3. Nxënësi i klasave të para, të dyta dhe të treta nuk e përsërit klasën, me përjashtim të rasteve kur kërkohet nga prindërit e tij.
4. Llojet e vlerësimit, rregullat e kalimit ose të përsëritjes së klasës, të njehsimit të notës vjetore lëndore dhe të notës mesatare të nxënësit, për një vit shkollor, përcaktohen me udhëzim të ministrit.
Neni 49
Provimet kombëtare dhe testet ndërkombëtare (ndryshuar pika 1 dhe shtuar pika 5 me ligjin nr. 48/2018, datë 23.7.2018)
1. Vlerësimi i jashtëm i nxënësve realizohet nëpërmjet vlerësimit të arritjeve të nxënësve në arsimin fillor, provimeve kombëtare të arsimit bazë dhe provimeve të maturës shtetërore. Formë tjetër e vlerësimit të jashtëm është ajo me një numër të caktuar nxënësish.
2. Nxënësit me aftësi të kufizuara zhvillojnë provimet kombëtare në përshtatje me veçoritë e tyre.
3. Hartimi i testeve, administrimi dhe vlerësimi në provimet kombëtare kryhen nga mësues të certifikuar. Pagesa e tyre bëhet sipas akteve nënligjore në fuqi.
4. Ministria siguron pjesëmarrjen e Shqipërisë në testime ndërkombëtare.
5. Ministria përgjegjëse për arsimin krijon regjistrin shtetëror të mësuesve të gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare në diasporë si dhe pajis me certifikatë nxënësit pas përfundimit të programit të mësimit të gjuhës shqipe e të kulturës shqiptare në diasporë. Kriteret për krijimin e regjistrit shtetëror dhe dhënien e certifikatës miratohen nga Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit përgjegjës për arsimin.
Neni 50
Provimet kombëtare të arsimit bazë (ndryshuar pika 3 me ligjin nr. 48/2018, datë 23.7.2018)
1. Në provimet kombëtare të arsimit bazë nxënësit vlerësohen në lëndët gjuhë shqipe, matematikë dhe gjuhë e huaj.
2. Nxënësit e pakicave kombëtare vlerësohen në lëndët gjuhë amtare, gjuhë shqipe, matematikë dhe, sipas dëshirës, edhe në një gjuhë të huaj.
3. Organizimi e zhvillimi i vlerësimit të arritjeve të nxënësve në arsimin fillor dhe i provimeve kombëtare të arsimit bazë rregullohen me udhëzim të ministrit.
Neni 51
Matura shtetërore Arsimi i mesëm i lartë përfundon me provimet e maturës shtetërore. Në provimet e maturës shtetërore nxënësit japin një numër lëndësh të përbashkëta dhe një numër lëndësh me zgjedhje. Të gjithë nxënësit kanë këto tre lëndë të përbashkëta: gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë dhe një gjuhë e huaj. Lëndët me zgjedhje përcaktohen me udhëzim të ministrit. Organizimi dhe zhvillimi i provimeve kombëtare të maturës shtetërore rregullohen me udhëzim të ministrit.
Neni 52
Dokumente të përfundimit të shkollimit
1. Dokumenti i përfundimit të arsimit bazë është dëftesa e arsimit bazë, e cila lëshohet nga drejtori i shkollës pasi nxënësi është kalues në provimet kombëtare të arsimit bazë. Dokumenti i përfundimit të arsimit të mesëm të lartë është diploma e maturës shtetërore, e cila lëshohet nga institucioni përgjegjës për shërbimet arsimore pasi nxënësi është kalues në provimet kombëtare, të detyruara dhe me zgjedhje, të maturës shtetërore.
2. Në përfundim të çdo klase, nxënësi pajiset me dëftesë klase. Kriteret për lëshimin e dëftesës përcaktohen me udhëzim të ministrit.
3. Shkolla private e arsimit të mesëm të lartë e licencuar mund të lëshojë diplomë të një institucioni arsimor të huaj ose të ngjashëm me të. Ministri përcakton procedurat e njësimit të këtyre diplomave.
4. Kriteret dhe procedurat e njëvlershmërisë së dëftesave dhe diplomave të nxënësve të ardhur nga jashtë vendit përcaktohen me udhëzim të ministrit.
Neni 53
Medalja e Artë (Ndryshuar pika 1 me ligjin nr.56/2015,datë 28.5.2015)
1. Nxënësve të shkëlqyer në vite, pas përfundimit të arsimit të mesëm të lartë, u jepet “Medalje e artë” nga Kryeministri, me propozimin e ministrit.
2. Kriteret dhe procedurat për dhënien e “Medaljes së artë” përcaktohen me udhëzim të ministrit.
KREU IX STATUSI I PERSONELIT MËSIMOR
Neni 54
Drejtori i institucionit arsimor
1. Drejtori drejton veprimtarinë e institucionit arsimor.
2. Drejtori i institucionit arsimor, publik ose privat, është përgjegjës për:
a) zbatimin e këtij ligji dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij;
b) përmirësimin e cilësisë së shërbimit arsimor;
c) zbatimin dhe zhvillimin e kurrikulës;
ç) menaxhimin e personelit dhe krijimin e kushteve për zhvillimin profesional të punonjësve të institucionit.
3. Drejtori i institucionit arsimor publik kryen edhe këto detyra:
a) menaxhon institucionin, përfshirë edhe menaxhimin financiar;
b) përdor një fond të veçantë vjetor nga buxheti i insitucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, për shpërblimin për merita profesionale të mësuesve, në përputhje me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave, pas këshillimit me partnerët socialë dhe bordin e institucionit;
c) punëson mësues me kohë të plotë ose të pjesshme dhe mësues ndihmës, me fonde të siguruara nga institucioni, sipas kritereve dhe procedurave që përcaktohen me udhëzim të ministrit dhe Ministrit të Financave. Masa e pagesës përcaktohet sipas akteve nënligjore në fuqi.
4. Drejtori i institucionit arsimor lejon të përdoren nga nxënësit vetëm botime ndihmëse dhe materiale të tjera mësimore, të miratuara nga ministri nëpërmjet udhëzimeve të tij.
Neni 55
Emërimi, ulja në detyrë, pezullimi dhe shkarkimi i drejtuesit të institucionit arsimor parauniversitar (ndryshuar pika 2 me ligjin nr. 48/2018, datë 23.7.2018, ndryshuar me ligjin 44/2023, datë 15.6.2023)
1. Drejtori i institucionit arsimor publik emërohet nga titullari i institucionit rajonal arsimor përkatës, përgjegjës për arsimin parauniversitar, pas propozimit të dy kandidatëve që vlerësohen me konkurrim të hapur nga komisioni i vlerësimit. Komisioni përbëhet nga një përfaqësues i njësisë bazë të vetëqeverisjes vendore, një përfaqësues i institucionit arsimor vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar, kryetari i bordit të institucionit, kryetari i këshillit të prindërve të institucionit dhe dy mësues të institucionit arsimor, të zgjedhur nga këshilli i mësuesve. Njëri prej dy mësuesve, me përvojën më të gjatë në atë institucion arsimor, drejton komisionin e vlerësimit.
2. Nëndrejtori i institucionit arsimor publik emërohet nga titullari i institucionit publik arsimor parauniveristar (IPAP) përkatës pas propozimit të dy kandidatëve, që vlerësohen me konkurrim të hapur nga komisioni i vlerësimit. Komisioni përbëhet nga kryetari i bordit të IPAP-së, kryetari i këshillit të prindërve të IPAP-së, dy mësues të IPAP-së, të zgjedhur nga këshilli i mësuesve, dhe një përfaqësues i ZVAP-së, i caktuar nga drejtori i institucionit vendor përgjegjës për arsimin parauniveritar, pas njoftimit zyrtar të drejtorit të IPAP-së. Njëri prej 2 (dy) mësuesve, me përvojën më të gjatë në atë IPAP, drejton komisionin e vlerësimit.
3. Kandidati për drejtor dhe nëndrejtor i institucionit arsimor duhet të ketë të paktën kategorinë “Mësues i kualifikuar” dhe të jetë i pajisur me certifikatën e drejtuesit të institucionit arsimor parauniversitar. Certifikimi i kandidatit për drejtor dhe nëndrejtor i institucionit arsimor kryhet pas zhvillimit të trajnimit të detyrueshëm përgatitor në shkollën e drejtorëve për drejtimin e institucionit arsimor. Në rastet kur asnjë nga kandidatët për drejtor ose nëndrejtor nuk është i pajisur me certifikatën e drejtuesit të institucionit arsimor parauniversitar, komisioni propozon dy kandidatë që vlerësohen sipas pikave 1 dhe 2 të këtij neni. Titullari i institucionit përkatës emëron një nga kandidatët për një periudhë 1-vjeçare, me kushtin që kandidati të jetë pranuar në shkollën e drejtorëve. Pas përfundimit të kësaj periudhe, rishpallet procedura për përzgjedhjen e drejtuesit të institucionit arsimor sipas pikave 1 dhe 2 të këtij neni.
4. Drejtuesi i institucionit arsimor nuk mund të jetë anëtar i forumeve drejtuese të partive politike.
5. Titullari i institucionit rajonal arsimor përkatës, përgjegjës për arsimin parauniversitar, ul në detyrë, pezullon, shkarkon apo përfundon marrëdhëniet e punës për drejtorin e institucionit parauniversitar arsimor publik në rastet si më poshtë:
a) drejtori i IPAP-së ulet në detyrë në rast se pas vlerësimit vjetor të performancës nga ana e institucionit vendor përgjegjës për arsimin parauniveritar, rezulton me performancë jo të kënaqshme. Ndaj tij merret masa disiplinore e uljes në detyrë nga titullari i institucionit rajonal përgjegjës për arsimin parauniversitar dhe kalon në pozicionin e punës si mësues në profilin e tij brenda të njëjtit institucion arsimor ose në institucionin arsimor më të afërt, brenda të njëjtit institucion vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar.
b) për drejtorin e IPAP-së pezullohet marrëdhënia e punës dhe efektet financiare deri në shpalljen e vendimit të formës së prerë ndaj tij nga gjykata kompetente në rastet kur:
i. gjykata ka vendosur masat e sigurimit personal ndaj tij ose;
ii. është në proces hetimi për kryerjen e një vepre penale sipas nenit 60/1 të këtij ligji.
c) drejtori i IPAP-së shkarkohet në rastet si më poshtë:
i. ka një vendim të formës së prerë ndaj tij nga gjykata kompetente për kryerjen e një vepre penale sipas nenit 60/1 të këtij ligji, apo të një vepre penale që dënohet me burgim;
ii. pas rekomandimeve të institucioneve përgjegjëse për inspektimin, sigurimin e cilësisë, vlerësimin, menaxhimin, ndjekjen dhe kontrollin e institucioneve të arsimit parauniversitar për pajtueshmërinë e veprimtarisë së tyre me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, për parregullsi ose dobësi të theksuara në menaxhimin e IPAP-së;
iii. ka rast të përsëritur të shkeljeve për të cilat është ende në fuqi masa e vendosur nga Komisioni i Disiplinës “Paralajmërim për largim nga puna”;
iv. ka kryer shkelje të procedurave të zhvillimit të provimeve kombëtare të arsimit bazë dhe/ose të Maturës Shtetërore;
v. ka organizuar ose ka lejuar gjatë procesit mësimor pjesëmarrjen e mësuesve apo të nxënësve në veprimtari partiake ose ka marrë pjesë në to;
vi. konstatohet se pas emërimit, drejtori i IPAP-së bën pjesë në forumet drejtuese të partive politike. Në këtë rast drejtori i institucionit vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar i kërkon zyrtarisht institucionit rajonal përgjegjës për arsimin parauniveristar shkarkimin e drejtorit të IPAP-së nga funksioni që kryen. Ky vendim merret jo më shumë se pesë ditë pas marrjes së kërkesës;
vii. IPAP-ja që ai drejton ka dy vlerësime të njëpasnjëshme “Dobët” nga institucioni vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar;
viii. kur ka kryer veprimtari në kundërshtim me aktet nënligjore të nxjerra nga ministri përgjegjës për arsimin parauniversitar.
ç) përfundimi i marrëdhënies së punës së drejtorit të IPAP-së bëhet në këto raste:
i. jep dorëheqjen;
ii. mbush moshën e pensionit;
iii. me vendim të komisionit mjekoligjor provohet paaftësia për kryerjen e detyrave;
iv. merret masa disiplinore e largimit nga puna.
6. Titullari i institucionit arsimor përkatës ul në detyrë, pezullon, shkarkon apo përfundon marrëdhëniet e punës për nëndrejtorin e institucionit parauniversitar arsimor publik në rastet si më poshtë:
a) nëse pas vlerësimit vjetor të performancës nga drejtori i IPAP-së rezulton me performancë jo të kënaqshme. Ndaj tij merret masa disiplinore e uljes në detyrë nga titullari i IPAP-së dhe kalon në pozicionin e punës si mësues në profilin e tij brenda të njëjtit institucion arsimor ose në institucionin arsimor më të afërt brenda të njëjtit institucion vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar;
b) Për nëndrejtorin e IPAP-së pezullohen marrëdhëniet e punës dhe efektet financiare deri në shpalljen e vendimit të formës së prerë ndaj tij nga gjykata kompetente në rastet kur:
i. gjykata ka vendosur masat e sigurimit personal ndaj tij ose;
ii. është në proces hetimi për kryerjen e një vepre penale sipas nenit 60/1 të këtij ligji.
c) drejtori i IPAP-së shkarkon nëndrejtorin e IPAP-së kur:
i. ka një vendim të formës së prerë ndaj tij nga gjykata kompetente për kryerjen e një vepre penale sipas nenit 60/1 të këtij ligji, apo të një vepre penale që dënohet me burgim;
ii. pas rekomandimeve të institucioneve përgjegjëse për inspektimin, sigurimin e cilësisë, vlerësimin, menaxhimin, ndjekjen dhe kontrollin e institucioneve të arsimit parauniversitar, për pajtueshmërinë e veprimtarisë së tyre me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, për parregullsi ose dobësi të theksuara në realizimin e detyrave të ngarkuara për menaxhimin e IPAP-së;
iii. ka rast të përsëritur të shkeljeve për të cilat është ende në fuqi masa e vendosur për “paralajmërim për largim nga puna”;
iv. konstatohet se pas emërimit, nëndrejtori i IPAP-së bën pjesë në forumet drejtuese të partive politike. Në këtë rast, drejtori i IPAP-së merr vendimin përfundimtar për shkarkimin e nëndrejtorit të IPAP-së jo më vonë se 5 (pesë) ditë pas konstatimit;
v. ka kryer veprimtari në kundërshtim me aktet nënligjore të nxjerra nga ministri përgjegjës për arsimin.
ç) përfundimi i marrëdhënies së punës së nëndrejtorit të IPAP-së bëhet kur:
i. jep dorëheqjen;
ii. mbush moshën e pensionit;
iii. me vendim të komisionit mjekoligjor provohet paaftësia për kryerjen e detyrave;
iv. merret masa disiplinore e largimit nga puna nga drejtori i IPAP-së.
7. Masat e sipërcituara të dhëna ndaj drejtorit dhe nëndrejtorit të institucionit arsimor parauniversitar publik jepen në proporcion me shkeljen dhe bazohen në kriteret e mëposhtme:
a) shkallën e pakujdesisë;
b) shpeshtësinë e kryerjes së veprimit ose mosveprimit apo sjelljes;
c) përvojën dhe pozicionin në sistemin arsimor;
ç) dëmtimin, mundësinë e shkaktimit të dëmtimit ose shkallën e pasojave që kanë ardhur ose mund të vijnë nga veprimi apo mosveprimi.
8. Drejtori dhe nëndrejtori kanë të drejtë të dëgjohen nga titullari i institucionit përkatës para se të merret njëra prej masave të sipërcituara. Seanca dëgjimore dokumentohet me procesverbal.
9. Emërimi dhe/ose shkarkimi i drejtorit dhe nëndrejtorit në institucionin arsimor privat kryhet sipas procedurave të përcaktuara nga vetë institucioni në rregulloren e tij. Kriteret e kualifikimit, të përcaktuara për drejtorin dhe nëndrejtorin e institucionit arsimor publik janë të njëjta edhe për drejtorin dhe nëndrejtorin e institucionit arsimor privat.
10. Rregullat dhe procedurat për emërimin, uljen në detyrë, pezullimin dhe shkarkimin e drejtorit dhe nëndrejtorit të institucionit përcaktohen me udhëzim të ministrit.
Neni 55/1 Emërimi dhe shkarkimi i drejtorit të institucionit arsimor parashkollor (shtuar me ligjin nr. 48/2018, datë 23.7.2018, shtuar fjalë në pikën 2 e 4, dhe shtuar pika 2/1 me ligjin 44/2023, datë 15.6.2023)
1. Drejtori i institucionit arsimor parashkollor emërohet nga kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse, pas propozimit të dy kandidatëve që vlerësohen me konkurrim të hapur nga komisioni i vlerësimit. Komisioni i vlerësimit përbëhet nga një përfaqësues i njësisë së vetëqeverisjes vendore, kryetari i bordit të institucionit, kryetari i këshillit të prindërve të institucionit, një përfaqësues nga insitucioni arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, dhe një mësues i zgjedhur nga këshilli i mësuesve.
2. Kandidati për drejtor të institucionit arsimor parashkollor duhet të ketë, të paktën, pesë vjet përvojë pune si mësues në arsimin parashkollor, të jetë trajnuar e pajisur me certifikatën e drejtuesit të institucionit arsimor parauniversitar dhe të mos bëjë pjesë, pas emërimit, në forumet drejtuese të partive politike.
2/1. Në rastet kur asnjë nga kandidatët për drejtor nuk është i pajisur me certifikatën e drejtuesit të institucionit arsimor parauniversitar, komisioni propozon dy kandidatë që vlerësohen sipas pikës 1 të këtij neni. Kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse emëron një nga kandidatët për një periudhë 1-vjeçare, me kushtin që kandidati të jetë pranuar në Shkollën e Drejtorëve. Pas përfundimit të kësaj periudhe, rishpallet procedura për përzgjedhjen e drejtuesit të institucionit arsimor sipas pikës 1 të këtij neni.
3. Kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore shkarkon drejtorin e institucionit arsimor parashkollor publik për shkelje të dispozitave të këtij ligji dhe akteve nënligjore të tij, si dhe për shkelje të etikës e të sjelljes në institucion.
4. Emërimi dhe/ose shkarkimi i drejtorit të institucionit arsimor parashkollor, privat kryhet sipas procedurave të përcaktuara nga vetë institucioni në rregulloren e tij i cili konfirmohet nga institucioni përgjegjës për licencimin. Kriteret e kualifikimit, të përcaktuara për drejtorin e institucionit arsimor parashkollor, publik, janë të njëjta edhe për drejtorin e institucionit arsimor parashkollor, privat.
Neni 56
Mësuesi
1. Mësuesi zhvillon mësimdhënien me synim zotërimin e kompetencave themelore, në bazë të standardeve të të nxënit dhe duke përzgjedhur ndërmjet metodave dhe praktikave bashkëkohore më të mira, vendase e të huaja.
2. Mësuesi ka të drejtë:
a) të ketë, në përputhje me këtë ligj, liri profesionale në zbatimin dhe zhvillimin e kurrikulës;
b) t’i sigurohen kushtet e mjaftueshme në institucion për mësimdhënie efektive;
c) t’i krijohen mundësi për zhvillim profesional;
ç) të zgjidhet dhe të zgjedhë në bordin e institucionit dhe në komisionin e etikës dhe sjelljes.
3. Mësuesi ka detyrë:
a) të zbatojë këtë ligj dhe aktet nënligjore, në zbatim të tij;
b) të përkujdeset për mbarëvajtjen e çdo nxënësi të tij;
c) të zbatojë dhe të zhvillojë kurrikulën;
ç) të përditësojë kompetencat profesionale;
d) të zbatojë rregulloren e institucionit;
dh) të japë ndihmesën e tij për mbarëvajtjen e institucionit ku punon.
Neni 57
Profesioni i mësuesit (ndryshuar me ligjin nr. 48/2018, datë 23.7.2018, shtuar pika 6 me ligjin nr. 44/2023, datë 15.6.2023)
1. Mësuesi për arsimin parashkollor duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor”, që formon mësues të arsimit parashkollor.
2. Mësuesi për arsimin fillor duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor” dhe diplomë të ciklit të dytë “Master Profesional”, që formon mësues të arsimit fillor, ose diplomë për arsimin fillor të ish-instituteve të larta pedagogjike.
3. Mësuesi për arsimin e mesëm të ulët dhe për arsimin e mesëm të lartë duhet të ketë fituar diplomën e ciklit të parë “Bachelor” në fushën/lëndët e arsimit të mesëm të ulët dhe të arsimit të mesëm të lartë dhe diplomën e ciklit të dytë “Master” me 120 ECTS në fushën e mësuesisë, që lidhet me programin e studimit të ciklit të parë.
4. Profesioni i mësuesit mund të ushtrohet edhe nga individë që zotërojnë diplomë universitare të ciklit të parë dhe të dytë ose diplomë universitare të integruar, të ngjashme ose të përafërt me fushën/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar, dhe njohuri të certifikuara në formimin psikopedagogjik nga institucione të arsimit të lartë, që ofrojnë programe të studimeve të formimit të vazhduar.
Diplomat e njëvlershme, diplomat e ngjashme ose të përafërta me diplomat e sipërpërmendura të këtij neni në fushat/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar dhe kriteret për hapjen e programeve të studimeve të formimit të vazhduar në fushën psikopedagogjike përcaktohen me udhëzim të ministrit.
5. Mësuesi i arsimit fillor, i arsimit të mesëm të ulët dhe i arsimit të mesëm të lartë, mësuesi i shkollave të arsimit të orientuar, mësuesi i kulturës së përgjithshme në shkollat profesionale, mësuesi që punon me nxënësit me aftësi të kufizuara dhe mësuesi me diplomë të ngjashme ose të përafërt me diplomat në fushat/lëndët e mësimdhënies në arsimin parauniversitar ushtron profesionin pasi:
a) të ketë kryer me sukses praktikën profesionale;
b) të ketë kaluar me sukses provimin e shtetit në fushën e formimit të tij, siç parashikohet në ligjin nr. 10 171, datë 22.10.2009, “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe në aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.
6. Për nevoja të procesit mësimor, institucioni vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar emëron mësues në dispozicion, që plotësojnë kriteret e këtij neni.
Neni 58
Zhvillimi i vazhdueshëm profesional
1. Institucioni arsimor planifikon zhvillimin profesional të mësuesve, sipas nevojave të tyre dhe në përputhje me politikat arsimore qendrore, vendore dhe të institucionit.
2. Format e zhvillimit profesional janë: zhvillimi i brendshëm profesional, trajnimet, rrjetet profesionale, këshillimet, kurset afatshkurtra dhe ato afatgjata.
3. Mësuesit dhe drejtorët trajnohen të paktën 3 ditë në vit.
4. Trajnimet zhvillohen sipas sistemit “kërkesë - ofertë”, në bazë të kërkesave nga institucionet arsimore dhe të ofertave nga agjenci trajnuese që mund të jenë publike ose private. Programet trajnuese akreditohen nga ministria.
5. Insitucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, organizojnë zhvillimin e vazhdueshëm profesional të mësuesve, në bashkëpunim me agjenci trajnuese, me programe trajnimi të akredituara, të përzgjedhura me konkurrim të hapur, sipas procedurave të parashikuara në udhëzimin e ministrit.
6. Burimet financiare për trajnimet janë nga kontributi vetjak i punonjësit arsimor, Buxheti i Shtetit, projekte të organizatave jofitimprurëse, të fondacioneve, të institucioneve, vendase ose të huaja, dhe burime të tjera të ligjshme.
Neni 59
Kualifikimi i mësuesve
1. Kategoritë e kualifikimit të mësuesve janë tri:
a) “Mësues i kualifikuar”;
b) “Mësues specialist”;
c) “Mësues mjeshtër”.
2. Rritja në kategori e mësuesit bëhet nëpërmjet përvojës, trajnimit dhe pasi të ketë dhënë me sukses provimin përfundimtar të kategorisë përkatëse të kualifikimit. Kriteret dhe procedurat e kualifikimit të mësuesve përcaktohen me udhëzim të ministrit.
3. Çdo kategori kualifikimi shoqërohet me një shtesë në pagë, masa e së cilës përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 60
Pranimi, pezullimi dhe largimi nga puna i mësuesit (ndryshuar pikat 1, 3 me ligjin nr.56/2015,datë 28.5.2015, ndryshuar pika 1 me ligjin nr. 48/2018, datë 23.7.2018, ndryshuar titulli, pika 1 dhe shtuar pikat 2/1 e 4 me ligjin nr. 44/2023, datë 15.6.2023)
1. Në institucionin arsimor publik, përfshirë edhe atë parashkollor, pranimi dhe emërimi i mësuesit në një vend të lirë pune mbështetet në parimin e meritës dhe të drejtën për zgjedhjen e institucionit arsimor. Emërimi i mësuesit bëhet nga drejtori i institucionit arsimor sipas renditjes në portalin “Mësues për Shqipërinë”, përveç mësuesit në dispozicion, i cili emërohet nga titullari i institucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, sipas renditjes në portal.
2. Drejtori i institucionit publik largon mësuesin nga institucioni për:
a) shkelje të dispozitave të Kodit të Punës, të këtij ligji e të akteve të tjera nënligjore;
b) shkelje të etikës e të sjelljes në institucion;
c) mosarritje të nxënësve, të përcaktuara në mënyrë objektive, si testimet e drejtorisë së institucionit ose të insitucionit arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, rezultatet në provimet kombëtare dhe vlerësimi i institucionit përgjegjës për sigurimin e cilësisë në arsimin parauniversitar.
2/1. Drejtori i IAP-së merr masën e pezullimit ndaj mësuesit në rastet kur:
a) gjykata ka vendosur masat e sigurimit personal;
b) mësuesi është në proces hetimi për kryerjen e një vepre penale sipas nenit 60/1 të këtij ligji.
3. Drejtori i institucionit arsimor publik fillon procedurën e largimit të mësuesit edhe me kërkesë të prindërve dhe vendos largimin pasi konsultohet me përfaqësues të prindërve të institucionit arsimor, sipas procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit.
4. Procedurat e pranimit, pezullimit dhe të largimit të mësuesit dhe mësuesit në dispozicion nga një vend pune, si dhe administrimi i portalit “Mësues për Shqipërinë” përcaktohen me udhëzim të ministrit.
Neni 60/1 Ndalimi për të punuar në sistemin arsimor parauniversitar (shtuar me ligjin nr. 44/2023, datë 15.6.2023) Punonjësi arsimor, si dhe çdo punonjës tjetër i sistemit arsimor, që punon me fëmijët, nuk mund të punësohet dhe, kur është i punësuar, përfundon marrëdhënien e punës në rast se:
a) është i regjistruar në Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale; ose
b) është dënuar me vendim penal të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale, që, për shkak të natyrës së veprës së kryer, diskrediton pozitën dhe figurën e punonjësit arsimor ose dëmton rëndë besimin e publikut në sistemin arsimor, pavarësisht nëse është rehabilituar sipas parashikimeve të Kodit Penal.
c) veprat penale në kuptim të shkronjës “b” të këtij neni përcaktohen me udhëzim të ministrit përgjegjës për arsimin.
KREU X TË DREJTAT DHE DETYRAT E NXËNËSVE DHE PRINDËRVE
Neni 61
Të drejtat dhe detyrat e nxënësit
1. Nxënësi ka të drejtë:
a) të përzgjedhë një institucion arsimor, publik ose privat;
b) të ndjekë institucionin arsimor publik që është në zonën e përcaktuar nga njësia bazë përkatëse e vetëqeverisjes vendore;
c) t’i sigurohet nga institucioni shërbim arsimor cilësor, sipas interesave, nevojave dhe mundësive të tij, si dhe ndihmë e posaçme për të përballuar vështirësitë e tij të veçanta të të nxënit;
ç) të informohet për të drejtat e detyrimet e tij, rregulloren e institucionit arsimor, për kurrikulën që institucioni i ofron, për format e vlerësimit, për provimet kombëtare, si dhe të vihet në dijeni me shkrim për rezultatet e ndërmjetme dhe përfundimtare të arsimimit të tij;
d) të shprehë pikëpamjet për çështje të arsimimit të tij, të ankohet për qëndrimet ndaj tij dhe të ketë vëmendjen e punonjësve të institucionit arsimor për këto pikëpamje e ankesa;
dh) të zgjidhet në bordin e shkollës pas moshës gjashtëmbëdhjetë vjeç;
e) të transferohet nga një shkollë në një shkollë tjetër të të njëjtit nivel arsimor.
2. Nxënësi ka detyrë:
a) të respektojë të drejtat e nxënësve të tjerë dhe të punonjësve të institucionit, të njohura me ligj;
b) të mësojë rregullisht;
c) të vijojë rregullisht dhe të marrë pjesë në veprimtari të tjera të institucionit;
ç) të respektojë rregullat e institucionit për mbrojtjen e shëndetit, të sigurisë e të mjedisit dhe të kërkojë respektimin e tyre nga nxënësit e tjerë dhe punonjësit arsimorë;
d) të respektojë rregulloren e institucionit.
Neni 62
Të drejtat dhe detyrat e prindërve
1. Prindërit janë partneri kryesor i institucionit arsimor në mbarëvajtjen e fëmijës dhe të institucionit.
2. Prindi ka të drejtë:
a) të informohet nga institucioni arsimor përkatës për legjislacionin arsimor në fuqi, për rregulloren e institucionit dhe për kurrikulën që institucioni i ofron fëmijës së tij;
b) të informohet për kushtet e sigurisë, të shëndetit dhe të mjedisit të institucionit dhe të kërkojë përmbushjen e tyre sipas standardeve të përcaktuara nga legjislacioni shqiptar;
c) të informohet për veprimtarinë e fëmijës së tij në institucion dhe të japë pëlqim për veprimtaritë plotësuese dhe jashtëshkollore që organizon shkolla;
ç) të vihet në dijeni për drejtimet kryesore të veprimtarisë së institucionit dhe arritjet e institucionit në krahasim me institucione të ngjashme.
3. Prindi ka detyrë:
a) të kujdeset që fëmija i tij të ndjekë rregullisht institucionin arsimor dhe të mësojë rregullisht;
b) të njoftojë për ndryshime të shëndetit dhe të sjelljes së fëmijës së tij;
c) të marrë pjesë në takimet për çështje që kanë të bëjnë me fëmijën e tij;
ç) të kontribuojë në mbarëvajtjen e institucionit.
KREU XI ARSIMIMI I FËMIJËVE ME AFTËSI TË KUFIZUARA
Neni 63
Parime të arsimimit të fëmijëve me aftësi të kufizuara (ndryshuar fjalë në pikën 1 e 2 dhe ndryshuar pika 3 me ligjin nr. 48/2018, datë 23.7.2018)
1. Arsimimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara synon zhvillimin e plotë të potencialit intelektual e fizik dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre për t’i përgatitur për gjithëpërfshirje në shoqëri dhe në tregun e punës.
2. Përfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në institucionet e arsimit special për ta është përgjithësisht e përkohshme. Përfshirja dhe integrimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara në kopshtet dhe shkollat e zakonshme të arsimit bazë është parësore.
3. Nxënësve me aftësi të kufizuara në dëgjim, shikim dhe komunikim u garantohet e drejta e edukimit në gjuhën e shenjave, e drejta e përdorimit të shkrimit Brail, si dhe e mjeteve didaktike në formë elektronike, të specializuara në funksion të edukimit të tyre.
Neni 64
Ndjekja e institucioneve arsimore nga fëmijët me aftësi të kufizuara
1. Nxënësve me aftësi të kufizuara u sigurohet arsimimi në shkollat e arsimit të mesëm të lartë, sipas kritereve të miratuara nga ministri dhe Ministri i Shëndetësisë.
2. Nxënësi me aftësi të kufizuara qëndron në shkolla të specializuara deri në moshën 19 vjeç.
3. Insitucioni arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, krijon një komision, të përbërë nga mjekë, psikologë, mësues dhe specialistë për fëmijët me aftësi të kufizuara, i cili, pasi shqyrton kërkesën e prindit ose të drejtorit të një institucioni arsimor, jep rekomandimet përkatëse për ndjekjen nga fëmija të një institucioni arsimor të zakonshëm a të specializuar.
4. Prindërit vendosin nëse fëmija e tyre me aftësi të kufizuara do të ndjekë një institucion të specializuar ose të zakonshëm të arsimit bazë. Prindërit mund të largojnë në çdo kohë nga shkolla fëmijën, kur e gjykojnë se ai nuk përfiton nga mësimet ose ka mundësi të tjera më të mira.
5. Ministria, në bashkëpunim me njësinë bazë të vetëqeverisjes vendore dhe në këshillim me prindërit e komisionin, siguron arsimimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara në njërin nga dy llojet e institucioneve arsimore, të zakonshme ose të specializuara.
6. Insitucioni arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar,, sipas kritereve dhe procedurave të përcaktuara me udhëzim të përbashkët të ministrit dhe të Ministrit të Shëndetësisë, i siguron arsimim në shtëpi nxënësve që nuk munden të ndjekin një shkollë të zakonshme ose të specializuar të arsimit bazë.
Neni 64/1 Arsimimi i fëmijëve me aftësi të kufizuara në qendra burimore (shtuar me ligjin nr. 44/2023, datë 15.6.2023)
1. Qendër Burimore është institucioni i arsimit special, që ka për qëllim të mbështesë arsimimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, duke përmirësuar në vijimësi rezultatet e të nxënit dhe t’i përgatisë ata për gjithëpërfshirjen dhe aftësimin për jetën, duke zhvilluar aftësitë e duhura në të gjitha fushat e përditshmërisë së tyre, sipas legjislacionit në fuqi për aksesueshmërinë dhe mosdiskriminimin.
2. Me urdhër të ministrit përgjegjës për arsimin krijohen qendrat burimore si institucione arsimore parauniversitare, që ofrojnë arsim special dhe shërbime për fëmijë me aftësi të kufizuara, sipas legjislacionit në fuqi për aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara.
3. Qendrat burimore kanë punonjës të specializuar në aftësinë e kufizuar, si mësues të arsimit special, mjekë, punonjës të shërbimit psikosocial, terapistë, që ofrojnë shërbime mbështetëse dhe rehabilituese të specializuara për fëmijët me aftësi të kufizuara edhe në shkollat e zakonshme.
4. Qendrat burimore sigurojnë mbështetje për gjithëpërfshirjen në kuadër të burimeve që kanë në dispozicion, në bazë të kërkesave të institucioneve arsimore parauniversitare, që arsimojnë nxënësit me aftësi të kufizuara.
5. Kriteret dhe procedurat për hapjen, mbylljen dhe riorganizimin e institucioneve të arsimit special në qendra burimore, si dhe mënyra e organizimit dhe funksionimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 65
Organizimi i arsimimit të fëmijëve më aftësi të kufizuara
1. Nxënësit me aftësi të kufizuara mësojnë sipas planit mësimor e programeve lëndore të zakonshme, të përshtatura për ta, ose sipas planit mësimor e programeve lëndore të specializuara për ta.
2. Në institucionet arsimore të zakonshme, programi i personalizuar për nxënësin me aftësi të kufizuara hartohet nga një komision, në përbërje të të cilit janë mësues të fushave të ndryshme të të nxënit të institucionit e psikologë. Hartimi i këtij programi bëhet në bashkëpunim me prindërit e nxënësit. Ndryshimi i programit të personalizuar brenda një institucioni arsimor vendoset nga komisioni brenda institucionit, në bashkëpunim me prindërit e fëmijës.
3. Nxënësve me aftësi të kufizuara u sigurohen mësues ndihmës dhe shërbim rehabilitues, sipas kritereve të përcaktuara me udhëzim të ministrit. Punonjësit arsimorë të institucioneve, që kanë nxënës me aftësi të kufizuara, certifikohen në programe trajnimi për trajtimin e këtyre nxënësve.
4. Njësia përkatëse bazë e vetëqeverisjes vendore u siguron nxënësve me aftësi të kufizuara mjediset e përshtatshme të mësimdhënies e të të nxënit, sipas standardeve të përcaktuara nga ministria.
KREU XII SHKELJET E KËRKESAVE LIGJORE NË FUSHËN E ARSIMIT PARAUNIVERSITAR
Neni 66
Mbledhja dhe përpunimi i të dhënave personale
1. Mbrojtja dhe përpunimi i të dhënave personale të nxënësve dhe të punonjësve të sistemit arsimor bëhen në përputhje me ligjin nr. 9887, datë 10.3.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, të ndryshuar.
2. Nxënësit janë të detyruar të japin të dhënat personale, sipas pikës 1 të këtij neni. Institucioni arsimor njofton paraprakisht personat për këtë detyrim ligjor.
3. Institucioni arsimor mbledh e përpunon të dhëna personale të personave dhe i vendos ato në dokumentet zyrtare, si dhe në dosjen vetjake të personit. Këto të dhëna personale përcaktohen me udhëzim të ministrit, pasi merret mendimi i Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
4. Pëlqimi për t’i përdorur të dhënat personale jepet nga vetë personi kur ka mbushur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, përndryshe jepet nga prindërit e tij. Pëlqimi paraqitet me shkrim.
Neni 67
Mbrojtja e të dhënave personale të nxënësve
1. Personi ka të drejtë të njihet me të dhënat e tij personale, që disponon institucioni arsimor përkatës.
2. Punonjësit e institucionit arsimor nuk kanë të drejtë t’u vënë në dispozicion të tjerëve, jashtë institucionit, të dhëna personale të një personi, duke treguar identitetin e tij, me përjashtim të rasteve kur personi paraqet kërkesën ose jep pëlqimin.
3. Drejtuesi i institucionit arsimor u dërgon zyrtarisht institucioneve, që përcaktohen me udhëzim të ministrit, të dhëna personale pa identifikuar personat.
4. Rezultatet e nxënësve në provimet kombëtare dhe të dhënat e tyre për hyrjen në institucionet e shkollave të larta, si dhe rezultatet e mësuesve në provimet e kualifikimit nuk zbulojnë identitetin e personit.
5. Punonjësi i institucionit arsimor e ka të ndaluar të japë të dhëna për arritjet mësimore dhe sjelljen e një nxënësi të institucionit arsimor në mënyrë publike ose t’ia japë ato një personi të veçantë.
6. Të dhënat personale të një grupi personash mund t’u vihen në dispozicion institucioneve të tjera për studime, vetëm pas miratimit me shkrim të drejtorit të institucionit arsimor, pa zbuluar identitetin e tyre.
KREU XIII KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE
Neni 68
Ndjekja e arsimit të detyrueshëm Mosregjistrimi dhe mungesat e paarsyeshme të fëmijës në mësim për më shumë se 25 për qind të orëve mësimore gjatë një viti shkollor vlerësohen si rast i neglizhencës prindërore dhe trajtohen në përputhje me ligjin nr.10 347, datë 4.11.2010 “Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës”.
Neni 69
Ushtrimi i veprimtarisë së institucioneve arsimore private pa licencë (ndryshuar pika 2 me ligjin nr. 44/2023, datë 15.6.2023)
1. Hapja dhe ushtrimi i veprimtarisë së institucioneve arsimore private pa licencën përkatëse, sipas këtij ligji, përbën kundërvajtje administrative. Kundërvajtësi dënohet me dënim administrativ kryesor gjobë, në vlerën nga 500 000 deri në 1 000 000 lekë, dhe me dënim administrativ plotësues “ndërprerjen e menjëhershme të veprimtarisë”.
2. Vendimi për dënimin e kundërvajtësit, sipas pikës 1 të këtij neni, është në kompetencën e institucionit përgjegjës për ofrimin dhe sigurimin e shërbimit arsimor dhe merret në vend me konstatimin e shkeljes nga inspektori i autorizuar nga institucioni përgjegjës për ofrimin dhe sigurimin e shërbimit arsimor sipas legjislacionit për inspektimin.
Neni 70
Shkelja e kërkesave ligjore nga institucionet arsimore private (shfuqizuar pika 6 me ligjin nr. 48/2018, datë 23.7.2018, ndryshuar fjalë, shtuar fjalë dhe pika 3/1 me ligjin nr. 44/2023, datë 15.6.2023; shtuar togfjalësh në pikën 3/1 me ligjin nr. 99/2024, datë 12.9.2024)
1. Shkelja e kërkesave ligjore për veprimtarinë e institucioneve arsimore private përbën kundërvajtje administrative, që konstatohet dhe dënohet nga inspektori i autorizuar nga institucioni përgjegjës për ofrimin dhe sigurimin e shërbimit arsimor në arsimin parauniversitar me këto dënime administrative kryesore:
a) paralajmërim;
b) gjobë në vlerën nga 10 000 deri në 100 000 lekë.
2. Kur është e nevojshme, inspektori i autorizuar nga institucioni përgjegjës për ofrimin dhe sigurimin e shërbimit arsimor në arsimin parauniversitar vendos që dënimi administrativ kryesor, sipas pikës 1 të këtij neni, të shoqërohet me urdhërimin e subjektit të inspektimit për të korrigjuar shkeljet e konstatuara dhe për të eliminuar pasojat e tyre, duke përcaktuar edhe një afat të arsyeshëm për këtë qëllim.
3. Në rast të konstatimit të shkeljeve të rënda, që përbëjnë mosplotësim të kushteve të licencimit për institucionin arsimor privat, nëse inspektori i autorizuar nga institucioni përgjegjës për ofrimin dhe sigurimin e shërbimit arsimor në arsimin parauniversitar merr vendimin për dënimin e kundërvajtësit, me dënimin kryesor të parashikuar nga shkronja “b” e pikës 1 të këtij neni dhe, nëse është e nevojshme, institucioni përgjegjës për ofrimin dhe sigurimin e shërbimit arsimor propozon dënimin administrativ plotësues të pezullimit apo heqjes së licencës për ushtrimin e veprimtarisë. Vendimi përfundimtar për pezullimin apo heqjen e licencës është në kompetencën e ministrit.
3/1 Procedura që ndiqet nga inspektori i autorizuar nga institucioni përgjegjës për ofrimin dhe sigurimin e shërbimit arsimor, sipas pikave 1, 2 dhe 3 të këtij neni dhe moskorrigjimi i shkeljeve nga subjekti i inspektimit, rregullohet nga legjislacioni për inspektimin.
4. Institucioni arsimor privat, licenca e të cilit është pezulluar, mund ta fitojë atë për vitin pasardhës shkollor, në qoftë se plotëson kushtet e licencimit.
5. Në rast të pezullimit dhe/ose heqjes së një licence, insitucioni arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, përkatëse i vendos nxënësit në institucione të tjera arsimore, publike ose private. Shpenzimet për përfundimin e një viti shkollor, për të gjithë nxënësit e regjistruar në atë shkollë private, përballohen nga garancia bankare e institucionit arsimor privat të mbyllur. Modalitetet e transferimit të nxënësve përcaktohen me udhëzim të ministrit.
6. Shfuqizuar.
Neni 71
Shkelja e kërkesave ligjore nga institucionet arsimore publike (ndryshuar fjalë në pikat 1 e 3 me ligjin nr. 44/2023, datë 15.6.2023)
1. Shkelja e kërkesave ligjore për veprimtarinë e institucioneve arsimore publike përbën kundravajtje administrative nga drejtori i institucionit arsimor publik, që konstatohet dhe dënohet nga inspektori i autorizuar nga institucioni përgjegjës për ofrimin dhe sigurimin e shërbimit arsimor, sipas legjislacionit për inspektimin me këto dënime administrative kryesore:
a) paralajmërim;
b) gjobë, në vlerën e gjysmës së pagës mujore.
2. Pika 2 e nenit 70 zbatohet edhe në këtë rast.
3. Përveç zbatimit të dënimit administrativ, sipas pikës 1 të këtij neni, institucioni përgjegjës për ofrimin dhe sigurimin e shërbimit arsimor në arsimin parauniversitar informon për shkeljet e konstatuara edhe insitucionin arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar, përkatëse.
Neni 71/1 (Shtuar me ligjin nr. 99/2024, datë 12.9.2024) “Ankimi”, ankimi administrativ kundër vendimeve përfundimtare në fushën e inspektimit paraqitet dhe shqyrtohet sipas ligjit për inspektimin në Republikën e Shqipërisë.
KREU XIV DISPOZITAT E FUNDIT DHE KALIMTARE
Neni 72
(shtuar pika 6 me ligjin nr. 48/2018, datë 23.7.2018)
1. Ligji nr.7952, datë 21.6.1995 “Për sistemin arsimor parauniversitar”, i ndryshuar, si dhe çdo dispozitë tjetër që lidhet me arsimin parauniversitar dhe është në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.
2. Aktet e tjera normative, të miratuara para datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji, zbatohen derisa nuk janë shfuqizuar.
3. Institucionet arsimore private dhe institucionet arsimore private plotësuese, të licencuara përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr.10 081, datë 23.2.2009 “Për lejet, licencat dhe autorizimet në Republikën e Shqipërisë”, dhe ato të licencuara me ligjin e sipërpërmendur, përshtatin dokumentacionin e organizimit dhe të funksionimit institucional, si dhe atë mësimor, në përputhje me këtë ligj, brenda 9 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
4. Struktura e re e arsimit bazë, neni 22 i këtij ligji, i shtrin efektet duke filluar nga viti shkollor 2015 - 2016. Provimi i gjuhës së huaj i maturës shtetërore i shtrin efektet e zbatimit në maturën shtetërore 2014. Provimi i gjuhës së huaj i arsimit bazë i shtrin efektet e zbatimit në vitin 2015.
5. Personeli mësimdhënës, që është i punësuar me kontratë të përhershme dhe ka formimin përkatës universitar, ruan vendet e punës dhe u nënshtrohet trajnimeve për përditësimin e dijeve që lidhen me profesionin. Ky përcaktim vlen edhe për mësuesit që kanë përfunduar arsimin e lartë pedagogjik 3-vjeçar, përpara hyrjes në fuqi të sistemit të Bolonjës.
Personeli mësimdhënës, që është i punësuar me kontratë të përhershme dhe që ka mbaruar një shkollë të mesme pedagogjike ose shkollë tjetër të profilizuar për mësuesi, siç janë shkollat e mesme të muzikës, artistike, të gjuhëve të huaja dhe fizkulturës, dhe që ka fituar tri shkallët e kualifikimit, ruan vendet e punës dhe u nënshtrohet trajnimeve për përditësimin e dijeve që lidhen me profesionin.
6. Personelit mësimdhënës, që ka përfunduar studimet universitare në ish-institutet e larta pedagogjike, diploma e përfituar i njihet si arsim i lartë, tetë semestra, për efekt page.
Dispozita kalimtare (e ligjit nr. 48/2018, datë 23.7.2018)
1. Kriteri i trajnimit dhe pajisjes me certifikatën e drejtuesit të institucionit arsimor parauniversitar, sipas nenit 14, të këtij ligji, hyn në fuqi 2 vjet nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
2. Kriteri i trajnimit dhe pajisjes me certifikatën e drejtuesit të institucionit arsimor parashkollor, sipas nenit 15, të këtij ligji, hyn në fuqi 4 vjet nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
3. Drejtorët dhe zëvendësdrejtorët e institucioneve arsimore parauniversitare, që janë në detyrë në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, vazhdojnë të kryejnë funksionin e tyre. Kriteret dhe procedurat për kualifikimin, trajnimin dhe certifikimin e drejtorëve e zëvendësdrejtorëve në detyrë, për periudhën deri në plotësimin e kritereve, sipas pikave 1 dhe 2, të këtij neni, përcaktohen me udhëzim të ministrit.
Dispozita kalimtare (e ligjit nr. 44/2023, datë 15.6.2023)
1. Kriteri i trajnimit dhe pajisjes me certifikatën e drejtuesit të institucionit arsimor, si dhe drejtuesit të institucionit arsimor parashkollor, sipas pikës 3 të nenit 55 dhe të pikës 2 të nenit 55/1 të ligjit, nuk zbatohet deri në 2 vjet nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
2. Ngarkohet ministri përgjegjës për arsimin për nxjerrjen e aktit nënligjor në zbatim të nenit 60/1, shkronja “c”, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Neni 73
Nxjerrja e akteve nënligjore
1. Ministri nxjerr urdhra dhe udhëzime për zbatimin e këtij ligji brenda nëntë muajve nga hyrja në fuqi e tij.
2. Këshilli i Ministrave nxjerr aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji brenda nëntë muajve nga hyrja në fuqi e tij.
Neni 74
Hyrja në fuqi Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Miratuar në datën 21.6.2012 Shpallur me dekretin nr. 7696, datë 18.7.2012 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi